VIDEO/ Protesta e 23-të për largimin e kryeministrit përfundon aty ku nisi, qytetarët vendosin të qëndrojnë gjatë natës poshtë zyrës së Ramës: Jep dorëheqjen!

Jun 22, 2026 | 23:01

Protesta e 23-të radhazi e mijëra qytetarëve në Tiranë ka përfunduar sërish para godinës së Kryeministrisë, aty ku edhe nisi tubimi i sotëm.

Pas marshimeve në disa akse të kryeqytetit, protestuesit janë rikthyer në sheshin përballë zyrës së kryeministrit, duke vijuar tubimin me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesën për dorëheqje.

“Rama jep dorëheqjen” ka qenë sërish thirrja kryesore e qytetarëve, të cilët prej javësh vijojnë protestat e njëpasnjëshme në Tiranë.

Ndërkohë, disa prej protestuesve kanë vendosur të qëndrojnë gjatë natës poshtë Kryeministrisë, ashtu si edhe një natë më parë, duke vijuar rezistencën e tyre në shesh.

Qytetarët deklarojnë se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa pritet që tubimet të vijojnë edhe në ditët në vijim.

Gjatë protestës së sotme ata përsëritën dhe njëherë kërkesat e tyre të panegociueshme ku ajo më kryesorja mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Ka qenë ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, shpalosi kërkesat zyrtare dhe të panegociueshme të përpiluara pas propozimeve të marra nga qytetarët përgjatë më shumë se tri javëve të qëndresës.

Dritan Goxhaj: Përshëndetje të gjithëve ju që jeni në shesh dhe të gjithë atyre që nuk kanë mundur të vijnë këtu, por që janë me zemër, shpirt dhe mendje në shesh.

Sot jam autorizuar nga grupi koordinues i protestës t’ju lexoj një deklaratë në emër të tyre. Në emër të grupit koordinues të protestës, duke dëgjuar protestimet e sovranit për 22 ditë me radhë, po dalim sot para jush me këtë deklaratë për të sqaruar protestuesit dhe të gjithë bashkëkombasit tanë, qoftë ata të pranishëm fizikisht këtu dhe ata që na mbështesin, se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore kërkon sa më poshtë:

1. Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë.

2. Krijimin e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

3. Ndryshime kushtetuese, ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit, si dhe miratimin e tyre me referendum popullor, duke përfshirë ndër të tjera ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4. Paralelisht, ne nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare: anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e Paketës së Maleve, si dhe shfuqizimin e statusit dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

5. Një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

Këto janë kërkesat tona të qarta, legjitime dhe të panegociueshme, të dala nga zëri i qytetarëve dhe nga vullneti i sovranit.

Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore, demokratike dhe qytetare, deri në realizimin e tyre.

© Panorama.al

Te lidhura