Masakra e Srebrenicës dhe masakrat në Kosovë janë akte gjenocidi!

Apr 25, 2024 | 8:35
SHPËRNDAJE

enverbytyciPROF. DR. ENVER BYTYÇI

Diplomati aktiv në medie dhe publik i SHBA-ve, Rochard Grennel, mohoi të shtunën e kaluar që në Srebrenicë të Bosnjë-Hercegovinës të ketë pasur në korrikun e vitit 1995 gjenocid. “Jo çdo krim lufte është dhe gjenocid”, – tha ai. Kjo deklaratë bëhet në prag të diskutimit dhe votimit në OKB për ta shpallur 11 korrikun si “Dita Kundër Gjenocidit” në përkujtim të masakrës serbe kundër myslimanëve boshnjakë. Në ato ditë të nxehta të korrikut 1995, ushtarët serbë të luftës kundër këtij shteti, që kishte shpallur pavarësinë tri vite më parë, masakruan dhe futën në varre masive më shumë se 8300 burra e të rinj të moshës 13 deri 77 vjeç. I gjithë operacioni gjenocidial zgjati pak ditë.

Masakra gjenocidiale e Srebrenicës konsiderohet deri më sot si akti më barbar i shkaktuar pas Luftës së Dytë Botërore në Europë dhe krahasohet me gjenocidin nazist të Hitlerit kundër hebrenjve. Më 9 dhjetor të vitit 1948, OKB miratoi konventën mbi parandalimin dhe dënimin e krimeve kundër njerëzimit. Atë konventë e inicioi Holokausti nazist kundër hebrenjve. Në atë konventë përcaktohen qartë se cilat janë veprat gjenocidiale në konfliktet ndëretnike, ndërfetare etj.. Persekutimi dhe aparteidi me qëllim spastrimin etnik përmes emigrimit është pjesa përgatitore e krimeve kundër njerëzimit. Aparteidi, pra trajtimi si qytetarë të dorës së dytë e të tretë ishte karakteristikë e trajtimit sidomos të shqiptarëve në Kosovë. Më pas dëbimi, djegia e shkatërrimi i pasurisë dhe trashëgimisë historike e kulturore, përdhunimi, vrasja e civilëve dhe masakrat masive për shkak të etnisë ose besimit fetar të ndryshëm, të gjitha këto konsiderohen në Konventën e OKB-së si krime kundër njerëzimit ose gjenocid. Gjithashtu dëbimi kolektiv. Konventa hyri përfundimisht në fuqi në vitin 1952. Në fakt, OKB që në vitin 1947, përmes rezolutës 180 kishte përcaktuar se gjenocidi është krim ndërkombëtar.

Nocionin “Gjenocid” e ka përmendur për herë të parë juristi polak, Raphael Lemkin, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, gjatë hulumtimeve të tij për Holokaustin hebrenj, shkaktuar nga nazistët e Hitlerit. Lemkin termin gjenocid e zgjeron më tej me krimet jo vetëm kundër grupeve etnike e religjioze, por edhe kundër grupeve sociale, ekonomike e politike. Gjenocidi është shkalla më e lartë e krimeve kundër njerëzimit pas Holokaustit. Holokausti është unik në historinë e njerëzimit. Por jo thjesht nga numri i madh i hebrenjve të zhdukur, veçmas nga mënyra dhe mjetet e asgjësimit të tyre.

Masakra e Srebrenicës dhe krimet kundër njerëzimit në Kosovë kanë tipare ekskluzive të gjenocidit serb bazuar në të gjitha përcaktimet e dokumenteve ndërkombëtare dhe duhet të dënohen nga organizatat ndërkombëtare, veçmas nga ana e OKB-së.

Deklarata e Grennell, sipas të cilit jo çdo krim lufte është gjenocid, ka të bëjë me shkeljen e së drejtës humane gjatë një konflikti të armatosur, kur këto krime kryhen për dyshime të caktuara, si tradhti, sipunim etj., pa zbatuar procedurat e caktuara për hetimin dhe dhënien e dënimit në raste të tilla. Të gjitha krimet masive si në Srebrenicë dhe në Kosovë nuk janë krime të tilla. Ato nuk kanë të bëjnë me situata të caktuara. Janë vepra kriminale me qëllim spastrimin etnik për pushtimin e territoreve shqiptare e boshnjake.

Kjo, sepse mbi 8300 myslimanët e masakruar në Srebrenicë nuk janë rast krimesh lufte. Janë masakër në emër të zhdukjes së tyre për shkak se dallojnë nga serbët. Sepse 1432 fëmijët nga mosha disamuajshe deri 14 vjeç të asgjësuar e masakruar në Kosovë nga ushtria e policia serbe nuk mund të akuzoheshin për asnjë veprimtari kriminale. Ata u asgjësuan thjesht se kishin lindur nga nëna shqiptare. Të 13 mijë të tjerët të vrarë e të masakruar ishin njerëz të paarmatosur e të pambrojtur, thjesht ishin duke u kujdesur për pasurinë dhe familjet e tyre. Të mbi 20 mijë gratë e vajzat e përdhunuara dëshmojnë për urrejtje etnike të shkallës më të lartë të policëve, ushtarëve dhe paraushtarakëve serbë. Djegia e banesave, pasurisë publike dhe private, shkatërrimi e rrafshimi i objekteve historike e të trashëgimisë kulturore shqiptare ishte gjithashtu përpjekje për të zhdukur gjurmët e kësaj trashëgimie te boshnjakët dhe te shqiptarët. Masakrimi dhe deportimi i kufomave në territorin e Serbisë të rreth 4000 shqiptarëve të vrarë në Kosovë u bë për të zhdukur gjurmët e krimit dhe është gjithashtu provë e pakundërshtueshme e gjenocidit serb në Kosovë. Dëbimi i miliona myslimanëve dhe rreth një milion shqiptarëve nga shtëpitë e tyre me qëllim spastrimin etnik të Bosnjës dhe Kosovës është gjithashtu akt dhunë e terrori gjenocidial. Çdo gjë që ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Kosovë në periudhën e luftës është akt gjenocidi i parashikuar në Konventën e OKB-së dhe në rezoluta të pafund të kësaj organizate. Madje, të gjitha këto krime janë provuar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi.

Por jo vetëm kaq! Aktet e dhunës gjenocidiale janë ato që gjithashtu planifikohen dhe programohen nga shteti, akademia, kisha apo struktura të tjera të një shteti dhe një vendi. Serbia i ka kryer krimet gjenocidiale në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë me një program të qartë, me projektime paraprake, me një organizim civil e ushtarak perfekt. Në rastin e BH Beogradi ka mundur të thotë se “nuk është përgjegjës për gjenocidin në Bosnjë, pasi konflikti paska qenë i llojit të luftës civile midis serbëve dhe boshnjakëve”! Kjo nuk është aspak e vërtetë, pavarësisht Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës që nuk hapi hetime për këtë gjenocid kundër Serbisë bazuar në këtë justifikim.

Në Kosovë dhe kundër shqiptarëve kanë ekzistuar aq shumë plane dhe projekte të asgjësimit të tyre përmes zhdukjes fizike, shpërnguljes, diskriminimit dhe aparteidit, sa askush, pra as Grennel, nuk ka fuqi minimale ta mohojë pjesëmarrjen e shtetit serb dhe strukturave të dhunës së tij kundër tyre. Gjenocidi serb kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve është tashmë një e vërtetë, të cilën nuk e mohojnë dot as vetë serbët, jo më zëdhënësit e tij në kryeqytete të ndryshme të botës. Grennell mund të thoshte atë që thoshte Baton Haxhiu, se “nuk ka ç’na duhet tash pas 25 vjetëve, apo 30 viteve të merremi me përgjegjësitë e Serbisë për krime kundër njerëzimit dhe gjenocide kundër boshnjakëve myslimanë e kundër shqiptarëve”. Por kurrsesi të krahasojë Srebrenicën e masakrën e saj serbe me krime lufte. Krimet e luftës ndodhin në çdo konflikt, qoftë edhe nga pakujdesia ose moskontrolli i situatës. Krimet kundër njerëzimit, pra gjenocidi, planifikohet dhe shkon shumë përtej krimeve të luftës, është ekstremi i dhunës antinjerëzore, ka motive e qëllime të spastrimit etnik dhe jo të rezistencës për mbijetesë. Vetë fjala gjenocid vjen nga greqishtja e vjetër – Gen – pra gene dhe cid – zhdukje, vrasje, ekzekutim. Që do të thotë vrasje, ekzekutim, zhdukje e gjeneve. Kjo ka ndodhur në Srebrenicë dhe në Kosovë.

Unë besoj se Richard Grennell dhe kushdo diplomat që guxon e merr në mbrojtje gjenocidin serb në Bosnjë (Srebrenicë) dhe në Kosovë e bën këtë jo nga padija. E bën për shkaqe klienteliste. Por të mohosh gjenocidin e një shteti si Serbia, kjo është fyerje e rëndë e viktimave të këtij gjenocidi. Të fyesh viktimat e gjenocidit, në rastin konkret të atij serb, pra shqiptarët dhe boshnjakët, është në fakt shfaqje e karakterit nazist të çdo diplomati, politikani e kujtdo tjetër që e bën këtë. Është gjithashtu marrje e bashkëpërgjegjësisë me autorët e këtij krimi gjenocidial! Ky është një problem politik, social, psikologjik dhe dëshmon për deformime të karakterit njerëzor! Edhe për këtë arsye, OKB duhet të vendosë dënimin e ndëshkimin e atyre, qoftë ky dhe Grennell, që mohojnë gjenocidin në Srebrenicë sot e në Kosovë nesër.

Srebrenica sot dhe Kosova nesër duhet të shpallen si akte gjenocidi të Serbisë kundër myslimanëve boshnjakë dhe shqiptarëve në Kosovë. Shqipëria dhe shtete të tjera do të duhet të iniciojnë njohjen e këtij gjenocidi, sidomos në Kosovë. Ndryshe Serbia nuk do të ndalet të kryejë jo vetëm luftëra të reja, por edhe të përsëritë gjenocidin e saj kundër popujve joserbe, sidomos kundër shqiptarëve dhe boshnjakëve. Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç janë sot ende në veprim në Banja-Lukë dhe në Beograd. Ata duhen ndalur e më pas ndëshkuar!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura