“Nexhmija s’ishte si Enveri, donte mish të pjekur, qifqi dhe… Na thoshte ‘Pse shapkat do hamë ne?’”- Dëshmia e kuzhinieres: Merrte shërbyeset me vete nga Tirana, gatimet i provonte mjeku më parë

Feb 6, 2024 | 22:50
SHPËRNDAJE

Zakonet e ish-bllokmeneve që bujtnin në qytetin e gurtë. Nexhmija merrte shërbyeset me vete, ndërsa ushqimet i provonte mjeku më parë. Si nusja e kushëririt, me të cilin Enver Hoxha ishte rritur në të njëjtën shtëpi, Zare Hoxha ndihej pak më shumë e “privilegjuar” se shoqet e veta.

Nexhmije-Hoxha.-Foto-e-viteve-80-2

Të paktën ish-diktatori e kishte ndihmuar të punonte si shërbyese në shtëpinë e pritjes në Gjirokastër. Prej aty, ajo kishte mundësi të njihte nga afër ish-bllokmenët, që nga Enveri, për të cilin ajo thotë se sillej mirë me të, te Nexhmija që ishte më “zevzeke”, Mehmet Shehu me nervozizmin e tij…

Mbrapa shtëpisë së ish-diktatorit, Enver Hoxha, sot Muzeu Etnografik i Gjirokastrës, është një rrugicë që duket sikur s’do të të çojë askund, përveçse nëpër shkurret e zverdhura që vareshin mureve të shtëpisë. Në fakt jo! Ishin edhe dy hyrje të tjera shtëpish që kishin qëndruar gjithnjë si në prapavijë, sado që mbiemri Hoxha i të zotëve ishte po aq famëmadh sa ajo e  shtëpisë historike të qytetit të gurit. Edhe hija që binte në karrigen plastike, ku ishte ulur njëra prej zonjave të shtëpisë, Zare Hoxha, binte pikërisht nga muret e lartë të muzeut, i cili i kishte vizitorët e numëruar. Të pyesje rreth e përqark lagjes Palorto për bashkëkohës të Enver Hoxhës a të afërm të tij, të drejtonin të gjithë te Zarja. Dukej sikur donin ta hiqnin nga vetja, por në fakt Zarja kishte shumë për të thënë, sepse jetonte në atë shtëpi qysh prej vitit ’47, kur ishte martuar me kushëririn e Enver Hoxhës, Feta Hoxha.

Sot e kalonte të gjithë ditën në oborrin e freskët të shtëpisë së saj, duke u trazuar hera-herës nga kujtimet e së shkuarës, për të cilat sot nuk kam shumë njerëz me të cilët të flasë. Sado e moshuar, me plot 86 vite mbi supe dhe e veshur e gjitha në të zeza, nuk duket nga ato gratë tipike gjirokastrite fjalëshumë. Kanë kaluar dekada të tëra qëkur ka ardhur nuse aty nga Berati, e megjithatë nuk i ka fituar tiparet e asaj zone të jugut, që janë të evidentueshme menjëherë.  Është nga ato plakat e urta, të cilave duhet t’u bësh disa pyetje për të marrë përgjigjen e njërës. Vetëm kur biseda rrjedh nëpër kujtime e ato sjellin njëra-tjetrën, portreti i saj konturohet dhe të lë pikërisht shijen e përshtypjes së parë; të një gruaje gjithherë pa fjalë, në punë të saj, edhe pse puna ishte pikërisht t’i shërbente kushëririt të burrit e gruas së tij me naze e romuze.

Kur keni ardhur nuse në këtë shtëpi?

Nëse e kujtoj me saktësi, duhet të ketë qenë viti ’47, kur u martova në Gjirokastër e erdha të jetoj këtu, në po të njëjtin vend që erdhët e më gjetët sot.

Shtëpia ka qenë po kjo apo janë bërë ndryshime që nga ajo kohë?
Janë bërë ndryshimet e domosdoshme që kërkon koha, por ka qenë po kjo në strukturë.

Jeni praktikisht në të njëjtin oborr me ish-shtëpinë e Enver Hoxhës. Ç’marrëdhënie ka pasur familja juaj me të?

Një shtëpi ka qenë, sepse kanë qenë një fis. Edhe ne që jetojmë këtu jemi me po atë mbiemër, Hoxha. Im shoq e ka pasur kushëri, ashtu si banorët e tjerë që kanë mbetur nga familjet e atëhershme e që vazhdojnë të jetojnë këtu.

Nëse keni ardhur në vitin ’47, shtëpia që sot ju bën hije në oborr nuk duhet të ketë qenë kështu, sepse ka qenë e djegur. Si e keni gjetur?

Po, është e vërtetë, kur kam ardhur në fillim këtu, shtëpia e tij ka qenë gërmadhë, e gjitha e djegur dhe e parregulluar.

Si ka qenë historia e djegies, sepse disa thonë nga pakujdesia e anesë, të tjerë prej punëtores së shtëpisë…

Historia një është, siç thoshin atëherë, sepse ishte djegur vite më parë se unë të vija këtu, që në ’24-n me sa di. Thoshin se ndodhi prej pakujdesisë së pastrueses së shtëpisë, e cila kishte harruar magjen e drunjtë ku lante rrobat pranë zjarrit e prej kësaj mori flakë. Njerëzit e shtëpisë ishin aty e me zor kanë dalë nga shtëpia natën, pas mesnate.

Po ju me çfarë jeni marrë, ku keni punuar, nëse keni punuar?

Në fillim isha pa punë, kam ndenjur gjatë në shtëpi derisa Enveri erdhi në pozitat që erdhi e më futi në punë në shtëpinë e pritjes në Gjirokastër, ku punova për vite të tëra.

Pra, ruanit marrëdhënie të mira me të, kishit hyrje-dalje?
Po, po vinin shpesh në shtëpi, bisedonim. Në një nga herët im shoq i tha të më ndihmonte për punë dhe u rregullova atje.

Gjatë vizitave të tij në Gjirokastër, ai rrinte aty ku ju punonit… meqenëse ishit të afërt, a kishit lehtësira në punë?

Po çfarë lehtësirash, ajo punë që ishte për t’u bërë do bëhej, çfarëdo që ta kishe. Përgjegjësia ishte e madhe, duhet të ishe e kujdesshme në të gjitha detajet, sado që ai është sjellë gjithnjë mirë me mua. Është përpjekur të më afrojë e nuk më ka trajtuar si punonjëset e tjera të shtëpisë.

Si, na tregoni disa detaje?

Po për shembull, kur vinte në shtëpinë e pritjes, kishte sjellje miqësore. Hynte vetë te kuzhina e na pyeste, “hë mo, çfarë kemi sot ndonjë gjë të mirë?”. Mos na bëni gjëra hafife thoshte. Donte gatime tradicionale të vendit.

Përveç djathit, çfarë tjetër?

Djathin nuk e ndante në asnjë tryezë. Të tjera që kërkonte, ishte shapkati, që ndryshe ju mund t’i thoni edhe pispili. Kërkonte fasule, japrak, gjëra popullore. Sa herë që vinte në kuzhinë, thoshte “paskemi nusen e shtëpisë këtu”.

Po si funksiononte në fakt, a duheshin provuar më parë këto gatime nga dikush tjetër përpara se t’i konsumonte ai?

Po patjetër, ishte doktori gjithnjë me vete, që hynte në kuzhinë dhe pyeste se çfarë kishte porositur që t’i provonte ai më parë.

Po Nexhmija a ishte me të, mjaftohej me po të njëjtat gatime popullore?

(plaka e urtë, për të mos nxjerrë nga goja ndonjë fjalë më shumë seç duhej, te kjo pyetje sikur rrudhi pak buzët. Çka bëri që të mos i shpëtonte gjithsesi të dhënët e një përgjigjeje ashtu siç e mendonte). Jo, nuk ishte e njëjta gjë me të, kishte pretendime. E shihte që ai kishte porositur për shembull gjërat që ju thashë më lart dhe thoshte “Pse, këto do hamë ne?”. Kërkonte hafife.

Cilat i konsideronte hafife?

Po shapkatin nuk e donte. “Pse, shapkat do hamë ne?”, thoshte. Kërkonte mish të pjekur, pasha qofte, qifqi. Edhe këto gjithsesi gatime tradicionale ishin, por ishin më impenjative e konsideroheshin më të rënda e më të mira. Po, përveç pretendimeve në të ngrënë, ishte edhe e rëndë nga natyra, edhe në mënyrën se si i thoshte gjërat e se si i kërkonte. Nuk ishte popullore si i shoqi, që për të krijuar një atmosferë disi familjare, vinte e na përshëndeste vetë e na pyeste si shkon puna apo gjërat e rastit.

Ai vetë a sillej me ju më mirë se me të tjerat?

Po, po. Gjithnjë ishte i kujdesshëm. Kujtoj një herë kur tek rrinte, i ra ziles e më kërkoi t’i bëja një kafe guri, sepse e shtypnim kafen taze në gur. Ai e pinte gjithnjë pa sheqer prej diabetit. Kur s’kishte kameriere, unë shkoja ia çoja vetë. Pasi ia çova, i bie ziles sërish e më kërkon t’i çoj një kafe tjetër, duke thënë që ajo e mëparshmja nuk i kishte pëlqyer. “Po unë si ngahera e bëra”, i them. Sepse, që të ta vinte në dukje këtë, do të thoshte që të të bëhej gjaku ujë. Në fakt, më kishte kërkuar për herë të dytë, sepse e dinte që im shoq, Fetau, kishte ardhur jashtë e më porositi të shkoja ta merrja. Kur e mora vesh se përse më kishte kthyer sërish, i them “Po për këtë më thirrët shoku Enver, ta dini që humba gjysmë kilogram gjak”. “Po mirë,- tha, – meqë humbe gjysmë kilogram gjak, shko në kuzhinë, pi gjysmë litri verë dhe e zëvendëson menjëherë”. Pastaj qeshëm e më thotë të heq përparësen e të bashkohem me ta për të pirë një kafe.

Në këtë rast, kush e shërbente kafen?

Koleget e tjera që punonin aty. Madje, kujtoj që ndodhi edhe diçka për të qeshur, sepse kthehem në kuzhinë e u tregoj se ç’më kishte ndodhur, duke shtuar edhe që ishin ato tashmë që duhet të më shërbenin një kafe. Kolegia ime më thotë, “a më marrsh të keqen, pse do të të shërbej unë kafe ty në sy të atij, ë?” Qeshëm dhe në fakt ashtu ndodhi, sepse urdhri ishte urdhër.

Po avantazhe të tjera a kishit?

Më ndihmonte ai vetë sa herë më shihte në rrugë që shkoja në mbrëmje në shtëpi e ma bënte me dorë që të ndalesha të shkoja me makinë. U thërriste shoqëruesve të më çonin në shtëpi, sepse në rastet e ardhjes së udhëheqjes në Gjirokastër mbaronim shumë vonë, edhe pas mesnate. Pastaj na vuri telefon në shtëpi që të mos vinin shoqëruesit të njoftonin për gjëra a probleme që mund të kishte.

Përveç tij, kush ka ardhur tjetër nga udhëheqësit?

Vinin shumë njerëz, ndër më kryesorët sigurisht që ishte Hysni Kapo e Mehmet Shehu. Hysniu më ka lënë gjithnjë përshtypjen e burrit të urtë, siç të gjithë thoshin se ishte. Nuk mund të them të njëjtën gjë për Mehmetin, ai ishte nevrik e nxehej shpejt.

Pse, për çfarë nxehej?

Po edhe për gjëra pa rëndësi. Për shembull, Enverit i pëlqenin ahengjet, donte saze e muzikë ndonjëherë kur vinte, ndërsa ai nuk i duronte bashkë me Fiqiretin. Kur më pyeste Enveri ku është shoku Mehmet, ka ikur i thosha, sepse ai merrte dhe të shoqen e shkonte flinte në Përmet. “Ka ikur, – i thosha, – u bë nervoz e nuk i duronte dot zhurmat”. Ndërsa të tjerët jo, qëndronin, edhe Nexhmija e kishte qejf ahengun. Në këto raste, ne ishim gjithë ankth se nga nervoziteti, Mehmeti edhe mund të ngrinte zërin a të thoshte që nuk i pëlqente një gjë apo një tjetër.

Ka pasur raste që nuk ju ka pëlqyer diçka e kanë reaguar?

Jo, nuk ka pasur, sepse ne ishim gjithnjë shumë të kujdesshme në gjithçka që bënim apo përgatisnim. Po me sa duket, kishte edhe gjëra që nuk pëlqeheshin, por nuk na thoshin gjë. E kuptonim këtë, sepse Nexhmija merrte gjithnjë dy shërbyeset e saj nga Tirana me vete, edhe aty në Gjirokastër. Gjërat e saja donte që t’ia bënin ato. Për shembull, nuk na linte t’i hynim në dhomën e saj për të rregulluar çarçafët apo rrobat e veta. I bënin gjithnjë ato.

(rrudhja e buzëve të Zares ishte krejt e natyrshme sa herë që përmendej emri i Nexhmijes. Dukej që sforcohej për të mos e bërë e për të mos thënë gjëra më shumë, por ishte e pashmangshme. Sado që tentuam, nuk arritëm të mësojmë më shumë rreth detajeve që i shtonin rrudhat e fytyrës sa herë gruaja e ish-diktatorit dilte në temë)

Ju sa fëmijë kishit? A ju ndihmoi Enver Hoxha edhe për mbarëvajtjen e tyre, përveçse ju futi ju në punë?

Jo, të të fuste në punë quhej ndihmë, nuk është se patëm avantazhe të tjera. Kisha gjashtë fëmijë, prej të cilëve vetëm njërit i doli bursa për oficer, sado që ne donim që të bëhej doktor. As kaq nuk rregulluam dot. Megjithatë, punuan e dolën zot të vetes, pavarësisht të gjithave..Memorie.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura