Beştepe

Jun 17, 2026 | 9:10

LEONARD-DEMILEONARD DEMI

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleat më të ngushtë se Evropën”

PARAFJALË

Më 7-8 korrik 2026, në Turqi do të mbahet Samiti i NATO-s, i cili do të përqendrohet tek investimet për mbrojtjen me pikësynim rritjen e prodhimit të kapaciteteve ushtarake, për gatishmërinë luftarake dhe mbështetje më të madhe për Ukrainën.

Samiti i Ankarasë do të theksojë domosdoshmërinë strategjike të NATO-s për të vepruar në mënyrë efektive në shumë drejtime njëkohësisht, si: kërkim shkencor, inovacion, inteligjencë artificiale, mbrojtje kibernetike, kapacitete ajrore dhe hapësinore si një përgjegjësi e përbashkët, ku koordinimi dhe kontributet e sektorit publik dhe privat janë thelbësore për të siguruar qëndrueshmëri dhe përgatitje më të madhe qytetare.

MJEDISI

Ky samit mbahet në krizën më të rëndë me të cilën është përballur ndonjëherë NATO gjatë historisë së vet 77-vjeçare: në një moment pasigurie për angazhimin afatgjatë të Uashingtonit ndaj sigurisë evropiane. Administrata e Presidentit Trump u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve evropianë të marrin përsipër një pjesë më të madhe të barrës të mbrojtjes kolektive dhe ripërcaktimin e rolit të Shteteve të Bashkuara brenda NATO-s, nxitur nga Indo-Paqësori dhe konkurrenca me Kinën. Nga ana tjetër, qeveritë evropiane nuk e mbështetën Presidentin Trump në luftë kundër Iranit apo në përpjekjet për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, gjë që ai e ka konsideruar, si: “Një gabim shumë të pamend”, apo “NATO, thjesht, nuk ishte aty, kur ne kërkuam ndihmë për luftën kundër Iranit. … Ata nuk donin të përfshiheshin dhe besoj se kjo do t’u kushtojë shtrenjtë”.

Në takime të ndryshme sigurie (Estoni), zyrtarë të lartë amerikanë si Nënsekretari i Shtetit për Armëkontrollin dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Th. G. DiNanno, refuzojnë të thonë një “po” të drejtpërdrejtë kur pyeten nëse SHBA do t’i mbrojë po t’i sulmojë Rusia. Më parë, miratimi do të kishte qenë automatik. Po kështu, në NATO vërejnë se kur Shtetet e Bashkuara duan mbështetjen evropiane për një projekt ushtarak, sidomos, kur nuk ka të bëjë me territorin e NATO-s, ata ndjekin procedurat e duhura dhe mbledhin një këshill brenda Aleancës. Në këtë rast, nuk e bën dhe Presidenti sulmon NATO-n, sepse e di se kjo krijon tensione brenda sistemit. Sipas Sekretarit Rubio, samitit të Ankarasë do t’i kërkohet të japë përgjigje në lidhje me mbështetjen, ndarjen e barrës, përdorimin e bazave dhe mbrojtjen kolektive gjatë konflikteve ndërkombëtare”.

SHKURTIMET

Në një takim me dyer të mbyllura në selinë e NATO-s në Bruksel, një përfaqësues i Departamentit të Mbrojtjes, Velez-Green, njoftoi aleatët e NATO-s për shkurtimet që Shtetet e Bashkuara planifikojnë të bëjnë në Evropë. Administrata “Trump” synon të zvogëlojë një të tretën deri në gjysmën e kapaciteteve ushtarake që do t’i nevojiteshin NATO-s në një konflikt, përfshirë bombarduesit strategjikë, kapacitete sulmuese me rreze të gjatë veprimi, asete detare dhe avionë, që furnizojnë me karburant në ajër. Këto shkurtime do t’i bëhen forcës amerikane, që është përcaktuar të mbrojë NATO-n në një krizë, që njihet si Modeli i Forcës të NATO-s, i cili përcakton trupat dhe kapacitetet, që aleatët ofrojnë gjatë 10, 30 dhe 180 ditëve të para të një konflikti apo krize.

Ekspertët kërkojnë një tërheqje graduale të ushtrisë amerikane, në mënyrë që aleatët të kenë kohën e nevojshme për një tranzicion gradual drejt një mbrojtjeje kolektive të mbështetur më shumë nga evropianët. Sot, tërheqja amerikane rrezikon dobësimin e NATO-s, kur po vihet në provë nga Kremlini. Në këtë kontekst, aleatët evropianë u kanë kërkuar vazhdimisht homologëve të tyre amerikanë sqarime mbi planet amerikane të tërheqjes, me qëllim që të përgatiten për të shmangur cenimin e sigurisë.

Më shumë se numri i trupave, evropianët i shqetësojnë llojet e pajisjeve, që amerikanët kanë të ngjarë të tërheqin në mbrojtjen ajrore, armatimet për goditje në thellësi, sistemet e inteligjencës dhe transportin e trupave. Megjithatë, një tërheqje amerikane nga NATO do të ishte e ndërlikuar për t’u zbatuar. Së pari, sepse Evropa është një bazë tepër e rëndësishme logjistike për operacionet amerikane në Lindjen e Mesme. Së dyti, edhe nëse amerikanët duan të ruajnë kapacitetet ushtarake në Evropë pa qenë pjesë e NATO-s, ata janë të lidhur me marrëveshje të shumta dypalëshe me shtetet, ku ndodhen bazat e tyre. Në shumë vende, si Polonia, ata kanë një prani si në kuadër të NATO-s, ashtu edhe brenda kuadrit të marrëveshjeve dypalëshe dhe një tërheqje do të përfshinte rialokimin e këtyre trupave.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s vëren se kjo tërheqje nuk do të ketë “asnjë ndikim” në aftësinë e Aleancës Atlantike për të mbrojtur territorin e vet dhe asgjë nga këto nuk nënkupton një krizë të menjëhershme ushtarak. Për një vit ose më shumë, Rusia nuk do të jetë gati për një luftë të vërtetë me Evropën. Sidoqoftë, Kremlini po e vë në provë kohezionin e Aleancës çdo ditë, veçanërisht në rajonin e Baltikut, me inkursione me dronë dhe pretendime të pabaza për agresion kundër Rusisë.

REAGIME NË KONGRES

Kongresi ka mandatuar një minimum prej 76,000 trupash amerikane në Evropë dhe çdo tërheqje do të kërkonte miratimin e tij, por presidenti, duke përdorur autoritetin e tij si komandant i përgjithshëm, mund të zhvendosë trupa ose armatime jashtë Evropës. Disa ligjvënës amerikanë janë të shqetësuar se administrata po e zbeh angazhimin amerikan ndaj NATO-s dhe kanë hartuar një projektligj që i kërkon Sekretarit të Mbrojtjes “arsyet” e shkurtimeve në Evropë. Në një deklaratë të përbashkët, kryetarët republikanë të Komiteteve të Shërbimeve të Armatosura të Senatit dhe Dhomës të Përfaqësuesve tërheqin vëmendjen se zvogëlimi i parakohshëm i kapaciteteve ushtarake amerikane në Evropë rrezikon “t’i dërgojë Vladimir Putinit sinjalin e gabuar”. Sidoqoftë, Pentagoni ende nuk ka vendosur përfundimisht.

NATO EVROPIANE

Gjermanët dhe aleatët e tjerë evropianë kishin frikë se promovimi i lidershipit evropian brenda NATO-s mund t’i ofronte SHBA një justifikim për të zvogëluar rolin e vet. Megjithatë, në fund të vitit të kaluar, Kancelari gjerman Merz ndryshoi qëndrim dhe i hapi rrugë një marrëveshje më të gjerë, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Poloninë, vendet nordike dhe Kanadanë, të cilat tani po e paraqesin planin e emergjencës si një koalicion të vullnetshëm brenda NATOs. Po kështu, u trajtuan çështje praktike ushtarake, si: kush do të drejtojë mbrojtjen ajrore dhe raketore të NATO-s, korridoret e përforcimit në Poloni dhe në shtetet baltike, rrjetet logjistike dhe stërvitjet e mëdha rajonale, nëse oficerët amerikanë do të tërhiqen.

“NATO Evropiane” synon të përfshijë më shumë evropianë në rolet e komandës dhe kontrollit të Aleancës dhe të plotësojë asetet ushtarake amerikane me asetet e veta. Këto prirje nuk kanë për qëllim të rivalizojnë Aleancën aktuale, por të ruajnë forcën shkurajuese ndaj Rusisë, vazhdimësinë operacionale dhe besueshmërinë bërthamore. Këto përpjekje të konceptuara për herë të parë vitin e kaluar, u përshpejtuan kur Presidenti Trump kërcënoi të sekuestronte Groenlandën nga Danimarka, një anëtare tjetër e NATO-s dhe tani, pas refuzimit për të mbështetur luftën e Amerikës në Iran, po përparojnë me shpejtësi.

Sfida është e madhe. E gjithë struktura e NATO-s është ndërtuar rreth lidershipit amerikan, pothuajse, në çdo nivel, nga logjistika dhe inteligjenca deri te komanda më e lartë ushtarake e Aleancës. Ndërsa përpjekja evropiane shënon një përmbysje themelore në të menduar, realizimi i ambicies do të jetë i vështirë. Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën është gjithmonë një amerikan, dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se nuk kanë ndërmend ta dorëzojnë këtë post dhe asnjë anëtar evropian nuk ka staturën e mjaftueshme për të zëvendësuar SHBA si udhëheqës ushtarak, pjesërisht, sepse vetëm SHBA mund të ofrojë ombrellën bërthamore mbarëkontinentale, që mbështet parimin themelues të Aleancës për parandalimin e ndërsjellë përmes forcës. Tranzicioni është tashmë në proces. Një numër gjithnjë e në rritje i posteve kryesore komanduese të NATO-s tani mbahen nga evropianët dhe shumë stërvitje të mëdha, të kryera së fundmi apo të planifikuara për muajt e ardhshëm, do të drejtohen nga forcat evropiane, veçanërisht, në rajonin nordik, ku Aleanca kufizohet me Rusinë. Boshllëku më i madh është në inteligjencë dhe parandalimin bërthamor. Zyrtarët evropianë thonë se asnjë riorganizim trupash nuk mund të zëvendësojë shpejt sistemet satelitore, ato të mbikëqyrjes dhe të paralajmërimit të raketave të SHBA, që janë shtylla kurrizore e besueshmërisë të NATOs. Megjithatë, qeveritë evropiane po bëjnë përpjekje për të ngritur ndjeshëm asetet e tyre ushtarake hapësinore për të cilat planifikojnë të investojnë të paktën 109 miliardë dollarë dhe po ushtrojnë trysni mbi Francën dhe Britaninë për të zgjeruar rolet e tyre si në inteligjencën bërthamore ashtu edhe në atë strategjike.

PRODHIMI I INDUSTRISË SË MBROJTJES

Në Samitin e Hagës, liderët e NATO-s vendosën të rritin shpenzimet për mbrojtjen në 5% nga të cilat 1.5%, kryesisht, për industrinë e mbrojtjes. Lajmi i mirë është se fondet po fillojnë të rrjedhin. Këtë vit, Evropa ka rritur investimet e saj në mbrojtje me 20%. Sidoqoftë, Sekretari i Përgjithshëm vëren se prodhimi i armëve po mbetet pas ritmit të konfliktit global.

Në Ankara, aleatët pritet të deklarojnë kontrata të mëdha prokurimi armësh, veçanërisht, me Shtetet e Bashkuara. Po kështu, devijim i pajisjeve amerikane nga Ukraina mund të rritë presionin mbi evropianët, të cilëve administrata amerikane u ka ngarkuar armatosjen e saj, sidomos tani që ka ndërprerë pjesën më të madhe të ndihmës së drejtpërdrejtë për Ukrainën. Iniciativa evropiane e Listës së Kërkesave të Prioriteteve për Ukrainën (Prioritised Ukraine Requirements List, PURL) prej rreth 4 miliardë dollarë, për të blerë armatime amerikane për Ukrainën, ka siguruar armatime të posaçme ushtarake si raketa Patriot dhe THAAD. Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, iu dha përgjigje disa kundërthënieve mbi përdorimin e fondeve PURL se gjithçka që aleatët dhe partnerët e NATO-s kanë paguar përmes PURL është dorëzuar ose vazhdon të shkojë në Ukrainë.

EPILOG

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga teatri evropian pas Luftës së Parë Botërore i hapi rrugën Hitlerit dhe në fund të fundit, Luftës së Dytë Botërore. Nëse fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike e botës do të ishte e pranishme në Evropë gjatë periudhës midis dy luftërave botërore, revanshizmi gjerman nuk do të kishte ngritur krye kurrë. Ky është mësimi, që brezi i Luftës së Dytë Botërore mori nga lufta dhe e vuri në praktikë.

Presidenti i SHBA, Harry S. Truman (1945 – 1953) ruajti një prani të fortë amerikane në Evropë, jo vetëm për t’iu kundërvënë kërcënimit të Ushtrisë së Kuqe pozicionuar në Berlin, por edhe për të zbutur frikën evropiane nga revanshizmi gjerman. Gjatë gjithë Luftës së Ftohtë edhe pas saj, prania amerikane në Evropë ishte faktori vendimtar për sigurinë dhe stabilitetin e brendshëm të kontinentit. Shtetet e Bashkuara garantuan paqen dhe përparimin, që mundësuan integrimin ekonomik, krijimin dhe forcimin e Bashkimit Evropian, ribashkimin e Gjermanisë dhe zgjerimin e NATO-s dhe BE-së drejt lindjes. Evropa e sotme nuk do të kishte mundur të rritej ndryshe. Në historinë e Shteteve të Bashkuara, ky është suksesi më i madh diplomatik amerikan dhe nuk ka arsye për të besuar se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë pa Evropën, partnerin e tyre strategjik. Braktisja do t’i dobësonte ndjeshëm dhe do t’i izolonte më tej. Së bashku, evropianët dhe amerikanët do të jenë gjithmonë më të fortë në rendin e ri botëror dhe pavarësisht gjithë kësaj tymnaje, SHBA ruajnë interesa të mëdha në stabilitetin dhe lirinë e Evropës. NATO është e pazëvendësueshme si për Evropën ashtu edhe për Amerikën.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura