Shqipëria në kërkim të liderit

Jun 8, 2026 | 8:25

EVARIST-BEQIRIEVARIST BEQIRI

Shqipëria ka pasur liderë të mëdhenj. Ka pasur edhe tradhëtarë të mëdhenj. Distanca midis dy kategorive është shpesh më e vogël nga sa e mendojmë. Historia jonë është e lavdishme dhe e dhimbshme njëkohësisht.

SKËNDERBEU – LIDERI I MBIJETESËS

28 nëntor 1443. Gjergj Kastriot Skënderbeu erdhi me vizionin e Shqipërisë europiane. Ai arriti të mbijetojë. Të mbajë gjallë një popull mes dy perandorive. E bëri këtë për 25 vjet.

Modeli i tij ishte modeli i rezistencës. I unitetit të detyruar nga rreziku i jashtëm. Shqiptarët u bashkuan rreth Skënderbeut sepse nuk kishin alternativë tjetër. Armiku ishte shumë i madh. Por kur Skënderbeu vdiq, bashkimi vdiq bashkë me të. Ndërkohë, vizioni i tij mbijetoi ndër shekuj te shqiptarët.

Historia na mëson se, lideri që e mban popullin bashkë vetëm në saj të rrezikut të jashtëm nuk ndërton dot shtet. Ndërton varësi.

ISMAIL QEMAL VLORA – LIDERI I MOMENTIT HISTORIK

28 Nëntori 1912. Një burrë jo shumë i madh në trup, por gjigand në qëndrim, ngriti flamurin në Vlorë. Ismail Qemali ishte një diplomat dhe shtetar. Ishte njeri i salloneve evropiane, i bisedave të gjata, i kompromiseve të holla. Nuk kishte ushtri. Nuk kishte ekonomi. Nuk kishte institucione. Kishte diçka më të çmuar, kuptonte se si funksiononte bota. Ai e shfrytëzoi momentin. Ai e pa dritën dhe nxitoi që të dilte nga errësira.

Shteti i sapo krijuar ishte i brishtë. Elitat shqiptare nuk ishin gati. Pavarësia u shpall, por kultura e shtetit nuk ekzistonte.

Historia na mëson se gjenialiteti i momentit, nuk zëvendëson dot rrugën e gjatë të ndërtimit të institucioneve.

FAN NOLI – LIDERI I ËNDRRAVE TË HUMBURA

Fan Noli është ndër intelektualët më të mëdhenj që ka qeverisur Shqipërinë. Poet, shkrimtar, përkthyes, peshkop, idealist dhe vizionar. Erdhi në pushtet në 1924 me një program që sot do të quhej revolucionar. Ai qëndroi gjashtë muaj.

Pse? Sepse ishte larg popullit të vet. Sepse ëndrra pa bazë sociale është poezi, jo politikë. Sepse kundërshtarët e tij, e kuptuan pushtetin si art i mbjetesës, jo si mision të udhëheqësisë.

Noli humbi. Zogu fitoi. Shqipëria pagoi çmimin. Historia na mëson se, vizioni pa pragmatizëm është një dështim i bukur.

ENVER HOXHA – UDHËHEQËSI I FRIKËS

Nuk mund ta shmangim dot. Enver Hoxha ndërtoi shtetin më të izoluar në botë dhe e mbajti pushtetin për 41 vjet. Kjo është, në vetvete, një formë e zymtë “suksesi”, nëse suksesi matet me kohëzgjatje dhe kontroll.

Por çfarë ndërtoi? Ndërtoi frikë sistematike. Dyshimin si mënyrë jetese.

Familje kundër familjesh. Fëmijë kundër prindërve. Shtet kundër individit. Një kulturë pabesie kudo

Rrënjët e kësaj kulture nuk u zhdukën me 1990-ën. Ato jetojnë akoma, në mosbesimin institucional, në cinizmin qytetar, në bindjen se “gjithçka është e korruptuar, kështu ka qenë gjithmonë.” Enveri vdiq. Enverizmi si trashëgimi psikologjike e tij nuk ka vdekur ende plotësisht.

Historia na mëson, se lideri i frikës nuk le pas qytetarë. Ai le pas të lënduar. Ai lë pas trauma shoqërore.

PAS 1990 – VAKUMI I LIDERSHIPIT

Tranzicioni shqiptar prodhoi figura. Ai nuk prodhoi liderë. Prodhoi njerëz të aftë që fitojnë zgjedhjet. Ai nuk prodhoi njerëz të aftë që të ndërtojnë besim. Prodhoi retorikë të fuqishme. Ai nuk prodhoi institucione të forta.

Polarizimi u bë identitet kolektiv. E majta dhe e djathta nuk u ndanë me ideologji. Ato u ndanë me urrejtje reciproke. Qytetari shqiptar u mësua të votojë kundër, jo për. Ky është boshllëku më i madh i 35 viteve të fundit.

LIDERI QË NA NEVOJITET SOT

Nuk na duhet një Skënderbe i ri. Nuk jetojmë nën kërcënimin Osman. Nuk na duhet një Ismail bej i ri. Nuk rrezikojmë që të zhdukemi nga faqja e dheut. Nuk na duhet një Fan Noli i ri. Vizioni pa tokë nën këmbë është luksi i atyre që nuk qeverisin.

Na duhet diçka tjetër. Diçka që nuk e kemi pasur kurrë plotësisht. Na duhet lideri i besimit.

Jo ai që premton shumë. Ai që shpjegon sinqerisht. Jo ai që flet për armiqtë e Shqipërisë. Ai që flet për sfidat reale të Shqipërisë. Jo ai që mban pushtetin duke ndarë shqiptarët. Ai që ndërton kapital shoqëror duke i bashkuar ata rreth projekteve konkrete.

Na duhet lideri që e kupton se Shqipëria e shekullit 21, ka dy armiq kryesorë. Ata nuk janë armiq të jashtëm, por të brendshëm. Janë mosbesimi dhe ikja.

Mosbesimi institucional bën që çdo reformë të duket si mashtrim. Ikja demografike bën që çdo reformë e arritur të mbetet pa njerëz që ta shijojnë.

Lideri i vërtetë i së nesërmes nuk do të matet me fjalime. Do të matet me një tregues të thjeshtë: a po kthehen shqiptarët nga diaspora? Nëse po, ka udhëheqësi. Nëse jo, ka vetëm politikë.

Ismail Qemal Vlora ngriti flamurin. Flamuri mbetet, njerëzit largohen. Skënderbeu e mbrojti vendin. Por vendi u tradhëtua pas vdekjes së tij. Ne kemi historinë e sakrificës heroike dhe të dështimit institucional.

Ka ardhur koha që të shkruajmë një kapitull tjetër. Kapitullin e ndërtimit të qetë, të vazhdueshëm, të palëkundshëm. Pa heronj. Me institucione. Pa mesianizëm. Me llogaridhënie. Nuk është një ëndërr e pamundur. Është një zgjedhje. Pyetja është nëse do ta bëjmë këtë zgjedhje, apo do të presim një hero tjetër që ta bëjë për ne?

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura