Fustanella shqiptare në dy piktura të Venecias së 1800-s, u realizuan nga 2 piktorë të njohur të periudhës

Apr 13, 2024 | 14:45
SHPËRNDAJE

ALBERT HITOALIAJ/ Dy piktura të veçanta, me pamje të jetës në Venecia, të cilat janë bërë në një distancë kohore trevjeçare larg njëra-tjetrës, na sjellin pamje të kostumit kombëtar shqiptar, fustanellës, në një realitet sa evropian aq edhe gati fantastik. Të dyja këto piktura janë realizuar nga dy piktorë të njohur të periudhës.

Ippolito Caffi - Eclissi di sole a Venezia,1842 (1)
Ippolito Caffi – Eclissi di sole a Venezia,1842 (1)

Njëra prej tyre, e ekspozuar në Moskë, është disi më e njohur për shqiptarët, ndërsa tjetra, e cila është e njohur për tematikën e saj të eklipsit, është thuajse e panjohur. Bukuria e fustanellës spikat në të dy këto piktura.

FUSTANELLA SHQIPTARE NË PIKTURËN VENECIANE TË MIHAIL IVANOVIÇ SKOTIT

Mihail Ivanoviç Skoti i njohur edhe si Mikele Pietro Skoti ishte një piktor italian me origjinë ruse. Mihail Ivanoviç Skoti u lind në Shën Petersburg më 29 tetor 1814 dhe vdiq në 11 mars të vitit 1861 në Paris. Pasi humbi prindërit në një moshë të njomë, u rrit në shtëpinë e artistit të famshëm dhe mësuesit të Akademisë së Arteve të Bukura, A. E. Egorova. Përvetësoi aftësitë artistike në shtëpinë e kujdestarit të tij dhe i çoi më tej si student i lirë i Akademisë së Arteve të Bukura. Në vitin 1831 dhe në 1832 iu dhanë medalje argjendi, të vogla e të mëdha dhe më 1835, për pikturën “Qytetarët patriotë të Nizhni Novgorodit më 1612”, iu dha një medalje e vogël ari dhe u diplomua nga Akademia, me titullin e artistit të Klasit XIV.

Pas mbarimit të Akademisë (1835), ai e fitonte bukën përmes krijimtarisë së tij, duke pikturuar portrete fisnikësh të famshëm. Me një prej klientëve të tij, kontin Kutaseviç, në vitin 1839, ai largohet nga Rusia dhe shkon në Itali. Natyrisht, temperamenti i brendshëm i artistit gjeti përshtatje të shpejtë me jetën më të gjallë që bënte shoqëria italiane, krahasuar me atë të Rusisë. Pikërisht gjatë këtyre viteve të qëndrimit të tij të parë në Itali (1839-1844) M. I. Skoti krijon pikturat e tij më të arrira, të cilat lidhen me jetën e zakonet e italianëve.

Kur u kthye në Rusi, ai punoi shumë me pikturat e kishave, pikturoi portrete dhe dha mësim në Shkollën e Pikturës dhe të Skulpturës në Moskë (1849-1856). Pas kthimit në Shën Petersburg shkoi për një kohë të shkurtër në Kostandinopojë për të pajisur me imazhe të veprës së tij ikonostasin e Kishës së Ambasadës Ruse atje. Në vitin 1845 ai u ngrit në gradën e akademikut si piktor. Nga viti 1849 deri në 1856 ishte mësues pikture dhe inspektor i klasave në shkollën e pikturës, skulpturës dhe arkitekturës në Moskë. Më 1855, për imazhet e pikturuar në Kostandinopojë dhe për shpëtimin e ikonave e pikturave të katedralet e kishat e rëndësishme të Shën Petersburgut, ai merr titullin “Profesor”.

Në vitin 1856, akademiku dhe profesori i Akademisë së Arteve M. I. Skoti largohet përsëri nga Rusia, për në Itali, e këtë herë, përgjithmonë, deri sa vdiq në Paris, më 1861. Një nga pikturat më të realizuara të Skotit, është ajo që titullohet “Në karnavalet e Venecias” (1839). Ajo gjendet sot, e ekspozuar në Galerinë Shtetërore Tretiakov, në Moskë (Ìèõàèë Ñêîòòè. Íà êàðíàâàëå â Âåíåöèè. 1839. Õîëñò, ìàñëî . 71,5 x 55,3 cm. Ãîñóäàðñòâåííàÿ Òðåòüÿêîâñêàÿ ãàëåðåÿ). Këtë pikturë Skoti e ka bërë me të mbërritur herën e parë në Itali. Lidhja e tij më këtë vend nuk mungonte pasi i ati, kishte origjinë italiane.

Me sa duket jeta plot ngjyra e zhurmë e Venecias e kishte bërë për vete Skotin. Piktura e karnavaleve paraqet një moment festiv në sheshet e Venecias. Në qendër të saj, dallohet i vendosur si personazh kryesor, një individ që mban veshur një kostum popullor shqiptar, me fustanellë e qeleshe të bardhë. Këtij personazhi nuk i mungon as maska e famshme veneciane, simbol i karnavaleve, të cilën ai e ka në dorë. A është burri mustaqemadh me fustanellë e qeleshe një shqiptar? Apo mos kemi të bëjmë me një venedikas të veshur më kostumin popullor shqiptar?

Këtë mister, Skoti e ka mbuluar me ngjyrat e tij e mbase nuk do e zbulojmë kurrë. Prania e shqiptarëve në Venecia ka qenë e hershme dhe nuk është aspak e pamundur që personi në fjalë të jetë një shqiptar. Venediku ishte një prej epiqendrave të gravitetit për botën arbërore. Në këtë periudhë nami i fustanellave ishte lartuar edhe prej luftëtarëve shqiptarë që i gjeje në çdo cep të Perandorisë Osmane. Ishin shqiptarë edhe ata që u bënë heronjtë e luftës që solli pavarësinë e Greqisë më 1821.

Fama, burrëria dhe pamja mitike e kostumit të shqiptarëve e shtyu mbretin Oto të Greqisë që ta bënte fustanellën shqiptare kostumin e Gardës së Nderit, fustanellë e cila mbeti edhe si kostum kombëtar i Greqisë. Nga ana tjetër, duhet përmendur edhe emri i madh i oborrit të Ali Pashë Tepelenës, që priste e përcillte prej kohësh vizitorë Perëndimorë; ndër ta, një tjetër pikturë me fustanellën shqiptare, la si kujtim edhe Lord Bajroni. Vetëm një dekadë e ndan pikturën e Skotit nga këto ngjarje të luftërave të Greqisë. Natyrisht, që kjo pikturë nuk shfaq një kostum të thjeshtë karnavalesh: ajo shfaq një kostum madhështor, për të cilin, Skoti mund të ketë pasur informacion, duke qenë student i arteve të bukura, të cilat kostumografin, etnologjinë e antropologjinë i shohin si elementë të qenësishëm të reflektimit të dokeve e të zakoneve në piktura. Megjithatë, vetëm tre vite më vonë, një tjetër piktor, do të ngrinte me penel një tjetër pamje të fustanellës, përsëri në Venecia. Piktura në fjalë, ka një bukuri të rrallë, edhe për faktin se paraqet një moment historik.

Mikhail Ivanovich Scotty, - Karnavale në Venecia, 1839
Mikhail Ivanovich Scotty, – Karnavale në Venecia, 1839

NJË FUSTANELLË SHQIPTARE NË PIKTURËN E RRALLË TË EKLIPSIT TË 1842-SHIT NË VENECIA

Në 8 korrik të vitit 1842 në Venecia ndodhi një eklips diellor. Piktori i njohur, Ipolito Kafi (Ippolito Caffi) do të realizonte në këtë ditë një nga veprat e tij më të veçanta: “Eclisse di sole alle Fondamenta Nove/ Eklipsi diellor në Fondamenta Nove” (1842). Në ato vite fotografia nuk sillte dot këtë që sjell sot, por piktura po. Ipolito Kafi ishte një dëshmitar i atij eklipsi dhe realizoi një vepër të detajuar e cila shfaqte një çerek qielli me dritë dhe pjesën tjetër në errësirë, duke dhënë pamjen e diellit, hënës dhe tokës në një realizim krejt unik.

Kafi, i cili ishte një piktor që njihej për vëmendjen e tij për detajet e për arkitekturën e Romës e të Venecias , nuk la pa llogaritur asnjë detaj të rrezeve të dritës, të errësirës dhe të pozicioneve të ndërtesave, duke u pozicionuar në pikën jugore të qytetit. Fuqia e eklipseve mbi njerëzit në atë kohë ishte e madhe pasi frika përzihej me mitin e me legjendat biblike. Ky eklips i plotë i diellit, që ndodhi më 8 prill 2024, ishte pasardhësi i atij eklipsi tërësor diellor që ndodhi më 1842 në Venecia.

Po cili ishte Ipolito Kafi, i cili la një “fotografi” të pikturuar me penel? Ai lindi në Belluno. Veprat e tij të para u realizuan në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias. Deri në vitin 1830, kishte fituar çmime për studimin e tij në akademi. Më pas u transferua në Romë, duke fituar një reputacion me veprën e tij mbi perspektivën, si dhe nga hulumtimet mbi arkeologjinë romake. Më 1843 vizitoi Greqinë dhe Orientin (Athinën, Konstandinopojën, Sirinë, Egjiptin dhe Maltën). Vepra e parë e tij që bëri bujë ishte “Karnavale në Venecia”. Kjo u ekspozua në Paris në 1846 dhe u admirua për efektet e saj të shkëlqyera të dritës. Ishte një mjeshtër i lojës me dritën. Ai u bashkua me lëvizjet revolucionare në Venecia, në 1848, dhe iu desh të tërhiqej në Piemonte.

Më 1849 u vendos në Zvicër dhe më 1850 në Torino. Pas një sërë udhëtimesh në Londër, ku ekspozoi punime në Ekspozitën Universale, në Paris dhe në Spanjë, më 1855 u kthye në Romë dhe nga 1858 përsëri në Venecia, ku pati disa telashe ligjore dhe u gjykua për “dhunë publike”. Në vitin 1860 ishte i burgosur politik në burgjet e San Severos për tre muaj, për shkak të vizitave të shpeshta në Torino dhe Milano, të cilat zgjuan dyshimet e autoriteteve austriake. Prej aty u kthye në Milano e më pas shkoi në Napoli, duke iu bashkuar ushtrisë së Garibaldit. Pas vitit 1860, me bashkimin e Italisë, Kafi u kthye në Venecia, duke rifilluar pikturën. Ai vdiq kur u fundos anija “Re d’Italia” gjatë betejës së Lissa-s, më 1866.

Piktura e tij shpeshherë përmbante skena të pazakonta dhe pamje të vështira të dritës e të natës. U vlerësua shumë gjatë jetës së tij, por vlerësimin kryesor e ka marrë në pesëdhjetë vitet e fundit këtë shekull, pavarësisht se shumë piktura të tija kanë humbur. Testamenti i tij artistik mbetet vepra e eklipsit në Venecia, e cila ka një tufë me elementë që i janë vlerësuar në mënyrë sipërore. Eklipsi i vërejtur më 8 korrik 1842, pati një ndikim të madh te Kafi dhe ai e gjeti veten të magjepsur e plotësisht gojëhapur nga shfaqja qiellore. Brenda disa javësh që nga kjo ngjarje, Kafi përfundoi këtë interpretim për t’ia përcjellë mësuesit dhe të besuarit të tij, Antonio Tessari.

Kjo ngjarje qiellore kishte një rëndësi unike në analet e astronomisë. Eklipsi i fundit i regjistruar kishte ndodhur më 1816, duke e bërë ngjarjen e 1842-shit si mundësinë e parë të vëzhgimit për një brez të ri astronomësh. Duke e njohur rrallësinë e këtij fenomeni qiellor, artisti shfrytëzoi rastin për të portretizuar jo vetëm vetë ngjarjen astronomike, por edhe për të kapur habinë dhe kureshtjen e skalitur në fytyrat e vëzhguesve venecianë të këtij fenomeni.

Pati kritika sepse integriteti i saktësisë u vu në dyshim, por besohet se artisti e komprometoi qëllimisht atë për të arritur efektin dramatik. Duke përdorur dorën e lirë dhe të drejtën artistike, ai synoi të përçonte jo vetëm saktësinë shkencore të ngjarjes qiellore, por edhe ndikimin emocional të spektaklit të frikshëm. Mund të ketë qenë duke u përpjekur të kapë “lëvizjen” e hijes së hënës, e cila fshinte peizazhin në momentin e tërësisë. Pavarësisht se është trajtuar nga kritikët shqyrtimi për pasaktësi, llogaritjet e fundit shkencore kanë hedhur dritë mbi detajet e nuancuara të ngjarjes qiellore të përshkruar. Saktësia e pozicioneve të diellit dhe të hënës, si dhe kohëzgjatja e totalit që zgjat një minutë, tashmë është përcaktuar shkencërisht. Nga këto, bëhet e qartë se koha dhe pozicionet në veprën artistike të Kafit, nuk përputhen komplet, saktësisht me të dhënat shkencore, por janë jashtëzakonisht afër ngjarjes aktuale.

Përtej rëndësisë së saj artistike, duke ruajtur kujtesën e një dukurie të rrallë qiellore, piktura shërben edhe si një dokument historik. E përfunduar vetëm tre javë pasi piktori ishte dëshmitar i eklipsit total të 8 korrikut 1842, kjo vepër e rrallë qëndron si një testament që dëshmon për aftësinë e artistit për përmbledhjen e thelbit të një momenti, si shkencërisht ashtu edhe emocionalisht. Duke shkrirë në brendësi të saj artin dhe vëzhgimin shkencor, piktura shndërrohet në një kryqëzim unik të shprehjes estetike dhe historisë.

Pikërisht në qendër te personazheve të kësaj pikture kaq të rrallë, shihet veshja e hijshme e një burri mustaqezi më fustanellë e kostum tradicional. Ai është i shoqëruar nga një zonjë me veshje Perëndimore të epokës. Nga fizionomia që ka ky personazh i panjohur i pikturës së Ipolito Kafit, ngjan sikur është “arratisur” prej ndonjë pikture tjetër, ku personazhe janë shqiptarët e Sulit. Fustanella e tij e bardhë ngjan si simbol i copës së bardhë të dritës që shfaqej në qiell…

Natyrisht që kostumi shqiptar me fustanellë, binte në sy si diçka e rrallë në Venecia, por ai mbeti edhe për shumë kohë mbizotërues në rrugët e Athinës. Historiani, politikani dhe njëkohësisht edhe anëtari i Parlamentit Britanik, Justin Mçarthy (Belgravia, v. 49, 1883, f. 270) shprehej kështu gjatë vizitës së tij në Athinë:

“Njerëzit në rrugë nuk të kujtojnë Brukselin, Vajmarin apo ndonjë qytet që mund të keni vizituar kohë më parë. Lëvizja e gjallë, qëndrimi gjithë sy e veshë, tendosja, muhabeti, – këto janë karakteristikat e Athinës. Të gjithë janë të nxituar dhe të ethshëm, sikur të gjitha shpresat e jetës së tyre të vareshin nga lëvizja e shpejtë, nga gjestikulimi i tepërt dhe nga e folura folur me zërin në majë. Thonë, se në të vërtetë, Athina nuk është aspak një qytet grekësh. Ndoshta jo etnologjikisht; pa dyshim që raca është përzier disi, por Athina e sotme më duket se ka një ngjashmëri të mahnitshme të turmave dhe sjelljeve e saja, me Athinën e Aristofanit dhe me atë të Shën Palit. Dikush mund ta kuptojë Aristofanin më mirë pas bën një vëzhgim prej gjysmë ore të rrugës së Hermesit, ose të tregut të vjetër poshtë Akropolit. Pothuajse gjysma e popullsisë nëpër rrugë (punëtorë, tregtarë, ata të hipurit mbi gomarë, druvarë, hamej) janë shqiptarë. Fustanella ose kilti i bardhë i shqiptarit tradicional, është po aq i zakonshëm në rrugët e Athinës, sa ç’është uniforma e ushtarit të thjeshtë në Londër. Shërbëtorët dhe shpura e oborrit mbretëror, janë gjithmonë, veçanërisht të mrekullueshëm me veshjen e tyre shqiptare. Fustanellat e tyre të mëdha, të bardha, shushurijnë me madhështi të qëllimshme, ashtu si veshjet tradicionale të leshta të personazhit (malësor skocez) Vich Ian Vohr, të veprës së Edwrd Waverley-t…”

Perëndimi i atij shpirti të zjarrtë njerëzor, që lëvrinte në vena i etur për liri e pushtet nga Egjipti, në Kostandinopojë, Athinë, Janinë e Shkodër, dhe i epokës kur guximi njerëzor ishte mbizotërues ndaj fuqisë së armëve, solli edhe perëndimin e simbolit të kësaj veshjeje madhështore: fustanellës. Sot ajo mbetet e pavdekësuar në veprat e artit, si simbol i padiskutueshëm i atyre shqiptarëve, të cilët magjepsën me karakterin e tyre disa prej piktorëve më në zë të botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura