Patronazhimi politik në Shqipëri është shndërruar në një mekanizëm të sofistikuar kapjeje, ku çdo qytetar është i survejuar, i kategorizuar dhe i kushtëzuar. Pas rrjedhjes së të dhënave, secili u njoh me bazën e të dhënave personale dhe me patronazhistin që administronte informacionin e tij, duke e bërë kontrollin politik një realitet të prekshëm dhe të personalizuar. Ky sistem nuk është thjesht korrupsion, por një arkitekturë e kapjes së shtetit, ku administrata shndërrohet në ushtri militante dhe ekonomia në oligarki të kontrolluar.
Ngjashmëria me botën e Orwell-it në 1984 është e qartë. Databazat e patronazhistëve janë syri i pushtetit që sheh gjithçka, patronazhistët janë policia e mendimit që kategorizon qytetarët sipas bindjes politike, ndërsa frika e humbjes së vendit të punës apo e izolimit nga sistemi është arma e kontrollit. Ashtu si tek “Big Brother”, liria është iluzion, demokracia fasadë dhe e vërteta e manipuluar sipas nevojave të pushtetit. Në të dyja rastet, individi nuk është më subjekt i lirë, por objekt i kontrollit.Ky patronazh është pra një kapje Orwelliane e shtetit, ku survejimi, kontrolli dhe varësia shndërrohen në norma, duke e zhveshur demokracinë nga përmbajtja dhe qytetarin nga liria.
Nëse Orwell paralajmëronte për një shoqëri të mbërthyer nga frika dhe manipulimi, realiteti shqiptar e përkthen këtë paralajmërim në praktikë: një sistem ku çdo votë është e parashikuar, çdo qytetar i monitoruar dhe çdo institucion i kapur.Në këtë kuadër, patronazhimi nuk është thjesht një devijim administrativ, por një projekt politik i sofistikuar që e kthen shtetin në instrument të kontrollit total. Çrrënjosja e tij është e domosdoshme për të shmangur shndërrimin e Shqipërisë në një “1984” të përhershme, ku demokracia është vetëm një slogan dhe liria vetëm një iluzion.Ky krahasim mes patronazhit dhe Big Brother dhe mes databazave dhe policisë së mendimit e bën të qartë: Shqipëria rrezikon të jetojë një realitet Orwellian, ku kapja e shtetit është e sofistikuar, e institucionalizuar dhe e normalizuar.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












