Mandati i katërt i kryeministrit Rama nuk ishte politikë e shtetbërjes me model europian, por një makineri e së keqes dhe një nga format më të rënda të tradhtisë ndaj popullit dhe kombit. Një shtet paralel i ngritur që arriti në heshtje të plotë atë që një shteti armik do t’i duhej të na e bënte përmes çdo forme të luftës. Ky shtet paralel shtypi dhe dëboi shqiptarët, duke i asfiksuar ata ngadalë deri në spastrimin e tyre nga vendi. Asfiksia nisi me përjashtimin me çdo mënyrë të të denjëve nga të qenit pjesë e strukturës së shtetruajtjes dhe shtetforcimit. Një formë të tillë asfiksie me shqiptarët e ka përdorur dhe e përdor Serbia edhe sot në Mitrovicën e Veriut dhe Luginën e Preshevës, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, kudo në Ballkan ku ka shqiptarë.
Me të njëjtën urrejtje të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve, kryeministri shqiptar, pasi krijoi shtetin brenda shtetit, i mjaftuan turmat e injorantëve të betuar dhe zëvendëskryeministrat e krimit që u siguruan të ngrinin në krye llumin e vendit, që do të shërbente në lojën e madhe të vjedhjes, shkatërrimit dhe dëbimit. Në një politikë në thelb tërësisht antieuropiane dhe antiperëndimore, ata fuqizuan krimin ordiner, mbajtën lidhjet mes politikës dhe tyre, duke u dhënë të gjithë mbështetjen që ata ta përdornin vendin si lavatriçe ku mund të lanin paratë e pista që vinin nga aktiviteti kriminal, i cili po ngrinte në këmbë njëra pas tjetrës agjencitë ligjzbatuese europiane e që shpesh niseshin me njerëzit e tyre drejt Tiranës, sepse po kuptonin që strukturat ligjzbatuese shqiptare ishin në shërbim të krimit.
Dhe në këtë pikë, ashtu si në një lojë shahu, kur politika mbaronte punë me këta zëvendës të krimit, ashtu si me çdo anëtar tjetër të qeverisë dhe pushtetit lokal, Kryeministri i tyre ua hidhte ata drejtësisë në emër të ligjit dhe integrimit europian, duke u distancuar e duke larë duart me ta në mënyrë që skandali të mbulonte skandalin e radhës që kishte plasur ose pritej të plaste. Kryeministri po i hante ata si gurë shahu, duke përdorur të tjerë për të vazhduar lojën për fitoret e tij tërësisht personale. Mediat prestigjoze botërore kanë folur jo pak për këtë krim që ka bashkëqeverisur gjithmonë në hije, ka komanduar pushtetin qendror, lokal dhe çdo strukturë e qelizë të shtetit shqiptar. Edhe ato media dhe gazetarë janë sulmuar paturpësisht, si shumë gazetarë dinjitozë shqiptarë, kur kanë guxuar t’i vendosin kryeministrit përballë pasqyrën për të parë veten dhe gjendjen ku ndodhet vendi nën politikat e tij.
Ka ministra, deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë të policisë, të cilët janë emëruar dhe i shërbejnë krimit. Nuk dua të bëj avokatin e djallit, por ka dhe mes tyre që, nëse nuk do të përdornin lidhjen me krimin, nuk do të ishin në ato pozicione, edhe sikur t’i meritonin vërtet. Krimi, së bashku me perversionin provincialist patronazhizëm, u caktua me bekimin e qeverisë të zgjidhte dhe të zgjidhë edhe hallet e popullit dhe, në shenjë “nderimi”, populli ka dorëzuar votat nën dhunën e shtetit paralel, i cili ka përdorur çdo instrument të tij për të “bindur” këdo që i del përpara. Këto vota i kanë siguruar kryeministrit Rama katër mandate.
Vjedhja që i është bërë popullit në katër mandatet e kësaj qeverie ka arritur në nivele të neveritshme. Poshtërimi gjithashtu. Çdo gjë është ndarë në një rreth të mbyllur njerëzish, të cilët kanë qëndruar pranë qeverisë herë si klientë e herë si mbulues dhe qarkullues të vjedhjes së madhe. Ky rreth ka pasur si qëllim vetëm të llogarisë se si, kur dhe sa e madhe duhet të jetë vjedhja e radhës, ndërkohë që skandali mbulonte skandalin, sepse korrupsioni nuk ishte më skandal, por ritëm dhe mënyrë qeverisjeje. Populli shqiptar, ndryshe nga populli serb i protestave studentore deri para disa ditësh, ndodhej në një gjendje mpirjeje dhe nënshtrimi deri në vetëposhtërim. Mediat dhe zërat opozitarë ishin mbytur përmes kapjes.
Ndërkombëtarët qëndronin në një hije që i shndërronte në personazhe të dyzuara dhe vështirë të kuptueshëm mbi çfarë mendonin dhe donin në të vërtetë për këtë vend të vogël ballkanik në zemër të Evropës.
Dhe, si për habinë e të gjithëve, kur po humbte çdo shpresë, një ditë dolën protestuesit e parë, më të bukur se kurrë. Si të dalë nga ndonjë ëndërr e lashtësisë dhe identitetit tonë. Ata ishin shqiptarët që do të zgjonin shpirtin e kombit të tyre. Do t’i tërhiqnin me vete të gjithë me supet e mbuluara krenarisht me flamuj. Ata me atë dalje po na kujtonin të gjithëve kush ishim. Po na kujtonin rrënjët dhe gjakun. Llumi i provincializmit dhe injorancës u sul t’i akuzojë si fabrikim agjenturash të huaja, por edhe sikur vërtet të ishin të tillë, pyetja që ngrihet me këtë logjikë është se cilave agjenturave të huaja i shërbeu kjo qeveri katër mandate për gjithë këtë rrënim që po lë pas? Nëse rikujtojmë modelin e spastrimit të Luginës së Preshevës, që i ngjan shumë spastrimit të Shqipërisë në vitet e fundit, kujtohemi për talljen me targat serbe të ekipit të Reuters-it, që na u tha se ishin agjentë serbë… Pra, me gjithë dashurinë e pa fshehur të Kryeministrit për Vuçiçin, i bie që një agjenture, të cilës qeveria shqiptare i shërbeu katër mandate, të ishte ajo e Serbisë, për nga ngjashmëria e goditjes së vendit… E ndoshta shumë të tjera pas saj, në një gosti kanibalësh në kurriz të një populli të lashtë sa vetë Europa, siç do të thoshte i pavdekshmi Ismail Kadare, i cili i pëshpëriste elitës së vendit, në diktaturë e postdiktaturë, për të na lajmëruar për rrezikun që po na vinte, duke ndërruar vetëm maskat.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












