Pas turmës duhet strategji

Jun 17, 2026 | 9:08

BRENTON KOTORRIBRENTON KOTORRI

Protestat e qershorit 2026 janë quajtur nga shumë njerëz si më të mëdhatë që Shqipëria ka parë që nga rënia e komunizmit. Kjo fjali po përsëritet shpesh.

Ka brenda saj shpresë, lodhje dhe një lloj nevoje për ta besuar. Shqiptarët kërkojnë të shohin tek kjo protestë fundin e një tranzicioni që grabiti sakrificat e prindërve tanë, fëmijërinë tonë, rininë tonë dhe shumë nga ëndrrat tona.

Kjo protestë nisi nga ndjenja e akumuluar se qeveria dhe partia në pushtet po e trajtojnë Shqipërinë si pronë private. Kjo ndjesi u bë më e fortë dhe kaloi shpejt përtej mjedisit. U kthye në çështje dinjiteti.  Arroganca e pushtetit ka burim të qartë. Trembëdhjetë vite në qeverisje e ndryshojnë sjelljen e çdo shumice. Fitorja e fundit dhe 83 mandatet në Kuvend ia kanë shtuar kësaj mazhorance bindjen se mund të kalojë çdo ligj, të mbrojë çdo vendim dhe të mbyllë çdo debat me forcën e kartonëve.

Në rrugë janë mbledhur masa të mëdha qytetarësh. Në ditët më të forta, protestuesit flasin për shifra që shkojnë deri afër 100 mijë vetëve. Kërkesa kryesore është dorëheqja e Edi Ramës dhe qeverisë socialiste. Në anën tjetër qëndron kryeministri, i mbështetur te shumica parlamentare. Ai po e lexon protestën si presion kalimtar. Po e mat me ditë, me lodhje, me kalendar, me numra deputetësh dhe me kontroll institucional.

Kjo e çon protestën në pikën e saj më të vështirë. Ajo ka mbledhur shumë njerëz. Ka krijuar simbolin e flamingos. Ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare. Ka nxjerrë në rrugë pakënaqësinë e akumuluar. Ka bashkuar njerëz që deri dje flisnin vetëm në tavolina, kafene ose rrjete sociale. Por tani vjen pyetja kryesore: a mjafton kjo formë proteste për ta detyruar Ramën të dorëhiqet? Por kjo formë e vetme e protestës duket se e ka arritur kulmin e saj. Një turmë e madhe krijon presion moral. Një turmë e organizuar krijon kosto politike. Diferenca mes tyre vendos fatin e kësaj lëvizjeje.

Protesta ka hyrë në fazën ku duhet të kalojë nga shesh në fushatë. Nga zemërim në strukturë. Nga thirrje në plan. Në veprën “Nga diktatura në Demokraci”, Gene Sharp shpjegon diçka të thjeshtë. Pushteti mbështetet te bindja, bashkëpunimi dhe pranimi. Qeveritë kanë nevojë për administratë, ekspertë, media, polici, gjykata, biznes, institucione dhe qytetarë që e pranojnë rendin e tyre politik. Kur këto burime fillojnë të tërhiqen, pushteti dobësohet. Kjo ka rëndësi sidomos në një vend me fasadë demokratike. Shqipëria ka zgjedhje, parlament, gjykata, media dhe institucione. Por fasada demokratike bëhet mburojë për pushtetin kur institucionet humbin pavarësinë, parlamenti kthehet në makineri votimi dhe ligji përdoret për të mbuluar vendime të marra kohë më parë.

Në këtë lloj sistemi, protesta duhet të godasë burimet e legjitimitetit. Jo me dhunë por me veprime të qarta, të përsëritura, të disiplinuara dhe publike. Një lëvizje fiton fuqi kur kombinon mesazhin, simbolin, veprimin, audiencën dhe median. Një protestë duhet të jetë e kuptueshme në një fjali, e dukshme në një fotografi dhe e fortë në efektin politik. Mirëpo protesta duhet të vendosë disa parime veprimi.

Parimi i parë: çdo taktikë duhet t’i shërbejë qëllimit.

Qëllimi është dorëheqja e kryeministrit dhe qeverisë. Çdo marshim, fjalim, pankartë, postim, peticion, performancë, takim publik ose aksion qytetar duhet të lidhet me këtë qëllim. Veprimet që prodhojnë vetëm zhurmë harxhojnë energji.

Parimi i dytë: protesta duhet ta mbajë lart disiplinën paqësore.

Kjo është pasuria më e madhe e saj. Dhuna e zhvendos vëmendjen nga qeveria te protestuesit. Një lëvizje paqësore i flet edhe qytetarit të pavendosur, prindit, pensionistit, mësuesit, administratës, policit dhe votuesit socialist që ndien të njëjtën lodhje.

Parimi i tretë: protesta duhet të vendosë pushtetin në dilemë.

Një veprim i mirë qytetar e detyron qeverinë të zgjedhë mes disa opsioneve të këqija për të.

Parimi i katërt: protesta duhet ta kthejë mbështetjen online në veprim real.

Peticionet, postimet dhe videot krijojnë vëmendje. Vëmendja duhet të dalë në terren. Njerëzit duhet të dinë çfarë bëjnë të hënën, çfarë bëjnë të mërkurën, çfarë bëjnë të premten dhe si lidhet çdo veprim me kërkesën kryesore.

Parimi i pestë: protesta duhet të bëjë punën e medias.

Çdo aksion duhet të ketë mesazh të shkurtër, pamje të qartë, zëdhënës të përgatitur, fakte të verifikuara, material në shqip dhe anglisht, fotografi të mira, video të shkurtra dhe shpjegim të thjeshtë. Media kërkon pamje dhe fjali të qarta. Protesta duhet t’ia japë. Jo për spektakël. Për ta mbajtur çështjen në qendër.

Parimi i gjashtë: protesta duhet të zgjerojë aleatët.

Duhet t’i flasë qytetarit pa parti, intelektualit të mpirë, punonjësit të administratës, sipërmarrësit, diasporës, studentit, prindit dhe policit.

Parimi i shtatë: protesta duhet të përdorë ligjin.

Kërkesat për informacion publik, ankesa administrative, kallëzime, padi, kërkesa kushtetuese, raporte ekspertësh dhe monitorim parlamentar duhet të ecin paralel me sheshin. Ligji duhet të kthehet në fushë beteje publike. Çdo refuzim, vonesë ose heshtje institucionale duhet të bëhet lajm. Kjo e vendos qeverinë përpara përgjegjësisë formale dhe jo vetëm morale.

Parimi i tetë: protesta duhet të ketë ritëm.

Pushteti pret lodhjen. Prandaj protesta duhet të planifikojë kulme dhe ndërmjet kulmeve të ndërtojë organizim. Një ditë për sheshin. Një ditë për universitetet. Një ditë për profesionistët. Një ditë për diasporën. Një ditë për bizneset e vogla. Një ditë për dokumente e denoncime, etj. Kjo e mban lëvizjen të gjallë dhe të matshme.

Në praktikë, protesta mund të hyjë në një fazë të re me disa mjete të thjeshta. Të krijojë një këshill qytetar me figura publike, ekspertë dhe përfaqësues komunitetesh. Të ngrejë grupe lokale në çdo qytet. Të shpallë një kalendar kombëtar veprimesh paqësore. Të përdorë flamingon si simbol unik në çdo material. Të organizojë lidhjen me zinxhir të dyerve të ministrive. Të krijojë një kordon fizik me njerëz rreth godinës së kryeministrisë. Të kërkojë nga çdo deputet dorëzimin e mandatit dhe të mirëpritet në shesh si një prej nesh. Të publikojë listën e votave në Kuvend për çdo ligj që prek pasurinë publike. Të përgatisë dosje për mediat ndërkombëtare. Të ftojë diasporën të protestojë në të njëjtën ditë përpara ambasadave shqiptare. Të nxisë profesionistët të dalin me deklarata të veçanta. Juristët për ligjin, mjekët për shëndetin publik, pedagogët për arsimin, urbanistët për territorin, arkeologët për trashëgiminë. Të shpallë një ditë kombëtare të shenjës së flamingos në veshje, në ballkone, në dyqane dhe në rrjete sociale. Të organizojë një orë kombëtare ndalese simbolike automjetesh, me pjesëmarrje vullnetare. Të ftojë fermerët e nëpërkëmbur të nisen me traktorë drejt Tiranës e të parkojnë në bulevard. Etj. Etj.

Në fund, protesta duhet të sqarojë edhe çfarë kërkon pas dorëheqjes. Një vend që ka provuar gjatë tranzicionin e di mirë se largimi i një qeverie nuk mjafton. Duhet të marrë fund modeli i qeverisjes si pronësi. Duhet të marrë fund përdorimi i ligjit si mbulesë. Duhet të marrë fund trajtimi i pasurisë publike si mall politik. Duhet të marrë fund ideja se vota e shumicës i jep pushtetit të pakufi mbi gjithçka. Protesta e qershorit e ka bërë hapin e parë. Ka mbledhur njerëzit. Ka krijuar simbolin. Ka vendosur kërkesën madhore: Rama jepe dorëheqjen. Tani duhet të bëjë hapin e dytë. Veprimet kreative të padhunshme duhet ta përshkallëzojnë protestën dhe të mos lejojnë të bjerret në atë që kryeministri aktual do ta quajë turmë amorfe.

© Panorama.al

Te lidhura