Protestat që po shohim sot në Shqipëri nuk mund të shpjegohen vetëm përmes asaj që po ndodh në Zvërnec. Ato nuk janë reagim ndaj një ngjarjeje të izoluar, por shprehje e një zemërimi të akumuluar ndër vite, një gotë që është mbushur pikë pas pike për më shumë se një dekadë dhe që sot ka arritur kufirin e saj.
Që prej vitit 2013, qeverisja e Edi Ramës ka premtuar transformim dhe modernizim. Në disa fusha ka pasur investime dhe ndryshime të dukshme, por bilanci i përgjithshëm është errësuar nga korrupsioni, skandalet dhe kapja e institucioneve. Shqiptarët kanë parë ministra të arrestuar, zyrtarë të lartë nën hetim, afera miliona eurosh dhe një seri skandalesh që kanë minuar besimin tek shteti.
Nga koncesionet në shëndetësi, te projektet infrastrukturore me kosto të fryra, nga dosjet e korrupsionit te lidhjet e politikës me interesa të ngushta ekonomike, perceptimi publik është se pushteti ka funksionuar më shumë në interes të një pakice sesa të qytetarëve të zakonshëm. Çdo skandal i ri nuk ka qenë një ngjarje e izoluar, por një pikë tjetër në gotën e zemerimit te mbushur prej vitesh.
Por nëse kjo do të ishte vetëm histori e dështimit të qeverisë, situata do të ishte më e thjeshtë. Problemi është se Shqipëria ka vuajtur edhe nga mungesa e një opozite të besueshme dhe nje force alternative per te qeverisur.
Sali Berisha, figura kryesore e opozitës, ka vazhduar të trajtojë politikën si një instrument për të ruajtur ndikimin dhe ekuilibrat e vjetër të pushtetit. Për shumë qytetarë, opozita nuk përfaqëson një alternativë reale, por një pjesë tjetër të të njëjtit sistem. Akuzat për lidhje të ngushta me interesa ekonomike, ndikimi i familjes në biznes dhe mungesa e një vizioni të ri politik kanë bërë që një pjesë e madhe e shqiptarëve të mos ndihen të përfaqësuar as nga qeveria dhe as nga opozita.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i revoltës së sotme. Njerëzit janë lodhur nga korrupsioni i qeverisë, por njëkohësisht nuk gjejnë shpresë tek opozita. Ata ndihen të bllokuar mes dy poleve të së njëjtës klasë politike që ka dominuar vendin për dekada.
Prandaj është gabim të interpretohen këto protesta si një lëvizje anti Trump apo si reflektim i zhvillimeve politike amerikane. Ata që përpiqen t’i japin protestave këtë ngjyrim ose nuk e kuptojnë realitetin shqiptar, ose po përpiqen ta instrumentalizojnë atë.
Protestuesit nuk janë në rrugë për Trumpin. Ata janë në rrugë për shkak të Edi Ramës dhe Sali Berishës. Janë në rrugë sepse nuk shohin drejtësi, nuk shohin llogaridhënie dhe nuk shohin një alternativë politike që t’u japë besim për të ardhmen.
Kjo është arsyeja pse në protesta mund të gjesh njerëz që kundërshtojnë qeverinë, por njëkohësisht refuzojnë të identifikohen me opozitën. Ata kërkojnë diçka më shumë sesa rotacion pushteti, kërkojnë ndryshim sistemi.
Shumë media dhe analistë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë realitet, sepse janë mësuar ta interpretojnë çdo zhvillim përmes lenteve të vjetra partiake. Por zemërimi që po shfaqet sot nuk është produkt i propagandës së importuar dhe as i betejave politike në Washington. Ai është produkt i dështimeve të akumuluara në Tiranë.
Kur qytetarët humbasin besimin tek qeveria dhe njëkohësisht humbasin besimin tek opozita, protestat nuk janë më një episod politik. Ato bëhen një sinjal alarmi për vetë sistemin. Dhe ky është mesazhi që establishmenti shqiptar duhet të dëgjojë para se gota të derdhet plotësisht.
© Panorama.al












