Dy pyetje të vështira nga protestuesit e rinj

Jun 11, 2026 | 9:30

arben malajPROF. DR. ARBEN MALAJ

“Atdheu nuk mund të ekzistojë pa liri, liria pa virtyt, dhe virtyti pa qytetarë.” këshillon Jean-Jacques Rousseau. Gjatë protestave ka dy pyetje që më bëhen shpesh, të cilat më lëndojnë shpirtërisht shumë. Kur një i ri më pyet nëse duhet të rrijë këtu apo të emigrojë, ndiej trishtim. Kur një i ri më pyet nëse duhet të hyjë në politikë si i djathtë apo i majtë, kuptoj dashurinë e tyre për vendin e tyre. Kur një i ri braktis vendin e tij dhe ose politikën, kjo tregon se zhgënjimi është thellësisht dëshpërues. Sepse ata prapë shpresojnë, protestojnë dhe po përkushtohen për “ Shqipërinë e Re”.

Pyetja e parë: “profesor, të qëndrojmë apo të ikim nga vendi ynë?” Nëse dështimet tona jua vrasin cdo shpresë dhe mundësi këtu, nuk mund t’i fajësosh të rinjtë që kërkojnë mundësi kudo gjetkë. Dëshpërimi është se Shqipëria nuk bëhet pa ata. Prandaj i ftoj të rinjtë të shohin se çfarë ndodhi me vendet ishkomuniste si Polonia, Çekia, Hungaria, Gjermania Lindore dhe Sllovenia, që kaluan të njëjtën rrugë para nesh. “The Economist” ka analizuar saktësisht se pse sot, të rinjtë e valës së parë të emigrimit po kthehen masivisht në vendet e tyre të origjinës. Ky rikthim ka katër faktorë ndikues:

1. Tavanet e Karrierës në Emigrim: “Guri i rëndë në vend të vet”. Sa do demokratike dhe meritokratike të jenë vendet ku emigroni (edhe si të mirë të arsimuar), ju duhet të sakrifikoni disa herë më shumë se një vendas për të pasur të mundësi reale të barabarta si vendasit. Qëndrimet kundër emigrantëve po pushtojnë fushatat elektorale në shumë vende të BE-së.E ardhmja mund të jetë më e trishtueshme në mërgim se sa në vendin tuaj.

2. Paradoksi Ekonomik/Kostot e larta vs. Të ardhurat reale të disponueshme: Në fillim, rroga në emigrim duket e lartë. Por me kalimin e viteve, kur krijoni familje. Kur shpenzime rriten sepse duhet të investoni për jetë cilësore të femijeve tuaj si vendasit. Kur duhet te investoni per arsimimin cilësor të tyre dhe kur përballeni me kostot e rritura nga inflacioni (si qiratë apo blerja e një shtëpie), realiteti ndryshon. Të ardhurat reale të disponueshme – ato që ju mbeten në xhep në fund të muajit – vijnë duke u zvogëluar. Jeta në vendin tuaj me një punë të mirë është ekonomikisht më e favorshme se mbijetesa e shtrenjtë jashtë vendit.

3. Zhvillimi i Tregut Lokal dhe Kompanitë Ndërkombëtare: Në dhjetë vendet e para ish-komuniste që u anëtarësuan në BE, ekonomia avancoi sepse u kryen reforma strukturore. Kompanitë e mëdha shumëkombëshe hapën degët e tyre në sektorin financiar, teknologjik dhe industrial në Varshavë, Pragë apo Bratislavë. Kjo ua lehtësoi të rinjve kthimin në pozicione dhe industri me të njëjtat standarde pune si në Perëndim. Ky faktor, fatkeqësisht, në Shqipëri është akoma i vonuar për shkak të politikave tona të dështuara nga nepotizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit.

4. Paqja Shpirtërore dhe Kthimi te Jeta Sociale: COVID-19 qartësoi vlerën e patjetërsueshme të familjes. Jeta shumë larg prindërve dhe gjyshërve, të cilët rriten pa pasur pranë nipa e mbesa dhe larg fëmijëve të tyre, ka një kosto të lartë shpirtërore. Familjet që po kthehen në vendet e origjinës po ripërtërijnë paqen shpirtërore, ulin stresin kronik nga vetmia dhe izolimi që prodhojë emigrimi masive. Fitimi i kësaj qetësie shpirtërore nuk ka çmim monetar. Ne si shoqëri duhet te bëjmë maksimumin që të mbajmë dhe thithim në cdo aspekt të jetës sonë publike, ekonomike, sociale dhe politike, talentet tona kudo në botë.

Pyetja e dytë: “Profesor, unë jam i djathtë, a duhet të angazhohem në politikë?” Që të rinjtë me prirje të djathta “pesimistë” ndoshta të zhgënjyer nga opozita e stërgjatur të mos bien ne apati, përgjigja ime mbetet e njejta si në vitin 1992: “Rruga më e vështirë, por më e drejtpërdrejtë për t’i shërbyer sfidave të vendit tënd, është angazhimi publik dhe ai politik.” Politika nuk është e lehtë. në lidership ne themi se “nuk hahet elefanti me një të kafshuar”. Keshillat e mia për liderët e rinj bazohet në katër parime: (i) Ambicia e Qartë dhe Formimi Hap pas Hapi: Lidershipi nuk mësohet nga librat por nga betejat sfiduese. Rinia duhet të angazhohet herët për të kuptuar edhe prapaskenat. Kancelari Kohl qartëson se: “Ekzistojnë armiqtë, armiqtë e vdekur dhe… kolegët e partisë.” Por përpara se të përkushtoheni në politikë, testoheni vlerat tuaja të brendëshme duke filluar nga integriti i pa tregtueshëm nëse po hyni në politikë për një karrige, apo për të kontribuar?

(ii) Nevoja për model inspirues dhe një Mentor: investimi më i mirë që në hapat e para është të gjeni modelin qe ju inspiron brenda vendit dhe ne nivel botërorë. Gjeni një mentori, një figure me përvojë dhe integritet, që ju udhëheq nëpër labirintet e pushtetit pa ju lejuar të korruptoheni moralisht apo të dështoni që në hapat e para.

(iii) Mos u dorëzoni kur dështoni. Në teoritë moderne të lidershipit pranohet gjerësisht se një njeri që nuk ka dështuar kurrë, nuk ka qenë kurrë një fitues inspirues. Pa provuar shijen e dështimit, asnje lider nuk zhvillon dot ndjeshmërinë, përulësinë dhe forcën karakteriale që i duhen një lideri të vërtetë. Dështimi është testi real i integritetit.

(iv) Mëkati i Braktisjes (Ristrukturimi vs. Ikja): Kur një forcë politike hyn në krizë apo ka nevojë për reformim të thellë, braktisja e saj nga të rinjtë është mëkati më i madh që një lider potencial bën ndaj vetvetes, partisë dhe vendit të tij. Nuk ka pasuri më të madhe për demokracinë sesa rinia që guxon të mendojë ndryshe. Ndaj, mos e braktisni kurrë fushëbetejën. Nëse ju ikni, hapësira e lënë bosh do të mbushet nga ata që nuk kanë as parime dhe as integritet. Shqipëria ka nevojë për politikanë që guxojnë t’i thonë “Jo” kryetarit kur ai gabon. Mos lejoni kurrë që të tjerët të përcaktojnë të ardhmen tuaj! Bëhuni pjesë e ndryshimit të vetvetes, të mjediseve tuaja shoqërore dhe atyre politike. Merrni në dorë fatet tuaja për t’u bërë edhe ju arkitektët e një Shqipërie të Re.

Pas 35 viteve vend ynë ka nevojë ulëritëse për një themel të ri: barazinë e plotë të mundësive. E ardhmja juaj nuk mund të mbetet peng e agresivitetit partiak, nepotizmit të sëmurë apo patronazhistëve analfabetë nga cdo parti politike, të uritur për pasurim të shpejtë deri në kufijtë e kriminales. “Shqipëria e Re” duhet tju përkas atyre që e duan me shpirtë, studiojnë, punojnë, lodhen, sakrifikojnë dhe udhëhiqen nga integriteti. Nëse e braktisim këtë tokë në duart e të paaftëve dhe të korruptuarve, kemi braktisur të ardhmen e fëmijëve dhe të vetë Shqipërisë.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura