Përshëndes të gjithë qytetarët pjesëmarrës në protestë për shkallën e lartë të ndërgjegjes kolektive dhe individuale të treguar gjatë gjithë këtyre ditëve. Për energjinë, durimin dhe vendosmërinë e treguar për të arritur qëllimin që i keni vënë vetes. Kjo protestë është më e madhja, më e sinqerta dhe më e drejta e të gjitha kohërave deri në datën 13/6/26/ Është protesta e zgjimit.
Quhem Arben Gjoni, i lindur në Tiranë i emigruar në Itali që nga viti 1994 dhe i rikthyer në Shqipëri në 2013. Mbasi mbarova studimet dhe u diplomova për mjekësi Natyropatike, u ktheva t’u shërbej qytetarëve shqiptarë për problemet e tyre shëndetësore. Por para se të hipja në një gomone dhe të arratisesha për në Itali, kam marrë pjesë në të gjitha llojet e mitingjeve që nga 1989 deri në 1994. Kam qenë i pranishëm dhe pjesëmarrës në hapjen e ambasadave, në eksodin detar, në lëvizjen studentore, në rrëzimin e bustit. Gjithashtu kam qenë pjesëmarrës aktiv në zgjedhjet e para pluraliste. Por shumë shpejt kuptova se lëvizja studentore dhe qytetare u vodh nga politika duke e ndarë Partinë e Punës në socialist dhe pseudodemokrat, të cilët i kemi peshqesh akoma edhe sot pas 35 vitesh. Në pushtet erdhën ata që jiu lanin këmbët e iu puthnin dorën komunistëve, erdhën fëmijët e komunistëve, dhe gjithë nomeklatura shtetërore komuniste si sigurimi shtetit etj. Në këto kushte populi shqiptar ka zgjedhur gjithmonë më të mirin e të këqijve dhe nuk ka zgjedhur dot kurrë më të mirin e të mirëve. Sepse ajka nuk bashkohet kurrë me hirrën, ose më keq akoma me shëllirën. Pra, duke pasur njëfarë eksperience dua t’ju jap disa këshilla për lëvizjen në mënyrë që të mos përsërisni gabimet që bëmë ne në vitet ‘90.
1/ Mos lëvizni më nëpër rrugët e Tiranës, sepse ndërgjegjësimi është arritur dhe bëheni pengesë për lëvizjen e lirë të bashkëqytetarëve dhe jepni përshtypjen e një turme të revoltuar me të drejtë, por pa vizion, pa ide pa organizim. Kjo mund të çojë qytetarët të mos marrin pjesë në protestë.
2/ Mos lejoni shndërrimin e protestës nga protestë qytetare në protestë partiake.
3/Mos formoni parti politike, është një kurth që të mos arrini asgjë.
4/Mos urreni askënd, mos sulmoni askënd, çdo njeri është i lirë të mendojë dhe të veprojë sipas ideve dhe parimeve që ka. Askush nuk afrohet me forcë por vetëm nga qëllimet e mira të protestës. Liria dhe e drejta juaj mbaron aty ku fillon liria dhe e drejta e tjetrit. Po shkelët këtë parim, do humbisni mbështetjen shumë shpejt. Prandaj distancohuni nga çdo veprim i dhunshëm kundrejt qytetarëve dhe policisë.
5/Duhet të masivizoni protestën në një orar më të ngushtë dhe vetëm në një vend të caktuar që nuk i prish punë askujt. Ky vend është sheshi “Skënderbej”. Ai duhet të jetë sheshi juaj. Ora 19 deri 22. Mbledhja dhe shpërndarja në një orar të caktuar tregon organizim, vendosmëri, qartësi, seriozitet, përgjegjësi dhe rezultat. E kundërta tregon amulli në të gjitha aspektet dhe humbjen e mbështetjes në popull.
6/Mos kërkoni largimin e Edi Ramës as qeveri teknike, ky është një gabim i madh strategjik. Problemi nuk është Edi Rama, por sistemi që Edi dhe Saliu kanë ngritur në këto 35 vite. Po iku Edi para se të ndërroni sistemin, jeni të humbur ju dhe gjithë populli, por kësaj radhe përgjithmonë. Sepse protesta shuhet, fillon burokracia parlamenti s’bën dot më ligje. Zgjedhjet duan disa muaj që të bëhen, pra do shkohet në zgjedhje me të njëjtat parti, me të njëjtin sistem dhe do kemi përsëri të njëjtin rezultat.
7/ Duhet të hartoni ato pika që e zhbëjnë sistemin e ngritur prej tyre përndryshe do kemi përsëri pas votimeve një Ed dhe një Sali një Flamur dhe një Taulant.
8/Mbasi t’i keni hartuar ato pika, do t’i votoni të gjithë njëherësh aty në sheshin “Skënderbej”. Si do t’i votoni? Dikush do lexojë pikat një nga një dhe ju do votoni duke ndezur dritat e telefonit për PO dhe të fikura për JO.
9/Mbas votimit, ato pika do hidhen në letër dhe një noter, një avokat dhe po të doni të gjithë ju, do t’i depozitoni në sekretarinë e Kuvendit që të votohen në një seancë plenare të veçantë. Aty do kuptoni kush e do karrigen dhe kush e do partine, apo kush e do vendin dhe shoqërinë. Ata duhet të votojnë pro ose kundër në parim pastaj të hartojnë ligjet në bazë të rregulloreve dhe kushtetutës.
10/Mbasi të jenë aprovuar apo mosaprovuar ato pika, do kuptoni realitetin ku jetoni. Më pas vendosni se çfarë do bëni më tutje. Unë po ju jap disa nga pikat që e zhbëjnë deri diku sistemin dhe i japin fund tranzicionit por ato mund të shtohen akoma deri ditën e votimit.
Pika 0 Mbase është koha dhe momenti që të delegoni dikë apo disa pjesëmarrës që të komunikojnë midis jush dhe jush, pastaj midis jush dhe parlamentit, midis jush dhe presidentit, midis jush dhe forcave të rendit midis jush dhe pjesës tjetër të shoqërisë që është akoma duke parë se çfarë po ndodh. Nëse nuk dilni nga pika 0 pra kjo pika këtu të gjitha pikat e tjera të rreshtuara më poshtë mos i lexoni fare se nuk ju duhen. Pa dalë nga pika 0 nuk realizoni dot asgjë edhe sikur Edi të largohet do kënaqim EGON tonë do hedhim fishekzjarrë do ulërasim etj., por pas pak muajsh do kemi prapë një Ed dhe Sali tjetër. Ndërsa me pikat e mëposhtme keni mundësi të ndryshoni sistemin. Me ndryshimin e sistemit dhe rregullave të funksionimit dalin vetë jashtë loje të gjithë jo vetëm EDI. Prandaj Zgjidhni ça do bëni?
1/Ndryshimi i ligjit për shoqërinë civile dhe shpërndarja e KKSHC. Krijimi i një Kuvendi intelektualësh për mënyrën e organizimit të shoqërisë civile.
2/Presidenti të mos jetë më një lolo në duart e partive politike, por të zgjidhet nga populli dhe ti jepen disa të drejta më shumë nga ato që ka aktualisht që janë gati qesharake. Ai duhet të mbrojë interesat e popullit dhe shtetit përballë partive politike dhe parlamentit. Jo të bëhet palë me ta.
3/Kryeministri të mos zgjidhet më shumë se 2 mandate dhe gjatë ushtrimit të këtij funksioni të mos ushtroj funksione partiake. Pas mbarimit të mandatit të rikthehet në të njëjtin post partiak.
4/Deputetët të kenë të drejtë deri në 2 mandate. Të jesh deputet nuk është profesion por përfaqësim.
5/Deputetët që mungojnë 50 orë gjatë vitit t’ju hiqet mandati. Deputeti që nuk është i aftë për arsye shëndetësore ti hiqet mandati por të marrë pagën deri në fund të mandatit.
6/Deputeti nuk duhet të marrë pagesë plus kur është pjesë e komisioneve parlamentare. Duhen rishikuar të gjitha ligjet që kanë bërë për veten e tyre.
7/Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një kuotë të caktuar me juristë me mjekë, me agronom ekonomistë inxhinierë etj., për të hartuar ligje. Pra, kandidatët e partive duhet të jenë njerëz të diplomuar jo analfabet. Dhe të ketë kuota të përcaktuara për secilin profesion.
8/Kandidatët për deputet të jenë me shkollë të lartë. (duhet të jetë jo më i vogël se 35 vjeç dhe jo më i madh se 75 vjeç.)
9/Të mbyllet seanca nëse nuk ka më shumë se 50% të deputetëve të pranishëm sepse nga foltorja po flasin vetëm me veten dhe me karriget.
10/Të anulohet ligji i listave të mbyllura. Çdo kandidat të dalë për votim përpara popullit.
11/Të mos ketë koalicione parazgjedhore, aty ka emra partish që s’kanë asnjë anëtar por pas zgjedhjeve ndajnë disa deputet dhe marrin nga buxheti shtetit financim.
12/T’i hiqet njohja juridike një partie që nuk ka anëtarë nuk kryen zgjedhje dhe nuk funksionon sipas statutit dhe sipas ligjeve në Republikën e Shqipërisë.
13/Të lehtësohen procedurat për kandidatët e pavarur si në zgjedhjet vendore ashtu edhe në ato kuvendore.
14/Të lehtësohen procedurat për referendumet. Verdikti i popullit nuk duhet të diskutohet nga presidenti ose parlamenti por vetëm të aprovohet. Askush nuk është mbi sovranin.
15/Pushimi i përkohshëm i disa ligjeve. Si ‘Paketa e Maleve’, investitori strategjik, Shqipëria 1 euro etj… ky vendim të bëhet me referendum.
16/Të mos jepen koncesione me afat më të madh se afati qeverisës pa konsensus parlamentar. Me konsensus parlamentar jo më shume se 8 vjet.
17/Të hiqet neni që deputeti nuk mban përgjegjësi personale për ato që thotë në parlament. Por të jetë e kundërta.
18/Të hiqet neni që presidenti dhe kryeministri nuk mban përgjegjësi për veprimet dhe mosveprimet gjatë mandatit. Por të jetë e kundërta.
19/Ligjet që prekin thelbin e shoqërisë shqiptare si familja, apo fëmijët, apo vaksinimi me forcë, apo heqja e monedhës fizike, etj.. duhet të kalojnë në referendum.
20/Kryeministri dhe presidenti duhet të jetë jo më i vogël se 40 vjeç dhe jo më i madh se 75 vjeç.
21/Ai që zgjidhet president, kryeministër, drejtues i një bashkie, një ministër apo deputet duhet të lërë dyshtetësinë. Të mbaj vetëm atë Shqiptare.
22/Të hartohet një ligj i ri zgjedhor që i jep mundësinë të gjitha partive të konkurrojnë të barabarta.
23/Përpara se një projekt madhor t’i jepet një të huaji t’u kërkohet shqiptarëve të bëhen aksionerë në atë projekt me rregulla të paracktuara.
24/Të gjithë ata që pretendojnë të bëhen deputet ministra, kryeministra, kryetar bashkish duhet të paraqesin testin e alkoolit, të drogës, të shëndetit fizik dhe mendor dhe të jenë nga 35 deri 65 vjeç.
25/Jo çdo pronar që ka një copë tokë ka të drejtë të bëjë ndërtime në atë tokë. Mosregjistrimi i qëllimshëm nga pushteti lokal dhe qendror i emërimit të tokës si tokë buke, lulishte rrugë, etj., lë hapësira për abuzime në ndërtime.
26/Anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe rishikimi i plotë i ligjit në favor të këtyre zonave.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












