Kush është nobelisti kinez, Mo Yan dhe klithmat e fëmijëve të vrarë në barkun e nënave!

Apr 18, 2024 | 14:00
SHPËRNDAJE

SEJDO HARKASEJDO HARKA

“Historia sheh vetëm Murin Kinez, por nuk sheh kockat e pafundme, që lëngojnë poshtë tij”. (Mo Yan)

******

Të shkruash për nobelistin e madh kinez, Mo Yan, është si të shkruash për universin e historisë dhe të kulturës së një populli që përbën gati një të tretën e globit. Bota e shkrimtarisë së tij është pasqyrë e gjallë e historisë, traditave dhe përpjekjeve për mbijetesë e zhvillim të një populli, sa të lashtë, aq dhe të ditur e punëtor. Është kjo arsyeja që shkrimtaria e tij lexohet me kërshëri jo vetëm nga kinezët, por dhe nga e gjithë bota.

Por, cili është, me pak fjalë, nobelisti Mo Yan, emri i vërtetë i të cilit është Guan Moje.

Mo Yan lindi më 17 shkurt të vitit 1955, në Gaomi të provincës Shandong të Kinës. Si shkrimtar shumë i njohur, ai u bë i pari nobelist kinez. Për natyrën e krijimtarisë së tij, ai shpesh është quajtur versioni kinez i Franc Kafkës. Krijimtaria e tij karakterizohet nga realizmi haluçinant me humor të zi. Përmes tij, ai fshikullon pandryshueshmërinë e korrupsionit dhe lakminë e natyrës njerëzore. Shpesh ngjarjet e veprave ai i vendos në qytetin e lindjes së tij, në Gaomin Lindor të provincës Shandong të Kinës. Ky shkrimtar i madh, edhe brenda rrymës së realizmit socialist, arrin që, edhe punëtorët dhe pushtetarët burokratë t’i vendosë në situata absurde.

Krijimtarinë e tij e dallon turbullira mes së shkuarës dhe së ardhmes, mes së mirës dhe së keqes dhe mes të vdekurve dhe të gjallëve. Në brendinë e veprave të tij, ai shfaqet herë si imazh e herë si gjysmë personazh, që ritregon dhe modifikon rrëfimet e autorit. Personazhet e tij, vajza dhe gra, shpesh rebelohen ndaj natyrës së tyre të zakonshme, siç ndodh me nënën e familjes Shanguan, e cila, pasi dështon t’i bëjë djem burrit të saj, fillon ta tradhtojë atë me burra të tjerë. Mo Yan është autor i 11 romaneve, nga të cilët më të njohurit janë: “Klani i sorgumit të kuq” (1986), me të cilin është njohur për herë të parë nga lexuesit perëndimorë, “Balada e hudhrës” (1988), “Trembëdhjetë hapa” (1988), “Republika e verës” (1993), “Gjinj të mëdhenj dhe vithegjerë” (1995), “Pylli i kuq” (1999), “Lodhur deri në vdekje” (2006), “Vdekja dru sandali” (2008), “Bretkosa” (2009) dhe mbi 100 novela, si: “Karta e tejdukshme”, “Vajza e komandantit” etj.

Shumë nga veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si: anglisht, italisht, japonisht, arabisht etj. Ky është një autor me ndikim të veçantë në fushën e letrave botërore dhe vjen në gjuhën shqipe për herë të parë, edhe drejtpërdrejt nga gjuha kineze, nga përkthyesi Iljaz Spahiu dhe nga anglishtja nga Xhimi Lazri.

Mo Yan është nderuar me disa çmime brenda dhe jashtë Kinës, siç janë: Çmimi për Letërsinë e Huaj në Francë “Laure Batalin”; çmimi për Letërsinë Ndërkombëtare në Itali “Nonino”; çmimi për Letërsinë Aziatike në Japoni; çmimi për Letërsinë dhe Gjuhën Kineze “Neuman” në SHBA; çmimi më i Lartë për Letërsinë në Kinë; çmimi për Letërsinë Kontradiktore etj. Kurse në vitin 2012, Mo Yan u nderua me çmimin “Nobel” për letërsinë, me motivacionin: “Me realizëm prej iluzionisti, bashkon tregimet popullore me historinë dhe bashkëkohoren”. Gazeta e madhe italiane “Corriere de la sera”, ato ditë shkruante: “Kurrë “Nobeli” nuk u meritua si këtë herë”. Ndërsa në ceremoninë e dorëzimit të këtij çmimi, më 11 tetor të vitit 012, anëtari i Akademisë Suedeze, “Per Uastberg”, mes të tjerash, thekson: “Mo Yan është një poet që i shkul posterat steriotipë të propagandës, duke nxjerrë në pah individin nga një masë anonime njerëzish. Ai me anë të ironisë dhe sarkazmës sulmon historinë e falsifikimit të politikës”.

Një nga veprat e tij më të mira, që bëhet dhe objekti kryesor i këtyre shënimeve tona, pa dyshim, është romani “Bretkosa”, shqipëruar me mjeshtëri nga gjuha kineze prej përkthyesit të njohur, Iljaz Spahiu. Ky roman, jo vetëm nga ndërtimi kompozicional, por edhe nga brendia e tij është i një tipi të veçantë, për shkrimin e të cilit autori ka punuar 10 vjet me radhë. Në subjektin e tij ndërthuret bukur brendia e pesë letrave interesante që dramaturgu Ke Dou (gjysmëpersonazhi i romanit, pas të cilit fshihet vetë autori) i dërgon shkrimtarit japonez Jashito Sugitani, katër prej të cilave në formën e tregimeve rrëqethëse, ndërsa e fundit në trajtën e një drame, që ka vlerën e një preludi kulmor dramatik të ngjarjeve të të gjithë librit.

Mo Yan
Mo Yan

Në qendër të këtij romani qëndron historia e trishtë e hallës Gu Gu, e cila për 50 vjet me radhë ushtroi profesionin e gjinekologes së fshatit. Dramaturgu Ke Dou, përmes përroit të vrullshëm të ngjarjeve antinomike tepër rrënqethëse dhe deduksioneve iluzioniste të tij, tregon konfuzionin, luftën dhe përpjekjet që bëhen për zbatimin e ligjit të planifikimit familjar në Kinën e re, për vite me radhë. Krahas thelbit kontroversal të tij, autori fshikullon edhe egërsinë, edhe situatën kaotike që shkaktoi zbatimi i këtij ligji, veçanërisht në fshatrat e Kinës. Përballja ime, thekson autori në parathënien e librit, me problemet delikate të shoqërisë ka qenë qëndrimi im konsekuent, sepse, sipas tij, letërsia duhet të ketë përherë në fokus problemet dhe interesat e njerëzve, vuajtjet dhe fatin e tyre. Duke denoncuar botën e brendshme të karaktereve para lexuesve, shkruan autori, unë zbuloj edhe zemrën time. Ky libër pasqyron dëshpërimin dhe sfilitjen e miliona çifteve dhe veçanërisht të nënave që përjetuan zhuritjen e ëndrrës për të lindur e rritur fëmijë të shëndetshëm, përtej mureve absurde që ndërtoi ligji i planifikimit familjar, i cili më shumë privonte shtresat e varfra dhe punonjësit e shtetit, se sa të pasurit dhe pushtetarët, të cilët prangat e ligjit absurd i këputnin përmes parasë dhe korrupsionit.

Sapo nis të shfletosh këtë roman, në kujtesë të mbetet historia e onomastikës kineze, e cila në thellësitë e shekujve ka qenë e lidhur ngushtë me psikologjinë dhe bestytnitë e kohës. Kinezët, shumë kohë më parë, emrat e njerëzve i merrnin nga pjesët e trupit. Ata besonin se, sa më i keq të ishte emri, aq më shumë fat do të kishte njeriu që e mbante. Prandaj, në këtë roman gjejmë personazhe me emra të tillë të çuditshëm, si: Mëlçia, Tëmthi, Zorra, Hunda, Këmba, Zemra,…vendin e të cilëve, më vonë, do ta zinin emrat e telenovelave. Në faqet e para të këtij romani autori hedh dritë edhe mbi varfërinë e tejskajshme të popullit kinez, jo shumë larg gjysmës së dytë të shekullit XX. Aq e madhe ishte varfëria e viteve ’50-’60 të këtij shekulli, sa që apoteoza e zisë së bukës i pati detyruar fëmijët e Kinës së madhe, që për të vrarë urinë, duhet të hanin edhe qymyr. Ishte koha, kur nënat, nga uria ishin tjetërsuar në gjysmëqenie. Ishte koha kur, edhe shkrimtari i romanit, bashkë me shokët e tij të klasës, në moshën 7-8 -vjeçare rendnin pas karrocës së Vang Këmbës për të ngopur stomakun.

Starti dramatik i romanit nis me letrën e parë që shkrimtari, me pseudonimin “Ke Dou”, i dërgon shkrimtarit japonez Jashito Sugitani për historinë sa të dhimbshme, aq edhe të vrullshme të hallës së tij. Midis të tjerash ai shkruan: “Ju thatë se në mendjen tuaj ka zënë vend imazhi i kësaj mjekeje, e cila hipur në biçikletë çan mbi lumin e ngrirë akull, me çantën e ilaçeve mbi shpinë duke u përleshur me tufën e madhe të bretkosave…Imazhi i një mjekeje me foshnje në krahë, me njolla gjaku nëpër duar që qesh kumbueshëm…Ju thoni se këto imazhe herë shkrihen e bëhen njësh, herë ndahen qartazi, a thua se janë copëza të statujës së një njeriu… Unë kam nisur të shkruaj një dramë dhe, për ta shkruar sa më mirë, po ndjek porositë tuaja të rralla: Mos u nxito, ki durim, siç bën bretkosa që pasi zë vend mirë mbi zambak, rri në pritje të krimbave për të kapur ushqimin…Kur ju përcolla, më kërkuat t’ju tregoja diçka për hallën. Jeta e saj, edhe pse nuk është e përmbyllur mirë, mund të përshkruhet shkurt kështu: Ishte plot dallgë e tallaze, plot ulje e ngritje”.

Po kush ishte në të vërtetë halla Gu Gu, që mbi shtratin e romanit, herë merr pamjen e një djalli dhe herë të një engjëlli, që vuan pasojat shpirtërore të bëmave të saj të çuditshme. Emri i saj i vërtetë është Van Zemra. Këtë emër ia kish vendosur gjyshi i saj, një mjek i zoti dhe një hero i luftës antijaponeze, i cili u helmua kur operonte ushtarët e plagosur në tunel. Pasi përfundon arsimin fillor, nis shkollën e mjekësisë për të vazhduar profesionin e gjyshit të saj, të cilin e adhuroi tërë jetën. Si gjinekologe, ajo priti mijëra fëmijë pa u lodhur kurrë. Halla i jepte shumë rëndësi luftës së klasave dhe zbatimit me rreptësi të ligjeve të shtetit e të partisë. Ajo ndihmonte jo vetëm për lindjen e grave, por dhe të kafshëve shtëpiake. Kur nuk e bënte këtë, i dukej sikur e ndiqnin pas grenzat. Nga që ishte e lidhur natë e ditë me punën, po i kalonte koha e martesës.

Por erdhi një ditë, që ajo të dashurohet me pilotin e zonës, Vang Xiaoti. Piloti, papritur largohet me avionin e tij drejt Çan Kai Shisë. Ky largim nisi t’ia nxinte jetën hallës, e cila shquhej për devotshmëri të rrallë ndaj atdheut. Ishte e vërtetë që ajo buronte nga një familje revolucionare, me përbërje të shëndoshë politike, por ja që i dashuri i saj, i cili kohët e fundit kishte nisur ta thërriste me nofkën “druri i kuq”, një ditë largohet nga vendi, për të mos u kthyer kurrë. Tashmë për të nis kalvari i survejimit të ethshëm. Dolën fjalë se halla paskësh bashkëpunuar me ish-të dashurin e saj, të arratisur për të degjeneruar rininë. Por për fat, piloti i larguar, në ditarin e lënë pati shkruar se halla paskësh qenë një “dru i kuq” i pandreqshëm. Ishte ky fakt që e bënte hallën të thoshte se ky njeri që i kishte shkatërruar jetën, njëkohësisht e kishte shpëtuar nga e keqja. Prandaj ajo, aty nga viti 1961, nisi t’i rikthehej jetës së përditshme. Filloi punë si mjeke gjinekologe në fshatrat e distriktit të vendlindjes së saj. Por, për shkak të urisë, grave u mungonin periodat, ndërsa burrat ishin bërë eunukë. Ndaj, për të nisi përsëri kalvari i stërmundimeve.

Ja ç’tregon nipi i saj, se ç’i kishte ndodhur gjatë rrugës për t’i shpënë hallës bukën në spitalin ku punonte: “Nga uria, gjatë rrugës këputa një degë mani për ta skërmitur me dhëmbë. Në atë degë gjeta varur një trakt, ku shkruhej se Xiatoni iku nga errësira për të dalë në dritë. Sapo këtë trakt ia dhashë në dorë hallës, ajo e flaku tej, sikur të ishte një gjarpër. Kur ky trakt ra në duar të spiunëve të partisë u quajt letër me përmbajtje reaksionare, të cilën piloti tradhtar Xiatoni ia paskësh dërguar hallës. Në këto çaste, vazhdon nipi, pashë hallën duke qarë me dënesë. E kuptova se ç’dëm të madh i kisha bërë pa dashje. Sapo dola nga spitali, mora vesh se ajo, nga dëshpërimi, kishte prerë damarët e dorës së majtë dhe me gishtin tregues së dorës së djathtë kishte shkruar me gjak amanetin: “E urrej Vang Xiatonin. Unë kam lindur komuniste dhe po vdes si armike e partisë”.

Hallën, vërtet e shpëtuan nga vdekja, por i dhanë si dënim mbajtjen në parti vetëm për ta vëzhguar. Pas vitit 1962 edhe për Kinën kishte nisur të largohej fantazma e urisë. Vështrimi i njerëzve nuk ishte më i zbehtë. Gjoksi i femrave kishte nisur të fryhej, ndërsa shtylla kurrizore e burrave po drejtohej. Gratë nisën të mbeteshin shtatzënë. Edhe halla kishte filluar ta merrte veten, ndaj i ishte përveshur punës me vrull e guxim. Deri në vitin 1965 lindjet nxiteshin nga shteti përmes parullës: “Të lindim sa më shumë fëmijë për shtetin”. Por nga fundi i viteve ’60, u vu re se popullsia ishte rritur shpejt. Prandaj partia dhe shteti monist, parullën e mësipërme e zëvendësoi me direktivën: “Një fëmijë nuk është pak, dy janë tamam, tre janë shumë”. Prej këtej merr udhë “Ligji i planifikimit familjar” dhe bashkë me të edhe kalvari i stërmundimeve të njerëzve të thjeshtë, që i donin fëmijët si sytë e ballit, por fatkeqësisht kishte nisur t’i vriste ligji absurd që në barkun e nënës. Aq shumë u forcuan masat për zbatimin e këtij ligji çnjerëzor, sa që njerëzit që e shkelnin ligjin, jo vetëm quheshin kundërrevolucionarë, por për shkelësit merreshin dhe masa të ashpra. Ndërsa gratë i detyronin të abortonin me forcë, burrat i sterilizonin me dhunën e policisë.

Në letrën e dytë, shkrimtari me pseudonimin “Ke Dou”, drejtuar shkrimtarit japonez Joshito, mes të tjerash i shkruan: “Ajo që më ka impresionuar më shumë është se komandanti i ushtrisë japoneze kundër Kinës, të cilin e përmendni në letër, është pikërisht babai juaj. Dhe ju, në emër të babait tuaj të ndjerë, kërkoni falje ndaj hallës, familjes sime dhe popullit të fshatit. Kjo më ka prekur dhe emocionuar pa masë. Në fakt, edhe babai juaj ishte një viktimë e luftës. Ishte lufta që e shndërroi atë nga një njeri që shpëton njerëz në një njeri që vret njerëz. Letrën tuaj ua lexova edhe hallës e prindërve të mi, të cilët, pasi e dëgjuan, derdhën lot. Ju, edhe pse në atë kohë ishit vetëm 4-5 vjeç, jo vetëm kërkoni falje, por edhe merrni përsipër t’i shlyeni këto krime. Nëse do të vepronin të gjithë kështu, njerëzimi do të shmangte shumë veprime të marra”. Ndaj halla, familja dhe gjithë njerëzit e atyre anëve e ftuan atë të vinte si mik në Gaomi. Halla, me gjithë tronditjet e herëpashershme që merrte gjatë zbatimit të verbër të ligjit të planifikimit familjar, nuk zmbrapsej asnjë çast. Për zbatimin e tij ajo nuk fali as nipin e saj, ushtarakun Xiao Vrapuesin. Kur u mor vesh, se bashkëshortja e tij Vang Renmei ishte me shtatzani të paligjshme, komanda e thirri urgjentisht për ta qortuar ashpër që kishte shkelur ligjin. Kjo e kishte vënë përballë dilemës: “Të humbte partinë dhe karrierën, apo fëmijën?!”. Nëna i qe lutur të birit ta linte nusen që ta lindte fëmijën, aq më tepër që ajo tërë jetën kishte ëndërruar për një djalë. Prandaj përbetohej se askush nuk do të guxonte ta “vriste” atë fëmijë që ajo mbante në bark, si gjënë më të shtrenjtë. Nëse do të guxonte ta bënte dikush, ajo do të varej në pragun e derës.

Në këtë çast, papritur shfaqen dy policë. Pas tyre shfaqet edhe halla, e cila ka ardhur të zbatojë ligjin dhe që nga vështrimi tregonte se nuk do ta falte kurrë. “Hallë, – iu përgjërua nipi, – nuk e dua as punën dhe as karrierën, vetëm lëreni fëmijën të lindë!”. Ndërsa ajo e sqaron se halli nuk ishte karriera e tij, por precedenca që krijohej për zbatimin e ligjit. Nëse do të falte njerëzit e saj, si do t’i bindeshin të tjerët. Në ato çaste, Vang Renmei, e ligështuar thellë nga këmbëngulja e hallës thotë: “E ç’mund të presësh nga një qen besnik i partisë dhe i ligjit si ajo?!”. Gjatë operacionit të detyruar, Vang Renmei, bashkë me djalin e saj vdesin. Ndërsa e ëma e Renmeit, e dëshpëruar thellë nga vdekja e dyfishtë, merr një palë gërshërë dhe ia ngul hallës në bark. Halla, në vend që ta denonconte, thotë se kjo goditje e kishte bërë akoma më të vendosur për zbatimin e ligjit. Dhe menjëherë lajmëron gruan e radhës, që të vijë sa më shpejt për të abortuar fëmijën e paligjshëm, se përndryshe do ta gjente, edhe sikur të fshihej në varreza.

Letra e tretë e Ke Dout, drejtuar shkrimtarit Jashito Sugitani është akoma më e trishtë. Ja ç’i tregon ai: “Ju thoni se u përlotët kur lexuat se bashkëshortja ime, Vang Renmei ndërroi jetë gjatë operacionit për heqjen e fëmijës. Unë nuk e akuzoj hallën time si vrasëse. Megjithatë, ajo, tashmë e plakur, thotë se i ka duart të lyera me gjak. Por historia kështu është, njeh vetëm rezultatet dhe injoron mjetet, ashtu si njerëzit që shohin vetëm Murin e Madh Kinez dhe piramidat e Egjiptit, por nuk shohin kockat e pafundme që lëngojnë poshtë tyre…”. Pas kësaj letre, Ke Dou nis të meditojë më thellë: -Po fundja ç’faj kishte halla!? Nëse shteti nuk do të kishte njerëz si ajo, ligjet nuk do të zbatoheshin kurrë. Në shpirtin e saj flinte edhe engjëlli, edhe djalli. Ajo, sa ngrihet nga varri i Renmeit, ku derdhi lotët çurgë, betohet se nuk do ta zinte gjumi pa ia nxjerrë nga barku fëmijën e paligjshme Vang Tëmthit. Ndaj e ndjek atë këmba-këmbës për ta gjetur kudo që të ishte futur, për t’ia shkulur sa më parë nga barku. Halla, e penduar për dramën e madhe që i pati shkaktuar nipit të vet, e ndihmon që ai të lidhet me kolegen e saj, mjeken Xiao Shizi. Por ditën që ata do të martoheshin, koha nuk tregonte shenja të mira. Atë ditë ra një shi i stuhishëm.

Dukeshin të lumturuar, por a do të lindnin fëmijë, se fundja kurorëzim i lumturisë së vërtetë të një çifti është fëmija. Për një grua s’ka dhimbje më të madhe se moslindja. Dhe fatkeqësisht kështu ndodhi. Xiao Shizi nuk mund të lindte fëmijë. Ky fakt e tronditi rëndë këtë çift të sapomartuar. Prandaj mjekja Shizi qortonte veten që i kishte shkuar hallës verbërisht pas, në atë luftë absurde kundër engjëjve që rriteshin në barkun e nënave. E kuptonte që me “vrasjen” e tyre, kishte lënduar edhe zotin. Ndoshta ky lëndim e kishte mallkuar të mos lindte fëmijë. Aq e zhuritur ishte për një fëmijë, saqë i lutej bashkëshortit të saj ta martonte me një bukuroshe tjetër, vetëm që t’i lindte një fëmijë, të cilin do ta rriste vetë.

Në letrën e katërt drejtuar shkrimtarit japonez Jashito, shkrimtari Ke Dou thekson: “Ju thoni se këto materiale mund të botohen si roman, por unë jam dyshues. Kam frikë se po të botohen, do të zemërojnë hallën…Unë mendoj se duhet të shkruaj edhe për ata që janë lënduar prej meje, si dhe për ata që më kanë lënduar mua”.

Tashmë, më tepër se kurrë, hallën ka nisur ta ndjekë pas hija e fajit, që s’është gjë tjetër, veçse hija e atyre mijëra e mijëra fëmijëve që ajo ka “vrarë” pa dalë nga barku i nënave, vetëm e vetëm për të zbatuar me rreptësi një ligj absurd. Ja si e shpreh ajo këtë tronditje shpirtërore: “Sapo mbarova atë operacion të vështirë, rashë përtokë pa lëvizur. Kisha dhjetëra vite që merresha me operacione të tilla, kisha udhëtuar ditë e natë, por kuakjet e asaj nate vajtonin. Ato i ngjanin korit të mijëra foshnjave të porsalindura. Në kuakjet e bretkosave të asaj nate ndihej një lloj akuze, a thua se ishte shpirti i plagosur i foshnjave të panumërta që akuzonin. Kur nisa të zvarritesha, bretkosat më dilnin përpara, ndërsa kur rrëzohem, ato nisin të më shurrojnë pandërprerë…”. Pas kësaj lufte me bretkosat dhe kuakjet e tyre të tmerrshme, halla, pothuajse lakuriq, rend mbi një urë, ku papritur takohet me He Dorëmadhin. Pa e vënë re se kush ishte, ajo i kërkon atij që të bëhej shpëtimtari i saj. Ndërsa në gjoksin e tij ndjeu ngrohtësinë, në shpinë ndjeu ftohtësinë e bretkosave që derdhte në statujat e fëmijëve. Në këto çaste ajo pa në ëndërr sikur kishte lindur një djalë të qeshur, por të përvuajtur, që e bëri të ngashërehet.

Ëndrra e ethshme e Xiao Shizit për t’u bërë me fëmijë, e kishte nxitur atë të punësohej në fermën e çuditshme të rritjes së bretkosave, që s’ishte gjë tjetër veçse një qendër e shtatzënisë alternative për lindjen dhe rritjen e fëmijëve. Është e vërtetë se ajo ishte kundër planifikimit familjar, por për ata që kishin para, mund të paguanin gjoba të majme, për të lindur fëmijë me injeksion. Në këtë fermë ishin mbledhur disa gra, që kundrejt pagës lindnin e rrisnin fëmijë për të pasurit. Kështu veproi edhe Xiao Shizi. Nga dëshira për të lindur një fëmijë mori pa dijeninë e bashkëshortit, spermën e tij për ta injektuar në barkun e Cren Vetullës, e cila për fatin e saj të keq detyrohet të tjetërsohet në “inkubator” për lindjen e fëmijëve, për të shlyer borxhet e babait të saj të aksidentuar dhe pijanec. Kur bashkëshorti i saj e qorton për realizimin e kësaj shtatzënie pa dijeninë e tij, ajo i përgjigjet: Unë e bëra për ty. Por, po bëre përpjekje për ta abortuar atë fëmijë, ke punë me mua. Nuk ka gëzim më të madh se të lindësh një fëmijë me gjenet e tua. Në këto çaste sytë i shkojnë tek parada e Perëndeshës së Fëmijëve, ku shiheshin gra të zhuritura për fëmijë që rrëmbenin nga dora e Perëndeshës foshnjën e dëshiruar. Por, nëse paradite ai mendonte si ta “vriste” atë fëmijë, tani kishte nevojë urgjente për të. Ai fëmijë ishte dhurata më e madhe që ia bënte zoti si shpërblim për sakrificat që kishte bërë për të. Tashmë ishte i bindur, se pa kalvarin e vuajtjeve, nuk mund ta kuptoje thelbin e vërtetë të jetës. Më në fund, Vrapuesi i thotë Shizit: “Të falënderoj grua që më bëre me fëmijë! Edhe pse ti nuk e ushqeve me mishin dhe gjakun tënd, e ke mëkuar me dashurinë tënde prej nëne”.

Ardhja e një fëmije, për shkrimtarin Ke Dou ishte shumë herë më e rëndësishme se një dramë, por së shpejti do të niste ta shkruante atë dramë, e cila do ta bënte të famshëm. Ja ç’i shkruan Ke Dou shkrimtarit japonez Jashito Sugitani në letrën e pestë të tij: Më në fund e shkrova dramën për historinë e hallës sime. Edhe pse disa prej këtyre ngjarjeve në realitet nuk kanë ndodhur kështu, ato kanë ndodhur në zemrën dhe mendjen time. Kisha menduar të shkruaja një libër për të shlyer fajet e mia. Por, edhe pasi e mbarova dramën, fajet, jo vetëm që nuk u dobësuan, por u bënë akoma më të rënda. Për vdekjen e Vang Renmeit dhe fëmijës tim, sado që të fajësoj hallën dhe repartin ushtarak, tashmë jam i bindur se fajtori kryesor i vërtetë jam unë. Isha unë ai që për karrierën time i dërgova në ferr njerëzit e mi më të dashur. Imazhi i fëmijës së lindur nga Çen Vetulla, si shëmbëlltyrë e foshnjës së vdekur, s’ishte gjë tjetër, veçse një përpjekje për të marrë veten me të mirë. A thua vallë, shpirti i mbërthyer nga ndjenja e fajit, nuk do të mundet kurrë të çlirohet e të fitojë qetësinë?!

Në themel të brendisë së kësaj drame qëndron fati dramatik i Çen Vetullës, e cila për shkak të përndjekjes që i bën nënës së saj me shtatzëni të paligjshme, ajo pas lindjes së detyruar u ndodh papritur në flakët e një zjarri përzhitës, që e shëmtoi fizikisht për tërë jetën, gjë që do ta detyronte më vonë të tjetërsohet në një “inkubator” për lindjen e fëmijëve të porositur nga të pasurit. Por drama e saj shpirtërore dhe fizike nuk mbaron këtu. Është e vërtetë që fëmijën e kishte lindur për të shlyer borxhet e babait, por tani e donte si dritën e syrit. Në çastin kur ia morën fëmijën kishte menduar edhe për vetëvrasjen, por tani ajo donte të jetonte për fëmijën e saj, që të mos pësonte fatin e saj të mjerë. Titulli i këtij libri “Bretkosa”, si duket vjen nga fjala “Va” që ka kuptimin e fjalës “foshnjë”, që buron nga emri i Perëndeshës që krijon njerëz.

Në këtë dramë vend të rëndësishëm vazhdon të zërë edhe halla me historinë dhe bëmat e saj kontroversale. Gjithë jetën ajo e kaloi përmes një kalvari vuajtjesh e përplasjesh midis ligjit që e quan të shenjtë dhe lirisë së saj të kufizuar, aq sa e kthen atë në një lodër të ligjit. Tashmë ka ardhur koha që të mendojë se si t’i shlyejë gabimet e bëra në jetë. Prandaj thotë: “Trupin e kam të mbuluar me gjak”. Ndërsa bretkosat e ndjekin pas, ajo largohet me vrap. Ajo që dikur nuk trembej as nga luanët dhe tigrat, tani tmerrohet edhe nga kuakjet e bretkosave. Por, për të, një grua që ka bërë krime nuk duhet të vdesë. Ajo duhet të provojë vuajtjet dhe torturat për të shlyer gabimet e bëra. Në skenën e fundit të dramës, në çastin kur halla fut qafën në litar, dramaturgu Ke Dou pret litarin. Ndërsa halla, që sapo kishte rënë përtokë, pëshpërit fjalët: “Tani u ringjalla”. Pas këtyre fjalëve kuptimplote të saj, dëgjohen fjalët e ngrohta të dramaturgut vetaktrues, Ke Dou: “Njerëz si halla ime nuk vdesin kurrë”. Ky është shembulli i njeriut të rrallë, që jo vetëm e ndien peshën e fajit të bërë, por dhe lufton për të shlyer dëmet që u ka shkaktuar të tjerëve, edhe kur këto pasoja kanë ardhur jo për fajet e saj personale, por për shkak të zbatimit të verbër të një ligji absurd.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura