“Si u shndërrua Partia Komuniste në organizatë kriminale”/ Djali i Mehmet Shehut zbulon dëshminë e Enver Hoxhës: Isha pasqyrë e vijës terroriste të Miladin Popoviçit! Vrasja e Mustafa Gjinishit, duhej bërë…

Sep 23, 2021 | 15:00
SHPËRNDAJE

pjimage-2021-09-13T101608.868-433x300Ngritja dhe rënia e Liri Belishovës nuk ishte gjë tjetër, veçse vijim i frymës terroriste që kishte lindur dhe forcohej dita-ditës në Partinë Komuniste, që prej viteve të Luftës.

VIJON NGA NUMRI I KALUAR (LEXO KETU)

Në librin e tij “Liri Belishova dhe koha e saj”, botimet “UET Press”, Bashkim Shehu tregon pikërisht se si u rrit vala e terrorizmit në PKSH, çka e dëshmojnë edhe udhëheqësit kryesorë, që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Gogo Nushi, Tuk Jakova, Sejfulla Malëshova, Nako Spiru, në Plenumin II të Komitetit Qendror, mbajtur në Berat, 23-27 nëntor 1944.

Ai sjell në vëmendje edhe eliminimin e paprecedent të Mustafa Gjinishit, pas vrasjes së të cilit u shpallën edhe ditë zie.

BASHKIM SHEHU

BASHKIM SHEHU

Vitet e para të pushtetit të komunistëve në Shqipëri kanë qenë vite terrori policor. Fushatë e pandërprerë arrestimesh, përdorim sistematik i torturës, kulakë, pushkatime, varje. Valët e terrorit përfshijnë jo vetëm kolaboracionistët apo ata që konsiderohen të tillë: armiku ndodhet kudo, madje edhe në radhët e Partisë, madje edhe në udhëheqje. Ashtu si te helika e ADN-së, replikohet ajo dukuri që kish ndodhur në dheun mëmë të komunizmit, spastrimi, në rusisht çistka, fjalë me konotacion fetar, që nënkupton pastrimin ritual nga forcat e fshehta djallëzore.

Si e shihnin, vallë, ata të rinj idealistë që rrezikuan jetën për një shoqëri të lirë e të lumtur, që ëndërronin… “Holandën”? Ata që spastronin tani shokët e djeshëm të armëve, ose ata që spastroheshin prej shokëve të djeshëm të armëve, për të cilët kishin qenë të gatshëm të flijoheshin?

liri-belishova

Gjatë një konference në Qendrën e Kulturës Kontemporane të Barcelonës, në vitin 2001, profesor Pere Vilanova e fillon ligjëratën e tij duke thënë se, në një debat politik, asnjëherë nuk ndodh që argumentet e tjetrit të bëjnë të ndryshosh mendim. Kjo është një e vërtetë e thjeshtë, por që nuk na bie në sy, çka do të thotë se, pa e kuptuar as vetë, e marrim si të mirëqenë.

Do ta plotësoja duke shtuar se ndryshimi i mendimeve për shkak të argumenteve të tjetrit edhe mund të ndodhë, por shumë ngadalë, aq ngadalë sa nuk e shohim, nuk na bie në sy, pasi debati pak nga pak zhvendoset brenda nesh dhe përsëritet e përsëritet si një rrahje mendimesh me veten. E njëjta gjë mund të thuhet edhe kur gjendemi përballë faktesh sado të qarta që u bien ndesh mendimeve tona, ose më mirë besimeve tona.

Është shumë e vështirë që ato të ndryshojnë. Një shembull domethënës është ai i së ashtuquajturës teori e Tokës së zbrazët apo e Tokës së zgavërt. Kjo teori shfaqet më së pari aty nga fillimi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, në Shtetet e Bashkuara. Sipas versionit të saj të parë, planeti ynë është i zbrazët dhe i banueshëm në brendësinë e tij, ndërsa në të dyja polet është i hapur, me një gjerësi nga dymbëdhjetë gjer në gjashtëmbëdhjetë gradë.

Nga mesi i shekullit, kjo teori zhvillohet më tej me idenë se ne jetojmë të mbyllur brenda rruzullit dhe jo mbi të, se sipërfaqja mbi të cilën jetojmë nuk është konvekse, po përkundrazi, konkave, dhe se, ndryshe nga sa pandehim, ajo që shohim kur ngremë kokën, s’është qielli me rruzuj qiellorë, por një masë e gaztë me zona të shndritshme, kështu që dielli, hëna dhe yjet nuk janë gjë tjetër, veçse iluzione optike të shkaktuara nga fenomene të tjetërllojta.

SEJFULLA MALESHOVA

Më 1926 dhe më përkatësisht piloti Riçard Bërd fluturoi mbi Polin e Veriut dhe mbi Polin e Jugut, por nuk pa ndonjë vrimë gjëkundi që të çonte në brendësinë e Tokës, e megjithatë lindi një literaturë mjaft e gjerë që u jep një kuptim të kundërt vrojtimeve të tij.

Dhe, siç thotë Umberto Eko në një ese me titull Forca e së rremes, teoria e Tokës së zbrazët apo e Tokës së zgavërt ka ithtarë të shumtë edhe sot e kësaj dite. Dhe këtu është fjala për diçka që u përket shkencave natyrore. Ku e ku më i vështirë është ndryshimi i mendimit në çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet midis njerëzve, sidomos në bindjet politike. Besimi si opium. Doktrina komuniste, utopia komuniste, premton shuarjen e shtetit, premtim që do të përmbushet në një të ardhme të largët. Kjo të kujton profecitë milenariste. Ose rikthimin e Krishtit në një të ardhme të largët. Dhe, njëherësh, Legjendën e Inkuizitorit të Madh, të Dostojevskit, ku objekt i Inkuizicionit është vetë Krishti. Me të vërtetë, zbatimi i doktrinës në praktikë sjell gjithherë të kundërtën e shuarjes së shtetit: “fundi i shtetit si e keqe shtyhet për një të ardhme të papërcaktuar, ndërsa problemi i vërtetë politik praktik është vënia e kufijve ndaj kësaj së keqeje në të tashmen; […] teza e shuarjes së shtetit në të ardhmen shërben si maskë dhe si përligjje e përjetësimit të terrorizmit; në sajë të një paradoksi të mynxyrshëm, teza e karakterit të përkohshëm të shtetit përbën përligjjen më të mirë për vazhdimësinë pa mbarim të diktaturës së proletariatit dhe vendos themelet e totalitarizmit” (Paul Ricoeur, “Histoire et Vérité”).

* * *

MUSTAFA GJINISHI

Ndërkaq, terrori ka filluar qysh përpara se të merrej pushteti, qysh në kohën kur komunistët luftonin për çlirimin e vendit, në mal dhe nëpër qytete. Nuk është thjesht një akuzë që vjen nga pala kundërshtare. Vetë udhëheqja komuniste e ka pohuar me të madhe në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror, mbajtur në Berat pak ditë para çlirimit, më 23-27 nëntor 1944, ku Liri Belishova, tetëmbëdhjetë vjeçe, zgjidhet kandidate e Komitetit Qendror. Po riprodhoj disa fragmente nga procesverbali i Plenumit.

Tuk Jakova: “Qysh në fillim, me lindjen e ushtrisë, lindi dhe shpirti i luftës, urrejtja për okupatorin dhe tradhtarët, si edhe dashuria për popullin. Por një gjë, që është ndër kryesoret, filloi të zhvillohet tendenca terroriste. Shumë njerëz janë vrarë pa gjyq dhe pa faj”.

Gogo Nushi: “Tuku tha se në ushtri ka tendenca terroriste. Jo vetëm në ushtri, por edhe në Parti, në udhëheqës bile. […] Këtë shpirt kriminaliteti e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona në Tiranë, janë vrarë 60 veta, e kemi dhe listën e tyre. Unë i njoh këta emra dhe asnjëri prej tyre s’meritonte të vritej. Kjo është konsekuencë e vijës sonë. Jemi të sigurt që do të ketë edhe të tjerë”.

enver-hoxha-popovic-tito-2

Hysni Kapo: “Gjëja më e keqe ka qenë fryma terroriste si në organizatat, edhe në ushtri. […] Shpirti terrorist ekziston edhe sot, edhe te përgjegjësit”.

Kristo Themelko: “Rryma jonë terroriste ka lindur si vijë që erdhi duke u zgjeruar deri në ditët e sotme”.

Sejfulla Malëshova: “Me terror po i zgjidhim të gjitha punët. […] Unë jam çuditur kur kam dëgjuar të thuhet se, sa më brutal e terrorist të jetë një njeri, aq më komunist është, d.m.th. i masim shokët nga brutaliteti dhe kriminaliteti. […] Kështu, në Partinë tonë po duken simptomat e degjenerimit, nga një parti politike në një bandë kriminelësh. […] Kështu që shumë herë nuk di të dallosh ku është puna politike dhe ku është krimi. […] Terrori zë një vend mjaft të madh në punën tonë politike”.

enver hoxha

Enver Hoxha: “Vija terroriste ishte më e theksuar te Dushani [Dushan Mugosha, i dërguar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë] dhe tek Aliu [pseudonim i Miladin Popoviçit, gjithashtu i dërguar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë] me Lirinë [Liri Gega, asokohe anëtare e Byrosë Politike]. Në këtë pikë, unë isha pasqyra e Aliut. Kur vinte ndonjë nga fronti, ku thuhej se ky apo ai po vepronte keq, vendosnim ta vrisnim”.

Rasti më famëkeq i terrorit në radhët e komunistëve shqiptarë gjatë luftës është ai i eliminimit fizik të Mustafa Gjinishit, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar dhe i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare në krijimin e tij.

Më 23 gusht 1944 vritet pabesisht nga shokët.

Me një urdhër dite të Enver Hoxhës, për Mustafa Gjinishin shpallen tri ditë zi në tërë Ushtrinë Nacionalçlirimtare. Në fund të kësaj shkrese të firmosur nga Enver Hoxha, thuhet: “Lavdi heronjve të rënë në fushën e nderit”. Por njëkohësisht vrasja e tij konsiderohet si dënim ndaj një tradhtari, ndonëse kjo mbahet e fshehtë, ose gjysmë e fshehtë, dhe duhej të kalonin si ndonja pesëmbëdhjetë vjet që ai të shpallej armik. Afërsisht në të njëjtën kohë, gati 12.000 kilometra larg, në Buenos Aires, Borgesi shkruan tregimin “Tema e heroit dhe e tradhtarit”, që tingëllon si arketip i kësaj ngjarjeje, veçse realiteti shqiptar, së paku për nga egërsia, po edhe për nga cinizmi, ia kalon asaj çka rrëfehet në fiksionin borgesian. Dhe çështja e vrasjes së Mustafa Gjinishit del gjithashtu në Plenumin e Beratit.

Sejfulla Malëshova: “Për tendencat terroriste në Parti, ushtri dhe popull. Për herë të parë këtu unë mora vesh se si u vra Mustafa Gjinishi dhe nuk e kuptoj përse. Një nga të dyja: ose ai ka qenë tradhtar i Partisë dhe i popullit dhe, si i tillë, ai duhej të dënohej hapur, ose ai ka bërë vetëm gabime dhe për gabime nuk vriten njerëzit. Përveç kësaj, mënjanë ne e vrasim Mustafa Gjinishin, në anën tjetër e paraqesim atë si hero përpara popullit dhe Partisë”.

Enver Hoxha: “Sa për çështjen e Mustafa Gjinishit, kjo qëndron ndryshe. Ne mendojmë se kjo duhej bërë. Unë kam qenë ai që ka vendosur për këtë çështje. […] Si u bë puna e vrasjes së Mustafait, nuk e di. Ç’i ka thënë për këtë Miladini Lirisë [Liri Gegës], edhe këtë nuk e di. Vetëm di që më erdhi telegrami, ku lajmërohej se Mustafai u vra. Telegrami thoshte: ‘Puna doli me sukses’”.

Gogo Nushi: “Ai [Nako Spiru] më ka thënë se punët venin shumë keq. Pardje, Nakoja më ka thënë se e kishte konstatuar një gjë të tillë, por s’kishte thënë gjë, pse ka pasur frikë, se ka pasur edhe rrezik të kokës. Shikoni ku ka shkuar puna”.

Nako Spiru: “Në lidhje me këtë, i kam thënë atij [Gogo Nushit] se po të vazhdonim kështu, puna do mbaronte te Gjinishi”.

VIJON NESER…

LEXO EDHE:  Bashkim Shehu zbulon çfarë tha Enver Hoxha në Plenumin e Beratit: Dushan Mugosha më bëri sekretar, më ra nga qielli! Nisi si simpati, por një dashuri… (PJESA 6)

 “Emri i Hoxhës edhe te lista e gjellëve!”- Autokritika e Enverit në Plenumin e Beratit, si e shpëtuan jugosllavët! Djali i Mehmet Shehut sjell rrëfimet e njerëzve më të rëndësishëm të PK: Dushani me Miladinin marrin….(PJESA 5)

Ditët e fundit të Nako Spirut/ Djali i Mehmet Shehut sjell debatet në Byro e bisedat me Liri Belishovën: S’ka vetëvrasje, vetëm vrasje! Pse komunistët shqiptarë më kujtojnë mafien! (PJESA 4)

 “Enveri është copë mishi me dy sy!”- Djali i Mehmet Shehut zbulon prapaskenat e vrasjes së Nako Spirus, burrit të Liri Belishovës (PJESA 3)

 “Ishim si të droguar”- Djali i Mehmet Shehut libër për Liri Belishovën: Çfarë më tha kur e takova pas burgut! Moska për të ishte si Meka! Drama e gruas së parë në Byronë Politike (PJESA 2)

 “Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike! (Pjesa 1)

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/