EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës

Sep 30, 2021 | 16:00
SHPËRNDAJE

Enveri-HAxhi-kroi-Valdin-Lama-Sekretari-Personal

Gazeta Panorama.al publikon sot në numrin e radhës, kujtimet e Vahid Lamajt, ish-sekretarit personal të Enver Hoxhës, i cili i ka shërbyer për 13 vite në paradhomën e kreut të regjimit.

Vahid Lama në një rrëfim ekskluziv për Panorama.al zbulon kujtimet tij se Enver Hoxha në zyrë dhe në raport me bashkëpunëtorët e tij  ishte krejt tjetër nga ai që shfaqej para shqiptarëve. Hipokrit e demagog, zemërak me kolegët e vartësit, mjeshtër i aktrimit dhe ironisë, finok në kurthet ndaj tjerëve, i pabesë e hileqar me shokët, pervers e dashakeq si ai etj. Përtej sjelljeve të tilla, Lama ndriçon raportet e panjohura midis krerëve të shtetit, rrethin e ngushtë të miqve dhe bashkëpunëtorëve me të cilët diktatori ndante përditshmërinë dhe kafen e mëngjesit, rolin e Haxhi Kroit në axhendën ditore, pozicionin e veçantë të Ramiz Alisë në grupin e afërt që punonte me Enverin, redaktorët e besuar të librave të tij, peshën e Nexhmije Hoxhës në vendimmarrjen e kreut të regjimit, si “nëna e sherrit” në aparatin e KQ dhe e besuara e vetme e tij.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

SEKRETARI I ENVERIT, ZHGËNJIMET E PARA

Pas shumë vitesh punë në Drejtësi, një ditë të hëne, më 6 janar të vitit 1969, u thirra në KQ. Më priti ish-sekretari i Komitetit Qendror, Xhafer Spahiu, i cili më komunikoi: “Partia ka menduar të të emërojë ndihmës të shokut Enver, një detyrë kjo e nderuar dhe me përgjegjësi. Ti je jurist me përvojë. Do të kesh edhe ndihmën e shokut Haxhi Kroi, një kuadër i vjetër i Partisë, i përkushtuar ndaj Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror”. Kjo për mua ishte diçka e papritur. Nuk kisha kohë as të mendohesha për ofertën, por e mblodha veten shpejt.

-Faleminderit për besimin! – iu përgjigja me atë shprehjen klishe, që përdorej rëndom në të tilla raste, – por do ta kem të vështirë, pasi nuk kam punuar kurrë në aparatet e partisë. Unë kam vite që punoj si gjykatës dhe nuk e di sa i përshtatshëm do të isha për këtë detyrë.

-Edhe më mirë akoma që je gjykatës. Ky fakt do të të shërbejë për punën që do të bësh. Pikërisht për këtë arsye të përzgjodhëm ty. Si shqiptoi këto, Spahiu më tha se duhej të vazhdoja punën në Gjykatën e Lartë, derisa të më thërrisnin për të filluar detyrën e re në KQ. Në atë kohë, nga sa kisha dëgjuar, besoja që Hoxha ishte njeri me horizont të gjerë kulturor, personalitet politik i shquar e me emër edhe jashtë Shqipërisë, i dashur dhe komunikues me shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët etj. Prandaj ndihesha edhe i kënaqur që më ftuan të punoja pranë tij, por edhe i shqetësuar kur vrisja mendjen si mund të punoja në zyrën e një personaliteti të përmasave të tilla.

Gjer atëherë, më së shumti kisha takuar ndonjë sekretar partie rrethi, por asnjë udhëheqës të rangut të lartë e ca më pak me Enver Hoxhën. Me këto mendime në kokë u largova nga zyra e Spahiut. Ashtu i menduar, më tepër i habitur nga emërimi i papritur, u ktheva në Gjykatën e Lartë dhe bisedova me nja dy shokë, të cilët më shprehën pak a shumë po atë kënaqësi dhe shqetësim që ndieja. Pas dy javësh, kryetari i Gjykatës së Lartë më thirri në zyrën e tij dhe më komunikoi detyrën në kabinetin e Enverit në aparatin e KQ. Pra, duhet të ndahesha nga shokët dhe nga profesioni, që e desha aq shumë. U paraqita në aparatin e KQ.

Një oficer më shoqëri deri te zyra e Haxhi Kroit. Ajo dhomë shërbente edhe si paradhoma e Enverit. Me Kroin nuk njihesha, por emrin ia kisha dëgjuar kur përmendej si sekretar i Hoxhës. Ai më përshëndeti me një lëvizje të kokës, më dha dorën dhe më bëri shenjë të ulesha. Sakaq, vazhdoi të shkruante. Do të ketë në dorë ndonjë punë me rëndësi, mendova. Patën kaluar disa minuta, kur Kroi e ndërpreu të shkruarit për t’u marrë me mua: Si je, shoku Vahid? – më pyeti me një buzëqeshje që nuk i shkonte me vështrimin e syve të lodhur. Pas bisedave njohëse ku kisha punuar më parë, sa fëmijë kisha etj., ai vazhdoi: – Unë kam ardhur në këtë detyrë para 20 vjetësh. Fillimisht kam qenë mësues, pastaj zëvendësministër i Arsimit, kur erdha këtu, kisha vetëm arsimin e mesëm, kurse ti Vahid, je jurist e mendoj që, po të punosh me ndërgjegje të lartë, do ta kesh më të lehtë nga unë fillimin e detyrës. Shoku Enver, vazhdoi ai, nuk ka pasur ndonjëherë këshilltar, por vetëm ndihmës ose sekretar. Kabineti i tij përbëhet nga dy-tre ndihmesa. Ka kohë që ai ka menduar të kishte pranë vetes një jurist.

Ndër kandidatët e propozuar ai të zgjodhi ty. Tani në kabinet do të punojmë unë dhe ti. Besoj se shoku Enver do të të thërrasë edhe vetë, por paraprakisht, si i vjetër në këtë punë, mund të përmend disa gjëra të fillimit. Më pas, përvoja dhe jeta do të të mësojnë shumë. Pasi u mendua pak, sikur po kridhej në labirintet e së shkuarës, rifilloi me një ton të theksuar prej eprori: – Në këtë punë kanë qenë para teje edhe disa shokë të tjerë, por qëndruan pak, kanë ikur njëri pas tjetrit, të shumtën e herës se nuk përballuan detyrat e
ngarkuara, nuk iu përshtatën “tabiateve” të shokut Enver! M’u duk sikur këto fjalë i tha me një seriozitet më tepër nga sa ishte nevoja. Kroi më la të kuptoj se vetëm ai nga gjithë të tjerët kishte mundur ta kalonte sprovën e të mbijetonte, prandaj unë, që të qëndroja aty, duhet të bëja si thoshte ai, ndryshe…

M’u krijua përshtypja që ai, në bisedën me mua, u përpoq të sillte një atmosferë që t’i ngjante më fort kërcënimit se ngrohtësisë. Ishte kjo një pritje e vakët që më bëri kolegu i ardhshëm në takimin e parë! Qe një paraqitje jo e këndshme e, mund të them, disi zhgënjyese, ku respekti shoqëror mungonte. Ai, pa përfillur faktin që unë isha gjykatës i Gjykatës së Lartë, foli si me një inferior, që s’ka haber nga punët zyrtare dhe disiplina shtetërore. Gjatë ditës, natyrisht u mendova: Përse më priti ai kështu, kur e dinte mirë që unë nuk kisha bërë kërkesë për të shkuar aty, as nuk kisha zënë vendin e tij? Ata vetë më kishin marrë.

Megjithatë, më pëlqente ta interpretoja qëndrimin e tij, se vinte nga lodhja. Të nesërmen e të pasnesërmen e fillimit të punës, kur vura re që mjaft punonjës të aparatit të Komitetit Qendror të Partisë u shmangeshin përballjeve me Haxhiun, se shumë vartës të tij i rrinin thuajse gatitu, më tepër nga druajtja se nga nderimi për të, e mora me mend çfarë marrëdhëniesh kish ndërtuar ai me të tjerët, se pozita e tij aty duhej të ishte e veçantë. Ai kish arritur të gëzonte besimin e padiskutueshëm të Enverit, të bëhej “kanakari” i tij. Më vonë, kur Haxhiu festoi 60-vjetorin e lindjes, Hoxha mori pjesë në ceremoninë e organizuar me atë rast dhe, midis të tjerash, deklaroi: “Haxhiu është alterego ime” (Uni tjetër i tij-Enveri i dytë).

PA QËROHUNI ANDEJ, TI BASHKË ME ATË TJETRIN…!

Kaluan shumë ditë e muaj dhe Hoxha nuk po më thërriste për ndonjë punë a porosi. M’u krijua përshtypja sikur ai do ta kishte harruar që i ishte shtuar një ndihmës apo sekretar, sikurse thoshin shpesh. Sido që i shumëpritur nga unë, asnjë takim nuk po realizohej me Hoxhën. Bisedën e parë me të pata rastin ta bëja pas disa muajsh, rastësisht në telefon. Hoxha, që ishte edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, dëshironte të njoftonte Kryetarin e Presidiumit që atë ditë ai nuk shkonte dot në mbledhje, pasi qe i pamundur. Meqenëse kishte gjykuar, kushedi përse, të mos komunikonte drejtpërdrejt me kryetarin, mori në telefon Kroin, i cili nuk kishte arritur ende në zyrë.

Pa e ditur cilin kërkonte, unë ngrita receptorin e telefonit në zyrën e Kroit. – Urdhëroni, Vahid Lama ju dëgjon!
– Enveri jam. Ku është Haxhiu?
– Nuk ka arritur akoma në zyrë, tani duhet të vijë.
– Mirë, më thirr atë tjetrin… si e ka emrin…, atë të sektorit…, hë mo thuaje ti, se s’po ia kujtoj dot emrin, atë…të shkurtrin, tiranasin… (fjala ishte për shefin e Sektorit të Përgjithshëm të aparatit të Komitetit Qendror- paranteza është imja-V.L.).

Shkova vrik ta thërras atë që kërkohej.
-Eja në zyrën time, se po të pret shoku Enver në telefon, i kumtova atij dhe u ktheva sakaq në zyrë. Nga ana tjetër e receptorit të telefonit dëgjohej:
-Alo…alo, po ku në djall paske vajtur more?! Kishte një hakërrimë në zërin e Hoxhës.

– Nuk e merr vesh ti që unë po pres?! Përse u vonove kaq shumë?
– Shkova të thërras shefin në zyrën e tij, sikurse më porositët.
– Ku e paska zyrën ai…, në Amerikë?!
– Telefonin përse e lë të hapur?
– Që të komunikojmë më shpejt. Shefi i sektorit është këtu, gati t’ju dëgjojë dhe i kalova receptorin në dorë atij që, tërë ankth, mezi priste të merrte vesh përse kërkohej. Gjatë bisedës telefonike, natyrisht unë dëgjoja vetëm fjalët e shokut që kisha pranë:
“si urdhëroni…”, “si urdhëroni…”, “Na falni…, “Po po, ai shoku i ri ishte…
“Ashtu…, shumë e drejtë” “Na falni për shqetësimin…”.

Ndërkaq vura re që shefit i ngeci pështyma në grykë, një hije e zezë iu darovit në fytyrë, sikur të kishte ndodhur diçka e jashtëzakonshme. Ai, tepër i mërzitur, pasi mbaroi biseda telefonike, m’u drejtua duke u mbushur me frymë:

“O boboo…, sa qenka zemëruar shoku Enver! E di çfarë tha?

Pa qërohuni andej ti me gjithë atë tjetrin, që nuk ditkeni akoma të përdorni telefonin!'” Unë heshta. Më pushtoi një gjendje limontie. U zhgënjeva jashtë çdo caku nga ato fjalë përçmuese që dolën nga “goja e ëmbël e Enverit tonë të dashur”, i cili u mërzit pa pasur shkak!

Këto paskan qenë “tabiatet” (veset) e tij, që të shkretët paraardhës nuk u ishin përshtatur dot. Me sa dukej, edhe unë vështirë do ta kisha me “përshtatjen” që kërkohej.

(vijon nesër)

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE

© Panorama.al

Te lidhura