| Tirane |

|
| Durres |
|
| Vlore |
|
| Shkoder |
|
| Korce |
|
|
|
|
»
Vendosur: 19/11/2007 - 12:00
|
• Martin Leka
Zgjedhjet në Kosovë nuk ishin thjesht dhe vetëm zgjedhje. Nuk ka fare rëndësi, në një kuptim, nëse kryeministër i Kosovës do të ishte Thaçi apo Haradinaj; apo kryetar i Mitrovicës do të ishte Bajram Rexhepi e i Prishtinës Fatmir Limaj… Ajo që kishte vërtet rëndësi vendimtare ishte pikërisht arritja e standardit të nevojshëm demokratik, standard që u vlerësua dhe u përshëndet menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht SHBA. Pikë së pari, zgjedhjet në Kosovë treguan për pjekurinë e klasës politike. Një fushatë elektorale e konsideruar model, pa kurrfarë incidentesh e me një performancë jo larg zgjedhjeve që zhvillohen në perëndim ishte një tregues sinjifikativ i kësaj pjekurie të klasës së re politike në Kosovë. Por ajo që më së shumti ra në sy dhe krijoi jo pak dilema apo hamendësime në opinion apo te kritikët, sidomos radikalët, ishte pikërisht një farë anashkalimi deri në indiferentizëm i premtimeve të liderëve politikë gjatë prezantimit të tyre elektoral për pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk u përdor në fushatë si "kalë beteje" nga liderët politikë dhe ky akt, qoftë i ndërgjegjshëm, qoftë i imponuar, tregoi gjithsesi se vota e zgjedhësve të Kosovës "nuk ishte një votë patriotike, siç jemi mësuar ta gjykojmë rëndom, por ishte një votë zgjedhjeje për alternativat, premtimet, vlerësimet për politikën e politikanët kosovarë. Në këtë kuptim, jo vetëm politika kosovare, por qytetarët e Kosovës, votuesit kanë qenë të lirë të mos bëjnë zgjedhje "të detyruar" me sloganet "Kosova e çliruar, Kosova e lirë, Kosova e pavarur", etj., etj., sepse përndryshe, ata fare mirë do të mund të "votonin" Albin Kurtin…(?!). Një e re tjetër dhe në funksion të asaj çka shprehëm më lart, është edhe një pjesëmarrje relativisht e ulët e zgjedhësve në votimet e zhvilluara të shtunën në Kosovë. Kjo rënie e ritmit të pjesëmarrjes, krahasuar me zgjedhjet e kaluara, nuk mund të konsiderohet ndonjë "sakrilegj" i madh dhe nuk duhet t'i shtyjë kritikët të mendojnë se kosovarët nuk janë ende të përgatitur për pavarësinë dhe ndërtimin e shtetit të tyre. Mandej ndoshta duhet konsideruar pikërisht si një përgatitje e kënaqshme e qytetarëve kosovarë për demokracinë dhe ndërtimin e shtetit të tyre. Vende mjaft të zhvilluara demokratike përballen për arsye nga më të ndryshmet me bojkotin e zgjedhjeve në shifra mjaft të ulëta, madje edhe dramatike. Prishja e konfiguracionit politik është ndoshta surpriza e vërtetë e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Ndërsa pritej që ndryshimet të mos ishin kaq të thella, ndodhi pikërisht e kundërta. Lidhja (Lidhjet duhet thënë) Demokratike e Kosovës për herë të parë do të duhet të dalë në opozitë, nëse nuk do të mund të qeverisë në një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës së kryesuar nga Thaçi. Përpos shumë faktorëve të tjerë, partia e themeluar nga i ndjeri Ibrahim Rugova, udhëheqësi historik i saj dhe Kosovës për shumë vite me radhë u përça pas disa mosmarrëveshjeve të brendshme, çka bëri që ish-numri dy i saj e njëherazi edhe ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Daci, të krijojë fraksionin apo një tjetër "LDK". Duke parë rezultatet e deritanishme, edhe pse nuk e kalojnë PDK-në e Thaçit, dy partitë që programohen gjithnjë si pasardhëse të Rugovës shkojnë në shifra pothuajse të barabarta të përkrahësve. Nga ana tjetër, kemi një përqindje relativisht të lartë të partisë së biznesmenit të njohur Pacolli, përqindje që më shumë se sa programeve dhe vizionit i kushtohet imazhit dhe publicitetit apo thënies së vjetër "paraja çan malin". Por më shumë se kjo, ajo që po çudit sot opinionin është pikërisht zbritja drastike e partisë që kryesohet nga politikani i konsideruar i moderuar, publicisti e gazetari i njohur Veton Surroi, rënie gjer në mundësinë e mosparaqitjes në Kuvendin e Kosovës, duke mos arritur pragun elektoral. Ardhja në krye të qeverisjes e partisë së konsideruar si pasardhëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në planin e jashtëm, sidomos tek ata që i afrohen Serbisë e aleatëve të saj në qëndrime e gjykime mund të përhapë mjaft polemika për të ashtuquajturën "vijë të ashpër". Por krejt tjetër duket në fakt situata në planin e brendshëm. Hashim Thaçi, ndoshta jo shumë për karizmën apo përvojën e tij udhëheqëse, ka ditur mjaft mirë të performojë partinë dhe të promovojë njerëz me mjaft peshë publike në Kosovë, duke rritur kështu besimin e qytetarëve të Kosovës. Por nga ana tjetër, kjo duket edhe si një "kthim borxhi" apo mirënjohje që kosovarët kishin "detyrim" ndaj sakrificave e përkushtimit të atyre që luftuan në periudhën më vendimtare, ku u ndanë përfundimisht liria me robërinë, demokracia me diktaturën. Kjo mund të jetë vetëm një panoramë e shpejtuar mbi profilin e këtyre zgjedhjeve, profil që gjithsesi, në fund të fundit, tregoi me të gjithë elementët e saj se Kosova është e përgatitur për pavarësinë e vet, është e përgatitur për ndërtimin e shtetit të vet, është e përgatitur dhe e aftë të zhvillojë zgjedhje demokratike të standardeve të larta. Ja pse këto ishin më shumë se sa zgjedhje, zgjidhje!
|
|
|
|
|
|
|
PANORAMA & PANORAMA SPORT |
PANORAMA PLUS & UNE GRUAJA |
|
|