“Duhej një kurban i rëndësishëm! Liri Belishova pësoi dy rënie”- Bashkim Shehu: Pse shkrova një libër për gruan e parë të Byrosë Politike!

Sep 15, 2021 | 14:50
SHPËRNDAJE

Liri Belishova-Bashkim-ShehuKanë kaluar 30 vjet që kur Bashkim Shehu takoi Liri Belishovën, kur sapo kishte dalë nga burgu. Kishte dëgjuar shumë të flitej për të, përtej atyre që kishte mësuar në shkollë, më tej në burg kishte njohur të shoqin e saj. E pas kaq shumë vitesh prej asokohe Bashkim Shehu, i biri i ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, shkruan një libër për të parën grua në Byronë Politike, që u dënua e persekutua, si të tjerë rivalë të udhëheqësit Hoxha. Një libër mes biografisë dhe esesë që rrëfen dramën, duke u ndalur në pikat kulmore të jetës së Belishovës.

Titullohet “Liri Belishova dhe koha e saj”, një botim i “UET Press”, me parathënien e profesoreshës dhe përkthyeses Diana Kastrati. Pasi libri gjendet në duart e lexuesve, Bashkim Shehu ishte i ftuari i parë i bashkëbisedimeve me Departamentin e Humaniteteve në Universitetin Europian të Tiranës. Ai iu përgjigj interesit të të pranishmëve në lidhje me librin, për mënyrën se si është shkruar, materialet e përdorura dhe nëse do të ketë një libër të ri për të atin.

“Tri gjëra dua të them! E para, vështirësia ime ishte që për Liri Belishovën është shkruar shumë dhe përveç kësaj ka qenë mjaft e pranishme në media gjatë këtyre dekadave, për të treguar jetën e saj. Kisha pak mundësi që të thosha ndonjë gjë të re. Mirëpo, me një përkthim fjalë për fjalë të një shprehje spanjolle ‘vështirësinë ta kthesh në virtyt’, kjo më çoi në një fokusim të një tjetër lloji, që të ndalesha në momente të caktuara të saj. Në ato që janë më domethënëse për historinë e Shqipërisë të periudhës së komunizmit. Titulli im i parë ka qenë ‘Liri Belishova, portreti në pasqyrën e kohës’.

Kjo përcaktoi edhe zhanrin. Mund të them se pasi mbarova librin, e kuptova se ishte një përzierje zhanresh, nuk është as biografi, as thjesht ese, por mund të themi se është diçka e ndërmjetme, një ndërthurje e këtyre dy zhanreve. Aspekti i tretë që dua të vë në dukje është se koha e saj, sfondi në të cilin nis aty, ka dy gjëra të rëndësishme. E para totalitarizmi. Lidhur me totalitarizmin, si një nga boshtet e këtij libri, nuk pretendoj se sjell ndonjë gjë të re në konceptin e këtij sistemi, ka shumë mendimtarë që e kanë trajtuar. Por është interesante në raport me personazhin me fatin tragjik të protagonistes së këtij libri. Një çështje tjetër që është e rëndësishme dhe konstante me gjithë këtë trajektore të jetës dhe të vetë historisë së Shqipërisë dhe komunizmit është Jugosllavia, d.m.th., raporti i shtetit shqiptar më Jugosllavinë”.

Liri Belishova ishte e vetmja grua në Byronë Politike dhe pyetja që ngrihet sot është se cilat ishin arsyet e vërteta të rënies së saj. Sipas Shehut “janë tre faktorë që çojnë në rënien e dytë të Liri Belishovës.

“Është e vetmja që ka pësuar dy rënie. Njëri ka të bëjë me faktin që ishte e vetmja grua në byronë politike. Faktori tjetër është që dikush duhej të bëhej kurban nga prishja me Bashkimin Sovjetik. Nuk ishte shaka të prisheshe me Bashkimin Sovjetik në atë kohë, sidomos për një vend të vogël si Shqipëria.

Dhe duhej një kurban i rëndësishëm që të mund të parandalonte çdo kundërshtim të mundshëm. Nëpërmjet terrorit, të krijonte mobilizimin. Kjo ka qenë metodë e Stalinit. Faktori i tretë është pikërisht rënia e parë e saj.

Nga njerëzit që u goditën, Liri Belishova, Fadil Paçrami dhe Mehmet Shehu janë goditur më vonë dhe pa bërë asgjë kundrejt Enver Hoxhës”.

Por pavarësisht se Liri Belishova përbën gjithnjë një figurë që ngjall kuriozitet dhe figura e saj është e rrethuar me një tis misteri, çka do të thotë se libri do të tërheqë jo pak vëmendje, vetë eta dhe karriera e Bashkim Shehut është e shënjuar në mënyrë të paevitueshme nga ajo e të atit, ish-Kryeministrit më jetëgjatë të vendit, Mehmet Shehu.

Ndonëse ai herë pas here e ka trajtuar historinë e të atit përmes librash dhe intervistash, duket se për lexuesin ka ende për të zbuluar dhe kurioziteti i të pranishmëve në takim ishte nëse do të kishte një libër tjetër mbi të atin.

“Unë kam shkruar tashmë dy libra për Mehmet Shehun, përveç intervistave që kam dhënë dhe që akoma ka njerëz që pyesin dhe kërkojnë. Nuk di çfarë kam pasur pa thënë dhe nuk kam gjë për të thënë. Kam shkruar ‘Vjeshta e ankthit’ dhe ‘Rrëfim nga një varr i zbrazët’. Janë romane autobiografikë. Gazetat përsërisin një temë dhe publiku trajtohet si fëmijë ‘t’ia tregojmë përrallën edhe një herë’. Unë këtë lloj gjëje nuk e pranoj. Unë çfarë kam pasur për të thënë, e kam thënë”, tha ai.

Ndërkohë që historinë e Belishovës e konsideron një dramë.

“E dini gjykimin që kam për tim atë dhe faktin që ai është im atë. Për mua kjo është një dramë. Dhe vetëm kur më vjen për të thënë, e them dhe kur më pyesin kam reagimin e kundërt. Në këtë libër, sigurisht që ka dhe ka mjaft, veçanërisht në periudhën e viteve ’50, dhe sidomos në pleniumet për Bashkimin Sovjetik, aty citohet dhe del qartë nga protokollet e mbledhjeve, materiale arkivore, që janë ndërhyrjet e anëtarëve të ndryshëm të byrosë politike, të komitetit qendror dhe në këtë rast edhe im atë. Ai ka pasur një rol jo të vogël në rënien e dytë të Liri Belishovës”.

Sa u takon materialeve që ka përdorur për këtë libër, ai thotë se “u jam referuar materialeve të ndryshme arkivore, dëshmive të ndryshme, të Liri Belishovës kryesisht, por edhe djalit të saj, Petritit, i cili më ka ndihmuar shumë në bisedat tona. Në libër them të vërtetën ashtu siç e shoh unë. Mund të jem dhe i gabueshëm. Në përgjithësi është qasja e esesë.

Protokollet janë shumë diskredituese dhe unë i kam botuar pa asnjë koment pasi nuk ka nevojë për komente. Ka momente kur Liri Belishova, duke u përpjekur të mbrohet, iu referohet procesverbaleve dhe u thotë për të njëjtën gjë ‘ju më keni lavdëruar dhe tani po më akuzoni. Çfarë ka ndodhur?’ ‘Lëri procesverbalet. Ato s’kanë rëndësi’, i thotë Enver Hoxha. Edhe Ramiz Alia i thotë ‘ato nuk janë të sakta’”.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/