Kur propaganda po na vesh sytë…!

Apr 25, 2024 | 7:58
SHPËRNDAJE

QEMAL CEJKUQEMAL ÇEJKU

E çfarë epiteti mund t’i vëmë tjetër këtij shteti, përveçse mashtrues e propagandues?! Karta e studentit është sot kryefjala e qeverisë që nga Ministria e Arsimit dhe deri te bashkitë e Shqipërisë. Turi i propagandës ka filluar nga qyteti në qytet, por mendoj që duhet të marrin me vete drejtorët e Bashkisë Tiranë, pasi që nga viti 2019, karta e studentit ka pasur një “sukses” të madh. Ministria e Arsimit në vend që të ngrejë strategji për boshllëqet që kanë maturantët apo gjithë sistemi arsimor, vazhdon ciklin si “cirku në fshat”: dikush flet për kartën e studentit dhe për dy ditë po ky “dikushi”-student anëtarësohet në parti.

Çfarë mund të përfitojnë studentët, kur kemi një tkurrje të frikshme të studentëve në numër (pa folur pastaj për cilësi, se ajkën e vjel tregu i huaj)?! Biznesi, i fokusuar te përfitimi, nuk ka asnjë mundësi të bëjë ulje të ndryshme për studentët. Transporti publik në kaos, që niset për Kombinat dhe përfundon në Kinostudio, çfarë mund t’u japë studentëve?

Kinema dhe muze, teatro e kala po i zëvendësojmë me pallate dhe sigurisht në katin e 7 do kemi një kinema, që studentëve mund t’u ofrojë ulje (një thërrime në tasin e madh të fitimeve të majme nga shitja e pallatit).

Studentët duhet të jenë bindur që të gjitha këto lëvizje, që nga prodhimi i saj në 2019-ën nga kryemashtruesi Veliaj e sot vazhdojnë vetëm për qëllime politike e rekrutuese, si dhe për t’i mbushur mendjen Ramës që po punojnë udhëheqësit politikë të qarqeve. Tjetër “risi” këtë javë ishte dhe angazhimi i qeverisë që nga kryeministri e ministrat për pritjen “Manchester City” që ka ardhur në Tiranë. Si mundet që e gjithë qeveria nga mëngjesi deri në darkë të merren me një projekt sportiv normal privat, duke postuar projektide të akademisë së Mançesterit? A ndodh në një shtet normal që qeveria të hartojë axhenda për një klub sportiv? Nëse njerëzit janë pajtuar dhe më ketë “teatër” dhe me shumë “show” të tjera, nuk ka mbetur tjetër veçse të presim klubin e radhës. Nuk ka asnjë reagim institucional për gjendjen e arsimit sot, për Maturën Shtetërore apo dhe studentët që vazhdojnë e studiojnë në “gjimnaze të larta” pa asnjë praktikë. Qeveria dhe Ministria e Arsimit vazhdojnë turin “cirku në fshat”, ndërkohë që arsimi vazhdon të bjerë në nivele që kurrë nuk e kemi parë më parë.

Apo jo… se po merremi me PISA dhe TALIS (pas punës serioze më shumë në letër, me siguri do ta ndritim kësaj radhe). Mesa duket, u harrua dhe trajnimi i mësuesve, të cilët morën llafe televizive dhe jo trajnimin e duhur. Sigurisht që as rezultatet e anketës së fundit, realizuar nga PNUD, nga të cilat doli se 67% e mësuesve nuk përdorin TIK në procesin mësimor, nuk e bindën Ministrinë e Arsimit për të hartuar një program dinjitoz trajnimi, aty ku mësuesit kanë vërtet nevojë, pa llogaritur më pas edhe kostot për infrastrukturën teknologjike në këtë drejtim (se sigurisht kjo kosto varfëron xhepat e pushtetarëve).

E ç’rëndësi kanë këto? Të tundim e shkundim “kartën e studentit” përsa kohë të “pijë ujë” propaganda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura