NGA FLORJAN KALAJA
Një nga format se si pro jekti i Kodit të ri Penal lufton fenomenin e korrupsionit është duke e përdorur atë si shkak nuliteti absolut apo si shkak paqenësie të një dokumenti, autorizimi, leje apo licence. Në Pjesën e Posaçme të tij, në krerë të ndryshëm të sistemit të veprave penale me lëndë të përbashkët rregullimi dhe objekti, grupi i punës ka parashikuar se nëse një dokument, autorizim, leje apo licencë është marrë përmes korrupsionit, atëherë juridikisht ai konsiderohet se është absolutisht i pavlefshëm apo nul. Ky konvencion juridik ka vlerë determinante për të konkluduar nëse ka apo jo vepër penale rast pas rasti. Në vijim më duhet të sjell në vëmendje të gjitha këto parashikime.
Kështu, fillimisht kjo teknikë e rregullimit normativ parashikohet në shkronjën “d” të nenit 256, konkretisht për llogari të Kreut IV, ku parashikohet veprat penale të krimit kibernetik. Veprat penale të parashikuara aty janë: “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave elektronike” (257); “Hyrja e paautorizuar e sistemeve të informacionit” (258); “Ndërhyrja në të dhënat elektronike” (259); “Ndërhyrja në sistemet e informacionit dhe komunikimit” (260); “Falsifikimi kompjuterik” (261); “Mashtrimi kompjuterik” (262); “Mashtrimi me mjetet e pagesës” (263); “Vjedhja e identitetit” (264); “Ngacmimi kibernetik” (265); “Mbledhja e të dhënave personale” (266); “Përvetësimi, përpunimi dhe shpërndarja e paautorizuar e të dhënave” (267); “Zbulimi i sekretit dhe shkelja e detyrimeve” (268); “Abuzimi me nënshkrimin elektronik” (269); “Mashtrimi nëpërmjet komunikimit elektronik” (270); “Shitja e paautorizuar e kartave SIM” (271); “Keqpërdorimi i pajisjeve” (272).
Më tej i njëjti rregullim ligjor ndodhet në nenin 375 të projektit, konkretisht i zbatueshëm për veprat penale kundër mbrojtjes së rendit publik nga lëndët narkotike dhe substancat psikotrope. Kjo dispozitë parashikon ndër të tjera se do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me korrupsion apo me zhvatje. Në këtë kre parashikohen veprat penale “Mbajtja, shitja dhe trafikimi i hashashit dhe kanabis sativa dhe perkusorëve të tyre” (376); “Mbajtja, shitja dhe trafikimi i heroinës dhe perkusorëve të tyre” (377); “Mbajtja, shitja dhe trafikimi i kokainës dhe perkusorëve të tyre” (378); “Mbajtja, shitja dhe trafikimi i lëndëve të tjera narkotike, atyre industriale apo sintetike dhe perkusorëve të tyre” (379); “Ngritja e laboratorëve të posaçëm për prodhimin e lëndëve narkotike” (380).
Më tej parashikohet në nenin 496, konkretisht në Seksionin VII ku rregullohen veprat penale kundër kufijve shtetërorë. Në shkronjën “b” të pikës 1 të kësaj dispozite parashikohet ndër të tjera se “Dokument i rremë udhëtimi ose identifikimi” nënkupton çfarëdo dokument udhëtimi ose identifikimi, i cili është lëshuar ose është siguruar në mënyrë të parregullt, duke përfshirë edhe korrupsionin si një ndër mënyrat se si është siguruar ai dokument. Ndër të tjera në këtë Seksion parashikohen vepra penale: “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” (497); “Organizimi i kalimit të paligjshëm të kufijve” (498); “Ndihma për kalimin e kufirit të Bashkimit Evropian” (469); “Shkelja e rregullave mbi fluturimet” (470); dhe “Punësimi i paligjshëm” (471).
Më tej në Kreun I të Titullit V parashikohen veprat penale kundër mjedisit. Neni 554 ndër të tjera parashikon se, për sa lidhet me dispozitat e këtij kreu, do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shDILEMA MBI KODIN E RI PENAL (39) teti, nëse një autorizim i tillë është marrë me mashtrim ose me korrupsion, zhvatje ose detyrim, ose nëse një autorizim i tillë është në shkelje të dukshme të kërkesave ligjore thelbësore përkatëse, apo ne kapërcim të kushteve të atij autorizimi. Ndërkohë rezulton se në Kreun I parashikohen vepra penale: “Emetimet e paligjshme të mbetjeve” (555); “Emetimi i rrezatimit” (556); “Ndotja nga materialet bërthamore dhe substancat radioaktive të rrezikshme” (557); “Substancat ozonholluese” (558); “Dëmtimi i zonës së mbrojtur” (559); “Mbledhja e mbetjeve” (560); “Asgjësimi i paligjshëm i mbetjeve” (561); “Shfrytëzimi i paligjshëm i impianteve të rrezikshme” (562); “Çlirimi i gazeve” (563); “Riciklimi i anijeve” (564); “Shkarkesat e anijeve” (565); “Shfrytëzimi i paligjshëm i burimeve minerare” (566); “Shfrytëzimi i paligjshëm i ujit” (567); “Tregtimi i paligjshëm i lëndës drusore” (568); “Dëmtimi i specieve të florës dhe faunës së egër” (569); “Tregtimi i specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër” (570); “Peshkimi i paligjshëm” (571); “Prerja e paligjshme e pyjeve” (572); “Prerja e drurëve dekorativë frutorë” (573); “Shkelja e karantinës së bimëve” (574); “Shkelja e karantinës së kafshëve” (575).
Kreu II i Titullit V rregullon veprat penale kundër regjimit juridik të tokës dhe ndërtimeve. Neni 583 parashikon se ndër të tjera se, për sa lidhet me dispozitat e këtij seksioni, do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me mashtrim ose me korrupsion, zhvatje ose detyrim, ose nëse një autorizim i tillë është në shkelje të dukshme të kërkesave ligjore thelbësore përkatëse, apo në kapërcim të kushteve të atij autorizimi. Në këtë kre parashikohen veprat penale: “Shpërdorimi i tokës” (neni 584); “Pushtimi i tokës” (neni 585); “Dëmtimi i tokës dhe i fondit pyjor” (586); “Ndërtimi i paligjshëm” (neni 587); “Favorizimi i ndërtimeve pa leje” (588); “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” (589); “Projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve” (590); “Moskryerja e detyrave nga zyrtari publik” (591).
Më tej të njëjtën logjikë përdor grupi i punës edhe në pikën 7 të nenit 614, konkretisht në pjesën e përkufizimeve të veprave penale të lidhura me doganat. Kjo dispozitë ndër të tjera parashikon se, për sa lidhet me dispozitat e këtij kreu, do të vlerësohet të jetë e paligjshme çdo autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me mashtrim ose me korrupsion apo me zhvatje. Në këtë kre parashikohen veprat penale: “Kontrabanda” (615); “Kontrabanda në një regjim doganor” (616); “Mosrespektimi i tranzitit” (617); “Qarkullimi i mallit nën regjim” (618); “Largimi i mallrave nga zona doganore pa paguar tatimet” (619); “Kontrabanda nga kapiteni, piloti ose ekuipazhi” (620); “Manipulimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” (621); “Përdorimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë” (622); “Nxjerrja nga territori i mallrave” (623); “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” (624).
Një normë e ngjashme ndodhet në nenin 676, që vlen për veprat penale në fushën e lojërave të fatit dhe garave sportive. Ndër të tjera parashikohet se, për sa lidhet me dispozitat e këtij seksioni, do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me korrupsion apo zhvatje. Në këtë kre rezulton se parashikohen vepra penale: “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” (677); “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” (678); “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” (679); “Paracaktimi i rezultateve të garës në baste publike” (680); “Ndalimi i luajtjes në baste publike” (681); “Përdorimi i substancave të ndaluara” (682).
Një normë e tillë ndodhet në nenin 764, që vlen për veprat penale kundër integritetit fizik ose psikik të personit. Ndër të tjera parashikohet se, për sa lidhet me dispozitat e këtij kreu, do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është me korrupsion apo zhvatje. Veprat penale të parashikuara në këtë kre janë: “Tortura” (neni 765); “Dëmtime të rënda me dashje” (766); “Gjymtimi i organeve gjenitale femërore” (767); “Heqja e organeve njerëzore” (768); “Përdorimi i organeve të hequra në mënyrë të paligjshme” (769); “Nxitja e paligjshme dhe rekrutimi për dhurimin e organeve” (770); “Ruajtja apo ekspozimi i organeve njerëzore” (771).
Një normë e tillë ndodhet në nenin 916, që vlen për veprat penale kundër artit, kulturës, pronësisë intelektuale dhe industriale. Ndër të tjera kjo dispozitë parashikon se, për sa lidhet me dispozitat e këtij seksioni, do të vlerësohet te jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me korrupsion apo zhvatje. Në këtë kre parashikohen veprat penale: “Vjedhja e veprave të artit dhe kulturës” (917); “Transferimi i veprave të artit” (918); “Moskthimi i veprave të artit” (919); “Kontrabanda e vlerave kulturore” (920); “Importimi i veprave të artit” (921); “Fshehja e veprave të vjedhura të artit” (922); “Përdorimi i veprave të artit” (923); “Shkelje të lehta” (neni 924); “Shkatërrimi i veprave të artit” (925); “Plaçkitja e veprave të artit” (926); “Mashtrimi në lidhje me veprat e artit dhe të kulturës” (927); “Plagjiatura” (928); “Ruajtja e kopjeve të paligjshme” (929); “Favorimi i shkeljeve të së drejtës së autorit” (930); “Përdorimi i paligjshëm i patentave” (931); “Shkelja e të drejtave të topografisë së qarkut të gjysmëpërçuesit” (932); “Fabrikimi i shenjave” (933); “Shpërndarja e shenjave” (934); “Prodhimi i materialit bimor” (935); “Falsifikimi i treguesve dhe emërtimeve të origjinës së produkteve agro-ushqimore” (936).
I fundit në radhën e këtyre rregullimeve rezulton se është neni 942, ku ndër të tjera parashikohet se për veprat penale kundër kafshëve do të vlerësohet të jetë e paligjshme, çdo sjellje, autorizim i kërkuar, leje për ushtrim të veprimtarive të përmendura edhe kur kryhet sipas një autorizimi të lëshuar nga një autoritet kompetent i një shteti, nëse një autorizim i tillë është marrë me korrupsion apo zhvatje ose detyrim, ose nëse një autorizim i tillë është në shkelje të dukshme të kërkesave ligjore thelbësore përkatëse, apo në kapërcim të kushteve të atij autorizimi. Në këtë kre parashikohen veprat penale: “Dëmtimi i kafshëve shtëpiake” (943); “Braktisja e kafshëve” (944); “Dëmtimi i personave nga kafsha pa kontroll” (945); “Ndeshjet ndërmjet kafshëve” (946). Nga ana tjetër sjell në vëmendje se neni 11 i Kushtetutës ndër të tjera ka sanksionuar: “1. Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. 2. Prona private dhe publike mbrohen njëlloj me ligj. 3. Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike.”
Vendosa t’i vë përballë këto dy tërësi rregullimesh normative për të përcjellë kumtin rrezikmadh të cenimit nga furia penale e projektit të Kodit të ri Penal, jo vetëm të së drejtës së pronës, por edhe të lirisë ekonomike. Duhet të kuptohet se në rastin e veprës penale të zhvatjes (variant më kriminal i fenomenit kriminal të korrupsionit) qytetari apo personi juridik, titullar i lejes së posaçme, autorizimit, aktit administrativ apo të çdo lloj titulli juridik të lëshuar nga pushteti publik, është viktimë e veprës penale. Nuk ka zgjedhur ai të korruptojë funksionarin publik dhe dhënia e përfitimit të padrejtë për blerjen e titullit të posaçëm administrativ është bërë përmes shtrëngimit nga ana e funksionarit publik pasivisht të korruptuar. Duke qenë kështu, nuk mundet që ligji penal ta riviktimizojë për së treti viktimën e veprës penale të korrupsionit përmes zhvatjes, pasi ai, jo vetëm që nuk trajtohet si viktimë, por i nulizohet absolutisht titulli administrativ titullar i së cilës është dhe më tej edhe i aktivizohet përgjegjësia penale për gjithësa ka ushtruar veprimtari tregtare në kuadër të titullit formalisht legal të dhënë nga administrata publike. Viktima e veprës penale nuk duhet të riviktizohet as përsëpari dhe jo më përsëtreti.
Nga ana tjetër vlerësoj se në këto rregullime ligjore të përsëdhjetura, megjithëse kuptohet mirëbesimi dhe qëllimi i mirë i grupit të punës, ka mungesë maturie. Nuk mund të konsiderohen shkaqe kushtetuese për nihilizimin e së drejtës së pronës dhe të lirisë ekonomike të gjitha ato raste korrupsioni kur titulli administrativ i posaçëm ka dalë formalisht në bazë dhe për zbatim me legjislacionin në fuqi. Në të gjitha këto raste përfitimi i padrejtë është dhënë që funksionari publik të zbatojë ligjin dhe se mita në vetvete aktivizon përgjegjësinë penale të korruptuesit pasiv dhe aktiv por në vetvete nuk mund të passjell krijimin e një shkaku ligjor për të nulizuar ligjshmërinë e së drejtës së fituar. Akoma më shumë vlerësoj se parashikime të tilla normative cenojnë kualitetin kushtetues të lindjes së përgjegjësisë penale të kujtdo personi fizik apo juridik që i konsiderohet retrospektivisht se ka kryer vepra penale në çdo moment të ushtrimit të aktivitetit tregtar apo civil mbi bazën e atij titulli administrativ të dhënë nga administrata shtetërore.
Ndaj vlerësoj se, megjithëse qëllim-mirë, grupi i punës dhe cilido institucion tjetër përgjegjës duhet të tregojë kujdes të shtuar në rregullimin e nenit 256, 375, 496, 554, 583, 614, 676, 764, 916, 942 të projektit të Kodit të ri Penal. Nihilizimi i titullit të posaçëm administrativ, qoftë për efektet e ligjshmërisë civile, administrative dhe penale, sipas nenit 11 të Kushtetutës, justifikohet vetëm atëherë kur afera korruptive ka shkaktuar ushtrimin e pushtetit publik në mënyrë të kundraligjshme, duke prodhuar në vetvete tituj të paligjshëm administrativ.
*GJYQTAR PRANË GJYKATËS SË POSAÇME PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












