“T’ua presim hovin armiqve të pashpirt”-Kush ishte synimi i Lidhjes së Prizrenit, lëvizjes së parë shqiptare të madhe 143 vite më parë

Apr 19, 2024 | 14:04
SHPËRNDAJE

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi dje 143-vjetorin e Betejës së Shtimes dhe Slivovës.

lidhja e prizerenit

Kjo konsiderohet si beteja më e rëndësishme që zhvilloi ushtria e Lidhjes Shqiptare së Prizrenit më 18 prill 1881 kundër trupave osmane. Afro 4000 vullnetarë shqiptarë patën përballë 20 batalione të armatës së Dervish Pashës, me rreth 15 000 ushtarë e oficerë të pajisur me armatimin më të mirë të kohës. Forcat osmane morën Shkupin në fund të marsit dhe marshuan drejt Ferizajt për të nënshtruar Fushë-Kosovën.

Forcat shqiptare me Mic Sokolin dhe Ali Ibrën zunë vend afër Shtimes, ndërsa një pjesë tjetër pranë fshatit Slivovë. Luftimet u zhvilluan prej 18 deri 20 prill 1881. Luftëtarët e Lidhjes i thyen më se një herë sulmet e ushtrisë osmane dhe kundërsulmuan disa herë. Në një nga këto kundërsulme Mic Sokoli bllokoi me trupin e tij një grykë topi të armikut. Më 21 prill, shqiptarët, për shkak të epërsisë të armikut, u tërhoqën. Më 22 dhe 23 prill ata zhvilluan luftime në Dukël dhe Suharekë, për të penguar ushtrinë osmane të hynte në Prizren. Në maj u bënë përleshjet e fundit në thellësi të Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës.

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë. Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman.

Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Pas një mbledhjeje, Lidhja u organizua në tre komitete, për Punët e Jashtme, për të Brendshmet dhe për Financat. Komisioni i Punëve të Jashtme përbëhej nga Abdyl bej Frashëri me bashkëpunëtorët Shaban bej Pejën, Galip bej Shkupin dhe Asaf efendi Manastirin. Ky komision merrej me dërgesat e lutjeve dhe protestave ndaj Kongresit dhe me korrespondencën me filoshqiptarët e me shqiptarët jashtë atdheut.

Komisioni i Punëve të Brendshme përbëhej prej Haxhi Shabanit nga Prizreni, myderrizit të Shkupit Qorr Abdyl Efendiut, Mahmut Qypërliut dhe Esat pashë Tetovës. Merrej me administrimin e territorit, mbajtjen e qetësisë, mbledhjen e ushtrisë vullnetare dhe kishte fuqi zbatuese. Komisioni i Financës përbëhej nga Sulejman agë Vokshi, Zija bej Prishtinës, Shefik bej Gjilanit dhe dy të tjerëve, të cilët nuk dihen. Kujdeseshin për mbledhjen e fondeve për armatimin e ushtrisë dhe furnizimin e saj. Këta komisione funksiononin vetëm në kohë të mbledhjes së përgjithshme.

Detyrat e tyre i mbikëqyrte Dega lokale e Prizrenit, e cila kryesohej prej Ymer efendi Prizrenit. Lidhja në korrik u nda në komitete, të cilat kishin dy degë të rëndësishme: e veriut me qendër në Prizren dhe e jugut. Edhe pse fraksione të ndryshme penguan organizimin e kësaj mbledhjeje dhe një pjesë e mirë e të ftuarve arritën me vonesë Kuvendi i nisi punimet.

Dy ishin rrymat kryesore që u debatuan: atdhetarët të cilët mbrojtën idenë e një bashkimi kombëtar dhe territorial, dhe fraksionet osmane të cilët ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte veç administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë. Kuvendi, i cili themeloi lidhjen e parë mbarëshqiptare zgjati 5 ditë dhe numri i delegatëve shkoi në 110. Një nga fjalimet që u mbajt mend aty ishte ai i Abdyl Frashërit: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.

Dy aktet e para që mori Lidhja e Prizrenit ishin një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër perandorisë osmane. Aty i bënin të qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj,të shoqëruara më dhjetëra firma nga atdhetarët pjesëmarrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura