Zjarri ku humbën jetën 168 persona në Hong Kong, ngrihen akuza për 7 persona dhe dy kompani

Jun 10, 2026 | 10:03

Hong Kongu ka ngritur akuza ndaj shtatë personave dhe dy kompanive për zjarrin vdekjeprurës që shpërtheu në një kompleks banimi në nëntor të vitit 2025, ku humbën jetën 168 persona.

hong kong pallate

Sipas autoriteteve, ndaj të akuzuarve janë ngritur 25 akuza, përfshirë vrasje nga pakujdesia, mashtrim, pastrim parash, pengim të drejtësisë dhe evazion fiskal.

Mes të akuzuarve janë drejtues dhe inspektorë të një kompanie konsulence që ishte përfshirë në rinovimin e ndërtesës, si dhe kontraktori kryesor i projektit.

Zjarri i madh përfshiu shtatë nga tetë blloqet e kompleksit Wang Fuk Court dhe shkaktoi një nga tragjeditë më të rënda në historinë e qytetit. Pas ngjarjes u zhvillua një hetim disamujor për të zbuluar shkaqet.

Gjatë hetimeve u konstatua se pothuajse të gjitha masat e sigurisë kundër zjarrit kishin dështuar. Sistemet e alarmit nuk funksiononin në shtatë nga tetë ndërtesat, duke ulur ndjeshëm kohën që banorët kishin për t’u larguar.

Gjithashtu, në shumë zona mungonin materialet rezistente ndaj zjarrit, ndërsa disa dritare ishin të bllokuara, çka mund të ketë ndihmuar përhapjen e flakëve.

Sipas grupit hetimor, zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një cigare që ndezi materiale të djegshme. Përhapja e shpejtë lidhet edhe me standarde të ulëta ndërtimi dhe mangësi serioze në siguri.

Si pasojë e zjarrit, mijëra banorë mbetën pa shtëpi dhe u detyruan të zhvendosen në strehime të përkohshme.

© Panorama.al

Te lidhura