PKSH- PPSH- PSSH, mbrojtëse apo nëpërkëmbëse e interesave kombëtare?

Jun 11, 2026 | 8:50

Xhevat MustafaXHEVAT MUSTAFA

I ndjerë ngushtë apo ligsht nga lakuriqësimi prej 81 vjetësh, me vepra të shumta, i tradhëtimit, nëpërkëmbjes, bizneseve politike dhe financiare me copa Shqipërie me interesat kombëtare, kryetari 21 vjeçar dhe kryeministri 13 vjeçar i PS, po bëhet edhe më qesharak, më i përbuzur, më i urryer dhe i pabesueshëm duke reklamuar të kundërtën. Domethënë, se prej 85 vitesh partia e tij “e ka mbrojtur” me thonj e me dhëmbë, me duar e me këmbë, interesin kombëtar. Le t’i përgjigjemi me disa fakte historike e të vërteta të përjetuara hipokrizisë, demagogjisë, paskrupullsisë së tij…

– Krijimi i PKSH nga Tito, Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha e vënia në krye të saj, të njeriut apo “vëllait” të tyre Enver Hoxha, njeri me shumë mungesa, vese, perversitete…

– Anullimi i Marrëveshjes së Mukjes, nga presioni i hapur i vëllezërve jugosllavë të Enverit, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha dhe hapja e rrugëve apo hedhja e “fuçive me benzinë” për luftë civile mes UNÇLSH dhe “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit”!?

– Nënshtrimi i plotë i udhëheqjes së PKSH ndaj LKJ, TITOS dhe misionarëve apo këshilltarëve të saj për të gjitha problemet dhe në të gjitha fushat…!

– Dergimi në Kosovë e Maqedoni i Brigadave dhe divizioneve shqiptare, duke u vënë nën vartësinë e plotë të LKJ e të Komandës së Shtabit Ushtarak të saj…Sipas detyrave prej “vëllezërve jugosllavë” u luftuan repartet me luftëtarë dhe prijësat e tyre nacionalistë dhe anti jugosllavë…, deri në qëndrimin si sehirxhinj ndaj rreth 4000 shqiptarëve në Masakrën e Tivarit…

– Pas 29 nëntorit 1944 u anulua kryevepra e pushtuesve italianë dhe gjermanë për bashkimin e trojeve shqiptare nën një shtet e qeverisje!? – Deri më 1948 u boshatisën depot e mëdha të tregtarëve dhe të shtetit të Shqipërisë për të furnizuar “vëllezërit jugosllavë” të Enver Hoxhës…!?

– Nga 1948 deri më 1990 u varën dhe pushkatuan qindra personalitete intelektuale, kulturore e studimore, shkencore, fetare…, me akuzën e sajuar të qenies “agjentë jugosllavë”, kur vetë Enver Hoxha ishte deri sa ngordhi “kryeagjenti jugosllav” në Shqipëri!? – Strategjia e gabuar e paramenduar apo e qëllimshme për zhvillimin ekonomik, industrial, mineral, të nivelit të jetesës, duke eksportuar më shumë në formën e kleringut, edhe naftë e gaz dhe minerale me përbërës metale të çmuar si duke ndërtuar fabrika, uzina, kombinate… Këto më shumë i konsumonin se sa i jepnin buxhetit të shtetit dhe mirëqenies së popullit, duke i lënë deri më 1992 të mbijetonin në varfëri e me tollona me gramatura minimale për 1 javë për familje me 4, 5, 6 frymë dhe me rradhë pak pas mesnate!?

– Izolimi i shumicës së popullit brenda kufijve të “burgut të madh Shqipëri”, pa mundësi turizmi në vende të tjera dhe vizitash në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Greqi…!? – Mbushja e Shqipërisë me burgje dhe kampe përqendrimi, me të burgosur për një fjalë goje pakënaqësie dhe me akuza të sajuara spiunësh shpirtzinj.

-Një nga dëshmitë më të hapura e të qarta, të papërgjegjshme të pajustifikueshme të mendësise dhe antikombetarizmit të PS- së është kunderrevolucioni bolshevik, grekoserbo- mafia italiane i 1997, me hartë shpërthimi dhe shtrirjeje nga Saranda deri në Durrës, me kryeqytet, jo rastësisht, Vlorën. Kapur tek sebebet e firmave piramidale dhe lekët e humbur nëpër to, u fsheh dhe justifikua trashë e pabesueshëm qëllimi kryesor: rrëzimi i qeverisjes së PD dhe i Berishës e zëvendësimi I tyre nga PS- Nano!

– Qëllim tjetër ishte lirimi nga burgjet para afatit të dënimit të Ramiz Alisë, të disa ish anëtarëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH, të Aranit Çelës e të disa figurave të tjera të diktaturës enveriane…

– Ndërsa nga Athina, Beogradi, Moska, nga Mariza Lino, më shumë misionare e Nicolas Gage, kreut të lobit grek në SHBA se sa e Shtëpisë së Bardhë, synimi parësor ishte shkatërrimi dhe dobësimi i shtetit shqiptar, duke e bërë kufomë të gjallë, sa të mos ishte në gjendje të mbronte copat e saj e jo më të mbronte Kosovën!?

– Ky synim shprehet qartë nga fakti se po të donin vetëm rrëzimin nga pushteti të PD, të Sali Berishës dhe Aleksandër Meksit, kjo përmbushej fare lehtë në atë kohë edhe me eliminimin fizik e njerëzor të tyre! JO! Synimi ishte të vritej SHQIPËRIA si shtet, me strukturat dhe institucionet që janë shtyllat mbajtëse dhe identifikuese të një shteti të shekujve 20 e 21!?

– Ndërsa nga mafia shqiptare, italiane, greke, serbe, malazeze synohej që Shqipëria e Jugut, sidomos Saranda, Vlora, Durrësi e më në veri, Lezha, Shëngjini…të bëheshin “parajsa” për trafiqet e drograve, të armëve; të refugjatëve klandestinë; të fëmijëve për birësim dhe tregtim të organeve, të vajzave të reja për bordellot e Greqisë, Italisë e të vendeve të tjerë të Europës Perëndimore!?

-Akti më i freskët i “patriotizmit” dhe “shqiptarisë së flaktë” të kryeministrit Edi Rama, pas serialit 12 vjeçar të antikombetarizmit në mbarë vendin, nga Butrinti në Jug, Himara, Sazani, Zvërneci, Tragjasi në Vlorë e deri në Rjoll, Kelmend e Valbonë në Veri, nga Dibra në Lindje e nga Porti i Durrësit në Perëndim, është i dt. 3 qershor 2026. Sipas një VKM-je të pa ju tharë boja e stilografit, “Miku i kryeministrit, me dosje penale në SHBA dhe në gjykim atje, Ron Yeffet, do të administrojë rezervën shtetërore të naftës (250 mijë ton), që ligji e ndalon kategorikisht t’i jepet privatëve. Për të financuar skemën, Rama ka sajuar një taksë të re për konsumatorët; 300 milionë euro gjithsej, nga të cilat 75 milionë do t’i shkojnë Yeffet-it ‘për administrim’.

E megjithatë, Edi Rama, ka paskrupullsinë dhe kurajën të nxjerrë nga goja më 30 maj deklaratën se “PS (me 84 vjet jetë dhe 72 vjet qeverisjeje mbush me vepra në dëm të Kombit Shqiptar e të shqiptarëve”) ka mbrojtur gjithmonë interesin kombëtar dhe se “PD (me gjithsej 35 vjet jetë dhe 12 vjet në pushtet) është shpirti i shkatërrimit të politikës shqiptare”!? Këtë deklarim ai e bëri të pasinqertë po vetë pas 5 ditësh! Delegacioni i Rama – qeverisë votoi më 5 qershor 2026, kundër Kosovës!?

Në mbledhjen e Konferencës së Komisioneve Parlamentare për Integrim Evropian Shqipëria u bashkua me Beogradin në një deklaratë, në të cilën Kosova nuk ekziston si shtet i pavarur!?

Ky votim apo qëndrim me mesazh të qartë antikombëtar vjen pas një vargu të gjatë veprimesh të mëhershme të kësaj natyre. Mes tyre nund të kujtojmë vetëm disa:

– Mbështetja nga Rama-qeveria të idesë së Vuçiçit- Thaçit- Isa Mustafës- Ramush Haradinajt, Hotit për shkëmbimin e territoreve Serbi- Kosovë. – Promovimi nga Vuçiç- Rama të sajesë s serbe të “Ballkanit të Hapur”, iniciativë që Kosova gjatë qeverisjes së Albin Kurtit e kundërshtoi me të drejtë.

– Ndërhyrja nga Edi Rama me ide dhe propozime tinëzare në draft-statutin e Asociacionit, pa e pyetur fare Prishtinën.

– Anulimi nga Tirana qeveritare i mbledhjes së dy qeverive në kulmin e krizës politike në Kosovë.

A doni akoma për qëndrime, deklarime, veprime skandaloze nga Rama- qeveritë në dëm të hapur të interesave kombëtare? Do të duhej një natë e gjatë dhjetori ose janari “me i kujtue dhe tregue të tana!” Dhe jo si përralla, por si fakte historike e si ngjarje të përjetuara! Gjithsesi, kur i analizon një nga një e të gjitha gjëmat dhe vuajtjet që u ka shkaktuar PKSHPPSH- PSSH Shqipërisë dhe shqiptarëve , fantazia dhe figuracioni të shtyn të mendosh se ndërsa shikon dhe dëgjon Edi Ramën, është ngjashëm sikur djalli përpiqet të të mashtrojë se është ëngjëll mbrojtës! Apo,sikur “vrasësi” dhe varrmihësi të të gënjejë si fëmijë çerdheje apo kopshti se është mjek mrekullibërës, që të ringjall ose të rilind!?

Në mbyllje, një pyetje të sinqertë për anëtarësinë, tifozët dhe votuesit e PS- së: a keni të drejtë të ndjeni me të vërtetë krenari dhe të festoni me këtë bilanc 84 vjeçar, ndjeshëm e qartësisht mbushur shumëfish më tepër me krime ndaj shqiptarëve, me eksperimente tmerrësisht të kotë e të kushtueshëm; me humbje, skandale, përfshirë edhe ato me doza të forta çnjerëzillëku dhe antikombëtarizmi; me një varg të pafund dështimesh, që e kanë sjellë Shqipërinë më 10 qershor 2026 po aty ku ishte më 29 nëntor 1944. Domethënë, po në një nga vendet e fundit në Europë e botë për treguesit e përjetueshëm të zhvillimit, mirëqenies, politikës sociale, të demokratizimit, integrimit europian, drejtësisë, zgjedhjeve të lira e të ndershme. Njëherazi, në vendet e para për të këqija, për korrupsion, kriminalitet, trafiqe drogrash, pastrim miliardash në ndërtim e turizëm, sidomos në kulla 20- 45 katëshe; për ndotje ajri e uji…, për nivelet e larta të përbërësve të rrezikshëm në ushqime e ilaçe; artikuj të higjienës dhe kozmetikës…? A ju bëjnë zemrat dhe a gjeni zë shpirti të uroni Edi Ramën me Linda Ballukun dhe shokë e shoqe të tjerë në majën e piramidës së partisë dhe qeverisë suaj si dhe njeritjetrin: “GËZUAR DITËLINDJEN E PARTISË SONË!”?

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura