Sulmet e Nexhmije Hoxhës ndaj Ismail Kadaresë: Ishte ndjerë e poshtëruar nga historia e “Princeshës Argjiro”! Kërcënimi i fshehur i Ramiz Alisë mund ta çonte shkrimtarin në burg

Oct 18, 2023 | 13:38
SHPËRNDAJE

Vazhdimisht është cekur raporti i shkrimtarit Ismail Kadare me diktatorin Hoxha. Sepse ky raport është lajtmotivi mjeran i një zhanri shkarra-shkruesish, që vijnë nga thellësitë më të errëta të puseve të mendimit.

kadare-qemal-lameMarrëdhënia e Ismail Kadaresë me diktaturën më të sofistikuar të Evropës është marrëdhënia më e ndërlikuar që një bard i mendimit të lirë mund të ketë ndërtuar me një despot komunist. Ku ka ndodhur që tirani i një shteti dhe shkrimtari më i shquar i tij me prejardhje nga një rrugicë e vetme e një vendlindjeje të përbashkët të bashkëjetojnë për mbi 40 vjet me radhë, duke qenë sfidues aktivë të njëri-tjetrit.

Njëri vazhdonte të shtypte me zjarr dhe me hekur një popull të tërë, kurse tjetri vazhdonte t’i jepte ushqim shpirtëror popullit të vet. E kjo, sepse i pari kishte iluzionin, që rezultoi katërçipërisht i rremë, dhe i dyti do ta përjetësonte në letërsi me një imazh po aq të rremë. Në realitet edhe ato 40 faqe për diktatorin në 500 faqet e “Dimrit të madh” nuk janë veçse një mashë për të, gjë që publiku e kuptoi mirë qysh atëherë. Prandaj, në qendër të librit tim “Ylli i shkrimtarit”, një biografi për shkrimtarin Ismail Kadare nga koha e diktaturës deri më sot është një kompromis, një marrëdhënie njerëzore që i mundësoi Kadaresë të ishte i lirë në pjesën tjetër të veprave, për të na dhuruar ato perla letrare që njohim sot, por që nga ana tjetër i shkaktoi disa nga plagët më të dhimbshme shpirtërore në jetë.

Gazeta boton sot dhe nesër pjesë nga libri i suksesshëm i autorit “Ylli i shkrimtarit”, një biografi për Ismail Kadaren nga koha e diktaturës deri më sot, botuar nga “Plejad 2013”.

******************

ndricim-kulla

NDRIÇIM KULLA

Kur në korrik 1961 Enver Hoxha mbajti një mbledhje të zgjeruar me shkrimtarët dhe artistët, kishte disa muaj që vazhdonte një debat i ndezur në rrethet e shkrimtarëve për çështjen e formës në poezi.

Ishte një debat në të cilin palët u vunë përballë shkrimtarët më të rinj në moshë, novatorë, dhe ata më të vjetër, konservatorë. Debatin në fakt e kishin nisur të vjetrit, të cilët i akuzonin shkrimtarët e rinj, në fakt poetët, se ishin duke i rrënuar fare rregullat e formës në poezi, duke përdorur vargun e lirë përtej çdo mase, dhe se kishin ndikime nga letërsia borgjeze perëndimore. Megjithëse vargu i lirë nuk ishte i ndaluar në letërsinë e realizmit socialist, kjo letërsi duke u prirur nga uniformiteti nuk e kishte ndjerë kurrë si të vetin vargun e lirë dhe ai kishte mundur të ishte pjesë e saj vetëm sepse e kishte përdorur dikur Majakovski.

Por, vargu i lirë majakovskian si origjinë i përkiste kohës parasovjetike të poetit të madh. Mbrojtja që i bënin vetes shkrimtarët e rinj në debatin në Shqipëri në 1961 shihej me dyshim pikërisht për këtë arsye, megjithëse kjo nuk thuhej hapur. Poeti që shquhej për përdorimin e vargut të lirë në Shqipëri ishte Kadareja, gjë që u bë e ditur dhe në mbledhje. Kadareja kishte marrë pjesë aktive në debatin për formën poetike, i cili në një masë të madhe u zhvillua në faqet e gazetës së re letrare “Drita”, ku Kadare punonte si redaktor që pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik.

Kadare-dhe-Hoxha

Kur u u njoftua mbajtja e mbledhjes ku do të merrte pjesë dhe Enver Hoxha, të vjetrit menduan se tani u erdhi koha që t’i lanin hesapet me të rinjtë. Të vjetrit ishin të sigurt se Enver Hoxha do të mbante anën e tyre. Kjo bindje e tyre u përforcua kur u mbajt referati kryesor në fillim të mbledhjes nga sekretari i ri i Komitetit Qendror të PPSH për ideologjinë, Ramiz Alia, i cili sapo kishte zëvendësuar Liri Belishovën. Referati i Ramiz Alisë ishte një sulm i ashpër kundër të rinjve. Në të vërtetë referati ishte një sulm i ashpër personal kundër Kadaresë. Këtë gjë e bëri të ditur në diskutimin e tij në mbledhje poeti i ri Fatos Arapi, i cili vuri në dukje një fakt interesant:

E para e punës, të gjithë poetët tanë të rinj shkruajnë në vargje të lirë? Jo! Vangjush Zikua, Agim Shehu, Bekim Harxhi, Fadil Kraja, Sandër Gera, Dhori Qiriazi, nuk shkruajnë në varg të lirë, por përkundrazi në varg të rregullt. Dritëro Agolli gjithashtu nuk shkruan në varg të lirë. Ai ka një varg të tij. Në varg të lirë mund të themi se shkruajnë Ismail Kadareja dhe Fatos Arapi. E dyta, le ta shtrojmë çështjen kështu, nëqoftëse këta shokë nuk do të shkruanin në varg të lirë por do të shkruanin në varg të rregullt ç’do të ndodhte? Çdo gjë do të ishte rregulluar dhe nuk do të kishte përse të diskutonim?

Kjo është qesharake. Fatos Arapi po thoshte qartë se sulmi kundër poetëve të rinj, të cilët akuzoheshin se po e përdornin vargun e lirë në atë mënyrë që shkatërronte çdo rregull të formës poetike të letërsisë së realizmit socialist dhe se ishin ndikuar nga letërsia borgjeze perëndimore, ishte në fakt një sulm kundër dy poetëve, Kadaresë dhe Fatos Arapit. Me ndershmëri Fatos Arapi e vendos veten pas Kadaresë. Kështu Fatos Arapi tha në mes të mbledhjes në prani të Enver Hoxhës atë që e dinin të gjithë në sallë, se ajo që po ndodhte ishte në fakt një sulm i orkestruar, kryesisht ndaj Kadaresë. Fjalët e Fatos Arapit erdhën pasi kishte folur Ramiz Alia dhe diskutantët e tjerë, që i mbajtën ison Ramiz Alisë dhe kritikuan poetët e rinj, domethënë kritikuan kryesisht Kadarenë.

Nën dritën e fjalëve të Fatos Arapit, kuptohet më qartë se ato që tha Ramiz Alia në referatin e tij ishin në fakt një sulm kundër Kadaresë, të cilin Arapi e përmendi si poetin më të rëndësishëm të ri që përdorte vargun e lirë. Arapi e tha qartë se ishte ngritur një tymnajë me kritika të paspecifikuara ndaj poetëve të rinj, e cila tymnajë në fakt maskonte një sulm personal ndaj vetëm dy poetëve. Cila ishte arsyeja? Fatos Arapi e dinte se ai ishte vazhdimisht në rrezik për shkak të vëllait të tij, i cili konsiderohej si dezertor nga Brigada I Sulmuese, ku kishte qenë një nga drejtuesit e saj.

Po Kadare për ç’arsye sulmohej? Kishte vetëm një shpjegim. Pas sulmit ndaj Kadaresë, qëndronte gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, e cila tani që kishte rënë Liri Belishova, mbrojtësja e Kadaresë, donte t’i lante hesapet me poetin e ri, të cilit nuk ia falte historinë me “Princeshën Argjiro”, ku Nexhmija e kishte ndjerë veten të poshtëruar. Kështu që Nexhmija kishte udhëzuar njeriun e saj Ramiz Alinë që të mbante një qëndrim të ashpër kundër poetëve të rinj, domethënë kundër Kadaresë, në mbledhjen me shkrimtarët ku do të merrte pjesë edhe Enver Hoxha dhe ku Nexhmija ishte e pranishme.

Fjalimi i Ramiz Alisë ishte një lumë akuzash kundër shkrimtarëve të rinj që përdornin vargun e lirë, domethënë kundër Kadaresë dhe Arapit. Ramiz Alia tha: Siç kemi dëgjuar, shumë diskutime po bëhen rreth përhapjes së vargut të lirë. Çfarë qëndrimi duhet mbajtur kundrejt këtij fenomeni? Këtu është fjala për qëndrim parimor. Nëqoftëse ky lloj vargu arrin të paraqesë, të ngrejë në art përmbajtjen e re të kohës sonë dhe gjen jehonë në zemrat e mendjet e njerëzve të kësaj kohe ai e fiton vetvetiu të drejtën e qytetarisë.

Por, duhet pasur parasysh se tendenca për novatorizëm merr një rrugë krejt të shtrembër, kur p.sh. disa poetë rinj, duke u nisur vetëm nga ana e jashtme, përpiqen të shkruajnë vargje pa asnjë rregull dhe montojnë figura të errëta njëra pas tjetrës, vetëm nga mania për t’u treguar modernë në kuptimin e keq të fjalës. Duke u përpjekur të mos jenë monotonë e uniformë vetëm nga ana e jashtëme ata imitojnë njëri-tjetrin dhe çudi s’është që të krijojnë një uniformitet tjetër bosh dhe të pabrendi. Kthesa që solli fjalimi i Ramiz Alisë në mbledhje ishte se ai e shtroi atë që deri tani ishte parë si një çështje thjesht letrare si një çështje parimore, ideologjike.

Kjo do të thoshte se poetët e rinj të cilët përdornin vargun e lirë kishin shkelur parimet ideologjike. Dhe kur kishte një shkelje të parimeve ideologjike çështjes duhet t’i shkohej deri në fund, të gjendeshin dhe të dënoheshin përgjegjësit. Kur sekretari i Komitetit Qendror për ideologjinë thoshte se ka një shkelje të parimeve ideologjike në letërsinë, atëherë duhej pritur që përgjegjësit të arrestoheshin dhe të dënoheshin me burg e ndoshta edhe më keq. Nga fjalimi i Ramiz Alisë u mendua se do të priteshin koka. Pra, se do të arrestoheshin nja dy nga të rinjtë për t’ i trembur të tjerët. Në fjalimin e tij, Ramiz Alia tha edhe një fjali që të gjithë e kuptuan si një goditje personale ndaj Kadaresë: Në qoftë se ka të tillë që mendojnë se veprat e tyre “do t’ i kuptojnë e do t’i ndjejnë brezat e ardhshëm” këta duhet të sqarohen e të ndihmohen.

Cilit nga poetët e rinj që përdornin vargun e e lirë mund t’i faturohej një qëndrim i tillë përveç Kadaresë? Në fjalët e Ramiz Alisë kishte edhe një kërcënim të fshehur, se kur sekretari i Komitetit Qendror thoshte se një person i tillë duhet sqaruar dhe ndihmuar, kjo nënkuptonte se ky person duhet të bënte autokritikë, duke pranuar fajin. Dhe pasi ta kishte pranuar fajin, atëherë mund të vinte arrestimi, burgu. Kjo mënyrë të foluri nga ana e Ramiz Alisë ishte sinjali që në mbledhje të vërshonin kritikat ndaj poetëve që përdornin vargun e lirë.

Në vazhdim të fjalës së tij, Ramiz Alia ngriti një akuzë të re për poetët e rinj që përdornin vargun e lirë, domethënë Kadarenë dhe Arapin: Novator nuk mund të jetë kushdo. Për të qenë i tillë duhet të kesh një kulturë të gjerë, të jesh studionjës i thellë, kërkonjës dhe njohës apo të përvehtësosh atë që kanë krijuar më përpara të tjerët. Tërheqja pas formave të lira pa u thelluar në trashëgimin kultural-artistik të vendit dhe të artit përparimtar botëror, pa përvehtësuar mjeshtërinë artistike, me ju futë provave të vështira pa patur pjekurinë artistike të nevojshme, një gjë e tillë përgjithësisht nuk jep rezultate të mira, mund të shpjerë në dështime që dëmtojnë si letërsinë dhe artet ashtu dhe autorët.

Pra, Kadare po akuzohej se ai kishte dëmtuar jo vetëm veprën e tij letrare, duke përdorur vargun e lirë, por i kishte bërë një dëm të madh edhe letërsisë shqipe të realizmit socialist se me shembullin e tij do të tërhiqte edhe letrarët më të rinj në rrugën e tij. Ashtu siç pritej, pas fjalimit të Ramiz Alisë, nisi një kor kritikash kundër poetëve të rinj, domethënë kundër Kadaresë dhe Arapit. Ashtu siç pritej kritikuesit i zbërthyen dhe i thelluan akuzat e Ramiz Alisë. Më i ashpër nga të gjithë u tregua një nga poetët më konservatorë, Andrea Varfi, i cili ishte njëherësh dhe një nga drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve:

Një nga argumentet e futuristëve dhe modernistëve për t’i bërë copë e thërrime vargjet e rregulltë, strofat, (t’ashtu-quajturat “kuti shkrepseje” prej ndokujt) ishte dhe është pretendimi se gjithë ay vullkan që zjente e zjen në krahërorin e poetëve, gjithë dinamika e kohës së aeroplanit dhe elektricitetit, (sot, dishepujt e tyre modernistë mund të shtojnë edhe raketat ndërkontinentale, sputnikët dhe atomin), nuk kish e nuk ka sit ë shprehet me anë të vargjeve tradicionalë. Prandaj, o burra kazmën! Rrofshin “parole in liberta”- vargjet e çthurur, me fjalë të tjera, rroftë anarkizmi. Ideologjikisht e filozofikisht ky qëndrim i futuristëve dhe i modernistëve kishte dhe ka lidhje me të famëshmin “instinkt” të Frojdit, me intuicionin bergsonian, me “poezinë pure” të Kroçës me shokë, pra me variante të idealizmit.

Por, për këtë gjë nuk po flasim, pasi këtu nuk është vëndi dhe do të shkonim shumë gjatë. Krahasimi me futuristët ishte veçanërisht i rëndë, për shkak se këta ishin pararendësit e fashizmit. Pra, poetët e rinj dhe në radhë të parë Kadareja po akuzoheshin si fashistë. Andrea Varfi foli sikur po i bënte ekspertizën për llogari të Hetuesisë poezisë së Kadaresë. Andrea Varfi po e akuzonte Kadarenë se ishte i ndikuar nga filozofia idealiste borgjeze, gjë që përbënte krim në atë kohë në Shqipëri. Andrea Varfi e bëri të qartë se ai kishte shumë për të thënë për këtë temë, por nuk mund të fliste në këtë mbledhje ku koha e tij ishte e kufizuar.

Por, la të kuptojë se donte të fliste e mund të fliste më vonë. Këtu mund të bëhet pyetja se a thua vërtet e kishte përgatitur Varfi këtë fjalim kaq të ashpër nga mendja e vet? Sigurisht që jo! Varfi mund ta përgatiste një fjalim të tillë vetëm nëse ai ishte në dijeni paraprakisht se sekretari i Komitetit Qendror, Ramiz Alia do ta shndrronte çështjen e debatit letrar në çështje parimore, dhe se do t’i akuzonte poetët e rinj si shkelës të parimeve. Pra, bëhej fjalë për një skenar. Nexhmije Hoxha në sallë fërkonte duart me gëzim se gjithçka po shkonte sipas planit. Diskutantët në vazhdim ishin njëri më i ashpër se tjetri kundër poetëve të rinj.

Luan Qafëzezi tha: Përdorimi i Vargjeve të lira nga disa poetë, nuk duhet shikuar si një çështje thjeshtësisht formale, si një çështje thjeshtësisht teknike dhe pa rëndësi. Përkundrazi, kur përdoret pa kriter, duhet parë si një fenomen negative, dhe në qoftë se nuk frenohet me kohë, mund t’i sjellë mjaft dëme  poezisë sonë. Dhe disa dëme ia ka sjellë që tani. Luan Qafëzezi po kërkonte hiçgjë më pak se që të ndaloheshin të shkruanin poetët e rinj novatorë dhe në radhë të parë Kadareja. Pas këtyre sulmeve të konservatorëve, poetët e rinj qenë strukur dhe nuk po flisnin. Me sa duket poetët e rinj që kishin përdorur ndonjëherë vargun e lirë, mendonin se ata që duhet të flisnin ishin ata që kishin “abuzuar” më shumë me vargjet e lira: Kadareja, Arapi.

Kadareja nga ana e tij ishte në dilemë. Ai nuk mund të mos e kuptonte se e gjithë mbledhja ishte përgatitur si një kurth për të. Nuk bëhej fjalë që të kërkonte fjalën në mbledhje për t’iu përgjigjur kritikave. Kjo do të thoshte që t’u jepte mundësi kundërshtarëve të tij që ta poshtëronin. Do ta ndërprisnin që në fjalët e para, do t’i ulërinin në fytyrë se ishte arrogant, prepotent, se nuk denjonte të pranonte gabimet dhe të bënte autokritikë. Madje, që të fliste do të thoshte që të hynte në një debat jo vetëm me kolegët e tij shkrimtarë, por në radhë të parë me vetë sekretarin e Komitetit Qendror për ideologjinë, Ramiz Alinë, i cili kishte formuar akuzën për shkelje parimore ndaj shkrimtarit.

Të gjithë në sallë do të fërkonin duart nga gëzimi nëse do të ndodhte kështu. Një debat me sekretarin e Komitetit Qendror në këtë situatë do të thoshte vetëvrasje politike për shkrimtarin. Që tani i shikonte me sytë e mendjes shkrimtarët militantë se si do të kërcenin në këmbë dhe do të ulërinin: “Kjo do të thotë se ju shoku Kadare nuk e pranoni vijën e Komitetit Qendror të PPSH për këtë çështje, e cila u paraqit në referatin e shokut sekretar të Komitetit Qendror për ideologjinë! Ju shoku Kadare duket se keni vijën tuaj ideologjike, që është e ndryshme nga ajo e Komitetit Qendror”. As që do të bëhej fjalë që shkrimtari i ri t’u përgjigjej akuzave që iu bënë.

Kadareja, duke e kuptuar kurthin, mendoi se gjëja më e mirë që mund të bënte në atë situatë ishte që në pushimin mes dy pjesëve të mbledhjes vendosi të largohej nga mbledhja, ndoshta duke mos besuar se do të ishte në gjendje ta përmbante veten. Kjo ishte sidoqoftë një thikë me dy presa, se mund t’i merrej si arrogancë, bojkot, aq më tepër që në mbledhje asistonte edhe vetë Enver Hoxha. Ishte e sigurt se kur të rifillonte mbledhja pas pushimit do të kishte njerëz që do të ngriheshin dhe do të pyesnin se ku ishte shoku Kadare, i cili ishte njeriu që më shumë se të gjithë në sallë ishte përgjegjës për gabimet që u kritikuan në referatin e sekretarit të Komitetit Qendror për ideologjinë.

Përse ishte larguar shoku Kadare dhe nuk kishte denjuar që të qëndronte në sallë dhe t’u përgjigjej kritikave? A mos mendonte shoku Kadare se kishte të drejtë të qëndronte mbi vijën e Partisë? Nga i buronte kjo arrogancë shokut Kadare që largohej nga një mbledhje ku asistonte dhe udhëheqësi, shoku Enver? Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia nuk do të mungonin që t’i frynin në vesh diktatorit se ai Kadareja mungonte që të tregonte përbuzje dhe ndaj atij vetë, duke u larguar nga mbledhja ku ishte objekti kryesor i kritikave.

Domethënë Kadare kishte thënë me largimin e tij: “Bjerini legenit të parimeve ju, mua nuk më bëhet vonë”. Në qoftë se Kadare do të ishte larguar nga mbledhja në pushimin e saj, atëherë gjysma e dytë e mbledhjes do të ishte shndrruar me siguri në gjyqin ndaj tij dhe kjo do të kishte sjellë shkatërrimin përfundimtar të Kadaresë, arrestimin dhe burgosjen e tij. Në rastin më të mirë, Kadare do të kishte dalë nga burgu vetëm në vitin 1991, se me temperamentin e tij do t’i jepte rastin diktaturës ta dënonte mëse një herë edhe në burg. Në 1991 Kadare do të dilte nga burgu si një shkrimtar me aureolën e pakundërshtueshme të disidentit politik, por pa vepër, përveç tre-katër librave me poezi.

A do të kishte qenë më mirë apo më keq për letërsinë shqipe kjo gjë? Kritikat ndaj Kadaresë në këtë mbledhje të korrikut 1961 vinin pasi atij i ishte refuzuar botimi i një romani pikërisht në atë vit, për shkak se në të mungonte plotësisht ngjyrimi ideologjik që duhet të kishte çdo vepër letrare. Kadare e përshkruan kështu këtë ngjarje te libri “Pesha e kryqit”: Më 1961, pata përkitjen e parë të drejtpërdrejtë më diktaturën. Miku im D. Siliqi, që ishte në atë kohë drejtor i së vetmes shtëpi botuese të vendit, më thirri një ditë me ngut për të më thënë të kisha kujdes nga shkrimtari Z., i cili siç i kishte pohuar vetë D. Siliqit, ishte ngarkuar nga Sigurimi të lexontedëgjonte dorëshkrim-incizimin e romanit tim “Qyteti pa reklama”.

Hiq ndonjë fletë të rrezikshme, më tha D. Siliqi, ose shto aty-këtu ndonjë frazë, si për shembull, “Rroftë partia”. Por, ti e di se gjysma e romanit është me prostitutë, i thashë. Ku ka vend për partinë aty? S’ka gjë, tha D. S. Ata janë aq hajvanë, saqë edhe në gojën e një prostitute do t’i kënaqte emri i saj. Madje, mund t’u dukej shumë prekëse. Ne qeshëm një copë herë, duke përfytyruar çastet kur mund të përmendej emri i shenjtë, dhe kështu, duke duke qeshur e duke u tallur mendjelehtësisht, kujtuam se po ia hidhnim diktaturës. Fakti është se romani “Qyteti pa reklama” nuk u botua as në atë kohë as më vonë. Prej tij u botuan vetëm dy fragmente, një në revistën “Nëntori” dhe një në gazetën “Zëri i Rinisë”.

Në të dy rastet u ndalua botimi i mëtejshëm i fragmenteve nga romani. Me siguri që edhe kjo histori do të rihapej pas kritikave që iu bënë Kadaresë në mbledhjen e korrikut 1961. Madje, do të rihapeshin dhe historitë më të vjetra të kritikave që iu ishin bërë vëllimeve të tij të para poetike. Shkrimtari i ri ndjente humnerën t’i hapej para këmbëve, duke u larguar nga salla e mbledhjes. Ai nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të bënte një gjest sfidues me këtë largim dhe të priste si fatin e pashmangshëm goditjen e diktaturës.
Vijon nesër…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura