Problemi nuk janë flamingot, problemi është Edi Rama

Jun 19, 2026 | 9:52

genc burimiGENC BURIMI

Nuk është e nevojshme të kesh bërë Institutin e Arteve si piktori, as shkollën e mesme, biles as shkollën fillore kur sheh ata fëmijë që marrin mikrofonin për të kuptuar se flamingot qenë shkëndija fillestare, por sot protesta ka vetëm një kauzë, largimin e Edi Ramës. I fortë ky sesi e kuptoi këtë të vërtetë kaq të thjeshtë në postimin e tij të fundit. Më mirë vonë se kurrë, Kryeministër. “Problemi nuk janë flamingot.

Qëllimi i tyre është i mirë”, – shkruan në formë monologu Edi Rama duke bërë paragrafë me lajka të neveritshme për kauzat ambientaliste. “Unë i kam dëgjuar flamingot dhe i kuptoj ata. E respektoj pa paragjykim shqetësimin e tyre, pikërisht sepse ka qenë gjithnjë edhe i imi”, guxon pa pikën e turpit dhe të memories të shkruajë ky, që tallej me gjuhë e gjeste me flamingot e protestës, kur kjo nisi në fillim të qershorit. Aq shumë i imitonte flamingot me përçmim sa e zuri dhe tortikolija.

I ndodhi Ramës ekzakt ky përkufizim mjekësor: “Torticollis është një gjendje që karakterizohet nga një deformim cervikal ku koka pozicionohet në mënyrë anormale, e prirë në njërën anë në krahasim me vijën e mesme të trupit, shpesh me përkulje anësore dhe/ose rrotullim të qafës në drejtim të kundërt. Kjo mund të ketë origjinë kongjenitale, të jetë e fituar ose idiopatike”. Dhe ja, sot Kryeministri tregon se vuan nga simptoma të reja, amnezike. Edhe flamingot po shkrihen gazit kur dëgjojnë këtë sharlatan t’u thotë se i do ata që ngrihen për flamengot. Por për fat të keq, shton Rama, nuk janë flamingot që u interesojnë. Dhe këtu i themi bravo Kryeministrit se kur të dhemb zverku nga tortikolija fillon dhe kupton. Nëse e kuptove mesazhin e vërtetë të flamingove, ndonëse gati tri javë me vonesë, bëje realitet, ik vetë.

/ Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura