Koherenca e munguar për korrupsionin

Jun 6, 2026 | 8:12

FLORJAN KALAJA Florjan Kalaja

Kodi Penal në fuqi e përmend korrupsionin gjithsej 21 herë. Projekti i Kodit të ri Penal e përmend korrupsionin 47 herë. Kjo do të thotë se matematikisht korrupsioni ka dyfish vëmendjen e shtuar të reformës më të rëndësishme penale pas vitit 1995 në Shqipëri. Por a ka një emërues të përbashkët apo një përkufizim shterues normativ projekti i Kodit të ri Penal, në mënyrë që të tregojë ezaurueshëm se çfarë dhe cilat janë veprat penale korruptive? Në vijim do të përpiqem të panoramoj kronologjikisht dhe përmbledhtazi për qëllimet e këtij shkrimi këto 47 rregullime.

Rregullimet relevante të korrupsionit në Pjesën e Përgjithshme të projektit të Kodit Penal rezulton se janë gjithsej 11. Kështu në nenin 11 parashikohet se kushti i dënueshmërisë së njëkohshme të veprës penale nuk zbatohet për krimet e korrupsionit në sektorin publik dhe privat apo edhe ndikimit të paligjshëm, për efektet e zbatimit të ligjit penal shqiptar për vepra penale penale të kryera jashtë shtetit nga shtetas shqiptarë. Më tej shkronja “ë” e pikës 1 të nenit 12 parashikon se ligji penal shqiptar zbatohet edhe për shtetasin e huaj dhe për personin pa shtetësi, që jashtë Shqipërisë, kryejnë vepra penale të korrupsionit në sektorin publik apo privat si dhe të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në dëm të interesave të shtetit apo shtetasve shqiptarë.

Më tej pika 4 e nenit 18 përjashton veprat penale të korrupsioni të çfarëdolloji nga mundësia e pushimit të procedimit penal për vepra penale që përmbajnë rrezikshmëri të ulët. Pika 1 e nenit 58 parashikon ndër të tjera se organizata kriminale e kryen aktivitetin kriminal ndër të tjera edhe përmes përvetësimit të fondeve publike nëpërmjet veprimeve të korrupsionit. Një terminologji tjetër ofron neni 83, i cili, duke rregulluar dënimin plotësues të ndalimit për të marrë pjesë në gara për vende pune apo për të fituar fonde publike, parashikon ndër të tjera se ky dënim jepet detyrimisht ndaj atyre që kanë kryer vepër të rëndë apo shumë të rëndë në fushën e korrupsionit.

Më tej pika 1 dhe 2 e nenit 144 ka parashikuar në fushën e veprimit të privilegjit penal të uljes apo përjashtimit nga dënimi për bashkëpunëtorin e drejtësisë vetëm veprat penale që në Pjesën e Posaçme të projektit përbëjnë korrupsion aktiv, duke përjashtuar çdo vepër tjetër penale korruptive. Përkufizimi tjetër vjen në pikën 2 të nenit 145, duke parashikuar se cilido që ka kryer vepra penale të korrupsionit të çdo forme nuk mund të përfitojë nga ulja e dënimit nën kufirin minimal të parashikuar nga ligji. Më tej pika 3 e nenit 147 përjashton nga zëvendësimi i dënimit me burgim me pagimin e një shume të hollash në favor të shtetit të autorëve që kanë kryer veprat penale të korrupsionit.

Pika 2 e nenit 158 përjashton nga zëvendësimi i burgimit të shkurtër me një lloj tjetër të dënimi të autorëve që kanë kryer vepra penale të të gjitha llojeve të korrupsionit. Ndërkohë pika 2 e nenit 186 parashikon ndër të tjera se afatet e parashkrimit të ndjekjes penale dyfishohen në rastet e veprave penale të korrupsionit të zyrtarëve publikë. Njëlloj pika 2 e nenit 190 parashikon dyfishimin e afateve ligjore të parashkrimit të ekzekutimit të vendimeve penale në rastet e dënimeve të zyrtarëve publik për korrupsion. Ndërkohë në 18 norma të Pjesës së Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal rregullohen drejtpërdrejtë veprat penale të emërtuara korrupsion.

Kështu neni 296 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”; neni 297 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”; neni 328 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; neni 329 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë”; neni 330 parashikon veprën penale “Konspiracioni për korrupsion”; neni 336 “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”; neni 337 “Korrupsioni aktiv ndaj nëpunësve të huaj publikë”; neni 523 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe oficerit të policisë gjyqësore”; neni 524 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare”; neni 525 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj”; neni 526 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja”; neni 527 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo oficerit të policisë gjyqësore”; neni 528 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare”; neni 529 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj”; neni 530 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja”; neni 531 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit”; neni 652 parashikon veprën penale “Korrupsioni aktiv në sektorin privat”; neni 653 parashikon veprën penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”. Nga ana tjetër, megjithëse formalisht nuk emërtohen si vepra penale korruptive, konstatoj se materialisht ka edhe 4 vepra të tjera penale që përbëjnë korrupsion në Pjesën e Posaçme të Kodit të ri Penal. Kështu neni 315 parashikon veprën penale “Zhvatja”.

Neni 327 parashikon veprën penale të “Ndikimit të paligjshëm” apo ajo që njihet si ndërmjetësimi në korrupsion. Neni 532 parashikon veprën penale “Trafiku i influencës në sistemin e drejtësisë”. Më tej neni 534 parashikon veprën penale “Zhvatja në sistemin e drejtësisë”. Ndërkohë këtyre veprave, edhe pse nuk lidhen me sistemimin normativ sëbashku të veprave korruptive formale dhe materiale, për nga natyra do të duhet t’i shtohet edhe 3 vepra penale të tjera. Kështu pika 2 e nenit 507 parashikon veprën penale “Dëshmia e rreme” e dhënë për shkak për përfitimeve të padrejta. Pika 2 e nenit 511 parashikon veprën penale “Përkthimi i rremë” i bërë për shkak të përfitimeve të padrejta. Pika 2 e nenit 512 parashikon veprën penale “Ekspertimi i rremë” i bërë për shkak të përfitimeve të padrejta.

Ndërkohë më rezulton se Pjesa e Posaçme e Kodit të ri Penal parashikon 3 vepra penale quasi apo gati-korruptive apo fakultete materiale të korrupsionit. Konkretisht neni 301 parashikon veprën penale “Konflikti i interesit”. Neni 314 parashikon veprën penale “Pasurimi i paligjshëm” në përgjithësi të zyrtarëve publikë. Neni 533 parashikon veprën penale “Pasurimi i paligjshëm” në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër rezulton se Pjesa e Posaçme e Kodit të ri Penal ka parashikuar 4 vepra penale të lidhura ngushtë me korrupsionin apo që në literaturën juridike të së drejtës penale njihen edhe si vepra penale simotra të korrupsionit. Kështu neni 322 parashikohet vepra penale “Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e koncensionit” dhe se pika 3 parashikon se kjo vepër bashkëekziston edhe me veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarit publik.

Neni 323 parashikohet vepra penale “Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e prokurimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë” dhe se pika pika 5 parashikon se kjo vepër bashkëekziston edhe me veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarit publik. Neni 324 parashikon veprën penale “Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e prokurimit” dhe se pika pika 5 parashikon se kjo vepër bashkëekziston edhe me veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarit publik. Neni 325 parashikon veprën penale “Shkelja e barazisë së kandidatëve ekonomikë në procedurat e ankandit publik” dhe se pika pika 5 parashikon se kjo vepër bashkëekziston edhe me veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarit publik.

Më tej rezulton se korrupsioni përmendet edhe si shkak nuliteti apo paqenësie për të drejtat që rrjedhin nga një dokumement, autorizim, licencë, leje apo kontratë. Korrupsioni përmendet në përkufizimet e nenit 256; 375; 466; 554; 614; 676; 764; 916 dhe 942 të projektit dhe se, përveç nenit 466, në këto dispozita renditet si shkak paqenësie juridike edhe zhvatja përveç korrupsionit. Megjithatë, edhe nga mënyra se si është formuluar neni 466 është e tillë që lë hapësirë që zhvatja të jetë shkak ligjor paqenësie edhe në këtë dispozitë dhe krahas korrupsionit. Korrupsioni rezulton i përdorur edhe si rrethanë cilësuese por vetëm 1 herë. Kështu në nenin 513 parashikohet vepra penale “Ndikimi me dhunë në mbarëvajtjen e procesit gjyqësor”.

Pika 2 e kësaj dispozite parashikon ndër të tjera se kur këto veprime kriminale kryhen në lidhje me procedimet penale për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv, korrupsionit në sektorin privat, përvetësimi i paligjshëm, trafiku i influencave, krimet kundër autoritetit të shtetit apo pasurimit të paligjshëm, dënimi shtohet me 1/3 e tij. Në këtë moment disa pyetje shtrohen për zgjidhje vetëm nga larmia, rrëmuja dhe mungesa e koherencës së rregullimeve të Pjesës së Përgjithshme dhe të Pjesës së Posaçme të projektit të Kodit të ri Penal.

Grupi i punës apo më tej Kuvendi do të duhet të sqarojë se: – Përse nuk ka një gjithëpërfshirje tërësore të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë për llogari të zbatimit të zbatimit të ligjit shqiptar për vepra penale penale të kryera jashtë shtetit nga shtetas shqiptarë?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale të korrupsionit në kuptimin e gjërë për efektet e zbatimit të ligjit penal shqiptar zbatohet për shtetasin e huaj dhe për personin pa shtetësi, që jashtë Shqipërisë, kryejnë vepra penale në dëm të interesave të shtetit apo shtetasve shqiptarë?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë për llogari të moszbatimit të pushimit të çështjes penale për shkak të rëndësisë së vogël?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë për llogari të përshkrimit të mënyrës se si organizata kriminale përvetëson fondet publike?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë për efektet e zbatimit të detyrueshëm të dënimit plotësues të ndalimit për të marrë pjesë në gara për vende pune apo për të fituar fonde publike?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë për efektet e përcaktimit të fushës së veprimit të institutit të bashkëpunimit me drejtësinë?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë pamundësia e zbatimit të institutit të uljes së dënimit nën minimumin e parashikuar nga ligji;

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë pamundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim me dënimin me gjobë?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë pamundësia e zëvendësimit të dënimit me burgim të shkurtër me një lloj tjetër dënimi?

– Përse nuk ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive në kuptimin e gjërë dyfishimimi i afateve të parashkrimit të ndjekjes penale dhe të parashkrimit të ekzekutimit të vendimit penal, sipas nenit 186 dhe 190 të projektit?

– Përse vetëm korrupsioni pasiv konkuron me katër veprat penale të shkeljes së barazisë në tendera, ankande apo koncensione dhe pse nuk bëhet i njëjti parashikim edhe për zhvatjen dhe për çdo formë formale dhe materiale të korrupsionit?

– Pse veprat penale të tjera materiale të korrupsionit apo të gati-korrupsionit nuk janë përfshirë në paragrafin e dytë të nenit 513?

– Pse ka gjithëpërfshirje të veprave penale korruptive, gati-korruptive dhe të atyre që lidhen ngushtë me korrupsionin vetëm në nenet 256; 375; 466; 554; 614; 676; 764; 916 dhe 942 dhe jo tek dispozitat e tjera të cilat duhet ta luftojnë njëlloj cilësisht këtë fenomen kriminal?

– Pse duhet të ketë korrupsion që nuk cilësohet dhe dënohet si korrupsion formalisht në Pjesën e Posaçme?

– Si do të konceptohet kompetenca e SPAK dhe GJKKO pas hyrjes në fuqi të projektit të Kodit të ri Penal, duke patur parasysh të gjitha risitë pozitive dhe negative që ka ky zhvillim legjislativ?

Në këtë mënyrë rezulton se nga mungesa e kohezionit strategjik të grupit të punës në mënyrën se si duhet të ishte planifikuar reforma penale mbi korrupsionin në projektin e Kodit të ri Penal lindin kaq shumë paqartësi për të kuptuar rast pas rasti se si do të zbatohen këto norma. Vlerësoj se grupi i punës, Ministria e Drejtësisë apo Kuvendi do të duhet të ndryshojë tërësisht qasje në këtë drejtim.

Rregullimet mbi korrupsionin në kuptimin formal dhe material duhet të kenë sistematicitet, qartësi, paekuivoksi dhe të konturojnë një sistem normativ kohezional. Vetëm përmes rregullimit dhe unifikimit parimor se çfarë do të kuptohet me vepra penale korruptive arrihet të rrëzohen në bllok pyetjet e ngritura më lart, të cilat, në këtë gjendje që është projekti, do të dinë vetëm të shqetësojnë, të hedhin shtat dhe të shumëzohen.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura