EKSKLUZIVE/ “Rri më mirë larg politikës!”- Zbardhen kujtimet e sekretarit personal të Diktatorit: Unë, juristi që punova 13 vite në paradhomën e Enverit! Mesazhi kërcënues i Haxhi Kroit që në takimin e parë

Sep 29, 2021 | 23:23
SHPËRNDAJE

Vahid Lama-sekretari i Enverit-denimi-PanoramaAFRIM IMAJ/ Enveri siç e pashë dhe e njoha në zyrën e tij! Rrëfimi ndryshe për profilin e diktatorit ka autorësinë e juristit Vahid Lama, zyrtarit që punoi 13 vite në paradhomën e kreut të regjimit. Enveri që zbulon në dorëshkrimin e kujtimeve ndihmësi i tij, është krejt tjetër nga ai që shfaqej para shqiptarëve. Hipokrit e demagog, zemërak me kolegët e vartësit, mjeshtër i aktrimit dhe ironisë, finok në kurthet ndaj tjerëve, i pabesë e hileqar me shokët, pervers e dashakeq si ai etj.

Përtej sjelljeve të tilla, Lama ndriçon raportet e panjohura midis krerëve të shtetit, rrethin e ngushtë të miqve dhe bashkëpunëtorëve me të cilët diktatori ndante përditshmërinë dhe kafen e mëngjesit, rolin e Haxhi Kroit në axhendën ditore, pozicionin e veçantë të Ramiz Alisë në grupin e afërt që punonte me Enverin, redaktorët e besuar të librave të tij, peshën e Nexhmije Hoxhës në vendimmarrjen e kreut të regjimit, si “nëna e sherrit” në aparatin e KQ dhe e besuara e vetme e tij.

Po kaq interesante janë episodet ku ndihmësi i Enverit shpjegon ndikimin e temperamentit dhe sëmundjes kronike në sjelljet e nxituara, mënyrën si përpunohej akuza në zyrën e sekretarit të Parë për ministra e gjeneralë që dilnin tradhtarë, sjelljet e dyzuara me njerëzit e artit dhe kulturës, prapaskenat për dënimin e Festivalit të 11-të, diskutimet misterioze në zyrën e diktatorit për poemën e Kadaresë “Në mesditë u mblodh Byroja Politike” dhe tërheqja e diktatorit nga ideja për ta goditur shkrimtarin e shquar!

Vahid Lama-foto1

PARA SE TË SHKOJA NË KQ

Kisha mbaruar Fakultetin e Drejtësisë më 1958-n dhe, pas gjashtë muajsh punë si ndihmësprokuror i Durrësit, u transferova në Krujë me detyrën e kryetarit të Gjykatës së Rrethit. M’u desh të bëja përpjekje të mëdha për të fituar praktikën e munguar. Isha pa përvojë. Veç kësaj, në atë kohë as në gjykatë, as në prokurori, për fat të keq, nuk kishte ende juriste. Të gjithë ishin përgatitur në kurse disamujore dhe vazhdonin gjimnazin e mbrëmjes. Kuptohet, niveli teorik i tyre linte shumë për të dëshiruar, sido që kishin fituar përvojë dhe shprehi në punë. Në këto kushte, ne kishim nevojë për njëri-tjetrin, sepse përvojën që më mungonte mua e gjeja tek ata dhe, atë që u mungonte atyre, e merrnin nga unë.

Edhe kjo nevojë e ndërsjellë ishte një arsye më tepër që midis nesh të krijoheshin marrëdhënie të mira. Pas dy vitesh punë më thërrasin në Komitetin e Partisë së rrethit dhe më shfaqën mendimin se detyra që më ishte ngarkuar “mund të kryhej më mirë, duke bërë pjesë në radhët e partisë. Futja në parti do të të japë dorë, sepse kështu besimi dhe ndihma e saj ndaj teje do të shtoheshin”. Këtë propozim të tyre e prita mirë, jo se kisha bindje dhe botëkuptim komunist, por më tepër si një veprim pragmatist që më ndihmonte në mbarëvajtjen e punës. Në shtëpi u tregova njerëzve të mi që së shpejti prisja pranimin në parti. Një pjesë u gëzuan dhe e pritën mirë, ashtu si unë. Por ndryshe mendonte pjesa tjetër e, në mënyrë të veçantë, më i moshuari dhe i urti i fisit tonë, që më donte shumë.

Ai, me një ton gati qortues, më pyeti nëse ishte e vërtetë ajo që kishte dëgjuar për hyrjen time në parti. Po, iu përgjigja. Pasi u mendua pak, sikurse e kishte zakon, m’u drejtua me këto fjalë që kishin qenë profetike: -“Ndigjo more bir, unë jam aq i vjetër, sa kam mbajtur në prehër edhe babën tënd kur ishte axhami. Kam jetuar gjatë në këto troje dhe kam dëgjuar shumë. Fisi ynë është përmendur në këto anë për urtësi dhe ndershmëri, por kurrë për politikë. Kur u bërë gjykatës, na gëzove të gjithëve. Ajo punë, sikurse e kuptoj unë, është zanat dhe madje i respektuar. Përse po merr pjesë në politikë? Inshallah jam i gabuar, por kam frikë, se duke hyrë në parti, mund të vijë një ditë që të pendohesh. Ndigjo babën, rri më mirë larg politikës. Janë marrë shumë njerëz me politikë, vazhdoi ai, por nuk kanë qenë të shumtë ata që e sosën me faqe të bardhë. Mos e hidh hapin more djalë në drejtime që s’kanë dashur ta hedhin të parët e tu.

Këshillat e “babës së madh”, sikurse e thërrisnim të gjithë, nuk më ngjitën atëherë, se mendoja që kohët e jetuara prej tij kishin ndryshuar. Nuk gjykoja asokohe që të vërtetat e mëdha janë të përjetshme… U futa në radhët e Partisë së Punës të Shqipërisë. Punët po më ecnin mirë. Me kalimin e kohës, cilësia dhe organizi mi i punës në Gjykatë po vlerësohej mirë jo vetëm në rreth, por edhe më tej. Në një konferencë partie në Krujë, pas gjashtë vitesh në Gjykatë, më zgjodhën anëtar të Plenumit të Komitetit të Partisë së Rrethit. Ndihmesa ime për Komitetin e Partisë kishte qenë më tepër në përgatitjen e materialeve me shkrim për plenumet dhe konferencat e partisë së rrethit. Kjo ndihmë vlerësohej shumë nga sekretarët e Komitetit të Partisë, të cilëve në këtë mënyrë u bëja një pjesë të punës që u takonte atyre. Në Gjykatën e rrethit të Krujës kalova shumë mirë.

Marrëdhëniet me bashkëpunëtorët dhe bashkëqytetarët karakterizoheshin nga korrektësia dhe paanësia në zbatimin e ligjit, nga nderimi i ndërsjellë. Krutanët ishin të kënaqur që gjykatën e drejton një vendës, sepse zakonisht kuadrot drejtues të partisë, të organeve vendore qeverisëse, të Prokurorisë dhe të Degës së Punëve të Brendshme ua sillnin nga rrethe të tjera. Ndihesha i lumtur që bashkëqytetarët më donin, më inkurajonin e më përkrahnin. Proverbi latin: “As profetët nuk kanë vlerë në vendin e tyre”, me sa duket, ishte plakur dhe e kishte humbur kuptimin e tij. Kështu patën shkruar në atë periudhë në dy artikuj të tyre për Gjykatën e Krujës Niko Nikolla dhe Naum Prifti, asokohe gazetarë.

Vahid Lama-foto-Haxhi=Kroi-KQZ1

NË KQ, PËR HERË TË PARË

Ishte shtatori i vitit 1966 kur më thirrën në Komitet Qendror. U paraqita sipas rregullit, me letërnjoftim në dorë. Ishte hera e parë që shkoja aty. Pasi kalova postbllokun e oficerëve që ruanin udhëheqjen, hyra në ndërtesë. Duke u ngjitur nga kati në kat e duke ecur nga korridori në korridor, vura re se në çdo qoshe kishte oficerë hijerëndë, që bënin sikur nuk shikonin, por që përgjonin çdo lëvizje. Mjediset brenda ishin të heshtura, dritëpakëta e të mugëta, që nuk e di përse më ngjallën ndjenjën e vetmisë. Hysni Kapo më priti në zyrën e tij, të mobiluar bukur e me shije. Me të nuk isha takuar ndonjëherë. Sa u përshëndetëm, Kapo më ftoi të ulesha dhe, duke buzëqeshur, më tha: “Puna jote në Gjykatën e Krujës është vlerësuar e mirë. Populli atje, partia në rreth, shokët e Gjykatës së Lartë e të Ministrisë së Drejtësisë janë të kënaqur, prandaj Byroja Politike ka vendosur t’i rekomandojë Kuvendit Popullor që, në mbledhjen më të afërt, të të zgjedhë anëtar të Gjykatës së Lartë”.

Nuk më kishte shkuar në mend që një ditë do të bëhesha gjyqtar i Gjykatës së Lartë, përkrah pedagogëve të mi të respektuar, që e ushtronin atë detyrë prej kohësh. Ç’është e vërteta, Gjykata e Lartë e asaj kohe, me ndonjë përjashtim, përbëhej nga juristë me përvojë të gjatë në gjykata, të aftë, mjaft prej tyre të arsimuar jashtë shtetit, madje edhe në Perëndim, të shquar në fushën e tyre, shumica pedagogë me emër të Fakultetit të Drejtësisë, të njohur për profesionalizëm dhe kulturë të gjerë. Më vjen keq që shumica e tyre nuk jetojnë më. Ata na kanë lënë një trashëgimi të pasur në libra me vlerë, që shërbejnë edhe sot si model i trajtimit shkencor të disiplinave të ndryshme të së drejtës. Falënderova Kapon për konsideratën dhe çmimin e punës sime.

Ndërkohë sigurova se nuk do të më mungonin ndershmëria dhe përkushtimi në kryerjen e detyrës tepër të rëndësishme që po merrja përsipër. Dhe u largova i kënaqur. Pas disa ditësh, më 14 shtator 1966, Kuvendi Popullor natyrisht miratoi propozimin e Byrosë Politike. Të nesërmen më thirrën në Gjykatën e Lartë. Fati e deshi që të më caktonin në Kolegjin Civil, ku për gjykimin e çështjeve të tilla partia nuk ishte e interesuar drejtpërdrejt, sikurse vepron te për “krimet” kundër shtetit dhe, rrjedhimisht, mund t’u shmangeshe më lehtë ndërhyrjeve të partiakëve, që kërkonin të fusnin hundët në punët e Drejtësisë për të përkrahur miqtë e tyre.

SEKRETARI I ENVERIT, ZHGËNJIMET E PARA

Pas shumë vitesh punë në Drejtësi, një ditë të hëne, më 6 janar të vitit 1969, u thirra në KQ. Më priti ish-sekretari i Komitetit Qendror, Xhafer Spahiu, i cili më komunikoi: “Partia ka menduar të të emërojë ndihmës të shokut Enver, një detyrë kjo e nderuar dhe me përgjegjësi. Ti je jurist me përvojë. Do të kesh edhe ndihmën e shokut Haxhi Kroi, një kuadër i vjetër i Partisë, i përkushtuar ndaj Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror”. Kjo për mua ishte diçka e papritur. Nuk kisha kohë as të mendohesha për ofertën, por e mblodha veten shpejt. -Faleminderit për besimin! – iu përgjigja me atë shprehjen klishe, që përdorej rëndom në të tilla raste, – por do ta kem të vështirë, pasi nuk kam punuar kurrë në aparatet e partisë. Unë kam vite që punoj si gjykatës dhe nuk e di sa i përshtatshëm do të isha për këtë detyrë. -Edhe më mirë akoma që je gjykatës. Ky fakt do të të shërbejë për punën që do të bësh. Pikërisht për këtë arsye të përzgjodhëm ty.

Si shqiptoi këto, Spahiu më tha se duhej të vazhdoja punën në Gjykatën e Lartë, derisa të më thërrisnin për të filluar detyrën e re në KQ. Në atë kohë, nga sa kisha dëgjuar, besoja që Hoxha ishte njeri me horizont të gjerë kulturor, personalitet politik i shquar e me emër edhe jashtë Shqipërisë, i dashur dhe komunikues me shokët, miqtë dhe bashkëpunëtorët etj. Prandaj ndihesha edhe i kënaqur që më ftuan të punoja pranë tij, por edhe i shqetësuar kur vrisja mendjen si mund të punoja në zyrën e një personaliteti të përmasave të tilla. Gjer atëherë, më së shumti kisha takuar ndonjë sekretar partie rrethi, por asnjë udhëheqës të rangut të lartë e ca më pak me Enver Hoxhën. Me këto mendime në kokë u largova nga zyra e Spahiut.

Ashtu i menduar, më tepër i habitur nga emërimi i papritur, u ktheva në Gjykatën e Lartë dhe bisedova me nja dy shokë, të cilët më shprehën pak a shumë po atë kënaqësi dhe shqetësim që ndieja. Pas dy javësh, kryetari i Gjykatës së Lartë më thirri në zyrën e tij dhe më komunikoi detyrën në kabinetin e Enverit në aparatin e KQ. Pra, duhet të ndahesha nga shokët dhe nga profesioni, që e desha aq shumë. U paraqita në aparatin e KQ. Një oficer më shoqëri deri te zyra e Haxhi Kroit. Ajo dhomë shërbente edhe si paradhoma e Enverit. Me Kroin nuk njihesha, por emrin ia kisha dëgjuar kur përmendej si sekretar i Hoxhës. Ai më përshëndeti me një lëvizje të kokës, më dha dorën dhe më bëri shenjë të ulesha. Sakaq, vazhdoi të shkruante. Do të ketë në dorë ndonjë punë me rëndësi, mendova. Patën kaluar disa minuta, kur Kroi e ndërpreu të shkruarit për t’u marrë me mua:

Si je, shoku Vahid? – më pyeti me një buzëqeshje që nuk i shkonte me vështrimin e syve të lodhur. Pas bisedave njohëse ku kisha punuar më parë, sa fëmijë kisha etj., ai vazhdoi: – Unë kam ardhur në këtë detyrë para 20 vjetësh. Fillimisht kam qenë mësues, pastaj zëvendësministër i Arsimit, kur erdha këtu, kisha vetëm arsimin e mesëm, kurse ti Vahid, je jurist e mendoj që, po të punosh me ndërgjegje të lartë, do ta kesh më të lehtë nga unë fillimin e detyrës. Shoku Enver, vazhdoi ai, nuk ka pasur ndonjëherë këshilltar, por vetëm ndihmës ose sekretar. Kabineti i tij përbëhet nga dy-tre ndihmesa. Ka kohë që ai ka menduar të kishte pranë vetes një jurist. Ndër kandidatët e propozuar ai të zgjodhi ty. Tani në kabinet do të punojmë unë dhe ti.

Besoj se shoku Enver do të të thërrasë edhe vetë, por paraprakisht, si i vjetër në këtë punë, mund të përmend disa gjëra të fillimit. Më pas, përvoja dhe jeta do të të mësojnë shumë. Pasi u mendua pak, sikur po kridhej në labirintet e së shkuarës, rifilloi me një ton të theksuar prej eprori: – Në këtë punë kanë qenë para teje edhe disa shokë të tjerë, por qëndruan pak, kanë ikur njëri pas tjetrit, të shumtën e herës se nuk përballuan detyrat e ngarkuara, nuk iu përshtatën “tabiateve” të shokut Enver! M’u duk sikur këto fjalë i tha me një seriozitet më tepër nga sa ishte nevoja. Kroi më la të kuptoj se vetëm ai nga gjithë të tjerët kishte mundur ta kalonte sprovën e të mbijetonte, prandaj unë, që të qëndroja aty, duhet të bëja si thoshte ai, ndryshe… M’u krijua përshtypja që ai, në bisedën me mua, u përpoq të sillte një atmosferë që t’i ngjante më fort kërcënimit se ngrohtësisë. Ishte kjo një pritje e vakët që më bëri kolegu i ardhshëm në takimin e parë! Qe një paraqitje jo e këndshme e, mund të them, disi zhgënjyese, ku respekti shoqëror mungonte. Ai, pa përfillur faktin që unë isha gjykatës i Gjykatës së Lartë, foli si me një inferior, që s’ka haber nga punët zyrtare dhe disiplina shtetërore.

VIJON NESER…

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura