EKSKLUZIVE/ “Na ke shqetësuar shokun Enver!”- Sekretari personal i diktatorit zbardh përplasjen me “nënën e sherrit’! Ju tregoj takimin e fundit me Nexhmijen: U shndërrua si bishë!

Oct 19, 2021 | 13:56
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha-Nexhmija-1-Vahid-Lama-PanoramaGazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm rrëfimin e ish-sekretarit personal të Enver Hoxhës, juristit Vahid Lama i cili i shërbeu në paradhomën e tij për 13 vite dhe më pas u dënua nga regjimi për agjitacion dhe propagandë.

Vahid Lama tregon takimin e fundit me Nexhmije Hoxhën, që sipas tij ishte ‘nëna e sherreve”.

Në kujtimet e tij që publikohen ekskluzivisht nga gazeta Panorama.al, Lama tregon bisedën me tone të larta në zyrën e Nexhmije Hoxhës, që sipas tij mbante qëndrime të kundërta dhe se ‘terrorizonte redaktorët e librave apo ditarëve të Enverit’.

Ish-sekretari personal i Enverit tregon se si u kris përfundimisht marrëdhënia me Nexhmijen dhe arsyet e sherrit që sipas tij ishin të stisura dhe pretekste.

Në numrat e mëparshme, Lama tregonte se si Nexhmija ishte përkufizuar nga Enveri si njeriu më i besuar i tij pra “kasaforta e Komitetit Qendror”.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

TAKIMI I FUNDIT ME NEXHMIJEN

Të nesërmen e bisedës telefonike nga Pogradeci, zonja Hoxha u kthye në Tiranë për të sqaruar arsyet për “redaktimin e keq të librit të Enverit”. Sa ishte futur në zyrën e saj, më mori në telefon dhe m’u drejtua jo si zakonisht: -Eja këtu tek unë!, Nexhmija jam.. Shkova menjëherë. Ajo ishte shpërfytyruar nga zemërimi. Sa më pa te dera, m’u drejtua me një ton të vrazhdë: -Ti na ke shqetësuar shokun Enver!

Çfarë bën ti aty? Përse nuk u kërkon llogari redaktorëve, që shpeshherë i gjej duke dremitur mbi tavolinë? Përse nuk vazhdon si më parë? Ç’po ndodh me ty? E di që do përgjigjesh për këto… Më gjatë nuk mbaj mend çfarë mund të ketë thënë, me dukej vetja si në ëndërr dhe ajo që kisha përpara më ngjante me një bishë. Nuk kisha ç’të humbisja. Nuk desha t’ia di më për të, sido që ishte e plotfuqishme dhe mund të më bënte gjëmën si shumë paraardhësve të mi. Një moment m’u krijua përshtypja sikur zyra ishte mbushur me tym që të zinte frymën. Paska një cak ku vetëpërmbajtja pushon së qeni virtyt. Në çastet kur po tejkalohej ky cak, mblodha veten dhe iu përgjigja:

-Më vjen keq që është shqetësuar shoku Enver, por ju e dini që unë nuk mund të merresha me redaktimin e atij materiali, kur po redaktoja një tjetër për të cilin isha ngarkuar. Madje punoja ditë e natë, bashkë me shokët, duke pushuar vetëm 5-6 orë në ditë. Kemi biseduar që “Ditari” i shokut Enver kërkon shumë punë për t’u redaktuar, se është shkruar shumë rrallë në të, ka shumë boshllëqe për periudha të rëndësishme e të gjata kohe, të cilat po i plotësojmë, duke shfletuar kalendarë, enciklopedi dhe shtypin e përditshëm ndër vite. Pra nuk po redaktojmë, por po përshtatim një “Ditar” thuajse të ri, meqenëse duhej botuar patjetër “i kompletuar”.

-Dje më porositët në telefon të përgëzoja Fatri Sinanin për redaktimin e mirë që kishte bërë, sot për të thoni të kundërtën dhe shpreheni se atë libër e keni grisur, madje edhe për fajin tim! Nuk po kuptoj kush i ndërlikon kaq keq këto punë, kush e krijon këtë lëmsh. Në zyrë ra një qetësi e akullt.

Kujtimet Enver Hoxha

Madje, më tepër se një heshtje e ngrirë, ajo ishte një pritje e ankthshme, që aty për aty më dukej e gjatë, tmerrësisht e gjatë. Si kaluan ca çaste kështu, e zonja e zyrës, e nxirë në fytyrë, urdhëroi një tjetër për t’u paraqitur aty, çka nënkuptonte se unë duhej të largohesha sa më parë, bile pa thënë as “ditën e mirë”. Tanimë gjërat dukeshin qartë. Kisha humbur gjithçka si në një ëndërr të keqe.

Një humnerë e madhe ishte hapur midis nesh. Stuhia ishte fare pranë. S’kishte dyshim që porta e skëterrës tashmë ishte fare pranë, madje jo vetëm për mua. Kishte ndodhur diçka e rëndë, që me gjithë mend nuk po e kuptoja. Vetëm Zoti mund ta dinte. Biseda kritike rreth një ministri, sado e ashpër të kishte qenë, nuk mund të justifikonte kurrsesi pasojat që po më kanoseshin. Më mbetej të përgatitesha shpirtërisht për të përballuar sfida të vështira. Tjetërkund e kishte hallin diktatori dhe gjetkë po e kërkonte zgjidhjen! “Redaktimi i keq i librit” ishte një sajesë e turpshme e “mëmës së sherrit”.

Ajo mund të fliste si të donte, se e dinte që s’kish kush ia rrudhte gojën. Nuk ishte hera e parë, as e fundit që ajo vepronte kështu në “Pallatin e Ëndrrave”, si bashkëpunëtore e burrit të saj. Zonja e Hoxhës ishte drejtoreshë e Institutit të Studimeve “Marksiste-Leniniste”, por edhe unë isha ndihmës i sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë. Ashtu sikurse ajo, edhe unë isha zgjedhur në Kongresin e fundit të Partisë anëtar Plenumi, çfarë nuk e lejonte të më thërriste në zyrë si truprojën e saj e, ca më pak, të më fliste me gjuhën e padrones. Një sjellje e tillë nuk i lejohej as me shërbëtoren e vet e jo me mua, pavarësisht se punoja pranë të shoqit.

Këto dukuri të përçudnuara, ku ngatërroheshin rëndom raportet familjare me ato partiake, nuk kishin ndodhur vetëm me mua, por edhe me shumë të tjerë, sepse në Parti sundonte çifti Hoxha me puthadorët që i vinin rrotull. Unë këtë lloj komunikimi e kuptoja mirë, se për shumë vite qëndrova diku afër folesë së tyre. Kisha parë me neveri e tmerr si kafshonin dhe helmonin. Kush guxonte të bënte edhe gjestin më të vogël të mosmiratimit të bëmave të tyre, përfundonte në burgim të pafund, në qoftë se kishte fatin t’i shpëtonte pushkatimit.

NExhmije Hoxha11

Aventura e Hoxhës: Në Shqipëri të ndëshkohen armiqtë e botës

Për të mbrojtur “internacionalizmin proletar” u ngrit një “mendje e ndritur” dhe propozoi të parashikohej një dispozitë në Kodin Penal, sipas së cilës “në qoftë se kapeshin këtu, në tokën shqiptare, të ndëshkoheshin të gjithë ata persona për të cilët mendohej se kishin cenuar, në një mënyrë ose një tjetër, interesat e lëvizjes punëtore ndërkombëtare!”. Hoxhës i pëlqeu ky “origjinalitet” dhe ndërhyri për ta sanksionuar sa më parë në ligj, për t’i ardhur në ndihmë “klasës punëtore ndërkombëtare” dhe për t’i dhënë dorë të lirë Ministrisë së Brendshme që të kapte cilindo nga shtetasit e huaj që mendohej se “kishte cenuar interesat e proletariatit botëror”!

Projekti nuk përjashtonte as diplomatët e huaj, të çfarëdo rangu qofshin. Kjo parakuptonte shkeljen flagrante të normave të së drejtës ndërkombëtare. Pra, në qoftë se Perandori i Etiopisë, që gëzonte imunitetin parlamentar të kryetarit të shtetit, do udhëtonte në Shqipëri si turist, ose do të zbriste transit në Rinas, Policia sekrete shqiptare duhet ta prangoste menjëherë, sepse ai, si Perandor, kishte cenuar interesat e klasës punëtore të Etiopisë.

Unë si jurist ndërhyra disa herë me takt, por ishte e pamundur t’i ndërroja mendje. Projektligji i famshëm ishte një derivat i konceptit politik të Hoxhës, sipas të cilit në gjithë botën “borgjezo-revizioniste” shtetet luftonin kundër interesave të proletariatit, prandaj cilido kryetar shteti, që mund të vinte këmbën në Shqipëri, do të arrestohej për krim kundër shtetit! Ndoshta te ky koncept e merrte frymëzimin edhe kënga “popullore”: “Kjo është shpata që u rri te koka gjithë armiqve që ka bota”…

Po të ndodhte marrëzia, që Shqipëria e vogël të vepronte, qoftë edhe në një rast të vetëm, si xhandar i botës e të arrestonte në Tiranë kryetarin e një shteti borgjez nën pretekstin se kishte “shkelur interesat e klasës punëtore të vendit të tij’, do të shkaktohej skandal ndërkombëtar i paprecedentë. Qe një fat i madh që Hoxha, pas shumë e shumë debatesh me juristë e njerëz mendjehapur, hoqi dorë nga kjo ide, që as Stalinit, të njohur për kësi aventurash, nuk i kishte vajtur mendja ta bënte. Unë deri vonë e kam pasur në bibliotekën time variantin e atij projektligji të çmendur.

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

LEXO KETU EDHE:

ESKLUZIVE/ “Nexhmija ishte ‘nëna sherrit’”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Si i terrorizonte redaktorët e librave të Hoxhës! Ramiz Alia ta hidhte ‘kopilin’ në…(PJESA 10)

EKSKLUZIVE/ “Ç’qenka ky ligj që i lidhka duart Parisë?”- Sekretari personal i Enverit zbulon prapaskenat: Halli i ministrit të Drejtësisë me Hoxhën: Si e aprovuam, s’është ligj i drejtë! Gjykatat po abuzojnë me pavarësinë e tyre (PJESA 9)

EKSKLUZIVE/ “Enveri edhe sikur ta shqyente Ismail Kadarenë me gjithë lecka s’ngopej”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Telefonata e koduar e ministrit të Brendshëm; ai miku na la shëndenë! (PJESA 8)

EKSKLUZIVE/ “Enveri shpërtheu në delir e filloi të këndojë ‘Për ty atdhe’ kur u dënua ish-ministri!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Ju rrëfej çastet kur Hoxha ndiqte nga zyra gjyqin e Beqir Ballukut! (PJESA 7)

EKSKLUZIVE/ “Nexhmija është ‘kasaforta’ e KQ”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Enver Hoxhës: I zinte besë vetëm gruas! Ajo lexonte shkresat ‘tepër sekrete” edhe pse s’i takonte!  (PJESA 6)

EKSKLUZIVE/ “Enveri admironte Haxhi Qamilin, e quante prijës të luftës së klasave”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Hoxhës: Si i caktonte burimet e naftës nga zyra në KQ (PJESA 5)

EKSKLUZIVE/ “Këngët ishin si bonbone të mbushura me helm e të lyera me…”- Sekretari personal i diktatorit zbulon prapaskenat: Si nisi debati në zyrën e Enver Hoxhës për Festivalin e 11-të (PJESA 4)

EKSKLUZIVE/ “Mo e cyt ma muhabetin!”- Publikohen kujtimet e sekretarit personal të Enverit: Si i zbardhnim në letër gjestet e Hoxhës! Nga skërmitja e dhëmbëve, grushti mbi tavolinë dhe prekja e bërrylit! (PJESA 3)

EKSKLUZIVE/ “Haxhi Kroi, një Enver i dytë në Komitetin Qendror”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të diktatorit: Pa qërohuni andej, ti me gjithë atë tjetrin që…Ju rrëfej veset e Hoxhës (PJESA 2)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura