Fundi tragjikomik i Nedin Rrëqebullit dhe vdekja e ëmbël e Babushit! Shënime për librin me tregime dhe novela “Shtegtimi i fundit” të shkrimtarit Avdulla Kënaçi

Apr 26, 2024 | 9:15
SHPËRNDAJE

Shtegtimi i fundit Avdulla KënaçiNGA SEJDO HARKA

Avdulla Kënaçi, i cili në vitet ’80-’90 spikati me reportazhet e tij brilante dhe më pas me kronikat e telereportazhet e rralla, kushtuar ngjarjeve dhe veprimtarive atdhetare e kulturore, që zhvilloheshin në ato kohëra, deri në skajet më të largëta të vendit dhe të botës, kudo ku jetonin dhe punonin shqiptarët, sot, me krijimtarinë e tij të bollshme dhe cilësore letrare, është bërë një nga tregimtarët më të njohur të letërsisë së sotme moderne shqipe.

Deri tani, ai ka shkruar dhe botuar 4 vëllime me tregime e novela, me titujt kuptimplotë: “Enigma e një nate, “Autokritika”, “Liridona” e “Shtegtimi i fundit”, dhe vazhdon të shkruajë e të botojë pa mbarim. Në brendinë e veprave të tij narrative rendin personazhe e karaktere, tipa dhe tertipa të shumëllojshëm, që vijnë nga të gjitha anët e vendit dhe vërshojnë drejt skajeve më të largëta të botës dhe anasjelltas. Avdulla Kënaçi, vitet e fundit, duke qëndruar me një këmbë në Shqipëri dhe me tjetrën në Kanada, ka një jetë të tërë që mbledh tharmin e krijimtarisë së tij, ashtu si reja që mbledh avujt e gjithësisë për t’i shtrydhur një ditë me rrëmbim mbi tokat e begata dhe pjellore.

Tregimtaria e Kënaçit, e përkthyer në disa gjuhë të botës, ka mundur të bëhet edhe pronë e shumë lexuesve të huaj. Meqë për 3 librat e tij të botuara më parë jemi shprehur herë tjetër, në këto shënime të shkurtra do të ndalemi tek vëllimi me tregime e novela, me titullin “Shtegtimi i fundit”, i cili ka dalë në qarkullim kohët e fundit. Në këtë libër të ri artistik, krahas tregimeve që trajtojnë një problematikë të gjerë dhe të larmishme, të tërheqin vëmendjen, veçanërisht, novelat e tij të bukuraqë, edhe kur në qendër të brendisë kanë ngjarje dhe karaktere reale, përmes trillit krijues e fantazisë, ato marrin vlera universale artistike. Një nga novelat më të mira të këtij vëllimi, është ajo me titullin “Shtegtimi i fundit përtej oqeanit.

Në themel të brendisë së kësaj novele qëndron emigracioni, si plagë e hershme shoqërore, i cili, krahas shtypjes fizike dhe ekonomike, sjell dhe disa dukuri negative shpirtërore, kur përdoret si armë e të fortit për të shtypur, shfrytëzuar dhe nëpërkëmbur e poshtëruar më të dobëtit. Brendia e kësaj novele lidhet me historinë reale, tepër të trishtë, të një vajze shqiptare, e cila pa mbaruar mirë gjimnazin, bëhet pre e një mashtruesi dhe maniaku të seksit dhe parasë.

E mbetur në vetmi të plotë përtej Oqeanit dhe e zhgënjyer thellë nga mashtruesi vanitoz Nedin Rrëqebulli, Sesila, së cilës shkurt i thërrisnin Sisi, vendos të rikthehet në atdheun e saj për t’ia nisur punës nga e para, me besimin se do të ringrihej moralisht, shpirtërisht dhe ekonomikisht. Për ta bërë subjektin e kësaj novele sa më intrigues, shkrimtari Avdulla Kënaçi përdor me sukses retrospektivën inversive nëpërmjet së cilës përmbys rendin kronologjik të ngjarjeve, për t’i bërë ato sa më ekspresive. Për t’u njohur me këtë dukuri me vlera stilistike, mjafton të citojmë disa pasazhe e shprehje, me të cilat nisin ngjarjet e kësaj novele: “Spikerja e televizionit ‘Iliria Life’, Sesila priste me padurim t’i komunikonte ‘bosit” të saj një çështje tepër të rëndësishme… Lajmi i papritur, se kishte mbetur shtatzëne, e tronditi aq shumë Din Rrëqebullin, ose Din Televizorin, siç e thërrisnin në atë kohë emigrantët shqiptarë të Amerikës, sa që nuk dinte nga t’ia mbante. Edhe pse plot tmerr dhe ankth, në këtë çast, si për ta qetësuar Sesilën, me ftohtësinë e gjarprit, i tha: – Mos u mërzit, se këtë gjë do ta rregulloj unë… Do ta heqim embrionin e fëmijës dhe kështu do të vazhdojmë jetën tonë të qetë… Por Sesila, me vendosmërinë dhe guximin e saj të palëkundur, ia ktheu prerë: – Jo, do ta mbaj fëmijën në barkun tim… edhe pse ai është fryt i hidhur i një shtatzënie të padëshirueshme me një maniak seksual. Do ta mbaj edhe për t’i çjerrë maskën një kameleoni, një njeriu mashtrues si ti, që ndryshe je dhe ndryshe shfaqesh”.

Kjo kundërpërgjigje ishte si një minë me sahat mbi trurin e Nedin Rrëqebullit, i cili në këto çaste e ndjeu veten plotësisht të çarmatosur. I vetmi shqetësim që e trondiste në këto çaste ishte, që këtë histori të mos e merrte vesh kurrë bashkëshortja e tij, së cilës i ruhej si shejtani nga temjani. Pas këtij pasazhi inversiv, ngjarjet e kësaj novele ndjekin kronologjinë e tyre lineare, nga e tashmja drejt së ardhshmes, ndërsa konflikti, nga pika kulmore drejt zgjidhjes. Dy janë personazhet kryesore të kësaj novele. Nedin Rrëqebulli, pronari i televizionit shqiptar “Iliria Life” në një qytet të Amerikës dhe spikerja e këtij televizioni, Sesila, të cilët që të dy vinin nga qyteti i Durrësit në mënyra të ndryshme. Din Rrëqebulli, duke punuar si shef sigurimi në Portin e Durrësit, me marifetet e tij zhvatëse, kishte mundur të siguronte një shumë të konsiderueshme parash.

Ndërsa, përmes lotarisë amerikane kishte pasur fatin të shkonte për të punuar dhe jetuar në Amerikë. Ëndrra e tij kishte qenë jo vetëm të pasurohej sa më shumë, por edhe të bënte një jetë qejfi, sa më luksoze. Edhe pse ai nuk kishte asnjë lloj kualifikimi për artin, kulturën dhe televizionin, përveç një kursi për të përdorur kamerën, i kishte hipur në kokë të hapte një televizion, atje në zemër të Amerikës, jo vetëm për të shumëzuar paratë, por edhe për të kënaqur epshet e tij bastarde dhe për të bërë emër në diasporën shqiptare të Amerikës. Për të ndërtuar një televizion sa më të bujshëm, nisi të kërkojë një spikere që, jo vetëm të tërhiqte shikuesit me bukurinë e saj të rrallë e si rezultat do t’i sillte shumë fitime, por edhe do të kënaqte orekset e tij perverse seksuale. Tipat vanitozë e mashtrues si Din Rrëqebulli i kanë mësuar mirë marifetet se si do t’i arrijnë synimet e tyre.

Ata përdorin mashtrimin dhe premtimet e bujshme dhe nevojat e ngutshme të njerëzve të sinqertë. Dinë të shfrytëzojnë shoqërinë dhe miqësinë për t’i vënë në shërbim të qëllimeve të tyre të mbrapshta nëpërmjet lajkave dhe ryshfetit. Këto armë diti t’i përdorte me sukses edhe Din Televizori për të bindur Sesilën, që ajo të pranonte ofertën e tij mafioze. Ja si e tregon narratori A. Kënaçi procesin e bindjes së gjimnazistes dhe të prindërve të saj për t’u bërë spikere e televizionit “Iliria Life”: “Në një shëtitje buzë detit, Din Rrëqebulli takoi rastësisht zëvendësdrejtoreshën e gjimnazit, Rabien, ku mësonte Sesila, një vajzë, jo vetëm shumë e mirë në mësime, por edhe e bukur.

Ajo, me që Din Rrëqebullin e njihte që nga fëmijëria, e ftoi të merrte pjesë në një veprimtari artistike të shkollës së saj, ku aktronte edhe Sesila. Rrëqebulli, sa e pa Sesilën, e pëlqeu aq shumë, sa që nisi menjëherë punën për ta bindur atë, që ajo të bëhej me çdo kusht prona e tij. Gjëja e parë që duhet të bënte ishte ta merrte spikere në televizionin e tij, në Amerikë. Për ta bindur, përdori edhe zëvendësdrejtoreshën e shkollës së saj, duke e joshur edhe me 500 dollarë amerikan.

Me gjithë punën e madhe bindëse që nisën të bënin Din Rrëqebulli dhe Rabia për të bindur Sesilën dhe prindërit e saj, në të vërtetë, ata e patën shumë të vështirë t’u jepnin përgjigje pyetjeve të tilla enigmatike: -Po sikur pronari i televizionit të shpërdorojë besimin tonë… dhe pastaj ta lërë vajzën tonë në vetmi, pa mbrojtje e mbështetje, atje larg, përtej oqeanit?! Por, përsëri, mes një kontroversi mendimesh, prindërit, pas shumë dilemash, më në fund i besuan këtij mashtruesi të paprincip, vetëm se kontrata e tij me Sesilën do të ishte 3- vjeçare.

Atje në Amerikë, menduan prindërit e Sesilës, vajza jonë do të ketë mundësi të vazhdojë dhe arsimin e lartë, gjë që këtu është e pamundur. Atë natë Sesila bëri një gjumë të trazuar. Në ëndërr i shfaqej, herë buzëqeshja babaxhane dhe herë mimika djallëzore e Din Televizorit, që rendte si fantazmë, duke fërkuar duart. Ishte koha, kur ai kishte marrë miratimin e prindërve dhe të vetë Sesilës, e cila kish pranuar të bëhej spikere e televizionit “Iliria Life”. Pas 3 muajsh Sesila do të fluturonte drejt Amerikës, me ëndrra të bukura për jetën. Sa zbriti në Amerikë, e pritën mirë. Ditën e parë, kur hyri në televizion, te porta e tij hodhi këmbën e djathtë. Pikërisht këtu përfundojnë dhe lajkat djallëzore të pronarit të këtij televizioni fantazmë. Tani e tutje ai do ta trajtonte Sesilën si pronën e tij, si kukullën e tij të bukur, që do t’i dhurojë famë, para edhe kënaqësi seksuale.

Që në çastin kur Sesila fillon të shkëmbejë fjalët e para me studentin e vetëm që punonte në këtë televizion, Din Rrëqebulli nisi të kërciste dhëmbët duke iu drejtuar me fjalët: “Vajzë, nuk të kam marrë në Amerikë për vakancë, por për punë”! Din Televizori, kosekuent me synimet e veta, vendosi që Sesilën ta strehonte në një apartament të vetmuar, ashtu si ujku që ndan gjahun e tij të mjerë nga kopeja, për ta shqyer e gëlltitur qetë-qetë në errësirë. Sapo e akomodoi në një apartament të vetmuar, të nesërmen i mbiu te dera, si rrëqebulli prehut të vet. – Ti je një vajzë simpatike dhe me gjoks të bukur, që duhet ta ekspozosh sa më shumë , – i tha Din Rrëqebulli, tërë epsh Sesilës, një ditë. Kështu do të rriten edhe vlerat e tua si spikere, edhe shikueshmëria e televizionit tonë. Këtë gjest të pronarit të televizionit, Sesila nuk e kishte përfytyruar kurrë. Prandaj, menjëherë i kundërpërgjigjet: – Mirë, po çdo të thonë njerëzit për mua në Dibër dhe në Durrës?!

Por tipat si Din Rrëqebulli, që punonjësit e tyre i konsiderojnë si pronën e tyre, dhe me ta mund të bëjnë ç’të duan, kur nuk binden përdorin shantazhin psikologjik dhe më fund edhe dhunën. Me kthetrat e duarve të tij ia këputi të gjitha kopsat me forcë. Në çastin që Din Rrëqebulli kishte arritur ekstazën e tij shtazarake, Sesila kishte pësuar traumën më të madhe fatale, morale dhe shpirtërore. Fjalët më dramatike të Sesilës, drejtuar përbindëshit përdhunues, ishin: “A e dini që unë jam më e vogël se vajza juaj”?! Nëse Din Rrëqebulli përjetonte “parajsën” e epshit të tij shtazarak, Sesila derdhte lotët lumë, me të cilët donte të shpëlante mëkatin e zi të atij përdhunuesi çnjerëzor të pabesë dhe pa moral e dinjitet njerëzor. Trishtimin më të madh ajo e ndjeu, kur e kuptoi se kishte mbetur shtatzënë. Pasi e mori veten nga kjo traumë e madhe, vendosi, që ta njoftonte Rrëqebullin, se ishte shtatzëne.

E bindur, se ishte shpejtuar, që të ardhmen e saj ia kishte besuar këtij mashtruesi tepër pervers, tashmë kërkon, që fatin e saj të mos ia lënë në dorë një njeriu, që kërkonte ta trajtonte si kavie. Kur Din Rrëqebulli, me butësinë e tij lajkatare i kërkon Sesilës heqjen e fëmijës, ajo i kundërpërgjigjet përgjigjet prerë: – Do ta mbaj atë fëmijë, edhe pse është fryt, jo i një dashurie vërtetë, por i përdhunimit nga një maniak seksual. Do ta rrit me duart e mia atë fëmijë të pafajshëm, pa u thyer nga fjalët e paragjykimet, po edhe për të zbuluar para njerëzve shëmtinë dhe pabesinë mashtruese të njerëzve të tillë si Din Televizori.

Në çastin kur Din Rrëqebulli godet me grushtin e vrastarit embrionin e fëmijës në barkun e Sesilës, një makinë e policisë shfaqet papritur në vendin e ngjarjes, duke i hedhur prangat Din Rrqebullit, mashtruesit të pacipë dhe gjahtarit të parasë e të seksit. Ky ishte fundi tragjikomik i një njeriu si Din Televizori, i cili, famën e pasurinë dhe lavdinë e kënaqësinë e tij seksuale, kërkon t’i ndërtojë mbi djersën, nderin e dinjitetin e të pambrojturve. Ndërsa Sesila, tashmë e çliruar nga mungesa e lirisë dhe përdhuna e një perversi të pashembullt, vendos të kthehet në Shqipëri, tek prindërit dhe njerëzit e saj, të cilët e pritën me dashuri. Pas një udhëti mi të gjatë, përmes një tuneli metaforik plot errësirë, ajo, me gëzimin dhe kthjelltësinë e saj, në fund të atij tuneli të errët, kishte parë dritën e rrugës së vërtetë të jetës së saj.

“SHTEGTIMI I FUNDIT I BABUSHIT”

Një tjetër novelë, e këtij libri, me brendi sa të vërtetë, aq dhe artistike, është ajo me titullin “Shtegtimi i fundit i Babushit”, që tingëllon si një himn poetik, shkruar në prozë, kushtuar dashurisë për vendlindjen, atdheun, trashëgiminë, njerëzit e familjes dhe lidhjen mes brezave. Dy janë personazhet kryesore të kësaj novele. Babushi (gjyshi) dhe nipi i tij Gëzim Gjoka, student në një nga universitetet e Kalifonisë së Amerikës. Ata ishin të lidhur aq ngushtë me njëri-tjetrin, sa ishte e vështirë të ndaheshin, qoftë edhe për një kohë të shkurtër. Edhe pse Gëzimi nuk kishte shumë kohë nga dita që ishte larguar nga vendlindja dhe Babushi i tij i dashur, papritur mori një telefonatë të frikshme nga familjarët e vet.

Ata e njoftonin njeriun e tyre, se Babushi kishte 4 muaj që dergjej i sëmurë rëndë në shtrat, ku pritej, nga çasti në çast të vdiste, por nuk po i dilte shpirti. Dua të më vijë sa më parë Gëzimi, thoshte me forcë ai, ndryshe s’ka për të më dalë kurrë shpirti. Edhe pse pa ngrënë e pa pirë, belbëzonte pa ndërprerë: -Dua të më vijë, sa më parë, nipi im, Zimi. Prandaj, Gëzimi, sapo mbaroi provimin e radhës, mori rrugën drejt vendlindjes për të takuar me Babushin dhe familjarët e tjerë. Sapo ai zbriti në Rinas, e para gjë që bëri, telefonoi për të pyetur se, si ishte shëndeti i Babushit të tij të mirë. Pastaj, hipur në një taksi, mori rrugën drejt vendlindjes, duke kaluar mespërmes mrekullive natyrore të këtyre anëve, i përkëdhelur nga freskia dhe aroma e këndshme që lëshonin pyjet dhe lëndinat kodrat dhe malet e Kurveleshit.

Aty lart në ato maja, ku ende nuk kishte shkrirë bora, i tregon taksistit Gëzimi, Babushi im kishte ngritur stanin e tij, i cili kundërmonte nga era e qumështit të ëmbël si mjalti që kullonte nga ai gjelbërim i rrallë i këtyre anëve dhe era e këndshme e djathit dhe e mishit të pjekur në hell, me shijen më të mirë në botë. Ja, tek ai stan ka jetuar e punuar gjatë Babushi im. Ishte koha, kur shullënjtë, grykat e maleve dhe gjithçka kishte nisur të zgjohej nga gjumi letargjik i dimrit. Babushin, Gëzimi e gjeti të ngujuar para portës së shtëpisë së tij. Ai, tërë jetën kishte qenë njeri i punës, i luftës dhe i fjalës së mbajtur. Ndaj e donin të gjithë. Jeta e tij, kishte qenë: blegërimat e bagëtive, ajri i pastër, kënga labe, melodia e fyellit dhe e zileve e këmborëve. Atë e ngopte frymëmarrja e thellë në ajrin e pastër të atyre maleve.

Blegtor të mirë si ai, nuk gjeje të dytë në këto anë. Sapo u çmall me nipin e kthyer nga shkollat e Amerikës, i tha: – Do të shkojmë bashkë në stanin tim të parë, sepse, i mbyllur brenda mureve të shtëpisë më duket sikur më zihet fryma. Dua të vdes atje, ku kalova tërë jetën time. Sapo arritën në stan, Babushi iu drejtua nipit të tij me këto fjalë:-Pa ngrije atë pllakë guri, se diçka do të gjesh poshtë saj. Sapo Gëzimi e ngriti atë pllakë, ngeli pa fjalë. I ke dhuratë nga unë për mbrojtjen e doktoratës në Amerikë, i thotë Babushi, por dua që njohuritë e shkollës së Amerikës t’i vësh edhe në shërbim të Shqipërisë dhe të Kurveleshit tonë.

Babushi, duke ditur se ditët, për shkak të moshës, i kishte të numëruara, e ndjente si detyrë me rëndësi, që nipit të tij t’i trashëgonte, jo vetëm traditat kulturën dhe zakonet e mira, por edhe pasurinë e tij. Në këto çaste, Gëzimi, atje lartë në stanin e Babushit, e ndjeu veten si në një ëndërr, sa të bukur, aq dhe të çuditshme, duke vrarë mendjen për të gjetur përgjigjen e pyetjes se, ku mund t’i kishte gjetur gjyshi i tij këta florinj. Ishte Babushi, ai që ia zbuloi enigmën e gjetjes së kësaj monedhe ari.

Një natë dimri, tregon ai, duke shkulur pllakat e vatrës së kësaj shpelle, poshtë saj gjeta një kuti teneqeje me mbishkrimin USA, ku ruheshin të pastra këto monedha ari… Nga frika se, një ditë papritur mund të mbyllte sytë, kërkoi që nipi i tij, Gëzimi, që studionte në Amerikë, të kthehej urgjent, për t’ia dhuruar ato monedha, të cilat do t’i duheshin për mbarimin e shkollës. Sapo Babushi e mbaroi amanetin e tij të fundit, dha shpirt. Nipi i tij, Gëzimi, për të dhënë lajmin e hidhur të vdekjes së Babushit, zgjodhi si simbolikë të rrallë tingujt e ëmbël të zileve dhe këmborëve, të cilat kishin qenë bashkudhëtarët e përhershëm të jetës së Babushit të tij të mirë.

Këta tinguj të rrallë, tepër melodiozë, do të ishin kënga më e bukur që do përcillte Babushin, këtë blegtor të rrallë të labërisë së Kurveleshit, tamam si një “perandor” në “perandorinë” e pavdekësisë së tij të përjetshme. Tregimtaria e Avdulla Kënaçit ka vite që tërheq edhe vëmendjen e kritikës letrare, brenda dhe jashtë vendit. Shkrimtari, Thanas Medi, i cili sot punon dhe jeton në Greqi, pasi ka shfletuar librat e tij me tregime dhe novela shkruan: “Proza e Avdulla Kënaçit tërheq me të qenit e vërtetë, jetësore dhe e gjallë. Endur me fjalën e zgjedhur artistike, pasuruar nga lokalizma, që veçse i bëjnë nder gjuhës dhe letërsisë shqiptare…”. I tillë është narracioni i Abdulla Kënaçit. Për të mjafton thelbi i një ngjarjeje reale. Pasi e fut atë në avëlmendin e trillit të tij krijues, prodhon një art me vlera universale, i cili lexohet me kërshëri nga lexuesit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura