EKSKLUZIVE/ “Enveri shpërtheu në delir e filloi të këndojë ‘Për ty atdhe’ kur u dënua ish-ministri!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Ju rrëfej çastet kur Hoxha ndiqte nga zyra gjyqin e Beqir Ballukut!

Oct 9, 2021 | 21:07
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha--Beqir-Balluku-Denimi-deliri-kengaAFRIM IMAJ/ “Enveri që shfaqej në publik nuk dallohej për çfarë lumturohej e përse brengosej, çfarë e lëndonte e përse drithërohej. Ai e fshihte mjeshtërisht gjendjen e tij. Sidoqoftë ky lloj aktrimi nuk mund t’i shkonte në zyrën e punës, ku duhej të ishte vetvetja”- shprehet Vahid Lama, juristi që ka punuar 13 vite në paradhomën e Hoxhës, duke kujtuar çastet kur diktatori ndiqte nga afër gjyqin ndaj Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë të kryqëzuar prej tij si puçistë e tradhtarë të Partisë e të pushtetit popullor. “Në momentin që kryetari i seancës shpalli vendimin me vdekje, pushkatim, -shton Lama, -Hoxha shpërtheu në delir dhe ia nisi këngës së Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”.

Mënyra si lumturohej Hoxha nga lajmet për asgjësimin e atyre që stigmatizonte armiq të Partisë e të popullit, ka qenë sa e çuditshme, aq dhe antinjerëzore. Lama ka pasur rastin të ndjekë nga afër përjetimet e Enverit nga momenti i pushkatimit të grupit sabotator në ekonomi dhe në naftë, për të cilat shprehet se është ndier keq…

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

NË PLUMB MINISTRA E GJENERALË!

Në takimet në zyrë, por sidomos në mbledhjet e Byrosë Politike, Enveri përdorte një fjalor kërcënues dhe i fyente pa doganë udhëheqësit që akuzonte për çështje të ndryshme. Ata që donte t’i fshikullonte, u kujtonte në mënyrë inatçore të metat dhe gabimet e së shkuarës me të dhëna që ia mblidhte sipas porosisë Haxhi Kroi nga dosjet e Arkivit dhe ato të Kuadrit që i menaxhonte Mihal Bisha. Dinakëria dhe befasia ishin komponentë të politikës së pabesisë, që praktikonte Hoxha ndaj atyre, që i stigmatizonte kundërshtarë të regjimit. Me kalimin e moshës, këto tipare të karakterit të tij u theksuan më tepër. -Virtyti dhe vesi, sido që ishin dukuri shpirtërore me kahe krejt të kundërta, sipas tij, kishte raste që qëndronin shumë pranë njëri-tjetrit. Këtë na i përmendte shpesh, sidomos në prag të goditjeve të bujshme që bëheshin në krye të Partisë.

Edhe një patriot, në rrethana të caktuara, mund të shndërrohet në të kundërtën e vet, prandaj është i papranueshëm besimi i verbër ndaj të tjerëve, cilido qofshin ata, më tha një herë teksa po redaktoja një material të tij për thellimin e luftës së klasave. Shprehje tipike e materializimit të kësaj filozofie janë mbledhjet e forumeve të Partisë për shqyrtimin e “veprimtarisë armiqësore” të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Cakos, Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Fadil Paçramit, Todi Lubonjës, Kiço Ngjeles e shumë të tjerëve, që ngryseshin “revolucionarë” dhe gdhiheshin “armiq të popullit”, të lidhur këmbë e duar, me skafandra në kokë, në birucat e tmerrshme të Hetuesisë speciale.

Më kujtohet një ballafaqim i Hoxhës me Petrit Dumen në një mbledhje të Komitetin Qendror. “Shoku Petrit, -iu drejtua Enveri, -kur të kritikojmë për fajet në Ushtri, kjo nuk do të thotë se nuk i kemi parasysh meritat e tua. Partia e di që ti nuk je armik i saj, madje je ankuar në Komitetin Qendror për marrëdhënie jo të mira me ministrin e Mbrojtjes, por duhet të reflektosh për vërejtjet mirëdashëse të shokëve. Kështu Partia do ta vlerësojë qëndrimin tënd e nuk do të të braktisë… Ky reagim i vihej në dukje kreut të shtatmadhorisë, në një kohë kur Hoxha kishte filluar të përgatiste shënimet mbi bazën e të cilave do të akuzohej shefi i Shtabit të Përgjithshëm si armik e bashkëpunëtor i ish-ministrit të Mbrojtjes. Mua, që isha në dijeni të përmbajtjes së këtyre shënimeve të Hoxhës për “tradhtinë” e Petrit Dumes, për “dëshirat” e tij dhe gjeneralëve të tjerë për më shumë profesionalizëm dhe kufizim të rolit të komisarëve politikë në Ushtri, më shkuan mornica në trup.

Mbeta i shtangur kur dëgjova Enverin të fliste krejt ndryshe nga ato që kishte shkruar më parë në zyrë për Dumen e gjorë. Me sa mend e siguronte udhëheqësi që Partia nuk do ta braktiste, në një kohë kur Dumja jo vetëm ishte braktisur, por ishte vënë edhe nën mbikëqyrjen e rreptë të Sigurimit të Shtetit! Si mund të flitej me këtë gjuhë, kur pritej me zemër të dridhur momenti për arrestimin, hetimin, gjykimin dhe prerjen e shpejtë të “kokave të turkut”. Në mbledhjen e Plenumit të Komitetit Qendror të Partisë, që u mbajt për të shqyrtuar konkluzionet e Byrosë Politike për veprimtarinë armiqësore të ushtarakëve, Petrit Dumja u shpreh: Unë e kisha përgatitur me shkrim diskutimin, duke u bazuar në ato që më kishte thënë shoku Enver për gabimet e mia. Tani që po marrvesh se e goditëm si armik, më duhet të diskutoj pa shënimet e parapërgatitura. Më befason cilësimi armik. Kurrë s’kam menduar të isha i tillë…

Të tilla zgjidhje Hoxhës ia sugjeronte fobia e frikshme nga një rebelim i mundshëm i ushtarakëve dhe shkëputja e tyre nga kontrolli i Partisë, duke sfiduar qenien e tij në krye të Këshillit të Mbrojtjes dhe të shtetit në tërësi. Të njëjtin qëndrim ka mbajti Enveri në mbledhjen e Plenumit të KQ edhe me të ndierët Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi etj. Këta, e sidomos Këllezi, që shquhej si pragmatist dhe ekonomist i aftë, rekomandonin një decentralizim më të madh në marrjen e vendimeve në ekonomi, si dhe rivlerësimin e objektivave ekonomike në kushtet e pakësimit të ndihmave dhe kredive kineze për të cilat këta të fundit kishin paralajmëruar.

Rekomandimet e tyre Hoxha i shikonte në këndvështrimin e interesave të tij: Si përpjekje për të destabilizuar regjimin! Secilit prej tyre i është kërkuar të kishte besim te Partia, të njihte gabimet që të mos ktheheshin ato në faje dhe që përpjekjet e Komitetit Qendror për t’i “shpëtuar nga bataku” të mos dështonin. Këto thuheshin në Plenum, por në kulisat e Komitetit Qendror, burime të afërta me Hoxhën pëshpëritnin se ai po punonte deri natën vonë për të formuluar akuzën e vdekjes së tyre. “Tablotë sinoptike”, si themeli bazë i akuzave që ngriheshin rishtas, i adresoheshin ministrit të Brendshëm, i cili ia servirte Hetuesisë speciale që kjo, mandej, me zell të tepruar dhe paturpësisht, nëpërmjet përdorimit të torturave çnjerëzore, “të vërtetonte” me çdo kusht dhe pikë për pikë hamendësimet e Hoxhës. Ruana o Zot!

Me shënime të ngjashme, më herët ishte gjykuar e dënuar edhe Beqir Balluku, ministri veteran i Mbrojtjes. “Pse i vetëm do t’ia dilte Balluku Partisë?!”, pyeste Enveri dhe po vetë përgjigjej: “Jo, ai ka pasur doemos edhe bashkëpunëtorë të tjerë, të cilat Partia u njeh mirë dhëmbë e dhëmballë”. Para se të përgatitej dosja për gjykim, dikujt në Hetuesi i kishte shpëtuar llafi që provat për deklarimin fajtor të Ballukut nuk ishin të mjaftueshme.

Shprehja e Ballukut, në qelinë ku dergjej i sëmurë, se “ndër dy vezë që përplasen, njëra do të thyhet, kësaj here veza ime qëlloi më e dobët”, nuk parakuptonte se ai pranonte akuzën për “veprimtari armiqësore”.

(Ish-ministri fund e krye e kishte kundërshtuar atë prerë) Më së shumti, fabula e tij e vezëve të përplasura ishte një përgjigje ndaj provokimeve të Hetuesisë, që, pasi e kishin torturuar shpirtërisht dhe fizikisht, i kishin thënë se nuk u shpëtonte dot, pasi ata kishin në dorë edhe gurin, edhe arrën. Dëshmitë e shumë ushtarakëve në Hetuesi kishin rezultuar pa ndonjë vlerë të veçantë që penalizonte ish-ministrin e shpallur puçist. Për këto arsye, ishte përfolur se përkohësisht duhej pushuar hetimi, për të siguruar prova të qenësishme me metoda të tjera. Pauza e krijuar ngriti një alarm të madh. Të besuarit që hynin e dilnin ato ditë te Enveri pyesnin me shqetësim: “Si është e mundur që dikush në organet e Drejtësisë guxonte të vinte në dyshim konkluzionet e numrit ‘Një’ të Partisë?! Mos i shtynte dikush nga lart për këto prapësina?

Vahid Lama-foto1

Rifillimi i çështjes nisi në një rrugë tjetër, për të cilën e kishte vrarë mendjen Enveri. Ai porositi që zbulimi i provave të pakontestueshme të sigurohej nga debatet e organizuara në organizatat e Partisë në Ushtri për “tradhtinë e madhe” të ministrit puçist. Aksioni politik parakuptonte që gjithkush nga ushtarakët, dhe jo vetëm, të adresonte fakte e dëshmi për veprën armiqësore të Beqir Ballukut. Mbaj mend që pas dy javësh, Komiteti Qendror tërhoqi të gjitha procesverbalet e mbledhjeve të zhvilluara në strukturat e Ushtrisë të ushtarakëve, ku u debatua gjatë për këtë çështje. Enver Hoxha urdhëroi të krijohej një komision me specialistët e KQ për të lexuar procesverbalet e këtyre mbledhjeve dhe për të përzgjedhur prej tyre rrethanat që përbënin prova për “fajësinë” e Ballukut. Ashtu u bë. Në pak ditë u qëmtuan hallkat e zinxhirit kompromentues dhe mjaft nga thëniet “antiparti” të përdorura andej-këtej nga ish-ministri. “Me to të formojmë zinxhirin e plotë të veprimtarisë së tij armiqësore…”,- thoshte Hoxha.

KOMISIONI I PËRZGJEDHJES SË PROVAVE

Në komision e ngritur posaçërisht për të qëmtuar denoncimet në adresë të Ballukut, isha caktuar edhe unë, kuptohet me statusin e një juristi të besuar. Filluam të shfletonim ato që kishin përrallisur ushtarakët për ish-ministrin e tyre, por asgjë e artikuluar prej tyre nuk kishte vlerën e një dëshmie fajësimi. Nga diskutimet nuk rezultonte asgjë që mund të shërbente si provë. Oficerët që kishin diskutuar, vetëm përsërisnin ato slogane që Hoxha i kishte adresuar më parë për Ballukun, ku numëroheshin darkat e drekat e majme në reparte e njësi ushtarake kur shkonte me shërbim.

Duke marrë shkas nga vulgariteti dhe subjektivizmi i denoncimeve ndaj Ish ministrit të mbrojtjes, në një bisedë konfidenciale me një shok të komisionit, i përmenda një thënie lapidare të juristëve të lashtë: E shara dhe fyerja nuk shërbejnë si argumente fajësie para organeve gjyqësore. Në diskutimet e shumta që ishin bërë në strukturat e Ushtrisë flitej shpesh për “orgji” të Ballukut, por jo për tradhti, sikurse akuzohej. Por ajo që i përmenda shokut tim në konfidencë nuk kishte mbetur konfidenciale. Jo atë ditë, por të nesërmen, miku që më donte të mirën kishte gjetur rastin dhe ia kishte vënë në vesh Enverit. Ky i fundit, që rrallë dilte hapur për gjëra të tilla, një moment më thirri në zyrë e më porositi të kthehesha menjëherë në punën time. “Përse të paskan caktuar ty atje, kur kemi plot punëra këtu?”, më tha ai me një ton autoritar.

Aty për aty më dogji dhe u shqetësova për ndonjë pasojë të papritur, por s’më erdhi keq që më hoqën nga grupi që përgatiti ato akuza. Në fund të fundit, unë vetëm kisha përmendur disa parime të drejtësisë që, sipas mendimit tim, duheshin pasur parasysh në rastin e dhënë dhe asgjë më tepër. “Tezat e zeza” dhe “teorinë e rrëshqitjes”, sikurse i quajti Hoxha akuzat që i çuan para pushkatimit gjeneralët Balluku, Dume Çako etj. dhe burgosën e internuan dhjetëra të tjerë, nuk kam pasur rastin t’i lexoj, sipas variantit të zbërthyer nga specialistët e Ministrisë së Mbrojtjes.

Sidoqoftë, më është dhënë rasti të lexoj, madje edhe të redaktoj disa teza të Hoxhës për “shkollat e lira ushtarake”, për riorganizimin e Ushtrisë dhe shtrirjen e saj, duke u zhvendosur nga kazermat e mbyllura, në shume pika “hapjeje”, ku çdo qytetar ishte një ushtar e çdo ushtar një qytetar etj. Isha porositur nga Hoxha që këto shënime, pasi t’i redaktoja, t’ia dërgoja Beqir Ballukut me korrier të posaçëm që, bashkë me stafin e tij, t’i zbërthente, duke marrë edhe mendimin e bazës së Ushtrisë. Më vonë, nga një bisedë rastësore me një të njohur, asokohe prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, mësova që Balluku, duke u mbrojtur në Hetuesi nga akuza, kishte ngritur pretendimin që ai e kishte dërguar materialin në bazë, jo për veprimtari armiqësore, por me porosi të shkruar të Enverit, material ky që ishte në kasafortën e tij.

“Hetuesia speciale”, që merrej me “çështjen Balluku”, këtë pretendim ia kishte hedhur poshtë apriori, pa denjuar të bënte asnjë verifikim. Balluku u dërgua në gjyq dhe u dënua me vdekje! Më erdhi keq përsa dëgjova, se të paktën për këtë pretendim të tij e dija mirë që Balluku kishte thënë të vërtetën. Zhvillimin e gjyqit sekret ndaj Ballukut, Hoxha e dëgjoi drejtpërdrejt në zyrën e tij. Më herët, aty një grup inxhinierësh e specialistësh instaluan një mori pajisjesh e aparaturash, duke siguruar lidhje direkte nga salla e gjyqit të fshehtë me zyrën e diktatorit. Në momentet kur po përfundonte gjykimi dhe shpallej vendimi me vdekje, pushkatim, për Ballukun, rastësisht shkova në zyrën e Hoxhës për të marrë një dokument.

Për herë të parë, aty mësova se po zhvillohej gjykimi i puçistëve të Ushtrisë dhe Hoxha po e ndiqte nga larg. Deri atëherë nuk kishte ndodhur që ai të ndiqte prej aty procese të tilla gjyqësore. Disa çaste qëndrova i heshtur në këmbë për mos të penguar dëgjimin e zërit të kryesuesit të trupit gjykues. Ai zë për mua ishte i njohur. Hoxha i përqendruar sy e vesh nga ai, kur dëgjoi vendimin e tmerrshëm artikuluar prej tij, shpërtheu në delir dhe si rrallëherë në praninë time, ia mori këngës së Mentor Xhemalit “Për ty atdhe”, të cilën e pëlqente shumë.

Me ritmet e saj, ndoshta i dukej sikur dënimit të Ballukut i jepeshin ngjyra atdhetarizmi… Duke m’u drejtuar mua, ashtu i gëzuar siç ishte, tha: Asnjë faj nuk pranoi i poshtri. Luajti të paditurin. Ai ka qenë me kohë i pakënaqur nga Partia, por është kamufluar. E meritonte dënimin kapital, bile të varej në litar. Ky fat i pret të gjithë ata që veprojnë si Balluku dhe shokët e tij. E pashë një çast në sy. Ai fliste dhe vështronte nga unë me një vështrim të zgurdulluar. Për herë të parë, pamja e tij më shfaqej e tillë, e frikshme dhe ogurzezë. Aty për aty më pushtoi një ndjenjë viktimizimi dhe m’u kujtua momenti kur isha përjashtuar nga komisioni i përzgjedhjes së provave kundër Ballukut. Mos ndoshta ashpërsia e zërit të Hoxhës adresohej edhe kundër meje. Kur shpata e tij nuk kursente kokat e gjeneralëve që kishin qenë ndër miqtë e tij më të afërt, ç’më kishte mua? Pas kësaj ngjarjeje, që Hoxhën e lumturoi si rrallëherë, ai thirri një mbledhje të zgjeruar të Byrosë Politike dhe kumtoi konsideratat më të larta për “Këshillin Gjyqësor të Posaçëm”, e sidomos kryesuesin e tij që i dhanë dënimin e merituar armiqve të betuar të Partisë e të popullit…

Enver Hoxha, Beqir Balluku dhe Petrit Dume
Enver Hoxha, Beqir Balluku dhe Petrit Dume

KUR S’KISHTE TRADHTARË,
ATA DO TË KRIJOHESHIN!

Diku kam lexuar që, pas Luftës së Dytë Botërore, disa ushtarakë francezë, të cilët dyshoheshin për bashkëpunim me armiqtë e Francës, i akuzuan për tradhti. Gjykata e pavarur nuk pranoi t’i deklaronte fajtorë, midis të tjerash, edhe me arsyetimin që ushtaraku francez nuk e tradhton atdheun e vet. Kjo ndoshta u bë jo thjesht për të mbrojtur dinjitetin dhe interesin e personave të akuzuar, por së pari për mos t’i marrë dyshimet si prova dhe për të mbrojtur dinjitetin e kombit francez. Enveri praktikonte të kundërtën. Edhe kur nuk kishte tradhtarë, prodhoheshin për t’u përdorur si “dordolecë”, që të terrorizoheshin të “lëkundurit”. Hoxha, fare lehtësisht, i shpallte shokët dhe bashkëpunëtorët e vet “tradhtarë të atdheut”.

Lumturohej jashtë mase kur i përmbyste e dënonte rëndë. Dëshmitarët e rekrutuar, që shërbenin për të “vërtetuar” çfarë u kërkohej, përgatiteshin posaçërisht nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe Hetuesia speciale. Kjo strategji djallëzore, përveç numrit të madh të të pushkatuarve dhe të vdekurve në burgjet e diktaturës, penalizoi edhe 16.000 të tjerë si të dënuar politikë, të cilët për fatin e tyre të mirë, arritën të dalin të gjallë nga ferri i komunizmit. Po të kishte pasur vërtet Shqipëria kaq shumë armiq? Ndoshta do të duhej të pranohej paradoksi që ky vend paska qenë i vetmi në botë ku shumë shtetas të tij, përfshirë edhe mjaft ministra, deputetë e gjeneralë, paskan qenë në shërbim të të huajve(!)

Mjaft nga këta “bashkëpunëtorë të imperializmit amerikan dhe atij perëndimor”, ndonëse me arsim të lartë e specialistë të spikatur të fushave të tyre, jashtë mundësive për t’u punësuar në Shqipëri, enden sot si emigrantë në këto vende, duke bërë punë të rëndomta. Po të kishin qenë me të vërtetë agjentë të shërbimeve të tyre, këta shqiptarë do të ishin përkrahur prej tyre, gjë që nuk ndodhi. Bota “kapitaliste” vërtet asgjë s’të fal, por ama edhe borxh nuk të mbetet.

VIJON…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Nexhmija është ‘kasaforta’ e KQ”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës: I zinte besë vetëm gruas! Ajo lexonte shkresat ‘tepër sekrete” edhe pse s’i takonte!  (PJESA 6)

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/