Franca dhe Gjermania po diskutojnë propozime për një ristrukturim rrënjësor të shërbimit diplomatik 15-vjeçar të Bashkimit Evropian, me qëllim që Unioni të jetë më efektiv në përballimin e krizave gjeopolitike, raporton Financial Times.
Siç raporton gazeta, Parisi, Berlini dhe kryeqytete të tjera evropiane po shqyrtojnë mundësi të ndryshme, duke përfshirë transferimin e përgjegjësive nga shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS), i cili ka një buxhet vjetor prej rreth 1 miliard eurosh.
Sipas pesë zyrtarëve të lartë të informuar mbi diskutimet, propozimet përfshijnë kthimin e disa kompetencave te Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare, në një përpjekje për të ripërcaktuar mënyrën se si BE-ja zhvillon politikën e jashtme.
“Është e qartë se [EEAS] nuk funksionon ashtu siç duhet në botën e sotme. Është jofunksionale,’ tha njëri nga zyrtarët.
“Problemi është strukturor dhe kështu struktura duhet të rindërtohet.”, shtoi ai.
Disa zyrtarë evropianë po shprehin shqetësim në lidhje me efektivitetin e strukturës ekzistuese, pasi BE-së i kërkohet t’i përgjigjet sfidave ndërkombëtare gjithnjë e më komplekse, nga lufta në Ukrainë te tensionet me Kinën dhe Lindjen e Mesme.
© Panorama.al












