Një krahasim i projekteve problematike në Beograd e në Zvërnec

Jun 5, 2026 | 8:29

GENC POLLO 1200px-Genc_Pollo-e1569348544252-570x410-1

1-BEOGRAD -KUSHNER

Në dhjetor 2025, “Affinity Partners”, firma e Jared Kushner-it, dhëndër i Presidentit të SHBA, njoftoi se tërhiqej nga projekti “Belgrade Centrum” që përfshinte ndërtimin e një kompleksi me hotele e qendra tregtare në qendër të Beogradit. “Affinity Partners” e shpjegoi vendimin e tërheqjes duke thënë se projekti nuk lipsej të ishte përçarës, por përbashkues dhe se po vepronin në respekt të popullit të Serbisë e Beogradit.

-PROTESTA

Në mars 2025, në Beograd filluan protesta pothuaj të pandërprera kundër projektit. Një motiv i tyre ishte sedra e lënduar nacionaliste: projekti shtrihej mbi godinën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, të bombarduar nga NATO në vitin 1999 dhe aktualisht ende rrënojë. Me moton “të mos u japim sot veresie amerikanëve çka ata na shkatërruan dje” u mobilizuan edhe ish-ushtarakë e nacionalistë, që nuk para kundërshtojnë regjimin e Vuçiçit. Tjetër motiv ishte paligjshmëria e korrupsioni lidhur me pronën shtetërore ngjashëm me “Belgrade Waterfront”, një tjetër projekt ndërtimor i nisur 9 vjet më herët.

-HETIMI PENAL

Prokuroria Antikorrupsion e Serbisë hetoi ndryshimet e befta e të shpejta të ligjeve e rregulloreve të prera me masë për Belgrade Centrum dhe i gjeti ato abuzive, madje në ndonjë rast edhe antikushtetuese. Në vijim u arrestuan disa funksionarë dhe ministri i Kulturës, Nikola Selakoviæ, u mor i pandehur. Ky moment ishte pika që përmbysi kupën; ditën tjetër “Affinity Partners” deklaroi tërheqjen nga projekti.

2-ZVËRNEC -STANDARDET LIGJORE

Qeveria “Rama” ka ndryshuar para pak vitesh ligjin për zonat natyrore të mbrojtura duke dobësuar standardet ndërkombëtare mjedisore dhe duke devijuar nga legjislacioni i Bashkimit Europian. Gjithashtu, ajo ka zgjatur vazhdimisht afatin e ligjit për investitorët strategjikë, i cili normalisht duhet të kishte dalë nga fuqia në vitin 2018. Këto ligje janë kritikuar nga opozita në Kuvend, ekspertët si dhe janë shqetësime permanente në raportet periodike për Shqipërinë të Komisionit e të Parlamentit Europian. Projekti “Zvërnec” bazohet pikërisht në këto ligje problematike.

-”PRONARËT” E TOKËS

Ndërkohë që në Beograd projekti zhvillohej në tokë shtetërore, në Zvërnec pronarët e tokës janë privatë, por të llojit të veçantë. Në listën e tyre kemi një personazh të njohur për përvetësim masiv tokash përmes marifeteve në rrëmujën e letrave lloj-lloj të ZRPP-ve, noterëve e gjykatave; krahas tij është dhe avokati i vet që u dënua me 10 vjet burg se në favor të klientit falsifikoi letrat e pronësisë mbi tokën në fjalë (!); më tej akoma pronar është gjyqtari i apelit (më pas i përjashtuar me veting) i cili i dha pafajësinë avokatit (çështja penale u kthye për rigjykim nga Gj. e Lartë).

Pastaj vijojnë të tjerë personazhe me çështje penale të vjetra e aktuale. Këtu duhet të shtojmë edhe pronarë me letrat e ligjit 7501 e ish-pronarë me letra historike. Vetëm sa më sipër do të zmbrapste çdo investitor ndërkombëtar serioz jo vetëm se riskonin që t’u shkonin milionat dëm, por edhe sepse do të riskonte reputacionin. Nëse hetimi penal, SPAK-u ka nisur procedurën verifikuese që në vitin e shkuar, do të konfirmojnë faktet e mësipërme të raportuar nga media investigative është e sigurt se “Affinity Partners” do të lëshojë një njoftim shtypi si ai i Beogradit në dhjetor. Në mos po e bëjnë më herët.

Po ashtu, edhe të tjerët, përfshi vëllezërit nga Katari. Kryeministri Rama thotë këto janë kontrata privatësh. Por, Kushneri dhe e shoqja janë privatë specialë dhe Rama, që është takuar disa herë me ta dhe që ka ditur patjetër katrahurën pronësore në Zvërnec, mban përgjegjësi që i lejoi në qorrsokak.

-PROTESTA

Që nga fillimi i javës, një numër i madh protestuesish, kryesisht rinorë, tubohet në bulevard e para Kryeministrisë për Zvërnecin. Ata kërkojnë nga dorëheqja e qeverisë, tek anulimi i amendimeve në ligjet mbi zonat natyrore të mbrojtura e mbi investitorët strategjikë te pezullimi i projektit ‘Zvërnec’ Protesta është pa lidership të njohur, ideologjikisht amorfe, me teknika fantaziste, por edhe pjesërisht me mesazhe idiote në disa pankarta e fjalime. Por kauza që i ka nxjerrë në rrugë është legjitime dhe opozita parlamentare, me gjithë provokimet e paduhura nga segmente të protestës, lipset të gjejë mënyra të diferencuara të përkrahjes aktive.

-MEDIATIZIMI NDËRKOMBËTAR

Çështja e projektit “Zvërnec” dhe protesta kundra tij ka marrë dhenë e po pasqyrohet masivisht në mediat amerikane dhe europiane si dhe në rrjetet sociale. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të ndjeshmërisë për mjedisin. Por realisht shkaku kryesor është armiqësia e mediave tradicionale në SHBA e në Europë me Presidentin Trump. Përpjekja e Ramës për të ndryshuar narrativën po dështon sikurse tregoi intervista dizastër e tij me CNN, ku ai humbi vetëkontrollin.

Implikimi i dhëndrit Kushner e i së bijës Ivanka në një projekt problematik është rast ideal për ta sulmuar direkt e indirekt Presidentin amerikan, sidomos kur në sfond janë zgjedhjet e mes-mandatit (mid terms) të Kongresit në fund të vitit. Mbas medias, në skalion të dytë po përgatiten kongresmenët demokratë në opozitë me nisma hetimore ndaj Kushnerit e familjes Trump. Pra, të mos kemi iluzione: projekti ‘Zvërnec’ e Shqipëria po përdoren në luftën politike përtej oqeanit.

Po kështu, ndodhi e përtej Adriatikut me të majtën italiane që ishte pro Edi Rama deri kur ky i fundit bëri ujdi me Kryeministren Meloni për kampet e emigrantëve. Pastaj filluan kritikat si dhe hulumtimet e disa mediave mbi lidhjet e Ramës me narko-kartelet. Cilido qoftë motivi ky lloj mbulimi mediatik është pozitiv për Shqipërinë, mbasi nxjerr në pah të vërteta të hidhura të mbuluara nga propaganda, padituria e mosinteresi. Ndërsa Jared Kushner do të dalë vetë nga ky qorrsokak dhe Presidenti Trump e Partia Republikane amerikane kujdesen vetë për sfidat e tyre.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura