Mikel Maruli dhe elegjia për atdheun e humbur! Uniformiteti i tonit linguistik e “harkimit” të gjuhës

Apr 12, 2024 | 13:12
SHPËRNDAJE

NDRIÇIM KULLA/ “Elegji për atdheun e humbur”, kështu titullohet njëri nga librat më të bukur përmbledhës, të botuar në vitin 2014, në një kolanë vëllimesh poetike nën okelion “ungarettiane”.

mikel maruli

Të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një përmbledhje poezish moderne ose të paktën të periudhës së nobelistit të madh italian, emrin e të cilin mban kjo seri. Habitesh, madje shtangesh, kur mëson se përmbledhja i takon një latinisti, një poeti-ushtar humanist me origjinë greko-bizantine, të vdekur në vitin 1500, Mikel Marulit, të mbiquajtur vetë Tarkaniota.

Më vonë, në po këtë seri, më 2017, botohet nga po i njëjti autor, një tjetër përmbledhje e titulluar “Epigrame”, që ka si temë unike poezitë e dashurisë për të gjitha femrat e jetës së tij (Leucothe, Petra, Glicera, dhe e famshmja e shumë-përmendur Neaera). Në këtë skemë kremtuese të dashurisë Maruli përfshin gjithmonë po të njëjtit elementë: bukuria, e përshkruar me figuracionet topike si buzëqeshja e ëmbël e syve ose bardhësia e fytyrës apo e kuqja e purpur e buzëve, përfshirë me vlerat morale, dhuntitë kulturore e poetike. Po pavarësisht nga të gjitha këto, mund të flasim me zërin edhe të shumë studiuesve, për një stil të veçantë, stil unik marulian. Ky stil ravijëzon një bërthamë refleksive, që kapërcen lehtësinë e sentimenteve lirike, në dukje brilante, brenda një matrice klasike qoftë latine, qoftë italiane, përderisa modeli që ai përdor në mënyrë elegante, është një përzierje katuliane dhe petrarkeske, që në pjesën më të madhe kanë shijen e fortë të traditës humaniste.

Është përmendur shpesh në krijimtarinë e tij raporti midis imitimit të silit të shkrimit dhe origjinalitetit të tij, vetëm se duhet sqaruar se diçka e tillë ka ndodhur jo vetëm shumë shekuj përpara, por edhe shumë shekuj më vonë, madje deri tek poetët italianë të romantizmit e më pas. Të gjithë e gatuan brumin e poezisë latine sipas mënyrës së tyre. Është interesant të përmendim këtu, sipas studiuesit Francesco Stella, se imitime të Katulit, ka italianizuar edhe poeti i madh Foskolo, jo vetëm Marziani më parë dhe Tarkanioti më vonë. Por megjithatë Maruli ngelet njëherësh autor dhe personazh i rrallë, unik, origjinal. “Pavarësisht disa lëshimeve të vogla metrike”, sipas studiuesit, në shembujt e tij më të bukur të lirikave, “poeti ka arritur të na japë jo vetëm një uniformitet të tonit linguistik, por edhe një fluiditet të magjishëm të zotërimit të vargut e mbi të gjitha të ‘harkimit’ të gjuhës nga vargu në varg, që rrjedh me një natyrshmëri elegante, që e bën më të durueshëm edhe momentet më enfatikë të sekuencave retorike të përdorura aty-këtu, duke lënë të kuptohet se kjo dhunti e tij të arrijë të përdoret në të ardhmen edhe nga poetë akoma dhe më origjinalë se Maruli”.

Botticelli_-_Michael_Tarchaniota_Marullus

Në hapësirën shqiptare, ky poet është krejtësisht i panjohur, madje po kaq i panjohur është edhe libri i posaçëm studimor që i kushtoi atij njëri nga estetët më të mëdhenj Italianë, Benedeto Kroçe me titull “Mikel Maruli Tarkaniota: elegjitë e atdheut të humbur dhe disa këngë të tjera” (1938). Në këtë studim, përtej trajtimit të figurës në dimensionin e tij etik dhe civil, Kroçe përpiqet të na ilustrojë vlerësimin e madh që ka për autorin, duke e shpallur atë si njërin nga poetët më të mëdhenj të viteve 400, nëpërmjet citimit proverbial “ndoshta më shumë nga të gjithë fluturoi Maruli”. Në këtë rrjedhë vlerësimesh kanë kaluar edhe mjaft studiues të tjerë, duke theksuar mbi të gjitha disa cilësi të tij thelbësore. Ajo që e dallon nga dy prej bashkëkombasve të tij më të shquar, nga një Pontano apo një Poliziano, është kapaciteti i trajtimit të latinishtes si një gjuhë e gjallë, si një mjet shprehës jo i rezervuar për abstraksione të rafinuara të stilit humanist, por të përshtatshëm për të komunikuar përvojat më “përzhitëse” të jetës.

Në këtë kuptim poezia e tij shërben si një qendër unifikuese e një tensioni të brendshëm religjioz, naturalistik dhe panteistik. Edhe vetë biografia apo prodhimi i tij letrar e provon një pohim të tillë. Nga njëra anë ushtar aventurash nën udhër të shumë të pushtetshmëve, nga ana tjetër një letrar latin i shquar si poet filozof, si një ekspert i filologjisë, sidomos asaj greke, dhe i dalluar në gjithë panoramën e studiuesve të kohës, jo vetëm për korrigjimin e tekstit të famshëm të Lukrecit, por edhe si kritik i aftë e plot argument i tij. Autor i elegjive të mrekullueshme për atdheun e humbur, Konstandinopojën ku kish lindur, i epigrameve brilante të dashurisë në frymën e rilindjes europiane, por mbi të gjitha i himneve të tij mbi natyrën. Pietro Rapezzi, përkthyesi i famshëm i autorëve latinë, por edhe i autorit, shprehet se “në tërësinë e produktit të tij letrar shprehet qartësisht se vargjet e Marulit e tejkalojnë jetën prej së cilës ato lindën për t’u shndërruar në një mendim poetizues”.

Në poezitë e tij, në të vërtetë, është shtegtare dhe gjurma e përvojës së tij ftilluese, që në mënyrë misterioze shpërndahet në bukurinë meditative të fjalëve magji-ndjellëse, po njëlloj si jeta e autorit që u përmbyll parakohe në ujrat e rrëmbyeshme dhe të parezistueshme të Çeçinas, lumit ku ai u mbyt fizikisht në atë të djelë prilli të vitit 1500″. Maruli lindi në Konstandinopojë, atëherë kur Turqit sapo e kishin pushtuar këtë vend, por tërë jetën u deklarua, greko-romak ose bizantin dhe “kostantinopolitanus”. Familja e të atit, bazuar në të dhënat e Paolo Cortesit, rridhte nga mbretërit e Dimes. Si paraardhës të lashtë ajo krenohej me perandorin Gordiani, të cilët nga ana e tyre ishin të prejardhur nga republikanët romakë të familjes Gracchi dhe perandorit Trajan. Prejardhja greke ose më saktë arvanitase, i vinte nga nëna, e lidhur me brezninë e Paleologëve, pasi në epigramën I, 52, vëllimi 3, ai e përmend vetë begatinë e familjes mëmësore. Pas rënies së Konstandinopojës, familja mërgoi për Raguzë, një Republikë asokohe e pavarur.

Lirinë e qytetit, së bashku me bujarinë, bukurinë, mirëqënien dhe besnikërinë ndaj ligjeve dhe traditave, ai e këndon dhe e lëvdon si një privilegj në Epigramën IV, 17. Po megjithatë Maruli nuk e thekson si të bukur fëmijërinë e vet: përkundrazi nëpër vargje të shumtë ai përmend vajtime, kujtime padrejtësish, sëmbimesh e dhimbjesh mërgimi për një atdhe që nuk iu zhduk kurrë nga mendja në çcdo ditë të jetës së vet. Edhe në ditën e fundit të jetës, si një mërgimtar emblematik, ai nxitoi të kalojë ujrat e një lumi të tërbuar, vetëm për të shpejtuar nisjen kah vendlindjes, njësoj si lejlekët shtegimtarë që edhe në moshën më të thyer kanë për zakon të kthehen drejt folesë së tyre.

Është ky njëri nga zakonet më emblematikë të personalitetit të individit shqiptar të të gjitha kohrave, zakoni i kthimit në vendlindje, ndaj dhe poetika maruliane në vetvete arrin të kthehet në një simbolikë poetike të kodit burimor shqiptar, që në këtë rast shpëtheu në degën arvanitase të rrjedhës së tij, ose më mirë në rrjedhën e mërgimtarëve të epokës skënderbegiane ose më saktësisht në rrjedhën tjetër të madhe që shoqëroi elitat e principatave të Moresë së asaj kohe, të përfqësuar në degën e mërgimtarëve-stradiotë.

Nga pikëpamja e formimit, mërgimtari i ri sipas të gjitha dokumentimeve, duhet të ketë marrë një edukim të rafinuar të tipi humanistik në Napoli, pranë Akademisë Antoniane në fillim, e më pas asaj Pontianiane. Duke lidhur një miqësi shumë të ngushtë me akademikët e rrethit të Xhiovani Pontano, ai u ndikua shumë nga “kultura astrologjike” që asokohe qe në trend. Po jo vetëm kjo kulturë e veçanërisht vepra Urania e Pontanos qenë elementë të dallueshëm në mbrujtjen e kryeveprës së tij poetike “Himnet e natyrës”, por parësisht teksti i famshëm i Lukrecit De rerum natyra, për të cilët Marullo konsiderohet si njohësi dhe interpretuesi më i mirë i gjithë periudhës së humanizmit. Pietro Candido, në botimin më përfaqësues të kësaj vepre, për kohën e humanizmit, në parathënie citon pikërisht Marulin dhe Pontanon, ri “rikthyesit e mëdhenj” të kësaj kryevepre në kohët moderne.

Raporte letrash poeti ka ruajtur edhe me një nga majat më të larta të kohës së humanizmit, siç ishte Xhiovani Piko della mIrandola, por edhe me pinjollët e familjes Medici, gjatë kohës që qëndroi në Firence, ne periudhën e fundit të jetës. Është zakon i përhershëm i Marulit t’i përmendë në himnet e tij këta të pushtetshëm të kohës. P.sh., bujarinë dhe mikëpritjen e Xhiovani de Medici ai e përkujton në Himnin e hënës (“Himnet e natyrës”, III 2, v.8). Në po të njejtën mënyrë ai del kundër edhe ndaj sjelljën shtypëse ose ziliqare e lakmitare të mjaft mbretërve; P.sh. në himnin ndaj diellit (libri III, 1), veçanërisht vargjet 173-177, dhe në himnin ndaj Jupiterit (libri IV, 2), përfaqësohen e njollosen me fjalët më të ashpra të gjitha ata që sundojnë me duar ku kullon gjaku i qtetarëve të vet.

Ndërkohë që interesant, përsa i përket raportimit me antikitetin, është përlëvdimi që ai i bën psh. Antonello Petrucci në epigramën I, 32, ose II, 27, ndërkohë që Sanseverinon, princin e ri te Salernos, në epigramet I 7, 12 dhe 46 dhe II, 9, ai e quan si një Homer të ri dhe si një Akil të ri njëherësh. Duke u nisur nga të gjithë këta shembuj në vargjet e tij, por edhe duke dhënë mjaft shembuj të letrërkëmbimit të autorit, studiuesi Pintor, fq 32-35, arrin në përfundimin se mentaliteti i Marulos “ishte më tepër lukrecjan se sa i krishterë”.

Në Firence, gjatë kohës së tij të qëndrimit, personalitetete intelektule më të rëndësishme të kohës ishin Marsillo Ficino dhe Angelo Ambrogini , i shtuquajturi Poliziano. Duket sikur në poezitë Marulliane nuk gjejmë gjurmë as të Ficinos dhe as të akademisë Platonike, edhe pse duket e pabesueshme që Marulli të mos ketë qenë në kontakt me kulturën neoplatonike, mbi të cilën mbështeten Himnet e tij të natyrës. Megjithatë është e njohur se oracioni i diellit i shkruar nga Giuliano, një tekst ky themeëlor për kompozimin marullian të himnbit me të njejtin titull, rrethit të tij të “Mediceve” iu dërgua në një letër, pikërisht nga Ficini. Ndërkohë me Polizianon, raportet dukeshin të ishin të këqija. Polemika mes tyre filloi me kritikat që Marulli dha për botimin e tij Miscellanea të vitit 1489. Po e njëjta konkurencë mes tyre spikat edhe në përkthimin e epigrameve te “Antologjia greke”, pasi për Marullon është i rëndësishëm theksimi i tensionit të brendshëm që mbizotëron në një njohës ekspert të dy gjuhëve të përkthimit (greqishtes dhe latinishtes) sic ishte ai, në krahasim me versionin e një balance të spikatur në përkthim që vlerëson Poliziano.

Gjithë produktin e vet letrar, poeti e botoi përfundimisht në vitin 1497, në përmbledhjen në katër libra të “Epigrameve” dhe po në katër libra të “Himneve të natyrës”. Nga shumë autorë të mëvonshëm, por edhe studiues të njohur ai është konsideruar unanimisht si një poet i shquar latin dhe mjeshtër i letërsisë greke. Por nëse do të vijonim në një kritikë më të detajuar, mund të pohonim se poetika e Marullit dallohet për llojin e ri të epigramës së lartë e të kultivuar që ai krijoi. Nën titullin “Epigrama” autori mblodhi rreth 200 kompozime të cilat, sipas përdorimit të tyre në epokën e humanizmit, nuk korrispondonin gjithmonë me konceptin modern të “epigramës”, pasi si kompozime ato janë të ndryshme për nga gjatësia, metrika, tipologjia, tema dhe përmbajtja. Distikut elegjiak dhe njëmbëdhjetërrokëshit katuljan i shoqërizohen epode të natyrës së ndryshme, metrika gambike dhe strofa lirike, pranë epigrameve të formës më të kulluar përbrivihen epitafe, këngë funebre, elegji e këngë katuleske.

Në këtë kuptim, përmbledhja shënjon një kokëpërmbysje vendimtare të prirjes së konsiderimit të epigramës në krahasim me gjysmën e parë të viteve 1500′, të inaguruar me vëllimin “Hemaphroditus” të Antonio Beccadellit, i quajtur ndryshe dhe Panormita. Kësisoj, modeli i Marciales, i trashëguar që prej kohës romake, u zëvendësua me modelin e “Antologjisë greke” të epigramave, model ky të cilit në shekujt e mëvonshëm i janë mveshur shumë qasje, referime dhe dishepuj. Veçanërisht domethënëse të kësaj tradite të re në poetikën e autorit, janë epigramat I 16, me titull “De Poetis latinis” , në të cilin vetë autori shpall se epigramës të lartë, të kultivuar, pra epigramës “cultum”, nuk i është gjetur ende autori (auctor), duke e propozuar veten në mënyrë implicite, si krijuesi i saj, dhe I 62, ku ai rivendikon një linjë poetike të bazuar në këtë model stili, duke përmbysur kështu justifikimet e kundërta topike të linjës së Katulit, Marciales dhe Panormitas.

21 “Himnet e natyrës”, që poeti i grupoi në katër libra, me shumë gjasë janë shkruar në Firence, gjatë periudhës së viteve 1489-1497. Titulli i veprës i takon traditës që i quan “të natyrës” himnet e Parmenidit dhe Empedoklit dhe të traditës tjetër të ndarjes së filozofisë në morale, natyrale dhe logjike që gjejmë tek Agustini. Himnet e Marullit, nga ana stilistike, kanë një metrikë të ndryshme: ekzametër, epode, strofa lirike, dimetër akateliktikë, distikë asklepiadikë, etj. Nga ky këndvështrim, të ndryshme janë interpretimet e vlerës së tyre, por aspektet më të rëndësishëm janë këto: vargjet e tij mbi natyrën çmohen si një himnografi komerike dhe orfike, pasi secili himn i drejtohet një hynje, duke e përthirrur atë çdo herë në fillim dhe në fund të himnit, sipas një aretologjie pak a shumë kanonike.

Së dyti, në vijim të këtij tributi të befasishëm homerik, në dallim me referimet humaniste te kohës, po kaq befasues dhe unik është spikatja që studiuesit shohin në himnet e tij përsa i përket një paganizmi autentik ose në këndvështrimin më të skajshëm, të një përfigurimi metaforik të krishtërimit.

Së treti, nga pikëpamja e ndërtimit, himnet janë shquar nga disa studiues për strukturimin platonik, kurse nga disa të tjerë është dëshmuar komponentja lukrecjane, çka bën që arkitektura e përmbledhjes të përputhet me instancat epikurjane: Kështu, nga një “hiper-uran” i tipologjisë mitologjike (qiell i epërm), vendbanim i hyjnive, ku secila hyjni duket të përfaqëspojë aspektet e ndryshëm të një zoti të vetëm ( siç shohim në librin I me përmbajtje fortësisht filozofike), kalohet në një botë uranike (qiellore) të prekshme, të banuar nga hyjni qiellore të përthirrura në emër, në librin II dhe III, të vulosura në stilin aleksandrin; për të përfunduar në botën e elementëve natyrorë. Për të fuqizuar këtë lloj tipologjizimi, le të nënvizojmë disa aspekte.

P.sh. himni i parë, i titulluar Iovi Optimo Maximo, pra një himn drejtuar Jupiterit, përfundon me një frymëzim platonik të çlirimit nga burgu i zymtë dhe i sertë i trupit, i mishit, dhe shtytjes kah “kundrimit të atdheut antik”. Kurse himni i fundit, i drejtohet Tokës, nënës së madhe e të mëshirshme që mirëpret zemërgjerë, qoftë edhe materialisht në përqafimin e saj shekullor të gjithë të vdekurit e të gjitha kohërave. Shikohet qartë që instancave platonike u përbrivihen motive autobiografikë, siç është p.sh., referimi i shpeshtë dhe i këmbëngulur në shumë vargje nga ana e autorit për atdheun e humbur, të velluar me nostalgjinë e mërgimtarit, që synon t’ia arrijë këtij ribashkimi me atdheun, nëpërmjet rikrijimit të rrënjëve mitike dhe kulturore përmes një projekti madhështor poetik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura