EKSKLUZIVE/ “Edhe ujin e pijshëm e importonte nga Perëndimi”- Sekretari personal zbardh prapaskenat: Enveri shtirej si kursimtar i madh dhe bënte jetë përrallore!

Oct 21, 2021 | 22:55
SHPËRNDAJE

Enveri Familja-jeta-perralloreAFRIM IMAJ/ “Enveri jetonte në luks me gjithë familjarët, ndërkohë shtirej sikur ishte një kursimtar i madh“. Në kujtimet nga periudha e punës në kabinetin e Hoxhës, Vahid Lama i kushton një vend të veçantë mënyrës përrallore të jetesës së kreut të regjimit.

Gazeta Panorama.al boton sot pjesë e re të kujtimeve të sekretarit personal të Enver Hoxhës. Ai shkruan se kishte krijuar një bllok brenda Bllokut, të cilit në biseda mes miqsh i thoshim “Sulltanati i Hoxhatëve”. Duke iu kthyer privilegjeve të familjes, Lama nënvizon se shteti harxhonte ilegalisht mijëra dollarë për të siguruar veshje dhe bizhuteri nga më të shtrenjtat për vajzën dhe nuset e djemve të Hoxhës.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Sakaq, vë në dukje ai, çdo fundvit e në vigjilje të ditëlindjes së diktatorit, ambasadorët e Shqipërisë të vendeve perëndimore viheshin në garë për t’i dërguar “perandorit” dhuratën më të çmuar. Episodet në vijim të kujtimeve të juristit që ka punuar 13 vite në paradhomën e Enverit, zbulojnë një pjesë të intrigave të diktatorit në raportet me krerët e institucioneve shtetërore, ku shpesh i përçmonte pa shkak dhe i vinte në lojë si të ishin kukulla në dorën e tij…

SULLTANATI I “HOXHATËVE”

Në kabinetin e Enverit kishte një përkujdesje të madhe për të përzgjedhur kujtimet dhe opinionet e të tjerëve për figurën e tij. Veçanërisht ato të dashamirësve të qerthullit që e paraqisnin diktatorin të thjeshtë e të virtytshëm, ishin nga më të kërkuarat nga Hoxha. Një periudhë vërshuan si me komandë mjaft impresione puthadorësh që e shfaqnin Enverin duke bërë jetë modeste, larg luksit e privilegjeve borgjeze.

Mënyra si vinin në duart tona të tilla gënjeshtra, ishte sa e çuditshme, aq dhe misterioze. Shumë herë teksa i shfletonim, na vinte për të qeshur, por aty për aty përmbaheshim nga zori. Enveri ishte një diktator. Thjeshtësia, kjo dhunti e njerëzve të mirë, nuk ka qenë kurrë karakteristikë e diktatorëve. Hoxha nuk mund të ishte një përjashtim. Ne që punonim me të, kemi parë nga afër mënyrën përrallore si jetonte ky “sulltani” ynë. Çdo fundvit, ambasadorë shqiptarë të vendeve perëndimore viheshin në garë me njëri-tjetrin, kush t’i dërgonte Enverit dhuratat më të çmuara e suveniret më të shtrenjta për Vitin e Ri. Ky ritual përsëritej me rastin e ditëlindjes së diktatorit.

Hoxha jo vetëm nuk i refuzonte, por i priste me kënaqësi dhe i quante “peshqesh i fatit”. U botua asokohe një libër i njërit prej bashkëpunëtorëve të përmalluar të Hoxhës, që rrekej të na mbushte mendjen se diktatori përdorte kostumin e qepur me stofin e kthyer mbrapsht, vishte çorape të arnuara, mprihte brisqet e rrojës për t’i përdorur disa herë dhe, pasi hante bukë, mblidhte edhe “kokodashet” që mbeteshin në tryezë
(Mirë që s’i shkoi mëndja të shkruante që edhe këpucët i vishte të grisura!).

Askush përveç këtij të çarturi nuk e ka parë Hoxhën të veshur me vjetërsira. Unë kam punuar disa vite pranë diktatorit dhe dëshmoj pa hezitim se ai vishej bukur e me shumë elegancë. Madje jo vetëm kaq. Në shtëpinë e tij paguhej enkas një zonjë e mësuar, që kujdesej për hekurosjen, veshjen dhe paraqitjen e hijshme të Hoxhës.

Po çfarë përralliste bashkëpunëtori i përmalluar i diktatorit?
Çfarë e shtynte Hoxhën në pleqëri, në mesin e gjithë të mirave e begatisë, të vishej si varfanjak dhe të mblidhte thërrimet e bukës si Harpagoni? Ata që jetonin në Bllok e dinë mirë që deri edhe uji i pijshëm për të importohej me valutë nga jashtë, ndërkohë që Shqipëria kishte burime të mrekullueshme uji të shëndetshëm.

Përse duhej të vishej e ushqehej më keq se shërbëtorët e vilës së tij luksoze?
Vërtet që Hoxha, sipas këshillës së mjekëve-dietologë, mbante dietë dhe ishte i përkorë në të ngrënë, por këtë nuk e bënte për të kursyer. Jo vetëm Hoxha, por edhe familjaret e tij, kurdoherë visheshin bukur, me veshje e këpucë të shtrenjta, të porositura sipas modës së fundit në Perëndim. Për gjithë këto, punën e “furnizuesit” e bënte vazhdimisht “maxhordomi” i shtëpisë, që bridhte botën sa herë t’i tekej.

Enveri me femijet

E vërteta është se diktatori dhe familjarët e tij bënin një jetë mjaft komode, me të gjitha salltanetet e privilegjet. Ai që i ri, tregonin ata që e kishin njohur, binte në sy për pamjen fizike dhe veshjen me sqimë. Si mund të mendohej se bënte jetesë modeste njeriu që krijoi Bllokun për t’u furnizuar me mallra të shtrenjta, që populli as i ëndërronte?! Ka qëlluar që këto i kanë denoncuar me kohë edhe vetë shokët e Enverit, por u përplasën në burgje e internime.

NJË EPISOD NGA KONGRESI VII

Ishte bërë rregull që në kongreset e Partisë, në këto spektakle politike ku demonstrohej “madhështia” e Hoxhës, thirreshin me ftesa të veçanta familjarët dhe krushqit e tij. Ata në një farë mënyre ishin pjesa e “VIP”-ave që nuk shfaqeshin në tribunë, por duheshin aty vetëm për paraqitje. Prania e tyre jo rrallë kishte krijuar probleme për delegatët që nuk i njihnin. Më ka mbetur në kujtesë një episod nga Kongresi VII.

Njëra nga delegatet, ish- partizane, punonjëse veterane e aparatit të KQ që qëndronte në sallë pranë vajzës dhe nuseve të djemve të Enverit, një moment i mori për të huaj pjesë të ndonjë delegacioni të ardhur nga jashtë dhe, aty për aty, iu shpesh shoqes në krah:
-Ama edhe këta të huajt e teprojnë me këto veshjet ekstravagante! Nuk e kuptojnë se këtu jemi në kongres Partie dhe jo në sfilatë mode?! Dridhen e përdridhen, saqë s’lëvizin dot lirshëm nga takat e holla dhe fundet e ngushta. Po këta shokët tanë nuk u kanë thënë se tek ne nuk honepsen këto veshje “ala” perëndimore?

-Mos kështu moj lumëmadhe, se s’janë të huaja, po nuset e djemve të shokut Enver, – e qortoi shoqja me zë të ulët që të mos e dëgjonin të tjerët. Sakaq, delegatja veterane shtangu ne vend, kafshoi buzën dhe u mënjanua nga frika, duke dashur të harrohet. Lavdi Zotit, qëlloi me fat, pasi ata që e dëgjuan, u gajasën së qeshuri dhe e mbyllën me kaq, se po ta dëgjonin “Hoxhatët” me siguri partizanen e vjetër do ta çonin në ndonjë kamp riedukimi bashkë me të deklasuarit e tjerë “revizionistë”.

Kur u takova pas disa vitesh me ish-kolegen që ngatërroi fëmijët e Hoxhës me të huajt e degjeneruar, duke i kujtuar këtë episod, i thashë se kishte shpëtuar për hiçgjë. Jo tamam ashtu, ma bëri ajo dhe më tregoi se disa vite më vonë dikush nga kolegët e punës në një rrethanë kritike e kishte riaktivizuar çështjen në një nga mbledhjet e organizatës së partisë në aparatin e Komitetit Qendror. Unë nuk e dija dhe nuk kisha si ta dija, pasi në periudhën për të cilën bëhej fjalë, isha larguar nga pallati i “perandorit” dhe isha kthyer në banor të skëterrës së Qafës së Barit…

Hoxha ishte i pamëshirshëm me punonjësit e kabinetit, veçanërisht kur bëhej fjalë për të dokumentuar aktivitetin ditor. Veç rutinës së përditshme, ne pak njerëzve që ishim aty, na duhej të punonim për orë të tëra për të zbardhur nga magnetofoni ligjëratat e tij në mbledhje, takime, biseda të lira etj.

Mbledhjet e KQ

NJË NGATËRRESË E KOTË

Enveri ishte maniak për zbardhjen e bisedave, sidomos porosive që jepte ne takime e mbledhje zyrtare. Ky ves i tij shpesh më vinte në pozitë të vështirë, pasi jo vetëm duhej hedhur në letër çdo fjalë e tij, por duhej t’ia ktheja të zotit të redaktuar për ta miratuar. Kjo procedurë që më zinte një pjesë të mirë të kohës së punës, shumë herë bëhej shkak për përplasje të ndryshme me miq e njerëz me karakter të fortë. Një e tillë më ndodhi me të ndjerin Bilbil Klosi, asokohe sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Hoxha kishte porositur që kur fliste në Presidium, incizimi i nxjerrë nga magnetofoni të dërgohej në aparatin e KQ, të redaktohej aty me kujdes e t’i rikthehej procesverbalit të mbledhjes.

Shpesh, kur Hoxha lexonte materialin e zbardhur nga punonjësit e Presidiumit, thoshte se ishte jo i saktë dhe pretendonte se në mbledhje kishte kumtuar të tjera gjëra nga ato që ishin stenografuar. “Ke biseduar ndonjëherë me Bilon (kështu i fliste shkurt Bilbil Klosit) për vërejtjet e mia lidhur me mungesat e procesverbaleve të Presidiumit?”, më tha një ditë teksa më thirri në zyrë i nevrikosur.

“Jo, iu përgjigja, tani që po më autorizoni, do bisedoj menjëherë”. Sa dola që aty, mora në telefon Klosin me të cilin njihesha mirë. E vura në dije ni për vërejtjen e Hoxhës. Aty për aty ai u habit dhe mori përsipër ta verifikonte. U dëgjuan të gjitha incizimet nga magnetofonat dhe u krahasuan me procesverbalet e nxjerra prej tyre, për të parë ku mund të ishin bërë gabime eventuale. Plot pas tri javësh, Klosi që kishte ndjekur nga afër këtë procedurë verifikimi, më telefonoi nga zyra.

“Nuk ka asnjë ndryshim në fjalën e shokut Enver, më shpjegoi, e pamë me kujdes dhe çdo gjë ishte shkruar saktë. Ne s’kemi redaktorë aq të kualifikuar si ata që keni ju dhe ndoshta shoku Enver shikon dallime në redaktim, por thënie të ndryshuara absolutisht nuk ka. “Nuk e di, ia ktheva. Për këto që po më sqaroni do të vë në dijeni të zotin e punës”. “Jo, kundërshtoi Klosi me njerëzillëk, lëre hë për hë, se do ta sqarojë vetë kryetari i Presidiumit, kur shoku Enver të vijë në mbledhje. Do jetë më e arsyeshme të veprohet kështu. Dëgjomë mua!”.

PLEQËRIA, KJO FËMIJËRI E DYTË

U takova rastësisht në rrugë me Bilbilin pas disa ditësh. Ai me një qëndrim të ftohtë, që nuk ishte i natyrshëm për marrëdhëniet tona, m’u drejtua disi vrazhdë: “Si ishte ajo punë me atë çështje inekzistente? Shoku Enver ka sqaruar se nuk kishte pasur shqetësim për procesverbalet. Ç’ishte ai rrebesh që më derdhe në telefon, apo ndërroi mendjen shefi? Hapi sytë mirë se me atë që punon nuk mban ujë pilafi e një ditë mund të përvëlohesh. Ta them miqësisht e ruaje midis nesh”… Një moment u ndjeva keq dhe, ashtu siç isha përballë tij, fillova t’i shpjegoj gjerë e gjatë historinë e vërejtjeve të Hoxhës.

“Në rastin konkret, i thashë, vetëm u transmetova një porosi të shefit. S’kisha pse të sajoja diçka që jo vetëm s’më hynte në punë, por më nxirrte telashe. Nuk më hynin në punë të tilla aventura pa kuptim e me zarar të madh. Ato që të thashë, i dëgjova nga goja e shokut Enver. Habitem që të ka thënë se s’paska pasur ankesa për pasaktësi në procesverbalet e Presidiumit! Të ishte kështu, shefi do më ndëshkonte mua, që kam ngritur një problem të paqenë, madje duke përdorur edhe emrin e tij. Ju e dini që shoku Enver nuk të fal për këto punë. Unë do ta sqaroj pozitën time sa më parë. Këtu bëhet fjalë për ndershmërinë time dhe kjo nuk është pak”… Klosi po më vështronte i çuditur.

Vahid Lama-11

Këmbëngulja ime deri në zemërim e çliroi nga mëdyshja dhe u bind që kisha të drejtë. Aty për aty shprehu keqardhje dhe, për t’i vënë kapak bisedës së pakëndshme, m’u drejtua me dëlirësi: “Ti o miku im, je ende i ri dhe nuk e ke provuar që pleqëria është një fëmijëri e dytë. Të moshuarit edhe mund ta harrojnë atë që kanë thënë më parë, prandaj më mirë të mos e zëmë më në gojë këtë muhabet. Le ta hedhim pas krahëve e të bëjmë sikur s’ka ndodhur gjë. Kështu është më mirë”. Kaq tha Biloja me atë urtësinë e tij dhe u ndamë si dy miq të vjetër. I mërzitur jashtë mase, nuk e vazhdova rrugën për vizitën ku isha nisur. Duhet të kalonte një kohë e gjatë derisa të më lironte pezmi që më kishte kapluar. Përse vallë ta kishte sajuar Enveri këtë problem të paqenë?! Enigmën do ta zbuloja më vonë. Ajo lidhej me maninë e diktatorit për t’u shprehur i pakënaqur me zbardhjen e porosive të tij në mbledhje zyrtare e takime informale.

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Na ke shqetësuar shokun Enver!”- Sekretari personal i diktatorit zbardh përplasjen me “nënën e sherrit’! Ju tregoj takimin e fundit me Nexhmijen: U shndërrua si bishë! (PJESA 11)

ESKLUZIVE/ “Nexhmija ishte ‘nëna sherrit’”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Si i terrorizonte redaktorët e librave të Hoxhës! Ramiz Alia ta hidhte ‘kopilin’ në…(PJESA 10)

EKSKLUZIVE/ “Ç’qenka ky ligj që i lidhka duart Parisë?”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Halli i ministrit të Drejtësisë me Hoxhën: Si e aprovuam, s’është ligj i drejtë! Gjykatat po abuzojnë me pavarësinë e tyre (PJESA 9)

EKSKLUZIVE/ “Enveri edhe sikur ta shqyente Ismail Kadarenë me gjithë lecka s’ngopej”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Telefonata e koduar e ministrit të Brendshëm; ai miku na la shëndenë! (PJESA 8)

EKSKLUZIVE/ “Enveri shpërtheu në delir e filloi të këndojë ‘Për ty atdhe’ kur u dënua ish-ministri!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Ju rrëfej çastet kur Hoxha ndiqte nga zyra gjyqin e Beqir Ballukut! (PJESA 7)

EKSKLUZIVE/ “Nexhmija është ‘kasaforta’ e KQ”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës: I zinte besë vetëm gruas! Ajo lexonte shkresat ‘tepër sekrete” edhe pse s’i takonte!  (PJESA 6)

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura