Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë plagosur pas një sulmi të armatosur masiv pranë Johanesburgut, në Afrikën e Jugut.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së martës në zonën Cleveland, në një vendbanim informal. Sipas policisë, një grup personash të armatosur hyri në zonë dhe hapi zjarr ndaj banorëve në disa pika të ndryshme, përpara se të largohej.
Autoritetet bëjnë të ditur se më shumë se dhjetë të dyshuar zbritën nga një automjet i bardhë tip Toyota Quantum pranë një pike karburanti në zonë. Ata u ndanë dhe hynë në vendbanim nga dy hyrje të ndryshme, duke qëlluar në mënyrë të pakontrolluar ndaj banorëve.
Policia mori njoftimin për sulmin rreth orës 23:10 me orën lokale dhe në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie dhe ekipet e emergjencës.
Nga viktimat, tetë burra dhe tre gra humbën jetën në vend, ndërsa një tjetër ndërroi jetë më vonë në spital. Të paktën nëntë persona të plagosur po marrin trajtim mjekësor në spitale të zonës.
Motivet e sulmit mbeten ende të paqarta dhe janë pjesë e hetimeve në vijim.
Afrika e Jugut konsiderohet një nga vendet me nivelin më të lartë të vrasjeve në botë, me rreth 60 viktima në ditë mesatarisht. Sulmet e armatosura në vendbanime informale janë të shpeshta dhe shpesh lidhen me konflikte mes bandave, aktivitet kriminal ose mosmarrëveshje personale.
Ngjarja rikthen në vëmendje problemin e dhunës me armë në vend. Vitin e kaluar, nëntë persona u vranë në një sulm të ngjashëm në një lokal në Johanesburg.
Sipas të dhënave, në Afrikën e Jugut qarkullojnë rreth tre milionë armë zjarri të regjistruara ligjërisht, ndërsa besohet se një numër i ngjashëm ndodhet në mënyrë të paligjshme në duart e qytetarëve.
© Panorama.al












