“Atdheu ka nevojë për shkundje”- Akademikët nga diaspora në krah të protestuesve për largimin e Ramës, Bushati: Ajka e kombit shpreh gatishmëri për ripërtëritjen demokratike

Jun 18, 2026 | 8:33

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagoi pas deklaratës së 123 akademikëve dhe studiuesve shqiptarë të diasporës që kanë shprehur mbështetje për protestat qytetare dhe kërkesën për një “Shqipëri të re”.

bushati

Sipas Bushatit, angazhimi i elitës akademike shqiptare jashtë vendit përbën një akt të rëndësishëm përgjegjësie qytetare dhe patriotike, duke theksuar rolin e diasporës në proceset e ndryshimit demokratik në vend.

Ai thekson se “Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje dhe se kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”.

“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social.

Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”, shkruan Bushati.

© Panorama.al

Te lidhura