AKADEMIK PROF. DR. ANASTAS ANGJELI
Udhëheqësit e fuqive kryesore industriale u mblodhën në Evian të Francës, më 16–17 qershor, për samitin e radhës të G7 s, duke kërkuar të shfaqin jo vetëm një imazh uniteti, por edhe aftësinë për të drejtuar një rend botëror në ndryshim. Deklaratat e përbashkëta shtrihen nga një premtim i qartë për “mbështetje të palëkundur për Ukrainën” deri te një plan i detajuar për të riformatuar financimin ndërkombëtar të zhvillimit përmes “partneriteteve të favorshme për të dyja palët” me vendet afrikane dhe aziatike, duke treguar se G7 po përpiqet të menaxhojë njëherësh krizën e sigurisë dhe garën për ndikim në Jugun global. Edhe pse G7 a mbetet një klub informal pa traktat dhe pa sekretariat të përhershëm, përvoja shumëvjeçare tregon se kur liderët e saj vënë në pah disa prioritete, këto shpesh pasqyrohen më vonë në ndarjen e ndihmës, politikën e sanksioneve dhe axhendat diplomatike, pra konkluzionet e samiteve të tilla përveç se shërbejnë për të mbajtur gjallë dialogun në nivelet më të larta të vendimmarrjes në planin global janë një lloj harte për lëvizjet e ardhshme që priten.
Takimi në Evian mblodhi presidentët dhe kryeministrat e Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Japonisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, së bashku me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në çështjet e zhvillimit u bashkuan edhe Kenia dhe Koreja e Jugut. Përmes “Deklaratës së Liderëve mbi çështjet gjeopolitike” dhe “Deklaratës së Liderëve për partneritete ndërkombëtare të favorshme”, u tentua tu jepen përgjigje konflikteve aktive dhe presioneve afatgjata strukturore si borxhi, cenueshmëria klimatike dhe tronditjet në zinxhirët e furnizimit. Në këtë kontekst, G7 paraqitet jo thjesht si një forum reagues ndaj krizave, por edhe si një arenë ku po rishkruhen (reltivisht) rregullat e lojës ekonomike dhe të sigurisë në shkallë globale.
SIGURIA, UKRAINA DHE LINDJA E MESME
Në pjesën për Ukrainën, liderët e G7 deklarojnë se “qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe integritetit territorial” dhe theksojnë se “përparimi në fushëbetejë në muajt e fundit ka krijuar një moment të ri”. Nuk kemi të bëjmë vetëm me retorikë. G7 synon të përçojë mesazhin se lufta nuk ka hyrë në fazë stanjacioni, por në një cikël të ri ku rritja e mbështetjes perëndimore shihet si vendimtare. Për të “mbështetur dhe përshpejtuar këtë moment të ri”, liderët angazhohen të “rrisin dorëzimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore, sistemeve shtesë dhe interceptorëve, si edhe aftësive me rreze të gjatë veprimi”, ndërsa shprehen të gatshëm të lejojnë licenca që nxisin prodhimin ushtarak vendas të Ukrainës , një hap ky që e zhvendos diskursin nga ndihma e jashtme drejt aftësisë së vetë Ukrainës për të prodhuar armë. Teksti nënvizon edhe “rëndësinë e qëndrueshmërisë energjetike” për Kievin dhe premton ndihmë shtesë “për ta kaluar dimrin e ardhshëm”, çka tregon se mbrojtja e infrastrukturës energjetike dhe e popullsisë civile është bërë pjesë organike e strategjisë së luftës.
Liderët zotohen të “rrisin presionin ndaj ekonomisë së luftës së Rusisë” përmes forcimit të sanksioneve, “përfshirë ato ndaj sektorit të naftës dhe gazit”. Në këtë pikë, deklarata e përbashkët bën një lidhje të drejtpërdrejtë midis frontit europian dhe ekuilibrave energjetikë globalë, duke e quajtur këtë “momentin e duhur për hapa shtesë, pasi Presidenti Trump ka arritur një marrëveshje për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit”. G7 e sheh kontrollin e nyjave kryesore të tregtisë së naftës jo si çështje neutrale tregtare, por si pjesë të instrumenteve të presionit ndaj Moskës dhe menaxhimit të çmimeve globale. Në lidhje me Lindjen e Mesme, deklarata thekson se “e njeh përparimin dhe mundësinë që ekziston aktualisht”, mirëpret “marrëveshjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që ofron një mundësi historike për të penguar Iranin të sigurojë armë bërthamore” dhe kërkon një marrëveshje të mëtejshme gjithëpërfshirëse për sigurinë rajonale, një përpjekje për të rimenduar arkitekturën e sigurisë në rajon nën ombrellën e koordinimit perëndimor.
Liderët e G7 nëpërmjet deklaratës theksojnë “se e drejta e kalimit të lirë pa tarifa është shtylla e tregtisë ndërkombëtare” dhe mbështeti një nismë shumëpalëshe të udhëhequr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar për sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit. Edhe këtu, pas frazave për “liri lundrimi” fshihet shqetësimi se bllokimi i korridoreve detare mund të përdoret si mjet presioni ekonomik dhe politik. Në lidhje me Libanin kërkohet që “armëpushim të menjëhershëm dhe të fuqishëm” për të mundësuar “çarmatosjen e Hezbollahut”, ndërsa për Gazën premtohet të “përshpejtohet ndihma humanitare dhe rindërtimi” dhe bëhet thirrje “për t’i dhënë fund dhunës në Bregun Perëndimor”. Kjo gjë që e vendos G7 në pozitat e një mbështetësi të një zgjidhjeje që kombinon garancitë e sigurisë me rindërtimin, por pa hyrë në detajet e konfliktit politik.
INDO PAQËSOR DHE EKUILIBRAT GLOBALË
Në Azi, deklarata e përbashkët përsëris formulën tashmë të konsoliduar për një “Indo Paqësor të lirë dhe të hapur, të bazuar në sundimin e ligjit”, duke shprehur “kundërshtimin ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo në, veçanërisht me forcë ose detyrim” në Detin e Kinës Lindore e Jugore dhe në Ngushticën e Tajvanit. Kjo gjuhë vendos qartë G7 në krahun e atyre që mbështesin status quo në detare si normë ndërkombëtare, duke e konsideruar çdo ndryshim të saj si kërcënim ndaj rendit. Liderët shprehin “shqetësim të thellë” për programet bërthamore të Koresë së Veriut dhe riafirmojnë synimin për “çarmatimin e plotë bërthamor” në përputhje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB së, duke përfshirë këtu edhe kërcënimet më të reja si “vjedhjet e kriptomonedhave dhe krimet kibernetike”
Liderët “përshëndesin Samitin për Konvergjencën Globale të Rritjes” të zhvilluar më 11 qershor me pjesëmarrjen e Kinës dhe “ripohojnë interesin e përbashkët për të konverguar me ekonomitë e tjera të mëdha mbi shkaqet e pabarazive të mëdha dhe të qëndrueshme globale.” Kjo jo vetëm e vendos G7 në si një arenë ku siguria detare dhe mos përhapja bërthamore ndërthuren me ekuilibrat makroekonomikë, por sinjalizon edhe përpjekjen për të mos e lënë diskutimin për pabarazitë globale vetëm në duart e forumeve më gjithëpërfshirëse si G20, por ta kanalizojë atë edhe përmes klubit të shtatëshes.
NJË GJUHË E RE PËR “PARTNERITETE TË FAVORSHME”
Përtej çështjeve të sigurisë, samiti prodhoi një “Deklaratë për partneritete ndërkombëtare të favorshme”, që synon të riformulojë marrëdhëniet me ekonomitë në zhvillim në një moment kur konkurrenca për ndikim në Afrikë dhe Azi është ashpërsuar. Liderët “ripohojnë angazhimin ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar në zhvillim dhe financim investimesh si motor i mirëqenies së përbashkët dhe vëmë në dukje gatishmërinë për të mbështetur më të cenueshmit”. Liderët pranojnë se arkitektura aktuale e financimit të zhvillimit “është bërë tepër komplekse” dhe se, ndonëse ka sjellë rezultate, “ka pasur ndikim të kufizuar në uljen e varësisë financiare” dhe nuk i përgjigjet më plotësisht sfidave të reja, duke hapur derën për një gjuhë reforme që ruan megjithatë primatin e kreditorëve ekzistues.
G7 shprehet se është “e bashkuar në reformimin e sistemit të bashkëpunimit për zhvillim dhe në formësimin e partneriteteve të favorshme që marrin në konsideratë interesat tona strategjike dhe ato të partnerëve”, duke mirëpritur mbështetjen e partnerëve afrikanë të shprehur në samitin “Africa Forward”. Kjo formulë e balancuar mes “interesave tona” dhe “interesave të partnerëve” e shfaq hapur dimensionin strategjik të ndihmës dhe investimeve. Deklarata vë theks të fortë te “aftësia e vendeve partnere për të mobilizuar burimet e brendshme dhe për të tërhequr kapital privat”, si dhe premton mbështetje për të forcuar “sovranitetin ekonomik afatgjatë dhe reziliencën” pa cenuar prioritetet e tyre të zhvillimit. Një element i spikatur është edhe lidhja e drejtpërdrejtë që bëhet mes “fuqizimit të të gjitha grave dhe vajzave” dhe rritjes ekonomike, duke e integruar diskursin e barazisë gjinore në logjikën e produktivitetit dhe rritjes.
BORXHI, KAPITALI PRIVAT DHE INFRASTRUKTURA
Një pjesë e gjerë e tekstit i kushtohet krizës së borxhit dhe reformës së arkitekturës financiare globale, çka tregon se G7 konsideron se legjitimiteti i tij, si forum, në Jugun global do të vlerësohet sipas aftësisë për menaxhimin e krizave të borxhit. G7 premton të “forcojë përpjekjet për të adresuar rritjen e cenueshmërisë nga borxhi global, që kërcënon stabilitetin ekonomik dhe kufizon hapësirën fiskale për shërbimet publike thelbësore”, dhe kërkon përparim në G20 drejt një qasjeje të përbashkët për ristrukturimin e borxheve të vendeve me të ardhura mesatare që nuk përfitojnë nga Korniza e Përbashkët. Po ashtu, liderët bëjnë thirrje për “më shumë transparencë në të dhënat e borxhit dhe praktikat e huadhënies”, u kërkojnë kreditorëve të G20 së të marrin pjesë në ushtrimin e ndarjes së të dhënave të Bankës Botërore dhe përshëndesin krijimin e “Platformës së Huamarrësve”, duke sinjalizuar një tentativë për të vendosur rregulla më të qarta lojë në një fushë ku konkurrenca mes kreditorëve është rritur.
Në të njëjtën kohë, deklarata synon ta bëjë zhvillimin më tërheqës për investitorët privatë, duke paralajmëruar përdorim më të gjerë të garancive, instrumenteve të ndarjes së riskut dhe financimit të kombinuar përmes institucioneve financiare të zhvillimit dhe bankave shumëpalëshe. Kjo e zhvendos diskursin nga ndihma klasike drejt “deriskimit” të investimeve, një koncept që mund të sjellë më shumë kapital privat, por edhe rreziqe të reja për publikun nëse humbjet socializohen. G7 angazhohet të “promovojë qëndrueshmëri dhe diversifikim të zinxhirëve të furnizimit dhe infrastrukturë të qëndrueshme transporti, energjie dhe dixhitale”, përfshirë përmes nismës “Partneriteti i G7 për Infrastrukturë dhe Investime Globale (PGII)”, si dhe të zhvillojë “zinxhirë të besueshëm të mineraleve kritike” mbi bazën e standardeve të larta dhe krijimit të vlerës locale, një përgjigje e qartë ndaj frikës nga varësia ndaj furnizuesve të tjerë strategjikë.
PËRTEJ DISKUTIMEVE DHE VENDIMEVE…
Deklaratat që pasuan samitin portretizojnë një G7 që forcon mbështetjen ushtarake, financiare dhe diplomatike për Ukrainën, kërkon të mbajë të hapura dritaret e mundësive diplomatike në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, përpiqet të paraqitet si partneri i preferuar i ekonomive në zhvillim përmes një sistemi të rishikuar të financimit të zhvillimit. Në planin retorik, balanca mes “interesave strategjike” dhe “partneriteteve të favorshme”, si dhe mes “mbrojtjes së rendit ndërkombëtar” dhe “mbështetjes për më të cenueshmit”, paraqitet si një qasje e kujdesshme dhe e balancuar. Megjithatë, nëse kjo përzierje premtimesh për siguri, sanksione dhe partneritete zhvillimore do të perceptohet si e besueshme përtej rrethit të ngushtë të G7, do të varet nga shpejtësia dhe shkalla me të cilën angazhimet e marra do të shndërrohen në nisma konkrete, financime reale, zgjidhje të qëndrueshme për barrën e borxhit dhe projekte të prekshme në terren gjatë viteve në vijim. Kjo do të jetë prova e vërtetë e efektivitetit të samitit, një provë që do të zhvillohet në realitetin kompleks të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe jo thjesht një diskutim apo vendim në një samit të përmasave të tilla.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al











