Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar kontakte me disa media amerikane dhe ndërkombëtare pas sulmit me raketa të Iranit ndaj Izraelit.
Para bisedës së tij telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump deklaroi për median amerikane Axios se kishte ndërmend t’i kërkonte liderit izraelit të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse ndaj Teheranit.
Mesazhin e njëjtë presidenti amerikan e përsëriti edhe për televizionin izraelit Channel 12, duke theksuar se nuk dëshiron të shohë “një sulm tjetër sonte”.
“Sulmet iraniane nuk lënduan askënd. Secila palë bëri lëvizjen e saj. Izraeli kreu sulmin e tij dhe Irani kreu sulmin e tij. Nuk kemi nevojë për një tjetër”, citohet të ketë thënë Trump.
Ai shtoi se do të telefononte menjëherë Netanyahun për t’i kërkuar që të mos kundërpërgjigjet ushtarakisht.
Ndërkohë, në një intervistë për Financial Times, Trump deklaroi se Netanyahu “nuk do të ketë zgjidhje tjetër” veçse të pranojë një marrëveshje me Iranin, duke lënë të kuptohet se Uashingtoni po shtyn drejt uljes së tensioneve dhe një zgjidhjeje diplomatike të krizës.
© Panorama.al












