Zhdukja e Eglant Koçit, Drejtori i Policisë Tiranë: Trupi po kërkohet nga një strukturë e posaçme, jemi përqendruar në kufirin mes Tiranës e Elbasanit

Jun 13, 2026 | 10:41

Drejtori i Policisë Tiranë, Oliger Torba, në një konferencë për mediat ditën e sotme ka deklaruar se vijojnë ende kërkimet për gjetjen e turpit të 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili është zhdukur prej ditësh.

Oliger Torba

Torba bëri me dije se kërkimet po kryhen nga një strukture e posaçme e krimeve të rënda, dhe janë përqendruar kryesisht në rrethinat e Tiranës dhe kufiri me Elbasanin.

“Hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi. Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës“, tha ai.

Po ashtu, në ndihmë kanë ardhur edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, por deri më tani nuk ka ende rezultate konkrete.

Eglant Koçi
Eglant Koçi

Drejtori i Policisë Tiranë, Oliger Torba: Është një ngjarje shumë sensitive, nga ana e jonë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, indicie në lidhje me këtë ngjarje është marrë nga familja e të humburit.

Fillimisht komisariati numër 2 ka kryer të gjitha procedurat, më pas duke bërë një analizë të thelluar të ngjarjes, është gjykuar dhe hetimi po ndiqet nga struktura e krimeve të rënda e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Nga ana jonë dhe aktualisht që po flasim, është ngritur një strukturë e posaçme që po kërkon në lidhje me trupin e shtetasit Eglant Koçi.

Kërkimet janë shtrirë kryesisht në rrethinat e Tiranës, kufirit ndarës mes Elbasanit dhe Tiranës. Aktualisht krahas shërbimeve të Policisë së Shtetit, një ndihmë na ka ardhur edhe një njësi e posaçme nga FSK, po vijon kërkimi, deri tani nuk kemi pasur ndonjë rezultat konkret. Janë kontrolluar shumë zona ku kishim dyshimet tona pas analizave. Kërkimi vijon.

Armand Shakaj
Armand Shakaj

NGJARJA

Zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi ka ndodhur më 4 qershor në Tiranë, ku i dyshuari kryesor për ngjarjen është miku i tij, Armand Shakaj, i cili aktualisht vijon të jetë në kërkim nga policia.

Sipas hetimeve paraprake, Shakaj dyshohet se e ka thirrur Koçin në ambientet e biznesit të tij, pranë shkollës “Ismail Qemali”, përballë Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Hetuesit dyshojnë se në këtë ambient 34-vjeçari është mbajtur peng dhe më pas është vrarë.

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se Armand Shakaj ka përdorur një karrotrec për të transportuar automjetin e tij, brenda të cilit mendohet se ndodhej edhe trupi i pajetë i 34-vjeçarit, në drejtim të zonës së Ibës. Më pas, sipas dyshimeve të hetuesve, trupi është transportuar dhe fshehur në një zonë të thellë të Librazhdit, ndërsa autori i dyshuar ka tentuar të humbasë gjurmët.

Për të realizuar zhvendosjen e trupit dhe largimin e provave, dyshohet se Shakaj i ka kërkuar kamarierit Enea Zyferi të fikte dritat e ambientit, me pretendimin se do të nxirrte një frigorifer. Zyferi, i cili ndodhet nën akuzë për përkrahje të autorit të krimit, gjatë dëshmisë në gjykatë ka mohuar të ketë dijeni për fatin e Koçit.

“Armand Shakaj më kërkoi të fikja dritat. Më tha se do të nxirrte një frigorifer. Nuk kam asnjë dijeni për fatin e Eglant Koçit. E njoh sepse punoj si kamarier në lokalin e Armandit”, është shprehur ai para togave të zeza. Sipas tij, ai ka parë Koçin të hyjë në ambientet e biznesit, por nuk di asgjë më tej për atë që ka ndodhur.

Hetimet tregojnë gjithashtu se Shakaj i kishte kërkuar kamarierit që të dërgonte automjetin në lavazh për ta pastruar në fund të Bulevardit të Ri. Ndërkohë, edhe pse energjia elektrike ishte ndërprerë, kamerat e sigurisë kanë regjistruar lëvizje që sipas hetuesve dokumentojnë momentin kur trupi i Koçit vendoset në automjet.

Më tej, dyshohet se për të devijuar hetimet, motori i viktimës është dërguar në zonën e “5 Majit”, ndërsa ambienti ku dyshohet se ka ndodhur krimi është pastruar.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë gjetur gjurmë gjaku si në ambientin e biznesit ashtu edhe në automjetin e përdorur, çka ka forcuar dyshimet se 34-vjeçari është vrarë.

Armand Shakaj është shpallur në kërkim për veprat penale të rrëmbimit dhe vrasjes, ndërsa motivi i dyshuar i krimit lidhet me konflikte të mundshme për portofole kriptomonedhash.

© Panorama.al

Te lidhura