Plaçkitja pa mëshirë deri në rraskapitje, për nga forma

Apr 12, 2024 | 10:20
SHPËRNDAJE

Botimi voluminoz akademik (prej 726 faqesh) me titull: “Dyrrahu Ilir” (Illyrisches Dyrrah), Vol. 1, Tiranë 2015, është vepër shkencore e autorit Gjergji Frashëri me përmbajtje dokumentare origjinale historike, arkeologjike, urbanistike dhe arkitekturore, të hulumtuar, udhëhequr, konceptuar dhe hartuar prej tij si drejtues projektesh, gjatë veprimtarisë kërkimore shumëvjeçare të tij në terren në qytetin e Durrësit. Ai gëzon të drejtat e plota të autorit (ISBN 978-9928-4322-0-9), dhënë me certifikatë regjistrimi e të Drejtës së Autorit nr. 139 RDA, datë 11.07.2016. Libri është produkt i Shtëpisë Botuese Fondacioni “Qendra Frashëri” në Tiranë dhe shtypur në Shtypshkronjën “Köthen GmbH” në Leipzig të Gjermanisë.

gjergj frasheri

Me parathënie nga akademiku prof. dr. Myzafer Korkuti, vepra në fjalë ka marrë ndërkohë vlerësime pozitive prej institucioneve shkencore akademike, autoritete universitare dhe shkencëtare të fushës nga shumë vende të botës, po ashtu në medie. Ajo është promovuar më 27 janar 2016 në Sallën e Akademisë së Shkencave të Republikës sonë, nën drejtimin e saj dhe me përkrahjen zyrtare të Ambasadës Gjermane në Tiranë. Kjo e fundit për faktin, se prof. Frashëri jo vetëm se, prej vitit 1990 ka punuar në disa universitete të Gjermanisë (München, Bonn, Berlin), por ka realizuar edhe botimin e një sërë monografish dhe studimesh shkencore mbi arkeologjinë gjermane të udhëhequra prej tij si arkeolog, si historian ndërtimi dhe si specialist i mirënjohur në kualifikimin mësimor dhe në praktikë të arkeologëve të rinj në Gjermani e më gjerë. Për këtë arsye, vepra është botuar në gjuhën gjermane, me përmbledhje të zgjeruar në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe.

LEXO EDHE: “Xhevahiret” e Universitetit dhe të Gjykatës së Tiranës mbi vjedhjen e së Drejtës së Autorit

 

GJERGJI FRASHËRI

Jo pak herë në mërgim kam pyetur Ahmet Zogun, pse e braktisi vendin në atë mënyrë duke i vjedhur paratë arkës së popullit dhe duke lënë pas vetes në ikje, ushtritë pushtuese italiane në prag të Luftës së Dytë Botërore? Po ashtu, edhe shokun Enver, te më shfaqej me shokët e tij pasues që morën stafetën e pushtetit popullor.

Na paske gënjyer më duket, i nderuar shoku Enver, të patëm besuar, dëgjuar dhe respektuar pa fund, sepse bëre veprën tënde për këtë popull që e gjete të dëshpëruar dhe analfabet. Nuk po marr vesh: Kujt ia le Stafetën? Atyre, që vetë i luftove dhe i shpalle armiq të klasës punëtore dhe të fshatarësisë? Apo të huajve që nuk i doje, atyre që na thoshe, se ia kishin me hile Shqipërisë dhe shqiptarëve?! Ku është Stafeta që na latë pas, neve që ju deshëm dhe ndërtuam me atdhetari ato që na the? Janë këta të Stafetës tuaj, që po vjedhin pasurinë e mbarë atdheut me male të larta dhe fusha të gjëra? Janë këta që po rrënojnë dhe po vjedhin trashëgiminë kulturore të mëmëdheut? Apo janë bandat e profesorëve të paaftë që kanë zaptuar universitetet e vendit, që po na vjedhin sheshit pa skrupull të drejtën e autorit ne vendasve shqiptarë, me ndihmën e gjykatësit dhe gjykatave të degjeneruara?!

Vendi qenka i mbushur tashmë me shqiptarë mëndjevarfër të pajisur me tituj doktorature dhe diploma profesure në institucionet shtetërore universitare të republikës, bile institucione të modelit “amerikano-evropian”, siç thonë ata vetë. Madje, të tillë shkencëtarë të titulluar, paskan mbushur edhe stolat e Parlamentit dhe kolltukët e qeverisë! Por, si u bënë kaq shumë doktorë e profesorë prej këtij soji, baballarët e të cilëve nuk dinin as të lexonin dhe as të shkruanin?! Ku e gjetën kohën të bëheshin edhe ata të tjerët, të zënë nga mëngjesi deri në darkë me “punët rutinë të pushtetit”? Me sa duket, i ndihmoi përvoja tradicionale e bandave të dikurshme të Ali Pashait, për t’i grabitur qytetarit tashmë, deri dhe pronën intelektuale shkencore krijuese të tij! Por, kjo nuk është aq e thjeshtë sa vjedhja e plaçkës! Përvetësimi i një prone intelektuale, mbart edhe detyrimin për të demonstruar aftësinë profesionale, që je në gjendje për ta prodhuar vetë atë. Kur ushtron plagjiaturë, kjo është e pamundur të mos zbulohet. Kundrejt paaftësisë dhe parandjenjës së shëmtisë për aktin që ka kryer, tek kopjaci mbillet një urrejtje primitive me komplekse provinciali ndaj autorit të veprës që ka vjedhur, e cila vjen tek ai duke u rritur, si bar i egër. Kjo është shenja e parë që zbulohet vetë për aktin që ka kryer. Është kompleksi i ngjashëm me ethet e fshatarit të zbritur prej një brezi në qytet, i cili duke pasur përkrahjen politike të pushtetit, rrëmben i uritur detyra nga më të pamundurat për kapacitetin e tij profesional dhe intelektual në përgjithësi, pa u shqetësuar për cilësinë e nevojshme të realizimit të tyre, fenomen që e përjetova tashmë vetë.

Sepse një vepër imja deri më sot nuk ka qenë vjedhur kaq rëndom, e plaçkitur deri në rraskapitje, ashtu “pa mëshirë”, për nga forma. Ndërsa për nga brendia, rezultat i një verbimi prej kategorisë së fshatarit, të cilit i gënjen mendja të vjedhë baulen e shkencëtarit dhe të vishet me kostumin e tij. Fshatarë të paaftë për shkencë, që u falen në tufë arkeologëve italianë, grekë e të tjerëve të sojit të pocaqisur ballkanikë, apo ndonjë anglezi, francezi apo gjermani me kuletën në xhep, të cilët marrin leje nga institucionet tona për të kryer gërmime arkeologjike ku t’i dojë qejfi në viset e peizazheve tona. Në të kundërt, mua përshembull si shqiptar me kualifikimin e duhur të fushës, nuk më lejojnë të realizoj asnjë projekt, edhe duke e pasur të miratuar nga qeveria dhe të garantuar nga financimi ligjor. Ndërkohë, titullarët që merren me “arkeologji” dhe drejtojnë në institucionet tona shtetërore, u pëlqen t’i besojnë “instruksioneve” të arkeologëve të huaj që të vjedhin të Drejtën e Autorit të librit të Frashërit, të bëjnë të mundur, t’i ndërrojnë së paku titullin, nga “Dyrrahu ilir”, ta mbiquajnë “Durrësi romak” (siç shfaqet realisht titulli i punimit të Kopjacit). Këtë “korrigjim” të huajt e presin dhe këshillojnë t’a bëjë vetë toga e bashkuar me profesorë universiteti shqiptar, p.sh., përmes procesit të dhënies së titullit “doktor”, një Kopjaci-viktimë të papërgjegjshëm. Deri këtu shtrihet “udhëzimi” i tyre. Sepse ata e dinë më tej, se për përzgjedhje Kopjaci, nuk ka më të specializuar dhe më të zellshëm sesa “doktorët” dhe “profesorët” e pushtetit të këtij vendi. Ashtu siç ata e dinë, se dijet shkollore të tyre janë të kufizuara për të kuptuar, se “Dyrrahu ilir” ka ekzistuar qindra vjet përpara se të themelohej Roma, madje se qytetërimi ilir (pararomak) është një prej kontributorëve themelorë në formimin e shtetit të Perandorisë Romake dhe natyrisht në sintetizimin e asaj që quhet kultura ndërpopullore romake. Aq më keq kur miopia e tyre përfundon në termin “Durrës romak”, i cili nuk ka ekzistuar kurrë në histori, etj. Kaq për sot!

6. “Xhevahiret” në vendimin e Gjykatës së Tiranës:

Pas dështimit përfundimtar të përpjekjeve të mia, vendosa t’i drejtohem posaçërisht Gjykatës së Tiranës, ku avokatët e mi dorëzuan një padi për “konstatimin e shkeljes së të drejtës së autorit, fshirjen nga uebsajt i Universitetit të Tiranës të 386 fotove dhe vizatimeve dokumentare të autorit Frashëri, si dhe shpërblim për dëmin pasuror dhe jopasuror”.

ÇËSHTJA DUKEJ E QARTË DHE E THJESHTË:

a) Një qytetar ka prodhuar dhe botuar një libër cilësor mbi rezultatet e një projekti të tij profesional, duke shpenzuar jo vetëm kohë, por edhe mjete financiare të konsiderueshme;

b) Një qytetar tjetër ka kopjuar dhe riprodhuar pa autorizim 386 foto dhe ilustrime nga ky libër dhe i ka përfshirë në një vepër të tij, duke paraqitur një pjesë të tyre si punën e vetë atij, me deklarimin si material i pabotuar;

c) Universiteti i Tiranës e ka marrë veprën e kopjuesit përfshirë të gjitha fotot dhe ilustrimet e kopjuara dhe të përvetësuara dhe i ka botuar në internet në Ëebsite-in e Universitetit. Kjo është një shkelje ligjore konkrete e hapur dhe flagrante, e cila me vullnet të mirë nga Universiteti i Tiranës dhe nga Gjykata mund të ishte sqaruar shpejtë dhe thjeshtë, madje në mirëkuptim dhe pa lënduar njëri, duke fshirë fotot dhe ilustrime në fjalë nga Ëebsite i Universitetit të Tiranës.

Por, Gjykata e Tiranës zgjodhi një tjetër rrugë, duke zhvilluar për gati gjashtë vjet rresht një gjyq “në boshllëk” me seanca të panumërta. Gjyqi mbaroi më 15 qershor 2023 – të paktën në atë ditë, gjykatësja zonja Blerina Muça n’a dha një vendim sintetik me gojë në zyrën e saj (pa audio). Ndërsa vendimi i argumentuar, i zbardhur me shkrim, doli shtatë muaj më vonë (13.2.2024) dhe vetëm mbas kërkesës sime drejtuar Gjykatës me indinjatë për vonesën e pabesueshme.

Dhe çfarë vendimi! Gjyqtarja kishte vendosur “Rrëzimin e kërkesë padisë si të pabazuar në prova dhe në ligj” – me argumente skandaloze, të cilët nuk mund të rrjedhin vetëm nga një “paaftësi profesionale”, por ndjesë – për mendimin tim kemi të bëjmë me “përdredhje qafe” të saj prej dikujt nga jashtë institucionit gjyqësor.

Duke lexuar vendimin kuptova, se kjo ndërhyrje duhet të këtë filluar shumë më herët, që në fillim të procesit gjyqësor … Sepse qysh në seancat përgatitore (2018) më ndoqi përshtypja, se Gjykata e shmangu për vite me rradhë praninë e ekspertëve dhe të Ekspertizës së tyre, të cilët duhet të jepnin në gjykim mendim teknik në lidhje me plagjiaturën e ilustrimeve dokumentare. Kërkesat e mia përkatëse nuk u morën parasysh me arsyetimin, se Gjykata e kishte të pamundur për të gjetur një ekspert të kësaj fushe…

Ky qëndrim i Gjykatës vazhdoi edhe mbasi Kopjaci rëndoi grabitjen e tij duke dorëzuar prova të falsifikuara gjatë seancave gjyqësore (vepër kjo që u bë shkaku për një padi penale të veçantë në Prokurorinë e Tiranës nga ana ime, proces i cili është në vijim). Në këto kushte, unë nuk kisha zgjidhje tjetër, përveç t’i drejtohej privatisht një eksperti kriminalist të njohur për kryerjen e ekspertimit teknik të fotove dhe vizatimeve, i cili ka verifikuar profesionalisht plagjiaturën (V. Hajdari, Akt Nr. 19, dt. 24.09.2020). Në vijim, vetë kopjaci, i kapur ngushtë nga ekspertiza profesionale, “u dorëzua”, duke pohuar disa herë në seancat gjyqësore, se të gjitha 386 foto dhe ilustrime dokumentare janë të kopjuara nga vetë ai, përmes skanimit brutto nga Libri “Dyrrahu ilir”. Me këtë deklaratë të përsëritur në Sallën e Gjyqit – menduam unë dhe avokatët e mi, se çështjet e ngritura në padinë time morën përgjigje, u mbyllën plotësisht.

Por, avash! Si duket, kur një dosje e zë pluhuri me dashje në Gjykatën e Tiranës, dhe vendimi i dhënë me gojë kërkon edhe shtatë muaj të tjerë të zbardhet me shkrim dhe del vetëm pas këmbënguljes së paditësit, qenka e mundur të “harrohet” nga gjykatësja, e gjitha çfarë u trajtua dhe u sqarua në dhjetëra seanca gjyqësore, deri edhe pranimi sheshit nga Kopjaci “të Ushtrimit të Plagjiaturës prej tij”! Sepse papritmas u gjet e shkruar në vendim – tema e ekspertizave, e cila ishte e mbyllur me bindje përfundimisht prej Gjykatës gjashtë vite me radhë. Madje, gjykatësja çuditërisht e cilëson aktin e ekspertit kriminalist V. Hajdari si “… një akt i njëanshëm dhe njëkohësisht irrelevant”. Por, shkon edhe më tej, duke nxjerrë nga koshi i plehrave dhe duke i vlerësuar si prova “relevante”, relacionin e “Komisionit Verifikues” të ngritur nga vetë Universiteti si dhe një “ekspertizë” private të “platformës OXSICO” të paraqitur nga vetë Kopjaci – d.m.th., dy “ekspertiza” të përgatitura nga vetë të paditurit, përmbajtja e të cilëve nuk ka asnjë lidhje me objektin e gjykimit!

Por, vendimi shkëlqen edhe me të tjera “argumente brilante” për rrëzimin e plotë të kërkesëpadisë. Kështu gjykatesja sqaron më tej, se “… paditësi Gjergji Frashëri nuk gëzon mbrojtje ligjore në bazë të Ligjit Nr. 35/2016 mbi fotografitë e bëra prej tij gjatë procesit të gërmimit arkeologjik të udhëhequr po prej tij dhe të inkorporuara në veprën e tij, të publikuar dhe regjistruar pranë ZAD”, sepse ai vërtet ka regjistruar veprën “Dyrrahu ilir” me certifikatën nr. 139 pranë RDA-së në Ministrinë e Kulturës, por nuk ka kërkuar “… në asnjë moment regjistrimin edhe për kategorinë e fotografive”.

Duket sikur gjyqtarja nuk e ka hapur kurrë dosjen voluminoze të çështjes në fjalë, për të shfletuar dhe lexuar vendimet dhe shkresat zyrtare që kemi depozituar atje si prova qysh prej vitit 2018?!! Sepse atje shprehet qartë, se libri “Dyrrahu ilir” është rezultat i dokumentimit të një gërmimi arkeologjik, i cili është kryer nga një specialist arkeolog me emrin Gjergji Frashëri, i përzgjedhur nga Ministria e Kulturës, në bazë të projektit të miratuar. Ata shprehin gjithashtu, se libri “Dyrrahu ilir” është regjistruar nga Ministria në Regjistrin e së Drejtës së Autorit si vepër, d.m.th., me të gjithë elementet e tij përbërës, sikurse janë teksti në tre gjuhë, foto dhe vizatime që dokumentojnë tërë ecurinë e procesit arkeologjik, harta etj. Së fundi, në dosje ndodhet edhe një shkresë që avokati im kishte marrë në vitin 2018, mbas zbulimit të plagjiaturës, nga Ministria e Kulturës (Nr. 3647/1 Prot., dt. 11.06.2018), ku Ministria vetë vëren: “… se kemi të bëjmë me rastin e një cënimi të së drejtës së autorit”. Gjithë ato dokumenta, gjykatësja vërtet nuk i ka parë? Apo i ka mënjanuar në mënyrë të qëllimshme, sepse nuk do ju kishin lejuar të arrinte në vendimin që ka marrë?!

Mbasi, si duket, nuk është edhe vetë e kënaqur me rezultatin e sajesës së vet “tymuese” në pikën të mësipërme, gjykatësja, sikur ka marrë “detyrën strategjike” për të shpëtuar atë, që e ka për detyrë t’a ndëshkojë, shpik argumentin kryesor të saj për të zhveshur Frashërin plotësisht dhe përfundimisht nga e drejta e autorit për fotot dhe ilustrime dokumentare – duke pretenduar, se sendet e gjetura gjatë gërmimit arkeologjik në fjalë, tashmë në Pronësi të Shtetit, “… janë bërë pjesë e trashëgimisë kulturore, duke iu dhënë mundësia kujtdo të interesuari për akses dhe fotografim të tyre”…

a) Me guxim të habitshëm, gjykatësja luan këtu me fakte profesionale, për të cilët ajo nuk ka as formim profesional dhe as njohuri, duke sjellë përfundime të gabuara juridike, të pakonsultuar as me ekspertë të lëndës. Madje, ajo mbikalon çdo vlerësim serioz, duke marrë si të dhënë, pa asnjë provë, idenë amatoreske, se strukturat arkeologjike dhe ndërtimore të zbuluara gjatë gërmimit arkeologjik dhe të trajtuar në librin “Dyrrahu ilir” ndodhen atje në vendin ku u zbuluan para 14 vjetësh, madje shëndosh e mirë dhe janë bërë “pjesë e trashëgimisë kulturore”. Kjo të bën të qeshësh, kur e lexon të shkruar nga dora e një gjykatëseje të Gjykatës së një kryeqyteti, i cili ka zënë radhën të hyjë në derën e Oborrit të Evropës së Bashkuar! Dhe veçanërisht duke pasur parasysh, se një ndër testet themelore për të kaluar këtë derë, është pikërisht konsekuenca e zbatimit profesional të nivelit evropian të drejtësisë.

Përpara se të tregohej kaq e sigurt, ajo duhet të tregohej e saktë siç i takon për nga profesioni që ushtron. Sepse, në përgjithësi, struktura dhe materiale arkeologjike të zbuluara gjatë gërmimeve arkeologjike të shpëtimit dhe në qindra kantiere në qytetin e Durrësit, prej dekadash nuk bëhen më “pjesë e trashëgimisë kulturore” – por pjesë e plehrave arkeologjike, të hedhura dhe të rrafshuara në vende të ndryshme – dhe se mbas asaj asnjë “i interesuar” nuk do të këtë më mundësi “për akses dhe fotografim të tyre” dhe as për gërmime apo zbulime të tjera në ato vende!

Edhe sipërfaqja e gërmimit në fjalë, pasi u dorëzua në nëntor 2010 nga arkeologët, u zbraz në vitin 2012, përmes vendimit të institucioneve përkatëse shtetërore, pothuajse plotësisht nga substanca arkeologjike. I gjithë ky material u transportua dhe u hodh në ish-Kënetën e Durrësit, ku u rrafshua për të krijuar “sipërfaqe të reja ndërtimi”, fakt ky, të cilin e kam denoncuar shumë herë në botimet e mia, në shtyp dhe në televizion. Prej asaj kohe, nga ky gërmim arkeologjik mbetën vetëm dokumentacioni i hartuar nën drejtimin e tij dhe libri i botuar “Dyrrahu ilir”.

b) Dokumentacioni i plotë i gërmimit arkeologjik është dorëzuar bashkë me të gjitha gjetjet e lëvizshme në Ministrinë e Kulturës më 2013, konform të gjitha Rregullave të parashkruara. Me dorëzimin e tyre, ato fizikisht kanë kaluar në pronën e shtetit, por jo bashkë me të drejtën e autorit!!! Autori i vetëm i gërmimit dhe i të gjithë dokumentacionit të tij ka qenë, është dhe vazhdon të jetë Gjergji Frashëri! Sepse pronësia mbi një send apo një vepër është e përkohshme, ndërsa e drejta e autorit është e përjetshme dhe e pandryshueshme!!! Këtë e di edhe “Bufi” dhe besoj, se Gjykata e Tiranës nuk e ngatërron pronësinë mbi sendin me të “drejtën e Autorit” vetëm kur “dëshiron” t’i ngatërrojë!

Përveç kësaj, sipas kërkesëpadisë, gjykatësja nuk kishte si detyrë për t’u sqaruar, se a ka të drejtë dikush t’i drejtohet Ministrisë së Kulturës me kërkesë për akses dhe shfrytëzim të materialeve arkivore nga një gërmim arkeologjik dhe a ka të drejtë Ministria të lejojë përdorimin e këtyre materialeve?! Çdo individ apo institucion i interesuar mund t’i drejtohet institucionit përgjegjës me kërkesën zyrtare përkatëse. Institucioni ka për detyrë të vlerësojë qëllimin e kërkuesit dhe të japë përgjigje, nëse e lejon aksesin mbi materialet dokumentare dhe më tej shfrytëzimin, kopjimin apo fotografimin e tyre – gjithmonë duke pasur parasysh legjislacionin në fuqi mbi të drejtat e autorit. Por, ky nuk ka qenë objekti i kërkesëpadisë sime, ai ka qenë dhe është shumë më i thjeshtë. Konstatimi i shkeljes të së drejtës së autorit me anë të përdorimit të paautorizuar të pjesëve të librit të tij!

E nderuar Gjykata e Tiranës, libri “Dyrrahu ilir” përmban rreth 1.500 foto dhe ilustrime dokumentare origjinale. Provat në dosjen tuaj sqarojnë, se përgatitja e librit për shtyp ka kërkuar më shumë se rreth dy vjet punë intensive kamerale. Për përpunimin profesional të shumë vizatimeve origjinale dhe fotove të shumëllojshme, janë sjellë forca teknike të specializuara nga jashtë vendit, të cilat kanë punuar intensivisht në zyrat private të “Qendrës Frashëri” në Tiranë dhe Durrës. Ka qenë një investim kohor, profesional dhe financiar, të cilën e kam marrë përsipër privatisht i vetëm, si autor i një vepre dedikuar tim Éti, historianit Kristo Frashëri, në javët e fundit përpara se ai të largohej nga kjo jetë.

Dhe pikërisht këtë punë dhe investim kolosal e ka shfrytëzuar “doktoranti-kopjac” duke skanuar brënda disa orësh qindra foto dhe ilustrime nga ky libër për doktoraturën e vet! Pra, ai në asnjë moment nuk ka kërkuar dhe as nuk ka marrë nga institucionet përgjegjëse leje për shfrytëzimin, përdorimin dhe fotografimin e materialeve dokumentare dhe të artefakteve arkeologjike! Po kështu, ai nuk ka punuar për muaj të tërë në Arkivat dhe Muzeume për t’i seleksionuar nga materiali brutto prej mijëra fotosh dhe nga numri i madh i arkave me artefakte të dala prej gërmimeve. Gjithashtu, as nuk i ka fotografuar artefaktet, as nuk i ka përpunuar fotot për botim! Përkundrazi, ai “i ka rënë shkurt” duke kopjuar copy paste 386 foto dhe vizatime të përgatitura në mënyrë profesionale nga libri i autorit Frashëri, duke shfrytëzuar pa autorizim punën e tij dhe më tej, duke gënjyer dhe duke paraqitur një pjesë të konsiderueshme të këtyre fotove të skanuara si punë të veta, me shënimin “material i pabotuar”!!! Ndërsa Gjykata e Tiranës “vlerëson”, se ky akt nuk quhet shkelje e të Drejtave të Autorit?!

Me këtë vendim e kini mbushur kupën duke u vetëtallur me institucionin Tuaj dhe duke e braktisur etikën profesionale, deri duke gëlltitur një vjedhje skandaloze të së “Drejtës së Autorit” që i është bërë veprës, punës dhe mundit të ndershëm të një qytetari. Vërtet nuk keni kuptuar apo nuk keni pasur dëshirë të kuptoni dallimin midis shfrytëzimit të materialeve arkivore me leje të institucioneve përkatëse dhe një plagjiature ordinere?

Më vjen keq, se Gjykata e Tiranës nuk i ka ndëshkuar në mbështetje të ligjit veprimet e të paditurve, por ka nxjerrë sipas vlerësimit tim, një “hartim letraresk” – në vend të një vendimi profesional gjyqësor. Po ashtu, për kurajën dhe energjinë negative që zbulova në këtë vendim, për gatishmërinë e hapur dhe të habitshme që demonstrohet, për të goditur Drejtësinë e këtij vendi tashmë të lodhur nga padrejtësitë ligjore, prej një pjese jo të vogël të punonjësve të saj!

Kësaj shoqërie të plagosur rëndë nuk i duhen Vjedhës, as në Qeveri, as në Parlament, as në Presidencë dhe aq më pak në edukimin shoqëror, dhe aspak në edukimin arsimor në përgjithësi dhe atë universitar në veçanti. Por, nuk i duhet as edhe një Qeveri që ushqehet nga një superstrukturë e tillë pseudo profesorësh dhe pasuesish të përzgjedhur prej tyre! Me segmente të tilla gjykatash dhe gjykatësish, të cilët mbështetin hajdutët, jo vetëm të pasurisë shtetërore dhe private të tokës, por edhe grabitjen e së Drejtës së Autorit – shtrohet realisht pyetja: A ia vlen të vazhdohet të punohet në këtë vend dhe për këtë vend, apo të lëmë amanetet dhe të ikim duke mos e kthyer më kokën mbrapa, por duke e mallkuar, duke lënë pas mallkimin historik!?

Dhe të kthehemi kur ndoshta të ngrihet Unaza e Litarit në mes të Republikës shqiptare të “Ligjit 7501” për të djegur deri në fund si duhet etapat e qytetërimit brenda viseve tona atdhetare dhe mëmëdhetarë, siç kanë vepruar prej kohësh edhe vendet pararojë sot në Evropën e Bashkuar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura