Preç Zogaj
Shumë ngjarje të mëdha janë paraprirë nga episode që kanë provokuar shpalosjen dhe zhvillimin e tyre. Dramaturgjia i quan “nyja e intrigës”.
Zvërneci është një prej shembujve të freskët. Në projektin pa projekt të resortit të shumëpërmendur ishin kondensuar fshehtësia, ligji i xhunglës, simbioza midis shtetit legal dhe shtetit okult, konflikti i interesit, personalizimi ekstrem i pushtetit. Shpërthimi i tyre ka ngritur në këmbë Shqipërinë e njerëzve të lirë. Sa më mirë ta kuptojë kryeministri Rama këtë, aq më mirë është për vendin. Sa më shpejt t’i dalë nga mendja dhe shpirti fraza “populli im u zgjua”, në vend të fantazmave të armiqve të jashtëm e të brendshëm, aq më mirë është për të.
Zvërneci pret tani transparencë të plotë nga SPAK se kush janë pronarët e ligjshëm të tokës atje. Pret kthimin e pronës te i zoti për çdo rast të uzurpimit, tjetërsimit apo grabitjes së saj. Pret reflektimin e standardeve dhe kërkesave të BE-së për mjedisin, përfshirë shfuqizimin ose ndryshimin e dispozitave ligjore problematike, si kusht për mbylljen e kapitullit përkatës në marshimin final drejt anëtarësimit në BE. Asnjë lloj investimi nuk përligj stopimin e integrimit të vendit në BE.
Asnjë prej këtyre pritshmërive nuk do të mbetet pa një përgjigje shteruese. Qoftë edhe me kaq, Zvërneci si kryengritje për drejtësi dhe dinjitet i një grupi qytetarësh ka arritur shumë.
Por tani ngjarja e re kombëtare është protesta rinore popullore në Tiranë. Me kalimin e ditëve, ndërsa po rritet në numra dhe po thyen rekordet e vazhdimësisë, kauzat e saj gjithëpërfshirëse sa vijnë e kristalizohen.
Kërkesa e ditës së parë për dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij mbetet kolona kurrizore e saj. Sakaq, protesta po përqafon dhe po artikulon gjithnjë e më qartë në fjalimet e folësve dhe në vetë fiziologjinë e saj një kauzë madhore, që mundëson zgjidhjen e të tjerave.
Kjo është kauza e rikthimit të demokracisë, të cilën filluam ta humbnim pak nga pak që në fillimet e saj, kur sapo e patëm fituar. Pas tridhjetë e ca vitesh njerëzit në përgjithësi e shohin veten të përjashtuar nga regjimi që mban emrin e popullit. Ata nuk pyeten, ata nuk kanë zë në kapitull. Kjo është trajektorja e humbjes së madhe. Dy shtyllat e qeverisë së mirë – llogaridhënia dhe transparenca – kanë katandisur në fjalë boshe. Llogaridhënia është zëvendësuar me propagandë. Personalizimi i qeverisjes është bërë normë. Sado paradoksale të duket në pamje të parë, korrupsioni në sistem ka qenë dhe është derivat i këtij personalizimi. Pse? Sepse në shoqërinë e hapur personalizimi i pushtetit në formën “ligji jam unë” përfaqëson shkallën më të lartë të korrupsionit politik. Zyrtarët dhe sipërmarrësit e oborrit e manifestojnë pastaj në format e abuzimeve të llojllojshme, deri të trasha. Rastet i kemi çdo ditë në komunikatat e SPAK për hetime, arrestime.
Një goditje të madhe në sistem demokracia në vendin tonë e mori në vitin 2008 me ligjin zgjedhor konsensual Berisha-Rama. Ky ishte dhe mbetet, me gjithë disa retushime, ligj i krijimit të kastave dhe oborrtarëve politikë përmes listave të mbyllura, duke ua hequr mundësinë qytetarëve t’i gjykojnë deputetët me votë, t’i zgjedhin me votë, të pretendojnë t’i kenë deputetë të tyre.
Përgjatë zbatimit, zgjedhje pas zgjedhjesh për Kuvendin e Shqipërisë, ky ligj i shndërroi dy partitë e sistemit në kazerma politike të kryetarëve absolutë dhe vetë funksionin e shenjtë të zgjedhjeve të lira në një mjet të rëndomtë punësimi të disa besnikëve.
Demokracia e një vendi është ndjeshëm pasqyra e partive të saj të sistemit. Partitë autokratike prodhojnë regjime autokratike me maska demokratike. Por maskat nuk mbajnë. Vjen një ditë që populli zgjohet dhe reklamon me forcë sistemin e tij, regjimin e tij, grabitja e të cilit është edhe më keq se grabitja e pronës, duke qenë se grabitja e pronës është pasojë e grabitjes së regjimit.
Në këto kushte çlirimi i zgjedhjeve mbetet premisa e kthimit të demokracisë në vendin tonë. Protesta rinore qytetare po e artikulon çdo ditë e më fort. Ajo po jehon si refreni i himnit rreth flamurit të përbashkuar në një dëshirë, në një qëllim i të gjithë atyre që zbresin në bulevard – të majtë, të djathtë, radikalë, nacionalistë, liberalë, të pavarur. Dhe i mijëra e mijëra të tjerëve që i ndjekin nga shtëpitë dhe vazhdojnë t’u bashkohen ditë pas dite.
Zgjedhjet e lira me rregulla të qarta loje, ku sovrani i zgjedh me votë të lirë përfaqësuesit e vet, ku votat numërohen sa pa rënë mesnata apo edhe më shpejt dhe administrohen pa partianshmëri, janë themeli i Shqipërisë së re.
Protesta e këtyre ditëve, ngjarja më e madhe demokratike e tranzicionit, po tregon edhe njëherë se demokracia i krijon vetë mjetet e vetëmbrojtjes. Mjafton të ketë një korsi të lirë dhe një popull që në një udhëkryq të fatit të vet bëhet gjallë dhe thërret: Mjaft! Ky është populli i protestës politike më paqësore e më të vendosur që kemi jetuar. Me rrezatim në gjithë Europën. Tridhjetë e pesë vite më parë shqiptarët erdhën të fundit në takimin me historinë. Kësaj radhe duket se po vijnë të parët duke dhënë një shembull edhe për të tjerët, duke dëshmuar edhe njëherë se demokracia vjen si dhuratë, por mbahet me përpjekje, siç ka thënë Papa Gjon Pali II.
© Panorama.al












