Nga Dr. Erion Piciri
Alpha ishte një shkrimtar polak i shekullit të XX, ambicioz dhe me dëshirën për tu shfaqur si autoritet moral në shoqëri, të cilin Czeslaw Milosz e trajton në librin tij ’Mendje të robëruara’. Në publikimet e tij me nuanca fetare gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai shkroi histori mbi besnikërinë morale duke u bërë frymëzues për shumë të rinj të rezistencës.
Nga fundi i luftës gjërat po ndryshonin në Poloni. Ushtria e Kuqe po përparonte, trupat e rezistencës të vendosur midis rusëve dhe gjermanëve po sakrifikoheshin dhe gradualisht po dilnin në skenë komunistët e mbështetur nga Moska, të cilët po projektoheshin si pushtetarët e ardhshëm. Alpha, i cili gjatë luftës nuk kishte patur simpati komuniste, po ndjente se po binte në grackën e shkrimeve të deriatëhershme e po humbiste rolin në sistemin e ri. Si puna e tij kishte edhe edhe shumë të tjerë, rrëfen Milosz, ‘shkrimtarë polakë si virgjërorë, të prirur të jepeshin, por të ndrojtur’.
Alpha mori kthesën dhe iu afrua pushtetarëve të rinj, t’u shërbente me popullaritetin dhe me penën e tij, e meqënëse fjala “komunist” kishte në ato fillesa një konotacion inferior në Poloni, ai u mundua t’i paraqiste ata si modele të një etike të lartë. Nëse në kohë lufte heroi i rrëfimeve të tij ishte prifti katolik, tani personazhi heroik ishte bërë komunisti, që i kishte rezistuar burgjeve naziste, kishte humbur familjen, por nuk ishte përkulur dhe me vullnet të hekurt vinte të zbatonte Besimin e Ri. Ata që luftuan realisht për vendin shiheshin tashmë prej tij me përçmim si humbës. Për publikimet e së shkuarës, bindjet dhe të qenit besimtar, Alpha bëri autokritikë dhe për këtë u kthye në emblemën e regjimit të ri.
Pas kthimit nga Moska botoi edhe një libër për “njeriun sovjetik” si i vetmi qytetar vërtet i lirë i kësaj bote. Nga vila e dhuruar prej autoriteteve ai u kthye në moralistin e ri të pushtetit, akt të cilin nën zë disa shkrimtarë do ta etiketonin si ‘prostitucion të respektueshëm’[1]. Personazhe të tillë janë të shumtë në vitrinën ‘elitare’ të vendeve që synuan demokracinë e u rikthyen atje ku e nisën, në republika autoritare të partive shtet me një sundimtar në krye. Nën trysninë e autokracive, individi i etur për pushtet, karrierë dhe përfitime pranon të vihet në shërbim të regjimeve dhe të pësojë një deformim të përhershëm të personalitetit duke u bërë palë në vendosjen e sundimit, shkeljen e normave njerëzore, rendit moral e demokratik e të progresojë në kurriz te të drejtave të të tjerëve dhe interesit publik.
Polimorfizmi i tjetërsimit të personalitetit nën autokraci
Deformimet e personalitetit marrin forma të ndryshme dhe shtrihen në nivele të ndryshme të shoqërisë. Ato i ndeshim tek transaksionet arriviste të elitarëve dhe profesionistëve për karrierë dhe pasuri, tek të indoktrinuarit dhe idhtarët e autokratit që e bëjnë përndjekjen dhe shkeljen e të tjerëve me devotshmëri, tek grupet e privilegjuar të politikës që e shikojnë ruajtjen e regjimit si të vetmen mundësi të ruajtjes së hises së pushtetit, deri tek ata të sipërmarrjes në marrëdhënie klienteliste që përfitojnë nga kjo arkitekturë fuqie dhe mudësish për një vend në sofrën e përfitimit. Të gjithë së bashku krijojnë gardën autokratike, me funksione të ndara dhe plotësuese, që instalojnë, mirëmbajnë dhe ruajnë dominimin mbi shoqërinë.
Autokracia nuk krijon kushte zhvillimi për të gjithë, se është ndërtuar si piramidë, me hierarki të ngurtë, ku nuk synohet merita, por besnikëria ndaj grupit. Sistemi ushqen klikën e të besuarve të një lideri e partie, dhe e bën të vështirë zhvillimin me dinjitet të karrierës dhe pasurisë për profesionistët jashtë klanit politik në fuqi. Kush do ketë sukses përcaktohet nga tarafi drejtues dhe për këtë është i hapur konkurimi për nënshtrim, servilizëm dhe ecje pa dinjitet. Spekullohet dëshira e ethshme e individit për arritje, reputacion dhe të mira materiale dhe autokracitë e japin këtë mundësi në proporcion të drejtë me deformimin e personalitetit dhe vënies në shërbimin e tyre, përkundrejt sakrifikimit të së vërtetës, meritës dhe rrëshqitjes në prapambetje të shoqërive të tyre.
Në botën e qeverisur nga autokratët nuk ka vend për individualitet, liri dhe ngjitje me zotësi në hierarkinë sociale, por për rreshtim pa kushte tek masa në shërbim të kastës drejtuese. Ky tjetërsim nis nga elitat nga ky spikasin dy kategori: opinion-deformuesit e realitetit dhe politikan-zhbërësit e demokracisë. Kuptohet që këto janë kategori që e kuptojnë të vërtetën, por me vetëdije e transaksionojnë mbështetjen për përmbushjen e interesave. Përfitimet e tjetërsuesit të realitetit, të mercenarit të pushtetit vijnë me kostot e regresit kolektiv, karriera dhe mirëqënia e tij buron nga përfitimet e mohuara të restit të shoqërisë. Prandaj është e rëndësishme njohja e tipologjisë së tyre, se mbi ta ngrihen e mbahen regjimet.
Materialistët e analizës politike
Të ndalemi tek të parët, materialistët e pseudoanalizës politike dhe të shohim rolin dhe efektin e tyre në hapësirën publike. Së fundmi, Presidenti amerikan themeloi një organizim të ri ndërkombëtar, të quajtur Bord Paqeje dhe dërgoi ftesa pjesëmarrjeje për shumë vende. Një e tillë i mbërriti edhe kreut të një qeverie në këto anë, që menjëherë e shpalli si ngjitje në një majë të paimagjinueshme më parë për vendin, respekt dhe vlerësim i posaçëm si asnjëherë më parë, që nënkuptonte madhështinë e tij [2]. Kaq u desh dhe në sinkron spinmeister-at e oborrit qeveritar të ngrinin kultin e udhëheqësit me rezonancë globale. Do gjeje midis tyre pena të talentuara me tituj e brendi ku përmendej mbi dhjetë herë fjala historike, ‘njohje e peshës ndërkombëtare të udhëheqësit si njohës intim i historisë, i aftë të lexojë kohën dhe ndërtojë epoka, një vend që përmes gjenialitetit të liderit ftohet të ulet për vendimmarrje për të shkruar historinë e re të kësaj bote’[3]. Kjo qasje nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Ftesa për pjesëmarrje doli se ishte e njëjtë për pushtetarët e afro 60 vendeve dhe u trajtua me kujdes nga shumica e vendeve demokratike të botës perëndimore, të cilët e anashkaluan pjesëmarrjen dhe asocimin me të. Vetë mediat konservatore amerikane ishin të përmbajtura për të mbështetur Bordin e Paqes dhe me raste kritike. Braibart i bënte jehonë skepticizmit të përgjithshëm ndërkombëtar dhe drejtimit të personalizuar të Bordit [4], The American Conservative, e konsideronte një kthim drejt qasjeve të dështuara që e përfshinte më shumë Amerikën në Lindjen e Mesme [5], ndërsa për Wall Street Journal ishte një inisiative të cilës mund t’i jepej një shans, ndonëse pa garanci se do të zgjidhte problemin e Gazës [6]. Nuk gjen tek opinionistët seriozë dhe profesionistë, sado të afërt ideologjikisht me liderat dhe partitë, të përdoret gjuhë dhe vlerësime të njëjta me pushtetin, e jo më ekzagjerime në konstatime dhe lëvdata. Madje kritika konstruktive është e dobishme për ta mbajtur të ndezur reflektimin e vendimmarrësit dhe mos lejuar humbjen me realitetin. Faktikisht ky është një organizim i ri, në fazë embrionale dhe për të folur për suksese historike dhe rol historik të aktorëve të sapoftuar, sidomos për ata periferikët me rol dekorativ është manipulim i opinionit publik, një fenomen që ndeshet rëndom tek regjimet autoritare, sa në ditët tona dhe në të kaluarën.Victor Klemperer, në përshkrimin që i bënte Reich-ut të Tretë, shprehte habinë me fjalorthin e regjimit ku më e përdorshmja ishte fjala ‘historike’, që e gjeje kudo, në tituj, editoriale dhe fjalime, nga gjërat e vogla e të parëndësishme, deri tek fjalimet përsëritëse të Fyhrer-it, takimet e tij me Duçen ku nuk ndryshonte asgjë, apo edhe tek inagurimi i ndonjë seksioni rruge [7]. Kohët kalojnë, por fenomene të ngjashme i shohim rëndom – tjetërsim individësh, kalemxhinj pushteti që u thurin lavde sponsorizuesve të tyre, autokratë që pozojnë si misionarë historikë dhe profesionistë me karaktere të deformuara që u mundësojnë shitjen e një imazhi të rremë në publik.
Mercenarët, këta luftëtarë pa kauza të thirur nën armë kundrejt pagesave të tërthorta të autokracisë, miklojnë realitetin, zëvendësojnë faktet me pseudoanaliza ku aktualitetin politik e servirin mjeshtërisht përmes narrativave artistike për të manipuluar emocionalisht publikun. Autokratët kultivojnë një armatë të madhe veglash të tilla, manipulues të së vërtetës, përmirësues të imazhit të pushtetit dhe shkatërrues të besueshmërisë të kritikëve, profesionistë të gatshëm të transaksionojnë forcën e penës për përfitime personale. Anne Applebaum, gazetare dhe historiane amerikane, njohëse e mirë e Europës Qendrore dhe Lindore post-komuniste, në librin e saj ‘Muzgu i demokracisë: karremi joshës i autoritarizmit’, bën një përshkrim të kalemxhinjve që zbukurojnë imazhin e autokracive. Ajo kthehet pas në histori dhe vëren se që “në Romën e lashtë, Çezari kishte skulptorë, që bënin versione të shumta të figurës së tij. Asnjë autoritar bashkëkohor nuk mund të ketë sukses pa ekuivalentin e tij modern: shkrimtarët, intelektualët, fletushkaxhinjtë, blogerët, këshilltarët e imazhit, producentët e programeve televizive dhe krijuesit e memeve që mund ta shesin figurën e tij tek publiku”, profesionistë elitarë që mbrojnë shkeljen e kushtetutës dhe ligjit, që manipulojnë kundërshtitë, kanalizojnë zemërimin dhe luftojnë elitën intelektuale të vendit [8].
Rreth një shekull më parë Walter Lippmann me teorinë e tij mbi Opinionin Publik foli për këto aspekte, ku identifikoi faktin se qytetarët nuk kanë mundësi ta njohin realitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtojnë përfytyrime subjektive bazuar tek media, propaganda dhe steriotipet, e më pas nga premisat e këtij pseudo-realiteti ata veprojnë në jetën reale [9]. Këtu konsiston dëmi që autokrati, propaganda dhe propaganduesit i bëjnë demokracisë, sepse përmes manipulimit konstant të fakteve, ndikojnë në mendjet e zgjedhësve për të përmirësuar imazhin e tyre dhe degraduar atë të kundërshtarëve, e me këtë bindje e si pa e kuptuar njerëzit mbështesin njeriun e gabuar në krye të punëve të vendit. Ky është edhe shkaku pse disa autokraci nuk perceptohen si të tilla nga publiku, se dominimi duket si rezultat i natyrshëm i diferencës midis konkurentëve politikë, kur në fakt bazohet ndër të tjera edhe mbi një operacion të përditshëm imagologjik ku spin-doctor-ët e asociojnë rregullisht imazhin e pushtetit me lidershipin efektiv dhe kundërshtarët me mediokritetin dhe mungesën e cilësive profesionale dhe të personalitetit që i nevojiten profilit të drejtuesit të vendit. Pandershmëria profesionale në përshkrimin e realitetit, duke minuar çdo alternativë pushteti, i krijon dëm kolosal rrugëtimit të vendit. Të bësh karrierë dhe të pasurohesh përmes shkatërrimit të shoqërisë tënde reflekton tiparet e një qenieje të shteruar nga substanca njerëzore. Këtu hyn edhe kategoria e dytë e politikanëve karrieristë, që e duan suksesin me çdo çmim dhe janë gati të luajnë çdo rol të paprinciptë.
Arrivistët e kompromentuar të politikës
Politika, atje ku ushtrohet në mënyrë autoritare, lë pak vend për qëndrime individuale. Gjithkush duhet t’i bashkohet drejtimit të dhënë nga prijësi dhe kjo krijon kushtet për tjetërsim të politikanit. Nën peshën dhe presionin e autokracive fillon deformimi i karaktereve dhe zhbërja e personaliteteve. Kuptohet që personalitetet e forta kurdoherë kanë rezistuar, të brishtët i ka thyer koha, janë përshtatur në formën që u kanë dhënë. Herë të përzgjedhur nga prirjet për nënshtrim e herë të nënshtruar për të mbijetuar në orbitën e pushtetit, ata e gjejnë veten në sistem duke kryer të njëjtin funksion: shmangien e përgjegjësisë klasike të përfaqësuesve publikë për të mbështetur të vërtetën dhe për të ruajtur funksionalitetin e shtetit ligjor e demokratik. Një pjesë janë formësuar pa ideale e kurajo dhe një pjesë i ka dorëzuar me mirëkuptim këto tipare për të mos qenë rrezik për regjimin. Të dyja profilet, ndonëse specie të dallueshme për nga formësimi i shërbejnë në drejtime të ndryshme të njejtit qëllim, si pjesë plotësuese e paralizimit dhe çorientimit të shoqërisë. Këtu mbaron njeriu politik si mishërues i ideologjisë, vlerave shoqërore dhe universale e rilind një personazh produkt i nënshtrimit klanor, pa vetëdije, një robot i programuar të ekzekutojë në linjë vertikale urdhëresat e eprorëve, që burojnë nga niveli suprem i lidershipit. Ky mutacion i autokracive mirëmban sistemin dhe pushtetin dominues të një njeriu dhe përbën pengesën kryesore të prosperitetit të kombeve.
Dmitry Medvedev është rasti tipik se si një marionetë mund të shpërblehet me karrierë të lartë politike falë nënshtrimit, si ngjitet dhe zbret me komandë në postet kryeministrit dhe presidentit, për t’i shërbyer skemave të triblimit kushtetues të shefit të tij, pa personalitet politik dhe pa asnjë kontribut në diagnostikimin e patologjive të pushtetit dhe kurimin e tyre për shëndetin e institucioneve publike të vendit. Der Spigel e portretizon Medvedev-in si një kukull besnike e Putinit deri në pikën e vetëmohimit [10], The Guardian si një personazh që me imitimin e stilit, veshjes dhe të folurit të mentorit të tij kthehej në një personazh në kufijtë e komikes [11], BBC si një ‘Nano-president’, që kur i erdhi koha të lironte fronin e presidentit do përmendte pakrahasueshmërinë e tij me autoritetin dhe popullaritetin e Putin-it [12], ndërsa opozitari rus Alexei Navalny do ta komentonte portretin e tij si të një kleptokrati, i cili me një skemë shoqërish bamirëse, përmes të afërmëve dhe shokëve të shkollës kishte ngritur perandorinë e tij të pasurive të paluajtshme, tokave dhe apartamenteve në zonat elitare, kompanive bujqësore dhe fermave në Rusi dhe jashtë saj [13].
Për të të përdorur mund të të vënë në qafë emërtesën e deputetit, ministrit apo dhe të kreut të shtetit, por kur punon për të qenë vegël e të pushtetshmëve, jo shërbyes besnik i interesave të shoqërisë, mbetesh vartës pa personalitet e nuk kthehesh dot në udhëheqësin e vërtetë që kërkon funksioni publik. Shumë politikanë promovohen në poste për të mos reflektuar kurrë autenticitet, shprehje ambicieje dhe kandidim për poste pa iu kërkuar, për të mos çuar kurrë përpara një projekt me interes publik e për të mos u shquar në asgjë që le në hije imazhin dominues të prijësve, me autocenzurë të rreptë të ideve dhe retorikës publike, imitues pa identitet të shefave, të padëmshëm për të gjithpushtetshmin, të përulur deri në gjunjëzim, që nuk lënë rast pa përmendur mangësitë e tyre në antitezë me cilësitë e shquara të udhëheqësit, që i mban lart në hierarkitë e pushtetit. Madje sikurse ndodh rëndom në kësi rastesh, si shpërblim dhe ngushëllim për përdorimin, u tolerohet pasurimi në hambarët e shtetit, si një mënyrë për t’i mbajtur nën kontroll në rastet e zgjimit të vetëvlerësimit dhe rebelimit.
Politikanët janë për nga përkufizimi i detyrës persona që dalin përpara publikut për të ekspozuar problematika dhe marrë mbështetjen për t’i adresuar në funksion të interesit publik, që sjellin me zgjidhjen dobishmëri për shumicën e shoqërisë, mundësisht me sa më pak efekte anësore për pakicën. Ata që i hyjnë kësaj fushe për t’i gjetur një vend përfitues vetes dhe transaksionuar interesin e përgjithshëm në funksion të interesit personal apo klanor, janë shtrembërues të misionit të tyre, një lloj dinjitarësh të rremë. Kjo specie shumohet nga autokracitë, se popullimi i elitës politike me impostorë, për t’i përdorur për interesat e tyre kundër shoqërisë, për të imituar idealistin dhe e zëvëndësuar me oportunistin, instalon regjime dhe u pamundëson popujve të ushtrojnë sovranitetin mbi qeverisjet.
Medvedevët gjenden sot me shumicë në partitë dhe qeveritë që drejtohen nga klikat autokratike. Ata janë pengmarrësit e zhvillimit të shëndetshëm të vendeve të tyre. Zgjedhja e heshtjes, kur një kryetar partie uzurpon fronin, emëron i vetëm dhe pa konsultim të gjithë përfaqësinë politike të pushtetit dhe shuan kritikën me përjashtimin, reflekton shuarjen e personalitetit politik. Nuk ndodh që në një vend me institucione partiake demokratike dhe politikanë që militojnë për interesin publik t’i lejohet një kryeministri – kryetar partie të bëjë ç’të dojë me ekzekutivin dhe legjislativin, madje të largojë në bllok të gjithë funksionarët e lartë të pushtetit vendor dhe mos ketë asnjë reagim nga elita e partisë. Nuk gjen në partitë moderne të botës së lirë, përfaqësues të lartë politikë pa qëndrime publike ndaj inkriminimeve evidente të qeveritarëve të tyre apo akoma më keq të përdorin forcën e pushtetit për mbrojtjen nga drejtësia. Aty ku politikanët janë qenie të afta të bëjnë çdo kompromis kompromentues për të vijuar karrierën, demokracia dhe vetë vendi janë në rrezik. Nga mbrojtësit e republikës, rendit kushtetues dhe shoqërisë këto kategori kthehen në mëkëmbës dhe rojtarë të regjimit klepto-autokratik. Servilizmi në masë për pasuri e karrierë i politikanëve të rinj dhe të vjetër, i profesionistëve dhe intelektualëve në mbrojtje të prijësve dhe sjelljeve inkriminuese në pushtet dhe jo vetëm, dëshmon spiralen komprometuese të zhvendosjes së një shoqërie, ku përmes promovimit të qenieve pa personalitet eleminohet mundësia e përfaqësimit të individit me dinjitet, shuhet virtyti dhe kurajo për të luftuar për kauza të drejta për të cilat elitat do ishin jo vetëm të dobishme për kohën kur jetojnë, por edhe trashëgues krenarë të një modeli referencial për ata që do pasojnë.
Kur politikanët kanë egon më të fuqishme se ndërgjegjen, suksesin më të vlefshëm se ruajtjen e personalitetit, materializmin më të fortë se përgjegjësinë morale, ata janë të destinuar për ujdi kompromentuese në dëm të shoqërisë dhe të papërshtatshëm për t’u dhënë besimin në marrjen e detyrave publike. Ata nuk sillen si pjesë e inteligjencës së dobishme për interesin e përgjithshëm, por si arrivistë oportunistë që e përdorin publiken vetëm për interesat e tyre të ngushta dhe si të tillë nuk meritojnë mbështetje e promovim, madje dhënia e mundësive është thellësisht e dëmshme për evolucionin në kohë të së përgjithshmes.
Sejmenët patronazhistë – ‘running dogs’ të autokracisë
Devijacione kompromentuese të personalitetit nuk ndodhin vetëm tek elitat. Ato i japin legjitimitet dhe vendosin bazën ‘morale’ të deformimit që përcillet tek të gjitha nivelet, por implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit e kryejnë sigurimsat modernë të partisë-shtet. Krijimi i këtij kontigjenti besnikësh është ndër punët e para të autokratëve. Në Venezuelën e Chavez-it u krijua një databazë kombëtare patronazhimi politik e nisur me “Listën Tascón” të nënshkruesve të referendumit të 2004-ës kundër tij dhe e vijuar me “programin Maisanta” për identifikimin e orientimit politik të venezuelianëve si mjet survejimi, intimidimi elektoral dhe diskriminimi politik. Sipas raportimeve të Human Rights Watch, brenda 14 viteve të sundimit të Chavez-it, patronazhimi ofronte informacion të detajuar për të gjithë votuesit e regjistruar, që arrinin në një total prej mbi 12 milionë qytetarësh, të cilëve për shkak të qasjeve politike u viheshin një sërë barrierash në shërbimet publike, përjashtim nga punësimet shtetërore dhe madje edhe nga sipërmarrjet private të lidhura me pushtetin [14]. Ngjashëm edhe në këto anë, një media e pavarur zbuloi në prag të zgjedhjeve të 2021 survejimin politik nga partia në pushtet të 910 mijë qytetarëve në kryeqytet [15]. Prej atëherë fenomeni nuk është ndalur, partia qeverisëse ka thelluar rezultatin dhe patronazhimi ka marrë mbrojtje publike.
Survejimi, kontrolli, joshja, blerja dhe ndëshkimi janë mekanizma të njohur në shumë autokraci. Në Meksikë, qeverisja gjysmë-autokratike e PRI (Partia Revolucionare Institucionale), që ndenji në pushtet për 71 vjet, u mbajt po përmes patronazhimit politik, kryesisht në nivel bashkish, ku ndarja e ndihmave të varfërisë shkonte nga nevoja e individëve tek nevoja e partisë për të konsoliduar peshën elektorale, e ku votuesit ishin të preokupuar të bënin detyrën dhe të demonstronin korrektësinë ndaj atyre që po e vëzhgonin [16]. Në Argjentinë makineria politike peroniste përdorte ndërfutjen e thellë në rrjetet shoqërore të votuesve për të deshifruar votimin e fshehtë të tyre, duke ndikuar mënyrën se si njerëzit votonin dhe duke i kërcënuar me ndëshkim për votimin për një parti tjetër [17]. Prej dekadash patronazhimi u përdor edhe nga liderët afrikanë si mekanizëm blerjeje të e një sërë rivalësh dhe shpërblimi të ndjekësve, në një marrëdhënie padron-klient e cila mbante në pushtet koalicione fituese [18].
Ne i kemi parë midis nesh të gjitha këto metoda autokratike, ku partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve shtetërore, ushtroi presion mbi punonjësit publikë dhe krijoi një avantazh të padrejtë me garuesit e tjerë në zgjedhje [19]. Në këtë kontekst spikat survejimi politik i militantëve të partisë në pushtet, të inflitruar në pozicione drejtuese e me autoritet shtetëror për t’i treguar votuesit potencial se opinionet, pozicionimet dhe qëndrimet politike po vëzhgohen e në çdo kohë mund të përballen me autoritetet. Këto metoda nxjerrin në pah kategorinë e tretë të gardës autokratike, të sejmenëve patronazhistë, armatë besnikësh pa vrasje ndërgjegjeje që punojnë për instalimin e një pushteti jodemokratik, militantë politikë të cilët me ngjitjen e partisë në pushtet, veshin kostumin e burokratit duke zaptuar terrenin e profesionistit të shtetit.
Kjo kategori ka vend nderi edhe në sytë e prijësve, se përmes tyre ndodh pushtimi i shtetit dhe nënshtrimi shoqërisë. Kryepushtetari i këtij sistemi anti-demokratik, që së fundmi arriti me sukses ta përfshinte vendin në kategorinë e autokracive elektorale në klasifikimet e raportit të V-Dem Institute 2026 [20], do u jepte medaljen e mirënjohjes patronazhistëve, si njerëz me të cilët ‘nuk duhet të kruheshim se ishin hakmarrës të mëdhenj dhe inatçinj’ [21]. Lavdërimet e përsëritura dhe frikësimet janë forma të legjitimimit të hapur për aktivitetin e tyre në funksion të pushtetit të tij, një arrogancë dhe sfidim i normave, një urdhërim për bindje pa kushte dhe pranim të rendit autokratik.
Binomi sundues-sejmen, sa i lashtë dhe bashkëkohor qëndron në themel të regjimeve uzurpuese që mbërthejnë shoqëritë. Sejmeni-patronazhist si specie e gjynjëzuar dhe e depersonalizuar lufton çdo princip njerëzor për të parazituar në sistem, për të gjetur një mënyrë mbijetese, duke shkelur mbi fatet meritore të qytetarëve që u përmbahen me stiocizëm nderit dhe profesionalizmit. Çdo shërbyes i autokracisë e di mirë se po e hoqën nga lartësitë ku e kanë ngjitur pa meritë, rënia është përfundimtare dhe kjo i jep motivim çdo ditë të përulet, shpërdoret dhe dëmtojë kë e urdhërojnë. Në këtë konfiguracion autokrati është mjeshtër i shfrytëzimit të dobësive të karakterit të sejmenëve në funksion të qëllimit të tij për pushtet absolut dhe tjetërsim masiv të popullsisë.
Ky lloj individi humbet logjikën, gjykimin, jeton për të demostruar besnikërinë ndaj atij që ia konformon dhunshëm bindjet dhe është i gatshëm t’i lëshohet i egërsuar kujdo, që ka një mendim racional dhe të lirë, të ndryshëm nga shefi dhe grupi i tij. Besnikëria ndaj prijësit dhe grupit, që pretendohet se janë të vetmit që i dalin për zot vendit, mbetet e padiskutueshme, etalon i vlerësimit të patronazhistit si pjesë e kësaj bashkësie politike. Çdo dyshim apo mungesë angazhimi total konsiderohet tradhëti ndaj organizatës dhe këtë patronazhisti nuk ia fal as vetes dhe as të tjerëve.
Do ishte më pak e dëmshme sikur autokracia të ishte punë e sundimit të një njeriu, se me rënien apo vdekjen e prijësit do higjenizohej politika dhe pushteti, por autokrati kujdeset që modeli dhe mendësia të reflektohet tek ndjekësit e për këtë i pëlqen të rrethohet nga mbështetës të cilëve ua lexon dëshirat dhe përthyeshmëritë, i gradon me funksione shtetërore dhe i shpërdor për të realizuar qëllimet duke ua thyer kollonat që mos bëhen më njerëz.
* * *
Dëmi që autokracitë u bëjnë personalitetit të njerëzve janë të pakthyeshme dhe me mendësi ngjitëse në kulturën e shoqërive. Sjelljet e përsëritura kthehen në kulturë dhe kultura në traditë të trashëguar tek brezat. E kemi parë me rënien e komunizmit, ku mendësia e klanit dhe dominimit mbijetoi përmes individëve tek organizatat e reja dhe se si komunistët dhe simpatizantët në dukje të demokratizuar rikthyen autokracitë në partitë dhe qeveritë ku udhëhoqën duke u kthyer në laboratorë të tjetërsimeve të të gjithë atyre me të cilët bashkëpunuan. Kështu brezat zëvendësojnë njëri-tjetrin, por mbetet patologjia e sundimit dhe pasojat e saj tek modifikimi i personalitetit. Nga ecja me dinjitet shkohet drejt mbjetesës me servilizëm, nga betejat për principe tek besnikëria për poste e mundësi, nga investimi në përmirësimin e vetes tek makinacionet në grup për të larguar njerëzit e duhur nga marrja e përgjegjësive atje ku u takon, nga stimulimi i kurajos për të luftuar për ato çfarë është e drejtë tek autocenzura dhe tjetërsimi drejt profilit të njeriut të varur e të heshtur, i dëgjueshëm dhe pa idetë e veta për jetën e tij dhe të komunitetit.
Autokracitë mbasi mbërthejnë vendin dhe ndajnë popullsinë në besnike dhe armike të regjimit mundohen të pastrojnë territorin nga kundërshtarët dhe të pavarurit duke i privuar nga mundësitë, që t’i nxisin drejt largimit. Kështu nga Venezuela fillimisht ikën profesionistët e më pas filloi emigrimi masiv. Kjo po ndodh edhe tek ne. Në 15 vitet e fundit janë larguar rreth 760 mijë persona, me një tkurrje të popullsisë prej 27%, kryesisht pjesë aktive, shtresë e mesme, të rinj, profesionistë të lartë dhe me emigrim familjar [22,23]. Një vend i drejtuar nga një bashkësi personalitetesh të deformuara që solidarizohen rreth trukimit të sistemit dhe mbajtjes pa meritë të pushtetit, nxit ikjen e pjesës më konkuruese, duke kompromentuar të ardhmen dhe zhvillimin. Vendi që krijojmë përcakton cilësinë e njerëzve që do qëndrojnë dhe cilësia e tyre përcakton nivelin zhvillimor që do arrijë në kohë. Në sistemin e projektuar për sundim të mediokritetit, nxitet ikja masive e njerëzve të zot. Një shoqëri sejmenësh nuk ka të ardhme të shëndetshme.
Lideri dhe partia që përfitojnë nga dobësitë dhe u tjetërsojnë njerëzve personalitetin duke i përdorur kundër shoqërisë nuk meritojnë mbështetje politike për të ushtruar funksione publike. Vetë njerëzit e implikuar në struktura politike dhe qeverisëse duhet të ndërgjegjësohen për poshtërimin e vetes dhe dëmin e shkaktuar shoqërisë, të reagojnë jo vetëm kur i zbresin nga froni, por të kryejnë një reflektim të përhershëm kantian ku përgjegjësia morale të tejkalojë pragmatizmin e mbijetesës, që u cënon dinjitetin njerëzor. Guximi për të qëndruar i lirë dhe i ndershëm në mendime dhe veprim pavarësisht kostove dhe trysnisë qëndron në themel të të qenit njeri. Vetë historia e kombeve është një koleksion ngjarjesh ku personalitetet e pathyeshme i rezistuan dominimit dhe mbajtën gjallë virtytin, dinjitetin dhe lirinë duke u dhënë shoqërive një model jete, dobishmërie sociale dhe humanizmi ku ato të orientoheshin në terrin autokratik.
© Panorama.al












