EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ

Oct 4, 2021 | 14:40
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-haxhi-Qamili-admirimi-Vahid-Lama11Enveri i di të gjitha. Ai është historiani më i mirë, politikani më i ditur, shkencëtari më i mençur, inxhinieri më i shquar. Fund e krye përditshmëria e diktatorit në zyrë, kujton Vahid Lama, ish-sekretari personal i Hoxhë, sundohej nga sindroma e  madhështisë që shumë herë denatyronte rrjedhën normale të zhvillimeve të pritshme.

Ai, shprehet ndihmësi i diktatorit, korrigjonte specialistët e naftës për vendbu(vijon nga numri i kaluar) rimet e reja,   kompozitorët për ritmet e muzikës, arkitektët për konstruktin e objekteve, gjeneralët për thellësinë e fronteve. Sjellje të tilla perverse, jo rrallë prodhonin situata të pakëndshme, shton Lama duke kujtuar qasjen absurde të Hoxhës për figurën e Haxhi Qamilit si “tribun i fshatarësisë kundër bejlerëve e agallarëve” dhe “prijës i luftës së klasave në kohë të vështira(!)”…

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

“PAPËT” E SHKENCËS DHE HISTORISË

Kur i mbushej mendja se zgjidhja e një problemi duhej të ishte ndryshe nga ajo që propozonin specialistët, nuk kishte bir nëne t’ia kthente, madje as Mehmet Shehu e Hysni Kapoja, që njiheshin si më guximtarët midis anëtarëve të Byrosë Politike. Kështu, bie fjala, kur ai “profetizonte” që në një zonë të Myzeqesë nëntoka kishte naftë, patjetër aty “duhej nxjerrë naftë”, ndryshe teknikët dhe inxhinierët duhej të gjenin vrimë për t’u futur. Enveri i shpërfillte hapur argumentet e specialisteve dhe shpesh i përçmonte me ironi. Mendimi shkencor i “papëve të naftës”, sikurse i quante ai me ironi, nuk vlente para “arsyetimeve” të tij “marksiste”. Mbaj mend debatet e mesit të viteve ’70 për metodat e kërkimit të naftës dhe shqetësimet në këtë sektor.

Diskutimet për zbulimin e vendburimeve te naftës, një moment u përqendruan te dilema nëse duhej zbatuar metoda “nga vendburimi i njohur tek i panjohuri”, apo “nga i panjohuri tek i njohuri”? Enveri pranoi të binte ndesh me metodën dialektike të njohjes, duke thënë se në këtë çështje mund të bëhej një shmangie nga parimi filozofik! Kjo çoi pastaj në situata kritike të jashtëzakonshme, për të cilat ai “filozofi i madh”-“antifilozof” nuk e kishte problem të kryqëzonte armatën e inxhinierëve e specialistëve, si sabotatorë e agjentë të të huajve. Ashtu si në rastin e naftës, Hoxha dilte kundra e shprehte dyshime të forta për mjaft nga refleksionet dhe mendimet shkencore të historianëve të shquar të Shqipërisë. Unë kam pasur rastin të ndjek vlerësimet e tij për figurën e Haxhi Qamilit. “Haxhi Qamili, shkruante Hoxha në shënimet e tij, ka qenë një figurë udhëheqëse e fshatarësisë kundër bejlerëve dhe agallarëve”.

Madje, absurditeti i tij shkonte më tej, duke e tipizuar kreun e lëvizjes bashibozuke si “njeriu i popullit që mbështeti dhe zhvilloi luftën e klasave”(!). Ky ishte gjykimi i Hoxhës për këtë prijës injorant të revoltës së disa grupeve fshatare, me prirje filoturke për të risjellë në Shqipëri sundimin e huaj. Të them të drejtën, asnjëherë nuk e kuptova nga buronte ky zell i Enverit për të himnizuar Haxhi Qamilin, njërën nga figurat më të urryera të historisë së shqiptarëve. Nuk besoja se kjo buronte nga injoranca dhe mungesa e njohjes. Asokohe, jo vetëm Enveri, por një pjesë e madhe e intelektualëve shqiptarë i dinin mirë bëmat e kreut të lëvizjes xhonturke në vendin tonë.

Thirrjet e Haxhi Qamilit “Duam babën!”, që nënkuptonin sulltanin, ishin bërë profetike për shumëkënd në atë periudhë. Fakti që ai kishte mosmarrëveshje me disa bejlerë të Shqipërisë së Mesme, të cilët nuk e mbështetën në luftën për “Babën”, kurrsesi nuk e shndërron në prijës të fshatarësisë së varfër.  Djegia e disa faltoreve e kishte shndërruar Haxhi Qamilin në një figurë tejet të urryer përmasat e gjera. Historianët, të çuditur me konkluzionet e Enverit për “kontributet” e Haxhi Qamilit, në rrethanat brutale të kohës, detyroheshin të heshtnin. Pati syresh që u “pajtuan” nga zori me vlerësimet historike të udhëheqësit për “prijësin legjendar të luftës së klasave”, por kjo vetëm për t’i shpëtuar ferrit të burgjeve të regjimit. Sidoqoftë, rasti “Qamili” nuk ishte i vetmi në gjykimet subjektive të diktatorit për historinë dhe figurat historike. Ai e kishte praktikë imponimin jashtë kritereve dhe standardeve shkencore të epokave dhe ngjarjeve historike. Ata që e kundërshtonin për ndonjë çështje të caktuar, siç ishte rasti i historianit Dilaver Radeshi, Hoxha i adresonte në “bibliotekat” e Spaçit apo të Qafës së Barit për “t’u kthjelluar” në studimet e tyre…

ZEMËRAK ME TË TJERËT

Tërë kohën Hoxha ka qenë tejet i kursyer në fjalë me ndihmësit e vet. Shumë herë ato (fjalët) i zëvendësonte me gjeste. Ai ishte i kujdesshëm në mënyrën si shfrytëzonte e kontrollonte punën e zyrtarëve të kabinetit të tij. Një gjë që duhej ta bënte vartësi, Hoxha nuk e prekte me dorë. Kur përfundonte puna, nganjëherë, sipas rëndësisë së materialit, mund të të thërriste për t’ia lexuar. Gjatë dëgjimit ishte shumë i vëmendshëm, mbante shënime dhe, në fund, bënte vërejtjet përkatëse. Në të shumtën e rasteve i binte në të ndonjë ideje të hedhur pa vëmendjen e duhur, ose që mund të interpretohej me dy kuptime. Kur shkruante, rrallë mund të bënte ndonjë korrigjim.

Zakonisht shënimet e tij ishin të pastra dhe shkrimi i lexueshëm. Kur të ngarkonte ndonjë detyrë, të jepte kohën e mjaftueshme, të cilën e llogariste mirë dhe, kur nuk kishe mundur t’i përgjigjeshe në afatin e caktuar, gjë që ndodhte rrallë, të thërriste për të mësuar përse ishe vonuar. Asnjëherë nuk lejonte të kalonin afatet, për çfarëdo arsyeje qoftë. Nuk e shfaqte lehtë kënaqësinë kur kënaqej nga puna e vartësve. Ishte tmerrësisht i kursyer në falënderime dhe lëvdata. Në ndonjë rast kur ai e gjykonte zvarritjen si një neglizhencë, zemërohej, qortonte dhe bërtiste fort, madje edhe mund të fyente. Më kanë mbetur në mendje rastet e marrëdhënieve të Hoxhës me disa udhëheqës të Partisë.

Një ditë, aty nga viti 1974, ishim duke punuar në zyrën e Haxhiut (Kroit). Nga dhoma e punës së Enverit dëgjuam të bërtitura që shtoheshin gjithnjë e më tepër. Po bisedonte me njërin nga sekretarët e KQ që ishte ndër anëtarët më të rëndësishëm të Byrosë Politike. -Na e kanë sjellë në majë të hundës, maskarenjtë. Me këto që po më thua, më ngrite nivelin e sheqerit në gjak. E di unë si e duan ata plehra, por duhet përgjuar momenti për goditje të rrepta. Duhet vepruar me takt dhe kujdes, që ata të mos kuptojnë se jemi në përgjim të poshtërsive të tyre. Pra të flenë të qetë, se prapa kokës do ta kenë. Pas disa çastesh pamë sekretarin e KQ që doli nga zyra. Ishte i vërejtur dhe i skuqur në fytyrë, kaloi pa folur asnjë fjalë dhe pa na përshëndetur, sikurse bënte zakonisht. U pamë në sy me kolegun pa bërë asnjë fjalë. Në parti kishte shumë gjëra që kur dëgjoheshin, nuk mund të përgojoheshin. Aty për aty nuk kuptuam për cilët u bë gjithë ajo gurgule, veçse pak kohë më vonë “Violinës së Nastradinit” iu dëgjua zëri: shumë gjeneralë shkuan në plumb. Ky ishte fati tragjik i pjesës më të madhe të drejtuesve të ushtrisë partizane.

Nga ko mandantët dhe komisarët e 24 brigadave partizane, rreth 30 syresh u pushkatuan, burgosën ose internuan pas Luftës! Kur po redaktoja një bisedë që Hoxha kishte incizuar në zyrën e tij me një anëtar të Byrosë Politike, lexova me habi: -Je mendjemadh ti, shoku…, apo nuk je? -Po, si të them…ndoshta jam, shoku Enver, – përgjigjej anëtari i Byrosë Politike me gjysmë zëri, i zënë ngushtë. -Po përse je, përse nuk punon të edukosh vetveten? Si ndihesh në raport me të tjerët? Nuk e di që “mendjemadhësia shkon kaluar dhe kthehet me këmbë”? Kur flet para meje, dukesh qengj i urtë, por kur largohesh e shkon te Ministria jote, bëhesh tjetër njeri. I harron të gjitha dhe nuk thua më: “Do të bisedoj me shokun Enver për çështjen në diskutim”, por deklaron i kapardisur: “Do t’i them Enverit të merren masa për këtë problem!”

Këto nuk të nderojnë, more vesh apo jo… -Shoku Enver, unë punoj për t’u edukuar, por ndonjëherë edhe nxehem, se shokët… edhe nuk punojnë kurdoherë mirë. Patjetër e pranoj që kam edhe gabime… -Po hakmarrës je ti? Më kanë ardhur në vesh disa fakte të tilla. Nuk të vjen rëndë që vartësit janë të pakënaqur nga marrëdhëniet që ke krijuar në dikasterin ku drejton? Më kanë thënë se ke shfaqje të lokalizmit, se merresh me cikërrima. Kjo do të thotë se ti nuk studion sa duhet, por mbytesh me një lugë ujë. Apo jo? -Kam pasur ndonjë rast që jam marrë me gjëra të dorës së dytë, por Partia po na mëson përditë si t’i ndajmë gjërat e mëdha nga të voglat…

Lokalist, ma merr mendja, nuk duhet të jem, por partia dhe ju, shoku Enver, na njihni më mirë. -Përse me ty do të merret gjithnjë Partia për këto gjëra? Pak ka bërë ajo që të solli gjer këtu, në Byronë Politike? Ti e di mirë se shumë shokë të Luftës nuk e kanë pritur mirë ngritjen tënde në forumin më të lartë të udhëheqjes, që të bëri Kongresi i Parë i Partisë. Ki kujdes se me shfaqje të tilla shumë si puna jote kanë marrë tatëpjetën. E di ti ç’është tatëpjeta? Do flasë me shokët të kujdesen për ty, të ta lajnë kokën mirë e mirë. Dakord, kështu? -Si urdhëron, shoku Enver, kini shumë të drejtë. Kam reflektuar e do reflektoj edhe më shumë. Se ne edhe gabojmë, se…kaq i kemi llambushkat. Ju keni zemër të madhe, na doni, na mësoni, na mbani afër për të mirën tonë…t’u kemi sa malet, – përfundoi anëtari i Byrosë Politike, urtë e butë, i trembur dhe i hutuar, thua se nuk ishte ai kapadaiu që njihnin mirë bashkëpunëtorët e tij.

M’U ZHDUK QË ANDEJ!

Për të komunikuar më lehtë gjatë diskutimeve, në sallën e mbledhjeve të Byrosë Politike u porositën disa aparatura të “sofistikuara” nga jashtë. Ai që donte të
fliste, shtypte butonin dhe fjala e tij dëgjohej nga salla. Kur mbaronte, e shtypte përsëri butonin që të dëgjohej bashkëbiseduesi i radhës. Kur filloi të fliste Enveri, në vend që të shtypte butonin për t’iu dëgjuar zëri, po bënte të kundërtën. Meqenëse po ngatërrohej keq e po nervozohej me veten, ndërhyri me telekomandë tekniku i aparaturave të zërit, një djalë i urtë dhe profesionist i zgjedhur.

Enveri, që e pa kush ndërhynte, duke kujtuar se ai po e ngatërronte, i bërtiti me zë të lartë në mes të mbledhjes: -Çfarë bën ti, përse na ngatërron, merr apo s’merr vesh nga kjo punë? Në qoftë se nuk di, zhduku këtej, mos të të shikoj me sy! Tekniku natyrisht nuk foli. As anëtarët e Byrosë Politike dhe të Komitetit Qendror të pranishëm nuk u ndien, të paktën për t’i thënë si mund të veprohej me butonin për komandimin e aparatit. Në sallë kishte rënë heshtja, asgjë s’pipëtinte. Specialisti i pafajshëm, i skuqur në fytyrë, nuk dinte ç’të bënte. E takova pas disa ditësh, ishte i mërzitur, sa donte ta linte punën, por nuk guxonte, sepse, pas asaj që ndodhi, ky akt mund t’i merrej si protestë.

enver hoxha

Finok i kurtheve ndaj shokëve: Enveri ishte mjeshtër i prapaskenave

Te Enveri bashkëjetonin njëkohësisht engjëlli dhe djalli, shprehet në kujtimet e tij Vahid Lama, ish-ndihmësi i tij, duke veçuar profilin prej finoku në kurthet ndaj shokëve dhe vartësve. Me lëkundjet e shpeshta të raporteve me të tjerët dhe goditjet e papritura ndaj bashkëpunëtorëve, madje edhe ndaj të himnizuarve prej tij, Enveri, shkruan Lama, përpiqej t’i përqasej Stalinit.

Hoxha, kujton sekretari personal i tij, kishte një nuhatje politike të veçantë në zgjidhjet që i duheshin për momentin, pavarësisht nga morali dhe kostoja e tyre. Ambicia për fitore, e mbrujtur me egoizëm dhe dhunë, ishte tipari i tij dallues. Këtu ai mundohej të imitonte Stalinin, që e kishte idhullin e tij. Ashtu si Stalini, edhe Hoxha ishte mjeshtër i intrigave në përballjen me kundërshtarët, madje edhe kur ata kishin të drejtë. Nuhaste situatën, sensibilizonte mjedisin dhe jepte goditjen e rrufeshme atëherë kur duhej. Kjo rrëzon vlerësimin e dëgjuar shpesh, sipas të cilit Enveri nuk i njihte prognozat politike dhe ishte i përciptë në analizat që bënte. Ai nuk e kishte vështirë të premtonte miqësi të përjetshme me njerëz, politikanë dhe shtete e t’i prishte ato kur ia kërkonte interesi i pushtetit personal. Fjala e dhënë për të nuk kishte gjithnjë vlerë.

Mikun, të cilit i thurte lëvdata sot, pa mëshirë e ngurrim e shpallte nesër armik. Rasti më tipik ka qenë mënyra e sjelljes ndaj Mehemt Shehut para dhe pas vetëvrasjes. Ai “biri besnik dhe i lavdishëm i partisë dhe i popullit, internacionalisti dhe heroi i luftës së Spanjës,” pa fashitur mirë jehona e lëvdatave do të shndërrohej “armiku më i rrezikshëm, poliagjenti i të gjitha agjenturave, CIA-s, KGB-së, UDB-së, organizatori i grupeve reaksionare që kishin vepruar në Shqipëri gjate 40 vjetëve”, etj. etj.

Enveri akuzonte Shehun, të njohur si ekstremist i majtë, për zbutje të luftës së klasave, pse kishte fejuar djalin me vajzën e një familjeje intelektuale tiranase, për të cilën pak kohë më parë ai bashkë me Nexhmijen e kishin uruar “përzemërsisht” në familje. Me këtë vijë sjelljeje, Hoxha zhduku gati gjithë lidershipin komunist të kohës së luftës dhe mjaft nga protagonistët e regjimit komunist. Për të, sikundër  për Stalinin, i rëndësishëm mbetej pushteti personal, pavarësisht tragjedive dhe tronditjeve shpirtërore që shkaktonin goditjet në emër të luftës së klasave…

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura