Presidenti rus, Vladimir Putin ka refuzuar ftesën e homologut ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke thënë se nuk sheh asnjë arsye për t’u takuar tani.
Zelensky i dërgoi një letër të hapur të enjten duke bërë thirrje për negociata të drejtpërdrejta me Putinin, dhe ku shprehej se ishte “gabim thjesht të pritej” që lufta të bëhej përsëri në qendër të vëmendjes së SHBA-së.
Putin refuzoi kërkesën për takim, duke përsëritur qëndrimin e tij se bisedimet e paqes duhet t’i paraprijnë çdo armëpushimi.
“Nuk shoh ndonjë kuptim për momentin. A ishte një mënyrë për të krijuar kushtet për një takim ballë për ballë apo një mënyrë për të mos caktuar një takim ballë për ballë? Mendoj se ishte e dyta.” tha Putin, ndërsa fliste në forumin vjetor ekonomik të Rusisë në Shën Petersburg të premten.
Zelensky, në përgjigje të këtij komenti, tha se Rusia “po zgjidhte përsëri luftën”. “Ai thjesht nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Mendoj se shumë njerëz në botë u zhgënjyen nga kjo përgjigje“, shkroi Zelensky në Telegram.
Gjatë fjalës së tij lidhur me letrën e Zelensky-t, Putin riafirmoi qëndrimin e tij se një armëpushim do t’i lejonte Ukrainës vetëm të riorganizohej, ndërsa lëshimet që Moska po kërkon nga Kievi mbeten të paplotësuara.
“E vetmja gjë që duhet bërë është që pala ukrainase të ndalojë përparimin e forcave tona të armatosura. Por ne kemi nevojë për marrëveshje – jo për gjashtë muaj, jo për tre muaj, por për një afat të gjatë”, tha presidenti rus.
Qëndrimi i hershëm i Rusisë është që Ukraina duhet të tërhiqet nga rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhzhisë, si dhe të braktisë përpjekjet për t’u bashkuar me NATO-n.
© Panorama.al












