“U plagos në sy nga një cifël vogël granate”- Djali i Mehmet Shehut sjell rrëfimin e Liri Belishovës: Jam penduar që u bëra komuniste, u derdhën lumenj gjaku! Donim ta bënim si Holanda, por…

Sep 24, 2021 | 19:00
SHPËRNDAJE

Liri Belishova-Enveri-Mehmet-Shehu-Nako_spiruLiri Belishova ishte ndër të paktat që është “rrëfyer” për jetën e saj dhe ka treguar edhe pendesë për faktin se iu bashkua një kauze, e udhëhequr nga një ideal, nga utopia për një Shqipëri të lirë e më të mirë, madje si Holanda. Kështu do të thoshte, kur do të shihte Perëndimin.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në librin e tij mes biografisë dhe esesë, “Liri Belishova dhe koha e saj”, botimet “UET Press”, Bashkim Shehu tregon jetën, por edhe brengat e Belishovës, një nga figurat më të rëndësishme të pushtetit të ri komunist, më pas e eliminuar politikisht dhe e degdisur në një kalvar vuajtjesh e dramash familjare. Çfarë mendonte për komunizmin dhe Perëndimin.

BASHKIM SHEHU

Kopertina e librit
Kopertina e librit

Lindi në fshatin Belishovë, por duhet të jetë larguar s’andejmi në një moshë tepër të vogël, përtej pragut ku mund të arrijë kujtesa. Familja zhvendoset në Ballsh. Në fundvitet njëzet apo në fillimet e viteve tridhjetë, ndërsa Liria ka lindur më 1926, më 14 tetor 1926 për të qenë më të saktë, Ballshi është një lokalitet me rreth pesëmbëdhjetënjëzet shtëpi, me punishte zanatçinjsh – rrobaqepës, berber, nallban, këpucar – të ardhur më së shumti nga qytetet. Babai i Lirisë, Kamber Belishova, është nëpunës. Ngaqë mbiemri është i njëjtë me toponimin, mund të mendohet se kjo familje ka qenë pjesë e parisë së fshatit ose kreu i saj.

Nuk është familje e kamur: kanë toka dhe disa rrënjë ullinj, po për të gjitha mjafton një bujk i vetëm. Kanë një shtëpi të tipit elbasanas, me katër dhoma, në njërën prej të cilave është një divan i madh. Gjithsesi, jetojnë mirë krahasuar me të tjerët. Janë të qarkuar prej skamjes, e kjo i bën shumë përshtypje Lirisë, e mbreson për tërë jetën. Ushqimi i përditshëm në ato vise është bukë misri me ullinj e me dhallë. Madje, edhe perimet janë pothuajse të panjohura. Dikur, marrin në shtëpi një vajzë të vogël, për ta ndihmuar.

BASHKIM SHEHU

Është kockë e lëkurë, e zbathur, me këmbë të holla si shkopinj. Është në një moshë me Lirinë ose pak më e vogël. Si njëfarë pasqyre, kjo prani e bën mjerimin më të gjallë, më të prekshëm. Është ndër ngjarjet e pakta që përmend nga fëmijëria. Ngjarja tjetër është leximi i romanit “Nëna” të Maksim Gorkit, libër që ia ka dhënë një kushëri i saj, Besim Belishova, student në “Normalen” e Elbasanit. Kësisoj, Liria është njëmbëdhjetë vjeçe kur njihet për herë të parë me idetë komuniste. Nëpërmjet një romani, pra. Njeriu, kjo qenie e brishtë, ka nevojë për një histori, për një rrëfim, që të mund t’u gjejë një domethënie, një shpjegim dhe tekefundit një rrugëdalje andrallave të jetës. Dhe idetë komuniste i duken Lirisë një zgjidhje që do të sillte kapërcimin e varfërisë dhe të prapambetjes së vendit ku i ka rastisur të lindet. Shpëtimin e një vajze të vogël shumë të varfër, të asaj Lirisë tjetër. Fati i mëvonshëm i kësaj vajze të vogël nuk dihet, por dihet ndërkaq fati i Liri Belishovës, ashtu sikurse dihen pasojat e ideve në pushtet, pasojat e një pushteti eskatologjik, për fatin e mëvonshëm të vendit ku rastisi të lindet. * * * Afërsisht në kohën kur lexon Gorkin, pasi mbaron shkollën fillore në Ballsh, Liri Belishova ka shkuar në Berat për të vazhduar ciklin tjetër shkollor.

Një ditë prej ditësh, aty shfaqet një princeshë, princesha Myzejen, motra e mbretit. Në ceremoninë e pritjes që do t’i bëhet princeshës diku në një kryqëzim xhadesh, do recitohet një vjershë. Por nxënësen që është caktuar ta recitojë e pushton një ankth i madh, s’është në gjendje. Atëherë, Liria del e u thotë mësuesve se e merr ajo përsipër dhe ja, e reciton vjershën. Po atë vit, për shkak të vështirësive ekonomike të familjes, e ndërpret shkollimin.

Dhe i dërgon princeshës Myzejen një letër, në të cilën, pasi i shkruan se është ajo nxënësja që ka recituar vjershën për nder të saj, pasi i shpjegon gjendjen ekonomike të familjes, të farefisit, madje edhe të krahinës, i kërkon një bursë për në institutin femëror “Nana Mbretneshë”, në Tiranë.

Vite më vonë, në një regjim tjetër, kjo ngjarje e fëmijërisë do merrte një domethënie politike të rëndësishme. Sidoqoftë, më 1938 Liri Belishova shkon të studiojë në institutin “Nana Mbretneshë”. Është shkolla më e mirë femërore dhe në të njëjtën kohë vatër e propagandës komuniste dhe e antifashizmit.

Vajzat lexojnë literaturë të ndaluar, diskutojnë, veprojnë me aq sa munden, disa prej tyre janë madje të lidhura me grupet e para komuniste, me embrionet e kësaj lëvizjeje në Shqipëri. Më 1941, Liria përjashtohet nga shkolla, e cila tashmë, në Shqipërinë e pushtuar nga Italia, quhet “Nana Skanderbeg”. Shkaku i përjashtimit është një protestë e disa vajzave kundër profesorëve fashistë. Liria është më e reja nga të përjashtuarat, ende s’i ka mbushur pesëmbëdhjetë vjeç.

liri belishovas

Në Arkivin e Shtetit gjendet një letër e Kamber Belishovës, drejtuar autoriteteve, në të cilën ai merr në mbrojtje të bijën duke theksuar se akuza ndaj saj nuk qëndron. Gjithsesi, përjashtimi i vajzave zgjat vetëm disa ditë. Ndëshkim tepër i butë? Varet nga këndvështrimi kohor, nga krahasimi i të tashmeve të ndryshme, të një kohe me një tjetër, me atë që do të vinte pak vjet më pas.

Periudha e pushtimit italian ka qenë për Liri Belishovën ajo e një militanteje gjithnjë e më aktive të rezistencës në kryeqytet, me perspektivën e vazhdueshme dhe shumë të mundshme të burgut dhe të torturave. Në shkurt 1943 bëhet anëtare e Qarkorit të Rinisë Komuniste për Tiranën dhe, automatikisht, anëtare e Partisë Komuniste. I ati, Kamber Belishova, është i merakosur për të bijën, për shkak të rreziqeve ku ajo po e fuste veten. “Kam pesë djem dhe vetëm ty të kam vajzë”, i thotë.

“Po ti, a nuk më ke folur për Luftën e Vlorës?”, ia kthen Liria. “Po mirë, së paku lufto si ushtar i thjeshtë”, i thotë më së fundi babai, “mos merr poste drejtuese, mos merr përgjegjësira”. Dhe Liria: “Sa më shumë përgjegjësi, aq më shumë jep njeriu për popullin dhe atdheun!”. Është gjashtëmbëdhjetë vjeçe. Po atë vit, përjashtohet përfundimisht nga shkolla, bashkë me Fatbardha Toton, ngaqë i kanë gjuajtur me shpulla drejtorit fashist.

Më 28 korrik 1943, gjatë një demonstrate të madhe, me të shtëna armësh, rrapëllima zinxhirësh të tankeve, shpërthime granatash, Liria plagoset. Vetëm pasi futet me një pjesë të turmës në një kafene ndanë sheshit “Skënderbej”, vë re gjakun që i rrjedh. Nga syri: një cifël e vogël granate i ka hyrë në syrin e djathtë. Në spital, ku e çojnë bashkë me disa vajza të tjera të plagosura, mjekohet, po syrin tashmë e ka humbur. Italia kapitullon vetëm disa javë më pas, po Shqipëria nuk është e çliruar, vijnë gjermanët.

Liria ndërkohë është hedhur në ilegalitet. 1944, viti i fundit i Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Qershor. Liri Belishova, shtatëmbëdhjetë vjeçe, sekretare politike e Qarkorit të Rinisë dhe anëtare e Qarkorit të Partisë Komuniste për Tiranën, është arrestuar. Mbas disa ditësh, me ngulmimin e doktor Kristidhit, mik i ngushtë i babait të Lirisë, ajo dërgohet në spital dhe s’andejmi arratiset. Ikën në Korçë, ku fshihet për një kohë të shkurtër. Pastaj shkon në Helmës të Skraparit, ku mbahet Kongresi i Parë i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare, organizatë rinore masive, ose “rrip transmisioni” i Partisë me masat, sipas një metafore të Stalinit për të tilla struktura. Liria zgjidhet anëtare e Sekretariatit të kësaj organizate.

Gusht: Liri Belishova dërgohet në spitalin e forcave aleate në Bari, që t’i vinin një protezë në vend të syrit pa jetë. Është hera e parë që udhëton jashtë vendit. Kalon Adriatikun, një vapor anglez apo ndoshta një nëndetëse angleze, nuk i kujtohet mirë, e shpie në Taranto. I kujtohet, megjithatë, një udhëtim në terr të plotë përmes detit: asnjë dritë nuk mund të ndizet, madje është e ndaluar të ndezësh cigaren, watch out, luftanijet gjermane mund të jenë fare pranë.

liri belishova2

Apo mos ndoshta kjo me drita të fikura është rruga e kthimit, një muaj më vonë, nga Bari në Sarandë, në të njëjtin vapor me të cilin kthehet edhe Petro Marko, poeti që pas çdo gjase asnjëherë më parë s’ka ndenjur aq shumë pa pirë cigare, madje as edhe në llogoret e Spanjës? …

E pyeta Liri Belishovën cila ishte përshtypja e saj e atëhershme nga Perëndimi. S’kam parë asgjë, më thotë, kam qenë vetëm në spital. Infermieret angleze të spitalit e vështronin me kureshtje dhe çuçurisnin, captain, captain.

Të habitura, me sa duket, se si një tetëmbëdhjetë vjeçare – që ngjan edhe më e vogël, ashtu e imtë siç është – ka gradën e kapitenit. … Më 1945, ndodhet në Londër, me rastin e një kongresi botëror të rinisë antifashiste, por këtë e mësova tepër vonë, kur nuk mund ta gjeja më që ta pyesja.

Ndërkaq, i biri më tregon se delegatët shqiptarë, sikurse edhe të vendeve të tjera, janë pritur si heronj. Dhe se kishte jo vetëm të rinj komunistë, po edhe nga forca të tjera politike që kishin luftuar kundër fashizmit.

Lufta e Ftohtë ende s’kishte filluar. Dhe Liri Belishova bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar takojnë intelektualin e shquar demokrat, Tajar Zavalani, zërin e të cilit e kishin dëgjuar fshehurazi nëpër bodrume apo në baza ilegale të rezistencës, në transmetimet që bënte Radio Londra gjatë pushtimit të Shqipërisë, ndërsa tani njeriun e kishin përpara syve, a thua ishte një ëndërr, a thua ishin hedhur në një tjetër dimension të realitetit…

Gjithsesi, do kisha dashur të dija si e ka parë ajo e re komuniste shqiptare Perëndimin, çfarë ka menduar lexuesja e hershme e Gorkit, dhe do kisha dashur të dija gjithashtu krahasimin që duhet të ketë bërë me Bashkimin Sovjetik. Në Perëndim ka shkuar edhe më 1992: “Ja, kështu e donim komunizmin”, tha, duke parë Holandën. Po ndërkohë shumëçka kishte parë në jetë, shumëçka brenda saj kish ndryshuar.

* * * Utopia komuniste, ose fantazma për të cilën flet Marksi në fillim të Manifestit, ka qenë tepër tërheqëse në ato kohë për një pjesë të madhe të rinisë europiane. Ishte idealizmi par excellence, brerorja romantike e kohës, feja laike e saj. Periudha midis dy luftërave botërore ishte kohë e polarizimeve ideologjike, e zgjedhjeve të skajshme, si rrjedhojë, ndër të tjera, e një stanjacioni treçerekshekullor të elitave në Europë.

Midis atyre që aspironin përmbysjen ka pasur, sigurisht, edhe arrivistë që e shihnin këtë ideologji si instrument për t’u ngjitur në majat e pushtetit. Por, e përsëris: një pjesë e madhe e rinisë europiane e përqafoi për hir të idealizmit, si rebelim romantik ndaj një bote të padrejtë. Rreth tri dekada më pas, një i burgosur politik shqiptar, në Burrel, i përmend Zotin komandantit të burgut.

Fadil Paçrami, Liri Belishova, Nako Spiru and Ramiz Alia

Ky i fundit e qesëndis: e çfarë të ka dhënë Zoti ty, shiko ku të ka hedhur! I burgosuri atëherë i përgjigjet se Zoti i ka bërë të mirën më të madhe, ngaqë nuk e ka sjellë në jetë pak më herët. Sepse, po të lindesha pak më herët, thotë i burgosuri, do kisha pasur moshën për të luftuar kur na pushtuan dhe, kësisoj, do bashkohesha me ju, dhe këtë nuk di si mund ta shlyeja.

“E kam të vështirë të flas për veten time, sepse jam penduar që u bëra komuniste”, më thotë Liri Belishova. Dhe: “Komunizmi u përmbys, po sa lumenj gjaku ka derdhur!”.

LEXO EDHE:  “Si u shndërrua Partia Komuniste në organizatë kriminale”/ Djali i Mehmet Shehut zbulon dëshminë e Enver Hoxhës: Isha pasqyrë e vijës terroriste të Miladin Popoviçit! Vrasja e Mustafa Gjinishit, duhej bërë… (PJESA 7)

 Bashkim Shehu zbulon çfarë tha Enver Hoxha në Plenumin e Beratit: Dushan Mugosha më bëri sekretar, më ra nga qielli! Nisi si simpati, por një dashuri… (PJESA 6)

 “Emri i Hoxhës edhe te lista e gjellëve!”- Autokritika e Enverit në Plenumin e Beratit, si e shpëtuan jugosllavët! Djali i Mehmet Shehut sjell rrëfimet e njerëzve më të rëndësishëm të PK: Dushani me Miladinin marrin….(PJESA 5)

Ditët e fundit të Nako Spirut/ Djali i Mehmet Shehut sjell debatet në Byro e bisedat me Liri Belishovën: S’ka vetëvrasje, vetëm vrasje! Pse komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien! (PJESA 4)

 “Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës (PJESA 3)

 “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura