Ibrahim Kodra dhe amaneti që ta varrosnin si mysliman! Raportet e ngushta përveç Pikasos, me Henri Matis, Modilianin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore

Apr 23, 2024 | 12:48
SHPËRNDAJE

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i bëri dje homazh njërit prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, Ibrahim Kodres, duke ndarë në rrjetet sociale një video dedikuar “postkubistit të fundit në Evropë”.

Ibrahim Kodra

“Nderim e respekt për artistin e jashtëzakonshëm Ibrahim Kodra”, – shkroi ministri Gonxhja. Ibrahim Kodra lindi më 22 prill të vitit 1918 në Ishëm. Pas një fëmijërie të vështirë, arriti të merrte një bursë nga Mbretëria e Shqipërisë, e të studionte në Milano, në një nga akademitë më të mira të kohës, në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras. Më 1944 hapi studion e tij të parë në Milano. Në 1948 çeli ekspozitë personale dhe në grup, në “Klubin e Artit”, në Romë, ku takoi dhe u bë mik me Pablo Pikason. Më 1950, ai pikturoi afreske në muzetë dhe ndërtesat më të rëndësishme të Milanos.

Më pas, Ibrahim Kodra, mori pjesë në ekspozita si dhe vendosi raporte të ngushta përveç Pikasos, me Henri Matis, Modilianin e të tjerë emra që kanë bërë historinë e pikturës botërore. Kodra ka qenë një piktor shumë prodhimtar. Ai ka lënë më shumë se 6 mijë piktura, të cilat gjenden në Muzeun e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve, në Parlamentin Italian, në Muzeun Kodra në Lugano (Zvicër), në Muzeun Kodra në Milano (Itali), në muzeume të tjera si dhe koleksione private anembanë botës. I vlerësuar si postkubist nga kritika, Ibrahim Kodra në 1996 mori titullin “Nderi i Kombit” dhe në 1997, kur sapo kishte pikturuar “Shqipëria fantastike”, u shpall Konsull Nderi dhe iu dha pasaporta diplomatike e Republikës së Shqipërisë. Vepra e tij “Shqipëria fantastike” e realizuar në vitin e trazuar 1997, portretizonte Shqipërinë si një parajsë mesdhetare.

JETA

Ibrahim Kodra mbeti jetim herët dhe për të ikur nga njerka, shkoi dhe punoi kamerier në Mamurras. Jeta e Inrahim Kodrës në Tiranë në konviktin e shkollës “Naim Frashëri” ndërpritet kur 20 vjeç (1938) largohet nga Shqipëria përgjithmonë me një bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera, Milano. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta. Në vitin 1948, Ibrahim Kodra u bë mik me Pablo Picasso, pikërisht në këtë temë në “Konferencën Ndërkombëtare për Paqen e Romës”, në të cilën të dy së bashku ata kryen një hulumtim të thellë artistik. Ndonëse nëpër intervista kishte deklaruar se ishte pagëzuar i krishterë katolik për hir të dashurisë, shtypi publikoi se kishte lënë amanet që të varrosej si mysliman. Kodra arriti ta vizitonte Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003 e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në Ishëm, në vendin që e deshi aq shumë.

HULUMTIMET

Në hulumtimin artistik të Kodrës, kubizmi i Pablo Pikasos do të ketë shumë ndikim, sidomos pas miqësisë së tyre në Romë më 1948, deri në atë pikë sa të njëjtat gazeta spanjolle që flasin për Pikason treguan Kodrën si “postkubisti i fundit në Evropë” si Picasso. Te veprat e tij dallohen qartë kostumet dhe veshjet shqiptare, natyra karakterizuese e popullit të tij, e madje edhe peizazhet, qoftë tablo të tëra apo edhe në sfond ngjasojnë me vendlindjen e tij, Ishmin, bregun tjetër të Adriatikut, nga Italia ku ai jetonte. Ndaj edhe Picasso e quante ushqim për shpirtin miqësinë që ai kishte me Kodrën. “Shqiptari im” i referohej Picasso gjatë bisedave të tyre të gjata. Të gjithë artistët e mëdhenj të kohës gjatë bisedave me Kodrën përpiqeshin ta njihnin e ta imagjinonin Shqipërinë e tij, përmes bisedave të Kodrës e padyshim përmes elementëve folklorik që gjendeshin në telajot e Kodrës, të cilat ishin edhe ilustrime të kujtimeve të fëmijërisë në Ishëm dhe mallit për Shqipërinë e tij. Përmes artit të tij, Ibrahim Kodra u bë ambasadori i denjë i Shqipërisë në botë, pasi tablotë e tij gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti italian) në galeri e muze të njohur dhe koleksione private në të gjithë skajet e botës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura