Analiza, ana tjetër e kontributit shkrimor të autorit Namik Dokle! Ritregim i legjendave të Gorës dhe visaret e vyera

Apr 25, 2024 | 10:13
SHPËRNDAJE

BEHAR GJOKA/ Libri më i ri i Namik Dokles, “Vallëzim me hënën”, paraqet një anë tjetër të kontributit shkrimor të autorit, madje në hapësirën tekstologjike të tekstit, realizohet dhe materializohet një tip tjetër libri, që kërkon vëmendje dhe analizë të thelluar.

Vallëzim me hënën namik dokle

Nënshtrati më i rrokshëm, që përçon teksti i librit, është paraqitja e vlerave shpirtërore, të legjendave të krahinës së Gorës, me shumë mundësi, të amës së memories gojore, që ende ruhet në vargje dhe në copëza më të shkurtra, treguar në prozë. Njëherit, bazuar vetëm në materien tekstologjike, jemi edhe në situatën tjetër, krejt tjetërsojshëm, të rishkrimit, pra të aktit të qartë të përpunimit të autorit, që përfshin mbledhjen, sistemimin dhe sendërgjimin e një situate tjetër, që tanimë shpalohet në formën e ritregimit të legjendave, të kësaj pasurie të jashtëzakonshme. Varësisht tipologjisë së këtij libri, pra të botimit të legjendave, të rishkruara, tanimë të derdhura në formën ritregimit të këtyre visareve të vyera. Prandaj, për të hyrë realisht në marrëdhënie me materien letrare, është e pashmangshme ndalesa në disa aspekte që përmban ky tekst.

PRANIA E DY TITUJVE EMËRTUES

Në kopertinën e librit, ndërkaq kemi të shqiptuar dy tituj, të vendosur jo rastësisht, në këtë rrethanë dyfishimi. Nga njëra anë, libri titullohet “Vallëzim me hënën”, që është një përcaktim autorial, por njëherësh, sintagma vallëzim më hënën, shënjon edhe majën më të lartë të vlerave shpirtërore dhe estetike, që bartin legjendat e Gorës. Në këtë situatë, të shpalimit të titullit, po kaq të ndërmendet edhe situata siprane, ku hëna ka zbritur në lëndinë dhe me tri bukuroshet e Gorës ka hedhur valle, si katër hëna, të cilat janë veshur me dritën e hënës. Pa mëdyshje është e jashtëzakonshme gjendja letrare, është më shumë se magji, është pasqyra ku përthyhet dhe projektohet shpirti dhe identiteti goran. Megjithatë, rrafshi i epërm, i shpalimit të vlerave shpirtërore të mbinatyrshme, në fjalësinë e derdhur, befas dekodohet me anë të titullit të dytë, të librit, që emërtohet “Legjendat e Gorës”, duke vendosur kështu një ekuilibër të përfaqësimit të kësaj pasurie të pazakontë, të asaj krahine, ndonëse të përndarë në tre shtete. Titulli i dytë, më në fund e vendos në marrëdhënie përmbajtësore materien e tekstit, e mbi të gjitha paralajmëron se në këtë libër janë përmbledhur legjendat e Gorës, një pasuri e pazakontë dhe unike, ku janë përfshirë pesëdhjetë e dy legjenda, pjesë e kujtesës dhe kurorës shpirtërore të Gorës.

ZHANRI I LËVRUAR

E theksuam qysh në krye se në faqet e këtij libri, kemi të bëjmë me rishkrim të legjendave, pasojë e përpunim të plotë autorial, që më tepër mishërojnë tipin e ritregimit. Pra, në kuptimin formal, ritregimi hyn në zhanrin e prozës, që përgjithësisht ka të bëjë me rishkrimin e teksteve poetike në prozë, ku botërisht njihet ritregimi i dramatikës së Shekspirit e të shumë shkrimtarëve të tjerë, për të zgjeruar komunikimin me lexuesin e gjithë moshave. Për dallim nga format e tjera të prozës, tregimit, novelës dhe romanit, apo të formave të tjera, rrëfenjave dhe përrallave, kalimi nga poezia në prozë, mbase më tepër përfaqëson një nënzhanër të prozës, që vetiu ruan marrëdhënien me poezinë, si gjendje dhe figurim, por që ndërkohë formësohet me anë të prozëshkrimit. Më në fund, pa drojë mund të themi, bukuria e legjendave, stili i hollë dhe poetik, me të cilën paraqiten, vetiu të kredhë në magjinë dhe madhështinë që ngërthejnë, tekstet e ritreguara nga autori.

Kalimi i legjendave nga ekzistenca e tyre në formë gojore, tanimë të shkruar, përfaqëson një përmbysje, një kapërcim të gjendjes së jetësimit të tyre, të cilat në fillim kanë qenë në vargje ose në proza të shkurtra, gjë që tregon se është kryer edhe një akt tjetër, kalimi në situatën e shkrimit të prozës, ndonëse vihet re si diku në copëzat e legjendave, përcillen edhe vargje. Pra kalimi nga gjendja gojore, shënon hapin e parë, po kaq përçimi me anë të prozës, edhe të rasteve të lëndës poetike, dëshmon se jemi në rishkrim, me shumë gjasa, në një sintagmë ritregimi nga ana e autorit, të këtyre legjendave.

Në historinë e letërsisë shqipe, libri “Tregime të moçme shqiptare”, i Mitrush Kutelit, botuar në vitin 1964, është përvoja e parë, e suksesshme e rishkrimit të Eposit të Kreshnikëve, si dhe të këngëve historike për Gjergj Kastriot Skënderbeu. Lidhur me këtë përvojë, Mitrush Kuteli, në parafjalën e librit, ndër të tjera shkruan: “Të përpiqesh ta kthesh këngën në tregim është, shpesh, pothuaj e njëjta gjë sikur të mundohesh të futësh qiellin në shami.” (2015: 16), çka që zbulon një vetëdije tepër të ngritur letrare. Libri “Vallëzim me hënën”, i autorit Namik Dokle, shënon rastin e dytë, që lidhet me rishkrimin e krijimtarisë gojore. Nuk është qëllimi te krahasimi, as të përngjasimi, por te fakti i praktikës së rishkrimit të artit popullor, por te faktologjia e futjes së librit “Vallëzim më hënën”, në zhanrin e ritregimit të legjendave të Gorës, madje pavarësisht rrethanës së ekzistencës së tyre parake, në poezi apo në prozë.

LIBËR I RËNDËSISHËM

Në rastin e librit “Vallëzim me hënën”, një përvojë e vyer e ritregimit të krijimtarisë popullore të Gorës, pikërisht të legjendave të asaj krahine, prandaj të thuash është cilësor, është libër i mirë dhe i rrallë, është e pamjaftueshme, sepse më së pari, ky tekst është libër me rëndësi jetike për mbijetesën e atyre legjendave:

Së pari: Këngët dhe tregimthet gojore janë mbledhur, sistemuar, si dhe janë botuar si visare të paçmuara, pra tanimë kanë hyrë në fondin e pasurisë shpirtërore të Gorës, të vendit ku dielli del dy herë, e hëna fshihet dy herë.

Së dyti: Përpunimi i thellë i tyre, në faqet e këtij libri, në nivel të pazakontë stilistik, të narrativës dinamike, të figurimit plot dritë të protagonistëve, përcejllë me një fjalor të përzgjedhur, gati-gati magjik, gjithsesi pa bjerrë thelbin ekzistencial të ekzistencës fillimtare, të formës gojore, të përcjellë brez pas brezi, në kohë dhe hapësirë.

Së treti: Prania e tharmit të disa prej këtyre legjendave, mbase të pjesëve më të fuqishme, si hipertekste apo paratekste, të pranishme në trilogjinë e romaneve për Gorën, vendlindjen e autorit: “Vajzat e mjegullës”, “Lulet e skajbotës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”, pa mëdyshje këto tri tekste përfaqësojnë sagën romanore për Gorën, ku faniten vajzat bukuroshe, që kërcejnë bashkë me hënën, djemtë teksa ngjiten nëpër dritare, e mbi të gjitha shkëlqen me praninë e vetë, Majka, nanëmadhja, treqindvjeçare, si mbamendje e pashmangshme, e cila është protagoniste e legjendave, por edhe e të tre romaneve për Gorën, porse me figurën e saj gdhendet mençuria dhe vetëdija për ta mbajtur ndezur, bukurinë e këngëve, të legjendave të asaj krahine. Vlerat e mëdha të shpirtit të Gorës, me gjasë të bukurisë magjike të legjendave, tanimë ekzistojnë në dy forma:

A – Të përmbledhura, rishkruara si libër me vete, në librin “Vallëzim me hënën”, pjesë e visareve të kujtesës së artit popullor.

B – Si pjesë organike e krijimtarisë së autorit, sidomos e romaneve të shkruara në këtë periudhë, si situatën e hapësirës hipertekstuale.

HIPERBOLIZIMI DHE ÇËSHTJE TË STILIT

Materia letrare e librit “Vallëzim me hënën”, është një hapësirë e pazakontë, ku shpërfaqet një stil i ngritur, dinamik dhe përplot laryshi shprehësie.

Toni tepër i ngritur, stili përshkrimor dhe narrativ, veçmas është i lidhur me dy gjendje:

– Me ngurtësimin, që ka të bëj me përsosjen në mbledhjen dhe sistemimin e legjendat e Gorës, në kohë dhe hapësirë, në ekzistencën në formën e parë si ligjërim gojor.

– Me shkallën e një përpunimit të plotë të autorit, si rishkrim i tyre, duke realizuar një situatë të formësimit të ritregimeve të jashtëzakonshme.

Mjeti kryesor, që bartet nga gjendja e legjendave orale, por që në shkrimin e tyre, me gjasë në rishkrimin e pranishëm, ringjizet dhe përforcohet natyra e tyre, është hiperbola, e cila ka peshë të madhe, gjithnjë për të materializuar fantastiken, lëndën e pashmangshme të mbijetesës së legjendave.

Në mënyrë të veçantë, prania e numrave tek, siç ngjet në prozën “Me të drejtën e Zotit”, ku flitet për tri mijë dele, ku ndeshim shumëfishimin, si tregues e zmadhimit të nevojshëm. Një personazh kryesor dhe protagoniste e legjendave gojore, që për më tepër rimerret dhe formësohet si rishkrim i ritreguar, është Majka, treqind vjeçare, e cila vjen e skalitur në tekstin “Magjistarja treqind vjeçare”, por edhe në disa legjenda të tjera. Numri tek, ka rol të veçantë edhe në tekste të tjera, si shtatë mijë vezë, te teksti “Mjeshtri dhe Djalli”, dhe përgjithësisht në gjithë prozat e paraqitura në këtë libër. Numrat tek, pra tre, shtatë, nëntë dhe shumëfishimi i këtyre numrave tek, është pjesë e poetikës gojore, mjaft e pranishme në legjendat dhe baladat popullore, si një element që zmadhon, me gjasë hiperbolizon gjendjen etike dhe estetike që përçojnë legjendat. Ruajtja e hiperbolizimit, si mënyrë e realizimit dhe vizatimit të legjendave, edhe në rastin e rishkrimit, të ritreguara në faqet e librit, po kaq tregojnë se autori njeh, gjer në detaje të imta, parametrat e ekzistencës së tyre, e po kaq edhe të ruajtjes së tharmit të ekzistencës së legjendave.

Teksti i parathënies, titulluar “Gora dhe legjendat e Gorës”, përfaqëson një analizë të hollësishme të kësaj pasurie, të pashoqe të shpirtit të Gorës. Pohimi i bërë në tekstin paraprirës të legjendave: “Sot e kësaj dite, në shumë fshatra të Gorës, vajzat mblidhen çdo mbrëmje para portave të tyre dhe këndojnë këngët lirike, në të cilat kuvendojnë me djemtë, me zogjtë, me yjet dhe hënën, i shprehin qiellit dhe tokës dëshirat dhe vuajtjet, ëndrrat dhe zhgënjimet e jetës.” (2024: 10-11), që vjen si një sugjerimi për t’i lexuar dhe mbi të gjitha për ta hipotekuar në panteonin e universit të vlerave shpirtërore, magjinë e legjendave të Gorës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura