Çfarë ka ndodhur me mësimin e gjuhës shqipe në Malmo?

Jun 9, 2026 | 7:55

gjuha shqipeALVIN GASHI

Suedi
Bie interesimi i nxënwsve shqiptarë për mësimin e gjuhës amtare shqipe në komunën e Malmos në Suedi. Prej vitit 2020 numri i nxënësve që mësojnë shqip është ulur me 108 nxënës, ose rreth 12% më pak. Aktualisht në Malmo studiojnë gjuhen amtare shqipe 785 nxënës. Ata janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe nga familje shqiptare që kanë emigruar më herët në Greqi dhe Itali. Situata është disi më rëndë pasi në statistikë përfshihen edhe nxënës që megjithëse e kanë emrin në lista nuk janë paraqitur fare ose fare pak gjatë gjithë vitit shkollor. Në mësimdhënien e gjuhës shqipe në Malmo janë 12 mësues. Sipas statistikave të Zyrës së Gjuhëve Amtare në komunën e Malmos. ëe vitin shkollor 2018- 2019 kanë qenë regjistruar 808 nxënës për mësimin e gjuhës shqipe. Në vitin shkollor 2019-2020 ishin regjistruar 893 nxënës. Në vitin shkollor 2020-2021 numri i nxënësve u ul në 849 nxënës. Në vitin shkollor 2021-2022 numri i nxënësve ishte 840 nxënës. Në vitin shkollor 2022-2023 ishin 867 nxënës. Në vitin shkollor 2023- 2024 ishte 819 nxënës. Në vitin shkollor 2024-2025 ishin 780 nxënës. Ndërsa në këtë vit shkollor 2025-2026 ishin regjistruar 785 nxënës.

KUSH MERR PJESË NË MËSIM?

Në Suedi, mësimi i gjuhës amtare është një e drejtë ligjore për fëmijët që flasin një gjuhë tjetër përveç suedishtes në shtëpi. Ajo zhvillohet si orë mësimi me zgjedhje në ambjentet e shkollës.

Nga ky program mund të përfitojnë të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, me kusht që gjuha e kërkuar të jetë gjuhë e gjallë e komunikimit të përditshëm në familje.

Për të zhvilluar këtë mësim, nxënësi duhet të ketë njohuri bazë të gjuhës dhe në komunë duhet të ketë të paktën pesë nxënës që kërkojnë të njëjtën gjuhë. Nëse numri i nxënësve që kanë aplikuar për mësimin e gjuhës shqipë në një shkollë është më pak se 5, atëherë ndodh që nxënësit të mblidhen nga shkolla të ndryshme në një shkollë për të plotësuar numrin e duhur.

Mësimi i gjuhës amtare realizohet përmes regjistrimit zyrtar në shkollë, ku mësimi zakonisht organizohet jashtë orarit të rregullt ose si lëndë me zgjedhje.

Në sistemin arsimor suedez, kjo lëndë ka një vlerë të jashtëzakonshme pasi mbështet zhvillimin kognitiv dhe lehtëson mësimin e gjuhës suedeze e të gjuhëve të tjera.

Për më tepër, ai vlerësohet shumë, sepse forcon identitetin kulturor të nxënësit dhe rrit suksesin e tij të përgjithshëm akademik.

Së fundmi, notat e fituara në gjuhën amtare llogariten në pikët totale për pranimin në shkollimin e mëtejshëm si për pranimet në gjimnaz, por edhe në Universite, duke u dhënë nxënësve një avantazh real.

SHKAQET

Komuna e Malmos si mjaft komuna të tjera në Suedi ka pësuar një ulje të lindshmërisë, sidomos pas krizave që krijoi epidemia e Covid 19, apo edhe kriza të tjera ekonomike që lidhen me situatën Globale. Gjithsesi që kjo ulje të ndikojë në aplikimet e nxënësve nëpër shkolla körkon të paktën 7 vite, sa është zakonisht kufiri i moshës për fillimin e mësimit të gjuhëve amtare. Zhvillimi i mësimit në një shkolle tjetër, e cila është larg shkollës ku ndjek mësimet nxënësi konsiderohet si një prej shkaqeve që nxënësit refuzojnë të shkojnë në mësimin e gjuhës amtare.

Vetë mësimi i gjuhës shqipe sikurse edhe për gjuhët e tjera amtare zhvillohet pas mësimit të rregullt që bie shpesh në një njëjtën kohë me aktivitete të tjera të nxënësve, sicc është stërvitja në futboll, apo sporte dhe aktvitite të tjera jashtë shkollore.

Grupet e nxësve në një orë mësimore janë të përziera në moshë e nivele të ndryshme dhe ndonjëherë kjo bën që jo të gjithë mund të marrin ndihmën e duhur në 1 leksion që varion nga 30 deri 60 minuta. Në tjetër problem është me nxënsit e ciklit të ulët, të cilët duhet të udhëtojnë në një shkollë tjetër për të zhvilluar mësimin në shqip. Edhe pse shkolla e tyre vë në dispozicion taksi për transportin ka prindër që e kanë hequr fëmijën nga të mësuarit shqip për shkaqe të sigurisë, pasi fëmijët udhëtojnë vetëm të pashoqëruar nga të rritur.

MATERIALET MËSIMORE

Komuna e Malmos vë në dispozicion një fond për blerjen e materialeve mësimore dhe librave për gjuhët amtare. Gjithashtu 2 ambasadat si ajo e Kosovës dhe Shqipërisë kanë shpërndarë libra për nxënësit që zhvillojnë mësimin e gjuhës shqipe. E vërteta është se në klasa ka mungesa në libra dhe kryesisht nxënësit mësojnë me fletë fotokopjurara nga libra të ndryshëm, apo nga materiale të punuara nga vetë mësuesit.

RADOVA: MËSIMI I GJUHËS AMATARE ZHVILLON GJUHËN DHE IDENTITETIN

Sipas Elma Radovac, e cila është shefe e katedrës së gjuhësve amtare ku përfshihet gjuha shqipe në Zyrën e Gjuhëve Amtare në komunën e Malmos, mësimdhënia e gjuhës amtare shqipe ndjek të njëjtin plan mësimor sikurse gjuhët e tjera amtare në Suedi. Kjo do të thotë se mësimdhënia ka për qëllim të zhvillojë gjuhën e nxënësit, identitetin, shumëgjuhësinë. Ajo zakonsiht zhvillohet 1 herë në javë, jashtë orarit të zakonshëm mësimor. Përmbajtja dhe mënyrat e mësimdhënies janë të njëjta me gjuhët e tjera.

PLOT 38 VITE NË MËSIMIN E GJUHËS SHQIPE PËR SHQIPTARËT E MALMOS

Mizaqet Bekiri ka ndihmuar míjëra nxënës me prejardhje nga të gjitha viset shqiptare të mësojnë dhe kultivojnë gjuhën shqipe në komunën e Malmos në Suedi. E ardhur nga Maqedonia e Veriut në vitin 1985, Mizaqeti ka prej vitit 1988 që ushtron misionin e mësimit dhe ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar në 3 breza tashmë. E pyetur rreth mësimit të gjuhës amtare Mizaqeti na thotë se: “Gjuha jonë amtare nuk është thjesht një lëndë shkollore! është thelbi i shpirtit dhe historia e të parëve tanë! Gjatë 36 viteve të mia në Suedi, kam parë shumë breza të rriten, por pasioni dhe dëshira juaj për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe mbetet gjithmonë shpresa ime më e madhe. Ju jeni ura lidhëse mes kulturës sonë të pasur dhe botës. Ruajeni dhe flisni shqipen me krenari kudo që të shkoni!” Kur përfondoi studimet pedagogjike në Shkup në vitin 1985, Mizaqeti nuk e kishte menduar se misioni i saj do të ishte kaq domethënës për shqiptarët e diasporës në Suedi. “Për 36 vite, gjuha shqipe ka qenë lidhja jonë më e fortë këtu në Suedi. Ju falënderoj që jeni kaq kuriozë dhe të përkushtuar. Gjuha jonë është pasuri, mbajeni atë gjithmonë në zemër dhe në mendje! Të lumtur që jemi bashkë në këtë rrugëtim!” shton ajo ndërsa shpreh keqardhje për një zbehje të interesit të nxënësve por edhe të prindërve për t’i regjistruar fëmijët për mësimin e gjuhës shqipe në këto vite të fundit.

AMBASADAT

Ndryshe nga gjuhët e tjera amtare, mësimi i gjuhës shqipe teorikisht ka kujdesin e dy shtetve, të Shqipërisë dhe Kosovës. Të pyetur për informacionin që kanë për mësimin e gjuhës amtare në Suedi dhe problematikat e saj prej ambasadave të Kosovës në Suedi, ka një shifër 499 nxënës me shtetësi të Kosovës që mësojnë shqip. Gjithsesi kjo statistikë është disi e diskutueshme pasi të mendojmë se vetëm në Malmo studiojnë 785 nxënës ku numri më i madh i tyre e kanë prejardhjen prej viseve të Kosovës. Ndërsa sipas ambasadës së Shqipërisë në Suedi, “të dhënat që mund të disponohen janë të pjesshme dhe jo të plota, për shkak të kufizimeve ligjore në Suedi lidhur me privatësinë dhe trajtimin e të dhënave sensitive”. Në fakt kjo e vështirëson disi ndihmën për këtë mision, përsa kohë që nuk njihet situata e plotë e mësimit të gjuhës shqipe në Suedi. Të dyja ambasadat deklarojnë se janë zhvilluar aktivitete me qëllim sensibilizimin për rëndësinë e gjuhës dhe pjesëmarrjen për mësim, si edhe janë kryer takime me mësues. Sipas ambasadës së Kosovës janë realizuar bashkëpunime me biblioteka publike, të cilat janë furnizuar me libra për fëmijë në gjuhën shqipe të siguruara nga Biblioteka “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.

Ky shkrim është përgatitur nga nxënësit e gjuhës shqipe në Malmö, Sara Sadiku, Hana Lubishtani, klasa e 9-të, shkolla Damfriskola; Iris Cherol Palioura, klasa e 9-të dhe Arijon Gashi nga shkolla Fågelbacksskolan

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura