EKSKLUZIVE/ “Kishte detyrë të vriste shokun Enver!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit! Si më dënuan për agjitacion e propagandë dhe internuan në Gramsh: Bukëshkalë, i pabesë! Je bërë si Tuk Jakova dhe…

Oct 25, 2021 | 16:19
SHPËRNDAJE

Vahid Lama-Enver-Hoxha_Denimi-rrefimi-internimiNë mesnatën e 10 nëntorit 1981, forcat e hetuesisë speciale arrestuan në fshehtësi Vahid Lamën, juristin që kishte punuar 13 vite në paradhomën e Enver Hoxhës.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Pak ditë më parë, kur përgatitej të merrte pjesë në Kongresin VIII të Partisë, sekretari personal i Sekretarit të Parë të KQ u shkarkua nga detyra dhe u internua familjarisht në një fshat të skajshëm të Gramshit. Prangosja menjëherë pas mbylljes së punimeve të Kuvendit historik të Partisë ishte certifikuar më herët në zyrat e KQ, aty ku më parë ishte kryqëzuar për veprimtari armiqësore ndaj vijës së Partisë.

Prej këtej, Vahid Lama iu nënshtrua një kalvari pa fund në ferrin e burgjeve të komunizmit, për t’u kthyer pranë familjes në fillimin e viteve ’90. Në rrjedhën midis ekstremeve, jeta e tij përshkoi një histori të trishtë e të çuditshme, për të cilën nuk preferoi të flasë kurrë sa ishte gjallë. Gazeta “Panorama.al” ka siguruar së fundi dosjen e Sigurimit të rastit “Lama” dhe kopjen e dorëshkrimit të kujtimeve me përjetimet e jashtëzakonshme nga koha kur punonte në kabinetin e Enverit.

PRETENCA E SIMON STEFANIT
Vahid Lama u shkarkua nga detyra në aparatin e KQ dhe u përjashtua nga funksionet partiake më 27 tetor 1981, vetëm pak ditë para fillimit të punimeve të Kongresit VIII, ku ishte zgjedhur delegat. I pari që i komunikoi ndëshkimin e papritur ishte Simon Stefani, asokohe sekretar i KQ. “Ai, sa u futa në zyrën e tij, nënvizon në dorëshkrimin e kujtimeve ish-ndihmësi i Enverit, pa më ftuar të ulesha, më njoftoi në mënyrë të rrufeshme: Ti nuk meriton të jesh anëtar i KQ të Partisë dhe punonjës i aparatit politik, as banor i Bllokut, se ke rënë pre e revizionistëve jugosllavë, e socialimperialistëve sovjetikë, madje edhe e imperialistëve amerikanë!”.

Kumtimi i Stefanit, që nuk denjoi të dëgjonte asnjë shpjegim nga tjetri, i parapriu mbledhjes së organizatës së partisë, thirrur po atë ditë për të zyrtarizuar formalisht ndëshkimin për Lamën. Aty, nga fillimi në fund, Sekretari i KQ, i pozicionuar me statusin e të deleguarit, diktoi e orientoi tërë rrjedhën e debatit. Toni i zërit të tij, këtë radhë kujton Lame, ishte bërë më urdhërues e agresiv. Tanimë nuk ligjëronte si në mbledhje partie, për gabime e faje të një komunisti, por si prokuror në sallën e gjyqit që jep pretencën për krime të rënda ndaj partisë e shtetit.  “Jemi këtu, artikulonte vrazhdë Stefani, për të demaskuar dhe dënuar një armik të fshehtë e të rrezikshëm, të cilin udhëheqja e partisë, pasi e ka ndjekur me vëmendje për një kohë të gjatë, e ka shkarkuar sot nga të gjitha detyrat dhe funksionet partiake”.

TËRBIMI I HAXHI KROIT
Përveç pretencës së Simon Stefanit, në ato që përmban dokumenti i mbledhjes së 27 tetorit 1981, dallon agresiviteti i Haxhi Kroit, ish-shefit më jetëgjatë të kabinetit të Hoxhës. “Lama nuk e meriton teserën e partisë, ka nisur ai diskutimin, për pasojë, as detyrat e tjera në aparatin e KQ. Me veprimet dhe qëndrimet e tij ka mbështetur hapur idetë armiqësore të tradhtarëve të popullit Bedri Spahiu e Tuk Jakova”. I befasuar nga furtuna e shefit të tij, Lama ka provuar të ndërhyjë, por është gjendur sërish në rrebeshin e Kroit.

“Ç’kujtoi ky armik i betuar, që mbërriti me marifete në instancat e larta të partisë, deri te zyra e shokut Enver, se do bënte ç’të donte në dëm të partisë dhe popullit?! Se do vazhdonte të fyente pa fund shoqen Nexhmije dhe shokun Ramiz, që e mbajtën afër dhe e deshën aq shumë?! Pjesa tjetër e monologut të Haxhi Kroit, zyrtarit më të vjetër të aparatit të KQ, përvijon me zhargonin “Tradhtar”, “Bukëshkalë”, “I pabesë”, për t’i lënë radhën propozimit për ta prangosur në sallë, se “edhe plumbi për të është pak”. Dokumenti i mbledhjes nuk përmban asnjë rresht nga reagimi i të kryqëzuarit përballë akuzave nga më absurdet.

Në kujtimet e tij, Lama shkruan se ka provuar disa herë të çohet e t’i kundërshtojë, por ka qenë e pamundur ta lejojnë. I urdhëruar nga Stefani vetëm të dëgjojë, ka hapur bllokun dhe aty për aty ka shënuar morinë e pafund të pyetjeve të përçartura: Kush fshihet pas qëndrimeve të tua antiparti? Me cilat elemente borgjezo-revizionistë ke bashkëpunuar dhe ç’detyra të kanë dhënë? Për ç’arsye ke mohuar rolin e shokut Enver në themelimin e partisë dhe ke mbrojtur tezën e krijimit të saj nga revizionistët jugosllavë? Përse ke thënë që shoqja Nexhmije është e paekuilibruar në marrëdhëniet me bashkëpunëtorët?

Perse ke deklaruar që shoku Ramiz është hipokrit? Përse ke mburrur Abaz Kupin dhe bëmat e tij?… “Furtunë në gotë” sipas Vahid Lamës, vazhdoi deri në mesnatë për t’u mbyllur me njoftimin e përjashtimit nga Partia dhe shfaqjen e oficerëve të Sigurimit te dera e sallës…

Vahid Lama-11

DËBIMI NË HESHTJE

Në mesnatën e 27 tetorit ’81, kur sa kishte mbaruar mbledhja e tmerrshme në selinë e KQ, Vahid Lamën e njoftuan të dorëzonte shtëpinë në Bllokun e udhëheqjes. Pa u zbardhur mirë dita, ai bashkë me familjen mbërriti në një fshat të largët të Gramshit. Sakaq në Tiranë, ku pritej të fillonte Kongresi VIII, kishin nisur pëshpërimat për prapësitë e sekretarit të Enverit.

“Ishte agjent i UDB-së”, “Kishte marrë detyrë nga të huajt për të vrarë shokun Enver”, “Mbante të fshehtë një automatik dhe një radio transmetues” “Kishte izoluar Nexhmijen e Ramizin”. Të tilla opinione mbërritën deri në sallën e Kongresit, por gjithnjë nën zë. Përkundër tyre, në sallën e Kuvendit të Partisë, zyrtarisht nuk u tha asnjë fjalë për “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Plenumit të KQ dhe ndihmësit të Enverit. Asnjë fjalë nuk shkruan gazetat, madje as shtypi me përdorim të brendshëm në parti. Vahid Lama duhej zhdukur në terr!

Duhej shpërfillur në heshtje! Së paku sa të mbaronte Kongresi. Urdhri këtë radhë vinte drejtpërdrejt nga Enveri. Bashkëpunëtori i tij kishte dalë armik! Ai duhej ta sqaronte partinë përse i kishte munguar “vigjilenca revolucionare”, përse kishte marrë sekretar një “agjent të imperializmit” dhe e kishte mbajtur 13 vjet pranë zyrës së tij. Sidoqoftë, heshtja nuk mund të zgjaste përtej Kongresit. Një ditë pas përfundimit të tij, u njoftua zyrtarisht se Vahid Lama u arrestua për agjitacion e propagandë kundër partisë dhe pushtetit popullor.

Faksimile e dokumentit të procesit gjyqësor të Gjykatës së Lartë-Vahid-Lama

Dokumenti i gjykatës: I është kundërvënë vijës së Partisë! Ka bërë propagandë kundër partisë dhe udhëheqjesit të saj kryesor

E artikuluar në zhargonin e kohës, pjesa kryesore e aktakuzës ndaj Vahid Lamës në procesin e vitit ’81 e penalizonte për qëndrim armiqësor të shprehur me opinione e deklarata që binin ndesh me vijën politike të partisë.

Në dokumentin e gjykatës ato janë renditur njëra pas tjetrës, sipas rëndësisë që kanë në morinë e provave të siguruara në rrugë operative dhe me dëshmitarë të besuar. Ndër to, qëndrimi i Lamës për marrjen e kredive nga vendet kapitaliste veçohet si një akt i pastër armiqësor që i kundërvihet politikës së Partisë.

“Lama është shprehur, konfirmohet aty, se mosmarrja e kredive, duke u mbështetur kryesisht në forcat e veta, do të pengojë ritmet e zhvillimit ekonomik, pasi ne jemi vend i vogël e pa mbështetje.” Të tilla vlerësohen sakaq mendimet e tij për thelbin e luftës kundër burokratizmit. “Qysh në vitin ’70 e në vazhdim, shprehet njeriu i akuzës Lama, ka krijuar pikëpamjen armiqësore se lufta që bën PPSHja kundër burokratizmit nuk ka qenë konsekuente, se ajo ka gabuar pasi ka lejuar fryrjen e aparateve administrative, se shtimi i organikave është një kthim prapa në krahasim me vitin 1966”.

Të tjera dëshmi jo më pak të rëndësishme për drejtësinë komuniste shtjellohen aty, madje edhe me komentet përkatëse për të përligjur pozitën armiqësore borgjezo-revizioniste të juristit që punoi 13 vite në paradhomën e Hoxhës. “Vahid Lama, pohon prokurori i çështjes, kundërshton legjislacionin e punës që kufizon pagën për tejkalimin e normës mbi 125 për qind dhe për mospagimin e punëtorëve për ditët e fetave”.

Pas një panorame të tillë faktesh e pseudoargumentesh, trupa gjyqësore arrin të konkludojë se “I pandehuri Lama, i frymëzuar nga pikëpamje armiqësore antimarksiste, ka shpërthyer më vonë në agjitacion e propagandë kundër partisë, udhëheqjes së saj dhe veçanërisht kundër udhëheqësit kryesor”. Ka mjaftuar kaq për të proceduar me masën e dënimit: 10 vite heqje lirie!

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:
EKSKLUZIVE/ “Ky paska lakra në kokë!”- Sekretari personal i diktatorit tregon prapaskenat: Pse Enver Hoxha hoqi Hetuesinë nga Prokuroria e Përgjithshme! Debati i fortë e ministrit të Brendshëm me kreun e akuzës (PJESA 14)
EKSKLUZIVE/ “Ky paska lakra në kokë!”- Sekretari personal i diktatorit tregon prapaskenat: Pse Enver Hoxha hoqi Hetuesinë nga Prokuroria e Përgjithshme! Debati i fortë e ministrit të Brendshëm me kreun e akuzës (PJESA 13)
EKSKLUZIVE/ “Edhe ujin e pijshëm e importonte nga Perëndimi”- Sekretari personal zbardh prapaskenat: Enveri shtirej si kursimtar i madh dhe bënte jetë përrallore! (PJESA 12)
EKSKLUZIVE/ “Na ke shqetësuar shokun Enver!”- Sekretari personal i diktatorit zbardh përplasjen me “nënën e sherrit’! Ju tregoj takimin e fundit me Nexhmijen: U shndërrua si bishë! (PJESA 11)
ESKLUZIVE/ “Nexhmija ishte ‘nëna sherrit’”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Si i terrorizonte redaktorët e librave të Hoxhës! Ramiz Alia ta hidhte ‘kopilin’ në…(PJESA 10)
EKSKLUZIVE/ “Ç’qenka ky ligj që i lidhka duart Parisë?”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Halli i ministrit të Drejtësisë me Hoxhën: Si e aprovuam, s’është ligj i drejtë! Gjykatat po abuzojnë me pavarësinë e tyre (PJESA 9)
EKSKLUZIVE/ “Enveri edhe sikur ta shqyente Ismail Kadarenë me gjithë lecka s’ngopej”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Telefonata e koduar e ministrit të Brendshëm; ai miku na la shëndenë! (PJESA 8)
EKSKLUZIVE/ “Enveri shpërtheu në delir e filloi të këndojë ‘Për ty atdhe’ kur u dënua ish-ministri!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Ju rrëfej çastet kur Hoxha ndiqte nga zyra gjyqin e Beqir Ballukut! (PJESA 7)
EKSKLUZIVE/ “Nexhmija është ‘kasaforta’ e KQ”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës: I zinte besë vetëm gruas! Ajo lexonte shkresat ‘tepër sekrete” edhe pse s’i takonte!  (PJESA 6)
EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)
EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)
EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)
EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

 EKSKLUZIVE/ “Rri më mirë larg politikës!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Diktatorit: Unë, juristi që punova 13 vite në paradhomën e Enverit! Mesazhi kërcënues i Haxhi Kroit që në takimin e parë (PJESA 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura