Ish-ministrja e qeverisë teknike akuza deputetëve të PD: Qytetarët rrinë në shesh, ata i ke në fundjava në Palasë apo Gjirin e Lalëzit, në vila të marra në këmbimin që të qepin gojën!

Jun 17, 2026 | 8:56

Xhulieta Kërtusha, e cila ka qenë ministre e Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë teknike të 2017 ka reaguar për protestën qytetare që prej 17 ditësh kërkon largimin e Ramës.

protesta kertusha

Me anë të një statusi në rrjetet sociale, ish kandidatja për deputete e Koalicionit Euroatlantik të Lulzim Bashës ka akuzuar një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike se kanë lënë vendin pa opozitë reale për interesa personale.

Sipas saj, një nga arsyet kryesore pse qytetarët janë mbledhur në shesh është zhgënjimi ndaj atyre politikanëve që, sipas saj, kanë braktisur kauzat opozitare në këmbim të përfitimeve personale.

“Arsyeja qe jemi ne shesh janë ata deputete te PD-se qe e lanë këtë vend pa opozite për një karrige/leje ndërtimi apo një tender! E lanë këtë vend pa alternative ne dore te partisë ne pushtet e cila veshi një arrogance sepse nuk kishte konkurrencë, nuk kishte frike”, shkruan ajo.

Ajo bëri thirrje që figura të tilla politike të mos përfshihen në protestë, duke argumentuar se nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Sipas Kërtushës, ndërkohë që qytetarët rrinë në shesh deputetët shijojnë fundjavat në zonat bregdetare.

“Largojini nga sheshi sepse fëmija yt nuk ka ngrohje ne shkolle, fëmijët e tyre shkojnë ne shkolla private jashtë dhe brenda vendit. Kur ti shkon ne spital dhe nuk gjen as serum ata kurohen jashtë. Rroga jote e një viti është çantë për ata, rroga jote e 10 viteve është makine për ata. Kur ti rri ne shesh gjithë javën ata i ke ne weekend Palase, Gjirin e Lalezit etj, vila te marra ne këmbim qe te qepin gojën. Ata nuk jane aty per ndihme apo ndryshim, jane vetëm per tju bere pis dhe per ti humbur vlerën kesaj proteste madhështore””, thuhet ne reagimin e Kërtushës.

kertusha

© Panorama.al

Te lidhura