Legjendat e Gorës në librin e Namik Dokles! Befasia e autorit me librin “Vallëzim me Hënën” si një magji poetike e rrallë

Apr 22, 2024 | 11:34
SHPËRNDAJE

halilramaHALIL RAMA,
“MJESHTËR I MADH”

Nëse në hyrje të librit autori i bën të ditur lexuesit se “Gora, në kufijtë e saj etnografikë tradicionalë, paraqet një unitet gjeografik, ekonomik dhe historiko-kulturor”, folësit në këtë takim promovues do ta konsideronin këtë vepër, një libër unik, i njëllojtë me “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit.

Salla “Aleks Buda” e Akademisë së Shkencave në Tiranë, asnjëherë nuk ka qenë më e tejmbushur me dashamirës të librit se sa mesditën e 18 prillit 2024. Dhe s’kishte se si ndodhte ndryshe. Namik Dokle që ka befasuar jo vetëm lexuesit shqiptarë (të Tiranës e të hapësirës mbarëshqiptare në botë) por edhe spanjollë, britanikë, boshnjakë etj., u ndje i ngazëllyer me praninë e qindra personaliteteve jo vetëm të letrave, por edhe të politikës shqiptare, në promovimin e librit të tij të sapobotuar nga shtëpia botuese “TOENA”, me titullin intrigues “Vallëzim me Hënën”. Një libër i llojit të veçantë, që i sjell lexuesit 52 legjenda të vendlindjes të të parëve të tij, me një stilistikë të veçantë. Nëse në hyrje të librit, autori i bën të ditur lexuesit se “Gora, në kufijtë e saj etnografikë tradicionalë, paraqet një unitet gjeografik, ekonomik dhe historiko-kulturor”, folësit në këtë takim promovues do ta konsideronin këtë vepër, një libër unik, i njëllojtë me “Tregime të moçme shqiptare” të Kutelit.

Kështu, Behar Gjoka, një ndër personalitetet e njohura të kritikës letrare, pasi vlerësoi pesë romanet e këtij autori të mirënjohur e mirëpritur nga lexuesi: “Ditët e lakuriqëve të natës”, “Lulet e sajbotës”, “Vajzat e mjegullës”, “Covid 1984″e “Dhjetë gramë nder”, tha se, “në përmbledhjen e 52 legjendave në librin ‘Vallëzim me Hënën’, Dokle sjell artistikisht vlerat shpirtërore të Gorës. Ai vjen unik, si Kuteli me ‘Tregime të moçme shqiptare’. Kjo për faktin se disa nga legjendat e këtij libri vijnë ashtu siç tregohen, sot e kësaj dite, nga më të moshuarit dhe pasionantët e folklorit goran, të tjerat janë të mbështetura mbi subjekte baladash të njohura të Gorës dhe një pjesë e vogël janë ringjallur nga kujtime të pjesshme, apo nga copëzat e mbrame të legjendave në humbje, drejt harresës.

Ky libër është unik në llojin e tij edhe për faktin se Dokle sjell për lexuesin legjenda të trashëguara e përcjella ndër breza nga goranët, “gjuha e të cilëve është një sllavishte arkaike, e pakultivuar në shkolla dhe në libra, ‘e përmbytur’ nga struktura gramatikore dhe fjalë të maqedonishtes, serbishtes, bullgarishtes, shqipes dhe turqishtes….”.

“Po si ka mundur të mbijetojë kjo gjuhë dhe kulturë e veçantë, kur në asnjë libër nuk shkruhej, në asnjë shkollë nuk mësohej, në asnjë radio apo televizion nuk transmetohej?! Ajo ka jetuar dhe jeton përmes këngëve, baladave dhe legjendave të saj, përmes traditave dhe zakoneve të mira mijëravjeçare. Sot e kësaj dite, në shumë fshatra të Gorës, vajzat mblidhen çdo mbrëmje para portave të tyre dhe këndojnë këngët e tyre lirike, në të cilat kuvendojnë me djemtë, me zogjtë, me yjet dhe hënën, i shprehin qiellit dhe tokës dëshirat dhe vuajtjet, ëndrrat dhe zhgënjimet e jetës. Dasmat e Gorës janë festivale të mirëfillta të këngës, valles dhe të kulturës materiale të saj. Edhe pse të myslimanizuar, sot e kësaj dite, festa më e madhe e tyre është Shën Gjergji, që festohet jo pak, por pesë ditë më radhë…. Copëza të kësaj kulture (“jetime, por e pavdekshme”) janë edhe legjendat e Gorës, që i paraqiten për herë të parë lexuesit”. (fq.10-11).

Në një analizë më të hollësishme të këtij libri, publicisti i mirënjohur Bedri Islami, nisur nga fakti se legjendat, ndoshta më shumë se të vërtetat, e kanë magjepsur gjithnjë njerëzimin, tha ndër të tjera se, “Nëse nuk e ke dëgjuar thirrjen e legjendës, nuk ke për të dëgjuar asgjë tjetër. Netët e legjendave janë të panumërueshme. Është pafundësi bota e tyre, ashtu si në një mijë e një zërat e tyre, mund të dallosh atë që ke më për zemër, legjendat që kanë lidhje me vendin tënd, me çastet e shndërrimit të së vërtetës në një realitet tjetër, që, edhe ashtu është përsëri i besueshëm, legjendat janë të dashura përgjithmonë, por edhe një ditë, ashtu si dashuritë e mëdha. Legjendat i duam gjithë jetën. Legjendat janë toka e mëngjesit e jetës sonë. Janë edhe toka e mbrëmjes. Ata janë në fillesën e jetës dhe në perëndimin e tokës së mbrëmjes së jetës sonë”.

Parë nga ky këndvështrim, B.Islami vlerëson se “Namik Dokle na ka sjellë një magji poetike. Të rrallë. Të veçantë. Mistike dhe të besueshme. Të afërt, aq sa të zihet fryma herë pas here. Mistike dhe reale. Të pazakontë, e përsëri të njohur. Nganjëherë më dukej se po kaloja në caqet e ‘një mijë e një netëve’ e, herë tjetër, takohesha me rrëfenjat e Mitrush Kutelit. Kisha ndjesinë e poezisë, por edhe të pikturës. Isha i dyzuar, mes asaj që kisha lexuar në romanet e tjerë të Dokles dhe misterit që po më shfaqej”.

Në të njëjtën linjë, prof. Ethem Ruka – mik i veçantë i autorit, e vlerësoi këtë libër një botim shumë interesant, me stil të jashtëzakonshëm e gjuhë shumë të pasur, me të cilën “i ka bërë qilizëm Gorës”. Sepse sipas tij, “me këto legjenda që më parë i ka modifikuar në subjekte të romaneve të tij, Namiku, mjeshtërisht ka marrë thelbin, brumin, filozofinë e këtyre legjendave, i ka gatuar ato mjeshtërisht dhe i sjell për lexuesin me freskinë që ato bartin”. Profesor Ruka tha se Gora, kjo krahinë pak e njohur na vjen me histori të rrallë përmes këtyre legjendave.

Impresionues qe edhe vlerësimi i Irena Toçit, drejtore e shtëpisë botuese “Toena”, që e vlerëson Doklen si autorët më të veçantë. Vetë autori i mirënjohur Dokle, pasi ka falëndeuar pjesëmarrësit në këtë takim promovues mbresëlënës, ndër të tjera the se ka i dëgjuar legjendat nga gra të Gorës shumë të moshuara e shumë të mençura, si Majka që jetoi 106 vjeç dhe sot trashëgohet nga brezi i gjashtë. Ndërkohë ai i shprehu një mirënjohje të veçantë piktorit Pashk Përvathi për kopertinën mjaftë të arrirë artistikisht të këtij libri. I një rëndësie të veçantë për publikun, qe edhe lajmi që dha Dokle për botimin e këtij libri edhe nga botuesi i tij në spanjisht si dhe në gjuhën boshnjake. Për të lexuar me një frymë këtë libër, lexuesi do të nxitej, qoftë dhe nga vetë titujt intrigues të legjendave: “Magjistarja 300-vjeçare”, “Vij nga fundi i botës”, “Atje ku dielli lind dy herë”, “Me të drejtën e Zotit”, “Motra shpëton vëllezërit”, “Trëndafili i dashurisë”, “Përroi që flet”, “Kavalli i Neven Pejos”, “Flutura e Gashçenit”, “Qumështi ï Hënës”, “Pushkatimi për një puthje” etj., etj..

Mjafton qoftë edhe një lexim i shpejtë për të kuptuar se sa thellë ka hyrë autori Dokle në folklorin e kësaj krahine që bart në vetvete thesare shumë të çmuara etnokulturore.

namik dokle

Dy legjenda nga Namik Dokle

“Vallëzim me Hënën”

Nuk e di sesi e kishin fshatrat e tjerë, por ne në Gorë i njohim Perritë tona edhe me emër. Ishin tri: Ilina e Shishtavecit, Jelica e Brodit dhe Borjana e Borjes. Kanë qenë vajzat më të bukura të gjithë Gorës e u kishte shkuar zëri edhe tejembanë nëntë bjeshkëve. Kur kërcenin ato, thoshin, dheu nën këmbët e tyre ngazëllente, lulet e livadhit, ku shkelnin ato, gjallëroheshin e shumoheshin, krojet e bjeshkëve, thoshin, e shtonin gurgullimën dhe i pëshpëritnin fjalë të ëmbla barit. Por edhe yjet, thoshin, ndaleshin për t’i parë, ndërsa gjarpri dilte nga guri për të dëgjuar këngën e tyre.

Dhe thonë pastaj që një natë, kur po kërcenin te lëmi i Vejselit, u foli Hëna, dhe ato e ftuan në valle, por ajo u vuri kusht që t’i bënin një palë rroba Gore, që edhe ajo të zbukurohej me to. Dhe e lanë të kërcenin natën, kur hëna të ishte e plotë.

Jelica nga Brodi, Ilina nga Shishtaveci dhe Borjana u takuan në Igraleshnik, nën Blirin e Madh. Nuk kaloi shumë kohë dhe shkrepat e livadhet e Gjallicës morën ngjyrë floriri, ndërsa retë mbi Kallabak u bënë flokënajë argjendi.

“Doli!”, thirri Jelica dhe kërceu si drenushat e bjeshkës së fshatit të saj.

“Mirë se të vijë!”, tha Ilina, me zë të butë si pëshpërima e Rekës, që shkon përmes fushës së Shishtavecit.

Borjana piu një gllënjkë ujë, që e kishte mbushur në Topillo, çezma më e mirë e gjithë Gorës.

Por të tria ishin në merak, sepse, sado që u përpoqën, nuk arritën të bënin rrobat për Hënën.

Disa thonë ngaqë nuk ia dinin masën, të tjerët se nuk pranoi asnjë djalë të shkonte në Prizren për të blerë bojërat që të ngjyenin fijet për të endur rrobat dhe ca të tjerë tregonin si më të sigurt se, kur Borjana vuri vekët për të endur rrobat dhe e pyetën çfarë po bënte, ajo, shumë e qetë dhe e sigurt, tha se po endte rrobat e Hënës; atëherë erdhi si rrufe e vetëtimë i ati dhe i theu e i dogji vekët…

“Ku janë rrobat e mia?”, pyeti Hëna.

“Nuk i bëmë dot!”, iu përgjigjën të tria me një gojë.

“E po mirë”, u tha Hëna, “lakuriq unë, lakuriq edhe ju.”

Ato ngrinë nën dritën e bardhë të Hënës. Ndjenë të ftohtë brenda dhe jashtë, në shpirt e në zemër, e për t’u ngrohur filluan të kërcejnë pa e çarë kokën, nëse do të ulej apo jo Hëna të kërcente bashkë me to. Hëna u ul në kurorën e blirit dhe drita e saj u derdh si ujëvarë argjendi mbi vajzat. Jelica filloi të zhvishej e para, pastaj Borjana dhe Ilina në fund. Kur u përshfaqën gjokset e tyre të bardha, Hëna e ndjeu veten ngushtë, ndjeu se iu mpak drita, prandaj u ul edhe më poshtë… edhe më poshtë… derisa ciku në pubisin e mëndafshtë të vajzave që, në atë grimherë, po merrte ngjyrë të trëndafiltë. Borjana zgjati dorën dhe e kapi, e tërhoqi lehtas dhe në valle u bashkuan katër hëna që ndriçuan sa një diell. Ishte një dritë pabesueshmërisht e ngrohtë, e ëmbël, e bukur dhe derdhej nëpër gjithë trupin e vajzave, nga balli te gusha, nga sytë te kërthiza, nga buzët te pubisi, nga gjokset te këmbët, që mbanin ritmin e asaj valleje të paparë ndonjëherë në botën e Tokës dhe as të Qiellit.

Nuk e kuptuan sesi shkoi koha në atë vallëzim me Hënën, derisa dëgjuan gjelat e parë të Borjes, dhe pas tyre qentë e Oreshkës përballë, që po përndiqnin natën me të lehura. Hëna, sikur të mos kishte qenë asnjëherë mes tyre, ishte përsëri në qiell dhe i vështronte me kërshëri. Kur u kthyen në shtëpitë e tyre, vajzat u përballën me të njëjtën pyetje:

“Ku ishe gjithë natën?”

Zbritëm Hënën në tokë dhe hodhëm valle me të!”, ishte e njëjta përgjigje në tri fshatra të Gorës. Ata që dëgjuan, u çmeritën. “Na qenkan përhënur vajzat!”

Jelicën e përzunë nga shtëpia dhe ajo, derisa vdiq, brodhi me dhitë e egra të Brodit nëpër shkrepa e shpella. Askush nuk e mori vesh me çfarë ushqehej, por një çoban delesh i atyre bjeshkëve bënte be e rrufe se e kishte parë duke mjelë dhitë e egra. Për Ilinën nuk u mor vesh si e qysh, por një pasdite e gjetën të mbytur në lumin e fushës së Shishtavecit, të cilin, që atë ditë e sot e quajnë “Reka e Ilinës”.

Ndërsa Borjana, pas zallamahisë në shtëpi, nuk dihet pse pati një dëshirë të papërballueshme të fuste në gojë dy-tri qershi dhe, meqë në atë kohë piqeshin vetëm kokrrat e qershisë te shkëmbi mbi përroin e Xhaferrit, u nis e shkoi atje. Askush nuk kishte guxuar të ngjitej në qershi deri atë ditë, sepse ajo ishte rritur mbi një shkëmb të rrëpirët, që u kallte tmerrin edhe djemve më të guximshëm të fshatit tonë. Borjana, thonë, u ngjit vetë në shkëmb dhe këputi një degë qershie, hëngri disa kokrra dhe pastaj ra teposhtë si thëllëzë e vrarë, por me krahë të hapur. Disa thonë që iu morën mendtë, të tjerë thonë që u hodh vetë, por më të shumtit tregonin se kishin parë Hënën që e mbajti në krahë derisa e zbriti në fund të humnerës dhe aty u shua si një yll që bie nga qielli.

“Foli koka e prerë…”
Ai ishte më i bukuri i Gorës.
Ajo ishte më e bukur se ai.

U dashuruan dhe u martuan; bënë një dasmë të madhe, sipas traditës së lashtë të krahinës. Në mëngjesin e dasmës, ende pa dalë drita, ai shkoi në oborrin e saj për ta zgjuar, me meloditë e curleve dhe lodrave, nga gjumi i fundit i vajzërisë dhe për ta ftuar atë natë në ëndrrën e parë të nusërisë.

Bënë dashuri vetëm një natë. Në mëngjesin tjetër i erdhi thirrja që të shkonte ushtar në ushtrinë e madhe të Sulltanit, që sundonte edhe mbi fshatrat, livadhet, pyjet, bjeshkët dhe lumenjtë e Gorës. Nusja e re i përgatiti kalin për udhën e gjatë. Nëna i bëri gati bukën. Motra shkoi në bjeshkë që të mblidhte bar tërfili për kalin e vëllaut. Një këngëtar i bjeshkës, kur e pa, këndoi:

“Moj Morava, mjegull e përgjakur,
Pse kaq herët lulet i ke vyshkur?”
“Kaloi vajza mbi mua e zbathur
Barin e tërfilit duke mbledhur.
Do ia çojë tërfilin kalit t’bardhë
Rrug’ e largët vllaut t’i shkojë mbarë…”
“Ha, o kalë, o kali im i bardhë,
Rrugë të gjata sot ke për të marrë,
Në nëntë bjeshkë nuk ke për t’u ndalë,
Nëntë lumenj t’përgjakur do kalosh,
N’ato troje t’verdha do të shkosh…”

Trimi ngjeshi armët, i hipi kalit dhe hodhi vështrimin e fundit mbi sytë e përlotur të nënës, motrës dhe nuses së tij të re. Dhe u tha:

“Nëna ime, bëhu nënë edhe për nusen. Motra ime bëhu motër për nusen time. Dhe ti, e dashura ime, më jep besën që do më presësh e nuk do t’i hedhësh sytë mbi djem të tjerë, nuk do të dalësh te çezma e fshatit se ata të spërkatin me ujë e të turbullojnë mendjen, nuk do të shkosh te lëmi ku lozin vejanët se ata të tallin e të shushatin, as në shtëpitë e vejushave se të qeshin dhe të përflasin.”

U nis e ato mbetën pa lëvizur, nëna si qyqe, nusja dallëndyshe e motra si trishtil i verdhë. Kaluan tre vjet pa një lajm. Nëna u rrudh nga plakja. Motra u shëmtua nga dhembja. Nusja u mpak nga trishtimi e trarët e shtëpisë zunë të kalben nga lotët e saj. Në krye të tre vjetëve djali u kthye nga lufta, me plagë në trup dhe në shpirt. Nëna doli në krye të shkallëve të shtëpisë. Mbushur pezm dhe mllef, i tha:

-Erdhe, o biri im i shkretë?!
-Pse më pret me ato fjalë, nënë e dashur?
-Nga lufta ndoshta vjen me lavdi, por këtu turpin do të gjesh.
-Ç’thua, nëna ime?

-I the nuses të mos dalë te çezmja? Ka dalë sa ka dashur dhe është spërkatur me djemurinë për shtatë palë qejfe. I the të mos shkojë te lëmi i vejanëve? Ka shkuar dimër-verë, është shushatur dhe hallakatur. E porosite të mos takohet me vejushat? Drekë e darkë është takuar me to dhe fjalët e hallkut janë bërë sa birat e gardhit e thashethemet janë bërë mullar.

-Mos, moj nëna ime, çfarë më thua?! Lufta trupin ma copëtoi, fjala jote shpirtin ma përvëloi…

Nxori shpatën, atë shpatë që kishte prerë koka ushtarësh armiq, e vringëlloi dhe i preu kokën nuses së tij, për të cilën e kishte përvëluar malli dhe kishte kujtuar çdo ditë të parën dhe të fundit natë që kaloi me të. Koka e nuses u rrokullis dhe ndaloi në shkallën e fundit.

Dhe foli koka e prerë:

“Ç’bëre, o shpirti im?! Si e preve kokën që aq shumë të deshi? Si m’i shkretove sytë e bukur që asnjë ditë nuk e ndalën të qarën për ty. Shiko trarët e shtëpisë që po kalben prej lotëve të mi. Pyete motrën tënde a ta kam mbajtur besën që të kam dhënë, a kam dalë te çezma me djemtë, te lëmi me vejanët a në oborret e vejushave. Unë të desha aq shumë, o pëllumbi im, vetëm një Zot e di sa të kam dashur dhe sa të kam pritur…”

E pyeti motrën dhe ajo i tha të vërtetën për nusen e tij besnike. Mali u shemb, bjeshka u bë terr, dielli u shua dhe në sytë e tij mbeti vetëm koka e prerë që nuk fliste më. E ktheu shpatën nga vetja, e nguli tej e tej zemrës dhe tha fjalët e fundit në këtë botë:

-E mjera nënë! Nuk deshe dy dashuri, hap dy varre tani…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura